Të bëhesh engjëll i dikujt

Dec 22 • Bota e të rinjve

Këtë të martë të fundit të Kohës së Ardhjes, të rinjtë dhe të rejat e Prishtinës dhe Studentët e Ipeshkvisë sonë që studiojnë në Prishtinë, e zbuluan kush ishte engjëlli i tyre gjatë kohës së Ardhjes. Këta të rinj, tash disa vite luajnë Lojën e Engjëllit, e cila ka karakter të përshpirtshëm, që konsiston në zgjedhjen e secilit pjesëmarrës për t’u bërë engjëll i dikujt dhe përcjellës në lutje. E gjithë kjo bëhet në mënyrë të fshehtë (zgjedhje me short) deri në ditën e përfundimit të lojës. Loja mund të zgjatë disa ditë, javë, varësisht prej organizimit. Në këtë lojë, gjithkush bëhet një engjëll i njëri-tjetrit, dhe secili lutet dhe e shoqëron deri në javën e fundit të kohës së Ardhjes. Në ditën e zbulimit të personit – engjëll, njëri tjetri i jep një dhuratë. Loja e Engjëllit është një nxitje e bukur për kuptuar se të gjithë ne jemi për njëri tjetrin engjëj, mbrojtës dhe mbështetës në jetën e përditshme, në jetën e kishës.

Çdo emocion ndërlidhet me diçka të këndshme, diçka që sjell buzëqeshje. Filluam me lutje e uratë në Katedralen e Shenjtneshës sonë  – Nënë Tereza, e pastaj arritëm, që me dëshirën e Zotit, me e përmbyll edhe lojën, të cilën kohë me parë veç se e patëm filluar. U përçuan mesazhe pa fund, fjalë nga më të ndryshmet e në fund edhe përqafime të bashkangjitura me dhurata.

Loja zgjati për dy orë, por në asnjë moment nuk shkaktoi monotoni.  Secila fytyrë ishte më e buzëqeshur se tjetra, secili engjëll me nga një përshtypje për engjëllin tjetër dhe, më e rëndësishmja, aty të gjithë ishin engjëj.

Të gjithë të thirrur për lutje, duke besuar se jeta jonë është shembull për dikë që do të vijë pas nesh dhe për atë që jeton me ne. Ëndrrat e quajtura “të fjetura” shpeshherë “zgjohen”; ne jemi ata ëndërrimtarët që dimë të zgjojmë dhe japim jetë jetës. Bukuria e jetës varet nga ne, është e varur nga engjëjt e saj, nga bukuria e buzëqeshjeve që ne dhurojmë, nga pastërtia shpirtërore, drita e  dashnisë, e asaj dashnie që s’njeh fund, po veç mirësi dhe rreze që ngarendin prej një shpirti në tjetrin, prej njërit tek tjetri.

Jeta është ëndërr

Ëndërr e bukur që tretet,

që nga një gjumi,

hije e një shprese mbetet

 

Mos u frikëso nga dhimbjet,

Mos u jep frymë mbrapshtive, 

Ruaj ëndrrat e tjetrit,

Që të bëhesh det i lumturive.

Për Dritën: Jehona Gashi, studente

[wonderplugin_gallery id=”33″]

Shpërndaje

Comments are closed.

« »