Hyji intervenon në pafuqinë tonë

Dec 19 • Meditimi i ditës

19 dhjetor 2016 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Gjq 13,2-7.24-25a; Ps 71,3-6b.16-17; Lk 1,5-25)

 

Prania e Hyjit

Kur jam i/e grishur të rri me mikun/shoqen,
mezi e pres këtë dhe e ndiej veten se po më bëhet nder.
Kur më grish Hyji që ta kaloj një kohë në praninë e tij,
Ai dëshiron që ta njoh dhe ta ndiej dashurinë e tij.
Me besim dhe shpresë ia hapi mendjen dhe zemrën Hyjit,
dhe lus që të më ndihmojë që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për dashurinë dhe praninë e tij.

 

Liria

Hyji sillej me mu ashtu siç bën një mësues shkolle me një fëmijë:

më mësonte. (Shën Injaci)
Do ta kujtoj se ekzistojnë edhe shumë gjëra për të cilat Hyji duhet të më mësojë,
dhe do të lus për hirin që t`i vërej
dhe t`i lejoj që nëpërmjet tyre të më ndryshojë.

 

Ndërgjegjësimi

Kur t`i kthehem detyrave të mia të përditshme,
Ma përkujto, o Zot,
Se gjithmonë je pranë meje.
Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Lk 1, 5-25

 

5 Në kohën e Herodit, mbretit të Judesë, ishte një prift me emrin Zakari, i rendit të Abisë. Gruaja e tij ishte prej bijave të Aronit dhe emrin e kishte Elizabetë. 6 Të dy ishin të drejtë para Hyjit, sepse u përmbaheshin pikë për pikë të gjitha urdhërimeve e porosive të Zotit. 7 Por nuk kishin fëmijë, sepse Elizabeta ishte beronjë e të dy ishin të shtyrë në moshë.

8 Dhe një herë, kur Zakaria, sipas rendit të klasës së vet, po kryente shërbesën priftërore para Hyjit 9 sipas rregullores së priftërisë, i ra shorti të hyjë në Shenjtërore të Zotit për të kushtuar kemin. 10 Në kohën e flisë së kemimit, mbarë populli rrinte përjashta e lutej. 11 Atëherë iu duk engjëlli i Zotit: qëndronte në të djathtën e lterit të kemimit. 12 Zakaria, kur e pa, u tremb dhe e kapi frika. 13 Por engjëlli i tha:

“Mos u tremb, Zakari! Lutja jote u pranua dhe Elizabeta, gruaja jote, do të lindë një djalë. Ti ngjitja emrin Gjon. 14 Do të gëzohesh e do të galdosh, po edhe shumë të tjerë do t’i gëzohen lindjes së tij. 15 Sepse do të jetë i madh para Zotit. Nuk do të pijë verë as pije dehëse dhe do të jetë plot me Shpirtin Shenjt që në kraharorin e s’ëmës. 16 Shumë bij të Izraelit do t’i kthejë kah Zoti, Hyji i tyre. 17 Do të shkojë para tij me frymë e me fuqi të Elisë, ‘për të kthyer zemrat e etërve kah fëmijët’, e të padëgjueshmit në urtinë e të drejtëve që t’i bëjë gati Zotit një popull të gatshëm.”

18 Atëherë Zakaria i tha engjëllit:

“Si mund të jem i sigurt për këtë gjë? Unë jam i vjetër e gruan e kam në moshë të shkuar.”

19 Engjëlli iu përgjigj:

“Unë jam Gabrieli që rri para Hyjit. Ai më dërgoi të flas me ty e ta sjell këtë lajm të gëzueshëm. 20 Dhe, ja, ti do të mbetësh i pagojë dhe nuk do të mund të flasësh deri atë ditë kur këto të plotësohen, sepse nuk u besove fjalëve të mia, të cilat patjetër do të plotësohen kur të vijë koha.”

21 Ndërkaq populli e priste Zakarinë dhe habitej pse vonoi aq shumë në Shenjtërore. 22 Kur doli, nuk mundi të flasë. Njerëzit e morën me mend se do të ketë pasur në Shenjtërore ndonjë vegim. Ai mundohej t’u tregojë me shenja, e mbeti i pagojë.

23 Kur u kryen ditët e shërbesës së tij, u kthye në shtëpinë e vet. 24 Pas kësaj kohe Elizabeta, gruaja e tij, mbeti shtatzënë. Pesë muaj u fsheh e thoshte:

25 “Ja, çka bëri Zoti për mua: në këto ditë u denjua të ma heqë turpin që kisha para njerëzve!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimi i Shenjt:

 

  • “Të dy ishin të shtyrë në moshë.” Ndoshta kjo vlen edhe për mua. E pra, porosia është që Hyji bën vepra të mrekullueshme kur e ndiejmë që ne nuk mund të bëjmë asgjë. E lus Zotin që ta dëgjojë lutjen time siç e ka dëgjuar edhe të Zakarisë.
  • Zakarisë iu mor goja sepse nuk besoi në Lajmin e gëzueshëm. Nëse edhe unë nuk besoj në Lajmin e gëzueshëm nuk do të kem ç`tu them të tjerëve. Do të ulem me Elizabetën dhe do ta lus të kem pjesë në besimin e saj.

 

Bashkëbisedimi

Ç`po ndodh në mua kur lus?
A jam i/e ngushëlluar, i/e shqetësuar, apo indiferent/e?
E paramendoj Jezusin se si qëndron apo është ulur afër meje
dhe ia tregoj të gjitha ato që ndiej.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »