Ndizen dritat në Bredhin e Kërshëndellave në Katedralen Nënë Tereza

Dec 14 • Kisha në Kosovë

Prishtinë, 13 dhjetor 2016 – Në praninë e studentëve dhe besimtarëve të shumtë, dje në ora 19:00 u ndezën dritat e Bredhit të Kërshëndellave në Katedralen e Nënë Terezës në Prishtinë.

Sipas traditës sonë në Prishtinë, pas të dielës së tretë të Kohës së Ardhjes, në mënyrë solemne ndizen dritat e Bredhit të Kërshëndellave pranë Katedrales së Kryeqytetit tonë. Gjithnjë i paraprinë mesha e studentëve, që mbahet të marteve, të prirë nga bariu shpirtëror i Kishës katolike në Kosovë, Imzot Dodë Gjergji në bashkëmeshim me meshtarë.

Imzot Dodë Gjergji, në homelinë e meshës theksojë domethënien e dritës në jetën e Kishës dhe  të çdo besimtari, duke u nisur nga thënia e Jezusit se i krishteri është drita e botës, i cili është i dërguar për të shndritur errësirat kudo që ato ndodhen. Ne jemi drita e botës, por kush është drita e jonë – pyeti Ipeshkvi – duke u përgjigjur se Jezu Krishti është Drita jonë, Ai e ndez në zemrat tona Dritën që nuk shuhet kurrë, Ai që na bën të shndrisim në këtë botë. Drita na përcjell gjatë tërë jetës – vazhdoj imzoti – në pagëzim, gjatë sakramenteve tjera, si dhurata shpëtimi nga Jezusi; në Pashkë e ndezim qiriun, i cili e simbolizon Krishtin – dritën e kësaj bote – në të cilin ne e marrim dritën, për të qenë fanarë dhe davaritës të territ pështjellues. Qiriu ndezët edhe në momentin e kalimit të besimtarit për jetën pasosur. Ja, qiriu, drita na përcjellë tërë jetën tonë, sepse jemi bijë e bija të dritës. Nga këtu ne e marrin misionin të jemi dritë për vëllezërit dhe motrat tanë, për shoqërinë tonë. Ne jemi shpallës të dritës, dëshmitarë të dritës. Sikurse qiriu që duke dhënë dritë shkrihet e konsumohet, le të ndodh edhe me jetët tona që të konsumohemi për të dhënë dritën, për të shndritur terrnajat që na kanosen. Le të bëhemi shpallës të dritës, të të bukurës që Zoti i Kërshëndellave na e ka dhuruar, këtë të bukur që sot bota ka nevojë e bashkëqytetarët tanë. Ju thërras të gjithëve, në mënyrë të veçantë juve të rinjve e të rejave, të bëheni dëshmitarë të kësaj drite, kësaj të bukure, këtij gëzimi ungjillor – përfundojë homelinë e tij Imzot Doda.

Pas meshës së shenjtë, në procesion u drejtuam në oborrin para katedrales, ku pas këngës dhe lutjes, ipeshkvi i ndezi dritat e bredhit, me dëshirën që këto drita të jenë shenja e Dritës së Foshnjës së Betlehemit që po e presim me hare. Ipeshkvi i falënderojë Elektro Kalludra, e cila e ka bërë ndriçimin e Bredhit, pronarët e të cilit edhe pse nuk i përkasin kishës katolike, ata vullnetarisht e kanë treguar dëshirën për të kontribuar në gëzimin tonë.

Gëzimi i kësaj mbrëmje vazhdoj me këngë të krishtlindjes të interpretuara nga Kori i Katedrales, nën udhëheqjen e Adelina Kolaj dhe Krishtina Perkola. Gjithashtu, të rinjtë e Famullisë së Prishtinës përgatitën verë të vluar për të gjithë të pranishmit, të përgatitur enkas për këtë ditë. (Rev. Drita)

[wonderplugin_gallery id=”31″]

Shpërndaje

Comments are closed.

« »