Hyji na befason

Dec 18 • Meditimi i ditës

18 dhjetor 2016 – E diela IV e Ardhjes (A), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 7,10-14; Ps 24,1-6; Rom 1,1-7; Mt 1,18-24)

 

Prania e Hyjit

Fillo duke marrë frymë thellë, duke pranuar dashurinë e Zotit, dritën e Krishtit, urtinë e Shpirtit të Shenjtë. Nxjerri të gjitha shqetësimet e tua, sfidat e tua dhe frikën tënde. Gjatë kësaj kohe të Ardhjes reflektoj se çka mund të bëj për t’u përgatitur për Zotin.

 

Liria

Hyji më do pa kushte,
Dhe më tërheq kah gjithçka që është e mirë,
Duke më sjellë në plotësinë e jetës.
I kërkoj Shpirtit Shenjtë që të ma hapë zemrën time,
Në këtë mënyrë mund t`i përgjigjem lirshëm
lëvizjes së Shpirtit në jetën time.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Atij që
pranon, shëron dhe ripërtërin
mund të jem i/e sinqertë në lidhje me mënyrat sesi kam arritur
ta përjetoj dashurinë.
Si kaloi dita e fundit?
Si po e ndiej veten në lidhje me mënyrën se si jam përgjigjur,
se si kam ndërvepruar, se si e kam hapur zemrën?
I ndaj ndjenjat e mia me Zotin.

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Mt 1, 18-24

 

18 Lindja e Jezu Krishtit ndodhi kështu:
Maria, nëna e tij, pasi u fejua me Jozefin, para se të banonin së bashku, u gjend shtatzënë për virtyt të Shpirtit Shenjt.
19 Tashti Jozefi, i fejuari i saj, pasi ishte njeri i drejtë e nuk donte ta çnderonte botërisht, mendoi ta linte fshehtazi. 20 Posa në mendjen e vet vendosi të bëjë kështu, ja, iu duk në ëndërr engjëlli i Zotit dhe i tha: “Jozef, biri i Davidit, mos ki frikë ta marrësh Marinë, të fejuarën tënde, sepse foshnja që është zënë në të, u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt. 21 Ajo do të lindë djalë e ti ngjitja emrin Jezus, sepse Ai do ta shëlbojë popullin e vet prej mëkateve të tij.” 22 E gjithë kjo ndodhi që të shkonte në vend fjala e Zotit e thënë nëpërmjet profetit:
23 “Ja, Virgjëra do të mbesë shtatzënë e do të lindë një djalë,
të cilit do t’ia ngjesin emrin Emanuel ‑
që do të thotë: Hyji me ne!
24 Jozefi, si u zgjua nga gjumi, bëri siç i urdhëroi engjëlli i Zotit: e mori në shtëpi të fejuarën e vet. 25 E, pa pasur marrëdhënie martesore me të, ajo lindi djalin, të cilit ia ngjiti emrin Jezus.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jozefi e mësoi një leksion për mënyrat e befasishme me të cilat Hyji vepron. Është e sigurt se Hyji këtu flet për fuqinë hyjnore për të sjellë diçka të mirë edhe nga mundësitë ose situatat që bota i mendon si skandaloze. “Për Hyjin asgjë nuk është e pamundur!”
  • “Hyji është me ne!” Momenti i Shenjtë na kujton se Hyji është me ne sa herë që lutem Dhe çdo herë që i përgjigjemi nxitjeve të Shpirtit mirë, Hyji është me ne në atë që ne bëjmë. Hyji edhe tani është i pranishëm si kurrë më parë. Ne jemi të rrethuar nga Hyji.

 

Bashkëbisedimi

O Zot i dashur, rri pranë meje gjithmonë.
Ma jep një zemër e cila do të të besojë gjithmonë.
Faleminderit që më do.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »