Kush të kanë ndihmuar për ta gjetur rrugën e Zotit?

Dec 15 • Meditimi i ditës

15 dhjetor 2016 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Iz 54,1-10; Ps 30,2.4-6.11-13; Lk 7,24-30)

 

Prania e Hyjit

“Gjithçka e ka vendin dhe kohën e vet”, thotë fjala e urtë.

O Zot, bëj që gjithmonë të dëshiroj të kaloj kohën në praninë tënde.

Që ta dëgjoj thirrjen tënde.

 

Liria

Do ta lus Hyjin që të më ndihmojë
që të lirohem nga ankthet dhe brengat,
që t`i çelem gjatë kësaj kohe të lutjes,
në mënyrë që të mund ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.

 

Ndërgjegjësimi

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – lidhje me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto lidhje dhe falënderoj për jetën që përshkohet nëpërmjet tyre.
Disa prej këtyre lidhjeve janë shtrembëruar, disa të rrënuara, disa të ndërprera:
Ndoshta për këtë arsye e ndjej veten të trishtuar, të zemëruar, të zhgënjyer.
Lus për hirin e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

O Zot, je bërë njeri për të biseduar me mua;
ke ecur dhe punuar përmbi këtë tokë; ke pësuar të nxehtët dhe të ftohtët.
Koha që e ke kaluar mbi tokë ka qenë e mbushur me kujdesin për njerëz.
Ke shëruar të sëmurë, ke ringjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Lk 7, 24-30

 

24 Kur të dërguarit e Gjonit shkuan, Jezusi filloi t’i flasë turmës për Gjonin:

“Ç’dolët të shihni në shkretëtirë? Një kallam që e tund era? 25 Atëherë, ç’dolët të shihni? Një njeri të veshur me petka të bukura? Porse njerëzit që veshen me petka të bukura, me shkëlqim e jetojnë në kënaqje banojnë në pallate mbretërore! 26 Por, çka atëherë dolët të shihni? Një profet? Po, unë po ju them: edhe më tepër se një profet! 27 Gjoni është ai, për të cilin u shkrua në Shkrimin e shenjtë:

Qe unë po e dërgoj lajmëtarin tim para teje për ta bërë gati para teje udhën tënde.’

28 Unë po ju them: s’ka djalë nëne që është më i madh se Gjoni! Megjithatë, edhe më i vogli në Mbretërinë e Hyjit, është më i madh se ai.

29 Populli mbarë që e dëgjoi ‑ edhe vetë tagrambledhësit ‑ duke u pagëzuar me pagëzimin e Gjonit, e dëshmuan drejtësinë e Hyjit. 30 Kurse, farisenjtë e mësuesit e Ligjit, duke mos pranuar të pagëzohen prej tij, e përbuzën planin e Hyjit që kishte për të mirën e tyre.

  

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit të shenjtë:

 

  • Jezusi ua përkujton njerëzve atë çka po kërkonin dhe gjenin te Gjoni: nuk po kërkonin ndonjë kallam apo njeri të veshur me petka komode, por njeriun që ishte shenjë e pranisë së Zotit. Do t`i kujtoj edhe njëherë të gjithë ata që më kanë ndihmuar për ta gjetur rrugën e Zotit.
  • Edhe pse jam më i vogli në Mbretërinë e Zotit do të kundroj se Jezusi mendon se jam i madh.

 

Bashkëbisedimi

Jezus, po më flet personalisht në tekstin e Shkrimit Shenjt.

Bëj që të përgjigjem në thirrjen tënde të sotshme.

Më mëso ta dalloj dorën tënde në vepër në jetën time të përditshme.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »