Festa e Krishtlindjes: fillimi i një historie të re mes Zotit dhe njeriut

Dec 24 • LEXIMET E SË DIELËS

MESHA E NATËS

Leximi parë Is 9,1-3.5-6

Lexim prej Librit të Isaisë profetë

Populli që ecte në errësirë,pa një dritë të madhe; për banorët, që jetonin në krahinën e hijes së vdekjes, zbardhi për ta drita.
Ti e shtove gëzimin,e madhërove harenë;ata gëzohen në praninë tënde si njerëzit që i gëzohen korrjes,si gëzohen kur ndajnë prenë.
Sepse ti e theve si ditën e Madianit zgjedhën e tij të rëndë, lozën e krahut të tij,e shkopin e atij që e dëbonte përpara.
Sepse na lindi një foshnjë,fituam një djalë.
Në krahun e tij u vu shenja e mbretërisë. Për emër do të quhet:
Këshilltar i mrekullueshëm, Hyj i fortë,Atë i amshueshëm, Princ i Paqes.
E madhe do të jetë mbretëria e tij dhe paqja s’do të ketë mbarim mbi fronin e Davidit e mbi mbretërinë e tij,që ai do ta forcojë e do ta bëjë të fuqishme në të drejtë e në drejtësi. Që tani e për amshim do ta bëjë këtë dashuria e madhe e Zotit të Ushtrive.

Fjala e Zotit

 

Psalmi 96
 
Ref: Sot për ne lindi Shëlbuesi, Krishti, Zot.
—————————————————-
Këndoni Zotit një këngë të re!
Mbarë toka le t’i këndojë Zotit!
Këndoni Zotit, bekojeni Emrin e tij,
——————————————————
Shpalleni si një ditë për ditë shpëtimin e tij,
Kumtjeni ndër paganë lavdinë e tij,
Ndër mbarë popujt mrekullitë e tija.
————————————————-
Galdo, o qiell! Gëzo, o tokë!
Le të buçasë deti me ç’ka në të,
le të gëzojë fusha me ç’gjendet në të,
le të gërthasin me hare lëndët e pyjeve,
———————————————–

 

Leximi dytë Tit 2,11-14

Lexim prej letërs së shën Palit apostull drejtuar Titit

Fort i dashur, u duk hiri i Hyjit që u sjell shëlbimin të gjithë njerëzve.  Ai na mëson t’i biem mohit mosbesimit dhe dëshirave të shekullit për të jetuar në këtë botë urtisht, drejtësisht dhe përshpirtërisht,  duke pritur shpresën e lume dhe Ardhjen e lavdisë së të madhit Hyj dhe Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit.  Ai e flijoi vetveten për ne që të na shpërblejë nga çdo paudhësi dhe ta pastrojë që Atij i përket, që të jetë plot zell për të kryer vepra të mira.

Fjala e Zotit

 
Aleluja!
Ja, unë po ju sjell një lajm të mirë: gëzim të madh për mbarë popullin!
Sot ju lindi Shëlbuesi-Krishti Zot!
Aleluja!

 

Ungjilli Lk 2,1-14

Leximi i Ungjillit shenjtë sipas Lukes

Në atë kohë Cezari August dha urdhër të bëhej regjistrimi i popullsisë së mbarë botës.  Ky ishte regjistrimi i parë, kur Kuirini ishte qeveritari i Sirisë.  Të gjithë shkonin të regjishtroheshin, secili në qytetin e vet.  Kështu edhe Jozefi, pasi ishte prej shtëpisë dhe prej fisit të Davidit, u ngjit, prej qytetit të Nazaretit të Galilesë, në Jude, në qytetin e Davidit që quhet Betlehem,  për t’u regjistruar bashkë me Marinë, fatin e vet, që ishte shtatzënë.
Tashti, ndërsa ata po gjendeshin atje, i erdhi koha të lindë.  Ajo lindi djalin e vet ‑ të parëlindurin, e mbështolli në shpërgënj dhe e vendosi në grazhd, sepse në bujtinë nuk pati vend për ta.
Në atë vend ishin disa barinj, të cilët e kalonin natën përjashta për të ruajtur grigjën e vet.  Engjëlli i Zotit u afrua tek ata dhe lavdia e Zotit i shndriti e ata u trembën për së tepërmi.  Engjëlli u tha:
“Mos kini frikë! Ja, unë po ju sjell një lajm të mirë: gëzim të madh për mbarë popullin! Sot, në qytetin e Davidit ju lindi Shëlbuesi ‑ Krishti Zot!  Dhe, ja shenja për ta njohur: do të gjeni një foshnjë të mbështjellë me shpërgënj e të vënë në grazhd.”
Engjëllit menjëherë iu bashkua një ushtri e madhe qiellore, që madhëronte Hyjin e brohoriste:
Lavdi Hyjit në më të lartin qiell
e paqe mbi tokë njerëzve,
që i ka për zemër!”

Fjala e Zotit

 

Lutjet e besimtarëve

Të shndritur me dritën hyjnore, në këtë natë të shenjtë të lindjes së Krishtit,
t‘ ia drejtojmë lutjet tona për Kishën dhe botën mbarë duke thënë:

Na ndriço me driten tënde, o Jezus!

  • Për Kishën tënde që e dërgove në botë të shpallë dashurinë të gjithë njerëzve, dhuroja fuqinë e Shpirtit Shenjt që gjithmonë të sjell paqe dhe bekim, të lutemi:
  • Për të gjithë ata që kremtojnë lindjen e Birit tënd, mos lejo që të humbasin fuqinë për t‘ u angazhuar për një botë më të drejtë e më solidare, në dashuri të ndërsjell, të lutemi:
  • Për të gjitha ata që kjo natë u është e ftoftë nga problemet e shumta, të varfër, të sëmurë, rë pikëlluar e të dëshpëruar, dërgoj njerëzit e mirë që t‘ u dalin në ndihmë, e Ti qëndro pranë tyre, të lutemi:
  • Për ne këtu të bashkuar në kremtimin të Meshës shenjte, na ndriço që të dimë të njohim fuqinë e madhe të dashurisë ndaj çdo njeriu, të lutemi:
  • Për vëllezërit e motrat tona të vdekura, pranoj në gëzimin e jetës së pasosur, të lutemi:

Atë qiellorë, duke kremtuar lindjen e Birit tënd, i cili erdhi nder ne të bashkëndaj fatin njerëzorë, po të lutemi na dhuro fuqi prej Shpirtit tënd të shenjtë që të qëndrojmë besnik në thirrjen dhe përgjegjësitë tona.

Këtë po të lutemi nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen!

 

MESHA E DITËS

Leximi parë Is 52,7-10

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Sa të bukura janë mbi male këmbët e kasnecit që sjell sihariqin e paqes,që sjell lajm të mirë,që shpall shëlbimin,që i thotë Sionit:
‘Perëndia jote mbretëron!’Dëgjo! Rojet e tua me të madhe gërthasin,të gjithë së bashku lëshojnë zë hareje se me sytë e vet po shohin se po kthehet Zoti në Sion!
Gëzohuni e galdoni së bashku,rrënjat e Jerusalemit,sepse Zoti po e ngushëllon
popullin e vet,po e shpërblen Jerusalemin!
Sepse Zoti e shpërvoli krahun e vet të shenjtë para syve të mbarë popujve,
të gjitha viset e tokës do ta shohin shpëtimin e Hyjit tonë.

Fjala e Zotit

 

Psalmi 98

Ref. Mbarë toka e pa shëlbimin e Zotit tonë
—————————————————-
Këndoni Zotit një këngë të re,
sepse bëri vepra të mrekullueshme!
Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet,
me fuqi të krahut të vet të shenjtë.
—————————————————-
Zoti e dëftoi shpëtimin e vet,
përpara paganëve e zbuloi drejtësinë e vet.
I ra ndër mend dashuria dhe besnikëria e vet
kundrejt shtëpisë së Izraelit.
—————————————————-
Të gjitha skajet e botës e panë
shëlbimin e Hyjit tonë.
Mbarë toka le t’i brohorisë Zotit,
le të gëzojë, të duartrokasë e të këndojë.
—————————————————-
Këndoni Zotit me harpë,
me tinguj veglash muzikore,
me trumbetë e me zë të pipëzës së bririt,
brohoritni para fytyrës së Zotit, Mbret!
—————————————————-

 

Leximi dytë Heb 1,1-6

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Hebrenjve

Pasi Hyji herë pas here dhe në mënyra të ndryshme, në të kaluarën, u ka folur etërve me anë të profetëve, së fundi, në këto ditë, na foli edhe neve me anë të Birit, të cilin e bëri trashëgimtarin e të gjitha gjërave, nëpër të cilin edhe e krijoi gjithësinë. Biri, që është pasqyrimi i Lavdisë dhe vula e qenies së Hyjit, që me të fuqishmen fjalën e vet mban gjithësinë, pasi e kreu pastrimin e mëkateve, ndenji në të djathtën e Madhërisë në qiell; u bë aq më i pushtetshëm se engjëjt sa më të madhërueshëm se ata e trashëgoi Emrin!
Dhe vërtet, cilit prej engjëjve Hyji i tha ndonjëherë:

»Ti je im Bir
unë sot të linda
Dhe prapë:
»Unë do t’i jem Atë
dhe ai do të më jetë Bir
Dhe prapë, kur dërgon të Njëlindurin Birin e vet në botë, thotë:
»Le ta adhurojnë të gjithë engjëjt e Hyjit

Fjala e Zotit

 
Aleluja!
Një ditë e shenjtë lindi për ne
Ejani të gjithë ta adhurojmë Zotin;
Sot zbriti mbi tokë një dritë e shkëlqyeshme
Aleluja!

 

Ungjilli  Gjn 1,1-18

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në fillim ishte Fjala e Fjala ishte në Hyjin e Fjala ishte Hyj. Kjo ishte në fillim në Hyjin.
Prej Saj u bë çdo gjë e pa Të nuk u bë asgjë. E çdo gjë që u bë, e pati në Të jetën
e Jeta është drita e njerëzve;e Drita shndriti në errësirë
e errësira nuk e pushtoi. Qe një njeri i dërguar prej Hyjit. Emri i tij ishte Gjon. Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar Dritën, që të gjithë të besojnë nëpër të. Ai nuk ishte Drita, por ‑ për të dëshmuar Dritën. Drita e vërtetë që shndrit çdo njeri, erdhi në botë.
Ishte në botë e bota u krijua prej Saj, e bota nuk e njohi. Erdhi ndër të vetët,
e të tijtë nuk e pranuan. Atyre që e pranuan u dha zotësinë të bëhen bijtë e Hyjit:atyre që besojnë në Emrin e tij. Këta s’i bëri bij të Hyjit
as gjaku as prirja e mishit as prirja e njeriut por ‑ Hyji. E Fjala u bë njeri e banoi ndër ne. Ne e pamë lavdinë e tij, atë lavdi që prej Atit i përket Birit të vetëm plot hir e të vërtetë. Gjoni e dëshmon Atë. Ai shpall:“Ky është ai, për të cilin thashë:
‘Ai që vjen pas meje, është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje!’“Vërtet, prej plotësisë së tij të gjithë ne morëm, madje, hir mbi hir. Vërtet, Ligji u dha nëpër Moisiun, porse hiri dhe e vërteta erdhën nëpër Jezu Krishtin.
Hyjin kurrë askush nuk e pa: Biri i vetëm ‑ që është Hyj, një natyre me Atin, Ai bëri të njihet.

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Sot festojmë festen më të gëzueshme të krishterimit, festojmë lindjen e Krishtit. Vetja e dytë hyjnore vjen në tokë për shëlbimin e të gjithëve atyre që besojnë. Vjen për t‘i sjell njerëzimit ngrohtësi, dashuri. Vjen për t‘ ia treguar rrugën që e bashkon me Hyjin Atë, rrugën që shpie në gëzimet qiellore.
Për ta kuptuar më mirë festen e Krishtlindjes, marrim një ilustrim që kishte bërë Shën Alfonsi.
Shembulli i tij fillon kështu: një mbret i ri, një ditë kishte, dalë për gjah dhe ndërkohë takoi një bari. Kishte shumë dëshirë të miqësohet me të, por bariu nuk pranoi sepse ishte dallimi i madh në mes një mbreti dhe një njeriu të thjesht, një bariu. Një ditë mbreti bëri kështu: u vesh me rroba të thjeshta sikurse bariu dhe nga takimi parë u miqësuan. Kështu vazhdoi miqësia e tyre.
Edhe Jezusi vjen në tokë të miqësohet me ne. Jezusi dëshiron të krijojë një urë afrimi në mes qiellit dhe tokës, dëshiron të na tregoj se Ai është Rruga, e Vërteta dhe Jeta.
Për këtë arsye festa e Krishtlindjes ka këtë domethënie: Dashurinë që e tregoi Hyji Atë duke e dërguar Birin e vet në botë për shëlbimin e të gjithëve.
Kështu pra Krishtlindja nuk është vetëm një festë e bukur, por është një ngjarje që zgjatë gjithmonë,  është një program për jetën e çdo njeriu.
Një shkrimtar i përshpirtshëm zviceran flet për një legjendë, që mund të na shtyj të meditojmë: Thotë kur Hyji i largoi nga parajsa Adamin dhe Even ata iknin nga shpata që mbante në dorë engjëll, i cili i përzuri në urdhëresë të Hyjit. Në dalje Adami i tha engjëllit: lehtë e ke ti të na përzësh nga parajsa kur ti je i armatosur e ne jo.
Në këtë fjali të engjëllit Hyj mendoi shumë  dhe e çarmatosi engjëllin,  i erdhi keq për njeriun dhe vendosi që tani e tutje ta takoj njeriun me armen e mëshirës.
Kjo kohë e ftoftë dhe dimërore, me acar dhe shpesh herë me borë dhe ngrica nuk është aq e rëndësishme, sepse janë kushte atmosferike, por zemrat e ftohta, ndarjet, përçarjet, luftërat rreziqet e shumta të terrorizmit edhe më tepër e zbehin globin tokë që i jep shije të keqe njerëzimit si krijesa të Zotit. Dhe ja pra pikërisht në këto kushte atmosferike dhe situatave me të cilat ballafaqohen njerëzit vjen Foshnja hyjnore prej qiellit, që të zbusë, të ngrohë, të ndriçoj në tokë.
Festa e Krishtlindjes e përgatitur me drita të shumta në sheshe, rrugë, shtëpi e Kisha tona, dëshiron të na thotë dhe dëshmojë Krishtin si Ai që ndriçon në errësirë, që ngroh zemrat e thyera, që ngushëllon të pikëlluarit, shëron të sëmuret në shpirt, qëndron pranë atyre që janë buzë greminës nga mëkati që i ka kapluar.
Papa Françesku duke ju uruar Krishtlindjen Kuries Romake e citoi një murg kopt bashkëkohor, Matta el Meskin (20 shtator 1919 – 8 qershor 2006):
“Nëse për ne përvoja e fëmijërisë është e vështirë, për Ty nuk është kështu, o Bir i Zotit. Nëse ne pengohemi në rrugën, që çon drejt bashkimit me Ty, për shkak të vogëlsisë sonë, Ti je në gjendje t’i heqësh të gjitha pengesat, që nuk na lejojnë ta bëjmë këtë. E dimë se nuk do të kesh paqe deri sa të mos na gjesh të ngjashëm me Ty, pavarësisht se të vegjël.
Na lejo sot, o Biri i Hyjit, t’i afrohemi zemrës sate. Na bëj dhuratë të mos besojmë se jemi të mëdhenj në jetë. Bëj të jemi të vegjël si Ti, që të jemi pranë Teje e të marrim përvuajtëri e butësi me bollëk. Mos na lë pa zbulesën Tënde, epifani e fëmijërisë tënde në zemrat tona, që me të të mjekojmë çdo krenari e çdo arrogancë. Kemi nevojë të jashtëzakonshme… që Ti të na zbulosh thjeshtësinë Tënde, duke na afruar ne, por edhe Kishën e krejt botën, pranë Teje. Bota është e lodhur dhe e rraskapitur, sepse bën garë cili është më i madh. Ka një konkurrencë të pashpirt ndërmjet qeverive, kishave, popujve, brenda familjeve, ndërmjet famullive: kush është më i madh ndër ne? Bota është plot plagë të dhimbshme, sepse sëmundja e saj më e keqe është: kush është më i madh? Por sot, e kemi gjetur në Ty ilaçin e vetëm, o Bir i Zotit. Ne dhe gjithë bota nuk do të gjejmë as shpëtim, as paqe, nëse nuk kthehemi për të të takuar sërish në grazhdin e Betlehemit”.
Prandaj t‘i lejojmë Krishtit të ndërhyjë në jetën tonë. Le ta ndryshojmë jetën tonë për të mirë.
Mos të jemi e mos të mbesim skllav të së keqes, sepse Krishti erdhi të na lirojë dhe të na ndihmojë të tërhiqemi kah rruga e cila është e sigurt dhe na çon ne takim me Hyjin Atë.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

Fjala e Zotit u bë Njeri dhe erdhi nder ne, të bashkuar në këtë kremtim eukaristik, t‘ ia paraqesim lutjet tona duke thënë:

 Jezus na përtërijë në dashurinë tënde!

  • Për Kishën, të cilën e thirre nga të gjithë popujt e botës, që t‘ i dhurosh forcë që të mund të të dëshmoj tek të gjithë njerëzit, të lutemi:
  • Për të gjithë ata që ju besove shërbimin në popull, që duke ju nënshtruar vullnetit tënd të qëndrojnë besnik në thirrjen e tyre për të mirën e njerëzve, të lutemi:
  • Për njerëzit në pushtet, që të angazhohen për paqe të qëndrueshme dhe dashuri të ndërsjellë, të lutemi:
  • Për bashkësitë familjare, që t‘u dhurosh urti dhe duresë që në të gjitha rastet dhe rrethanat e jetës të tregojnë dhe dëshmojnë dashurinë dhe përkushtimin për të miren e përbashkët, të lutemi:
  • Për të gjithë ata që vuajnë nga luftërat dhe padrejtësitë, që t‘ i ruash dhe ndihmosh, të lirosh zemrat e tyre nga hakmarrja dhe urrejtja, të lutemi:
  • Për ne këtu të pranishëm, që të kemi gjithmonë gëzimin që na solli Jezusi me lindjen e vet, të lutemi:
  • Për të gjithë të dashurit tanë, që kaluan nga kjo botë, bëj që të gëzojnë jeten e pasosur, të lutemi:

Pranoj o Atë qiellorë lutjet tona që t‘ i drejtuam në kremtimin e lindjes së Birit tënd Duke e njohur si Mesi dhe Zot na ndihmo të përparojmë me vepra të mira që të pëlqejmë Ty. Ti që jeton e mbretëron për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »