Kërshëndellat në Kosovë: Jezusi mbrojtësi i jetës dhe qytetari legjitim i botës!

Dec 26 • Kisha në Kosovë

Kisha Katolike në Kosovë me gëzim të madh ka festuar Kërshëndellat. Kënga e gëzimit dhe lutja drejtuar Foshnjës së Betlehemit dëgjohej prej qindra besimtarësh dhe njerëzve vullnetmirë që u bashkuan në natën e festës në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë.

Kremtimi fillojë me koncertin e Krishtlindjes të shfaqur nga fëmijët e Famullisë së Prishtinës, që ishte një hyrje gazmore për meshën. Fëmijët janë zërat më të bukur, më të çiltëritë që e shpallin butësinë, thjeshtësinë dhe dashurinë e Jezusit.

Meshën e mesnatës e udhëheqi Ipeshkvi i Kosovës, SH. T. Imzot Dodë Gjergji, në bashkëmeshim me meshtarët. Po i marrim disa pika kryesore nga homelia e meshës, kurse meshën e plotë, mund ta shikoni këtu:

http://www.kosovapress.com/sq/live/mesha-solemne-e-krishtlindjeve-drejtperdrejte-97436/

E njëjta video është e vendosur edhe tek revista Drita. Shiko tek video.

 

Mishërimi është kulmi dhe kuptimi i jetës së re

Në prektun e tij, Imzot Dodë Gjergji theksoj se Krishtlindjet janë Festa e jetës, kuptimi i historisë, sepse “krijimi i parë e gjen kuptimin dhe arrin kulmin e vet në krijimin e ri në Krishtin.” (Benedikti XVI).  Në të vërtetë, ngjarja e Mishërimit të Hyjit, Zotit që u bë njeri si ne, na dëshmon realitetin e paparë të dashurisë hyjnore. Kjo ngjarje ka shënuar një histori të re për njeriun – tha Ipeshkvi – duke vazhduar se, fillimi i ri me Jezusin bën që njeriu nuk është më i vetëm, sepse nëpërmjet pagëzimit iu është dhuruar jeta. Gjithë ne që jemi pagëzuar, besojmë se në ne jeton Zoti, se nëpërmjet kryqit të Tij kemi shpëtuar dhe me Ngjalljen prej vdekjes jemi bërë pjesë e përjetësisë së Tij. Këndej, i pagëzuari dinë të vihet në shërbim të dashurisë dhe të paqes,  sepse dëshiron t’i përngjaj Atij,  i cili  e flijoi vetveten për ne që të na shpërblejë nga çdo paudhësi dhe nga çdo e keqe. I pagëzuari arrin ta pranoj e ta duaj çdo njeri, pa marr parasysh mendimet ndershme, dallimet njerëzore, fetare ose statusit social që ka.

 

Jezusi, shërues i lëndimeve të njeriut

Imzot Dodë Gjergji, vazhdojë të interpretojë Ungjillin e Lukës, pjesën e lexuar në meshë, i cili përshkruan familjen, fisin, shoqërinë kombin, kohën, vendin, kontekstin historik të lindjes së Jezusit.  

E çfarë në të vërtetë zbulojmë nga leximi i Ungjillit të Lukës – pyeti Ipeshkvi – duke u përgjigjur se Luka na zbulon se Zoti, në planin e vetë të dashurisë dhe të shëlbimit, e ka përfshirë gjithë krijimin, gjithë njerëzimin dhe tërësinë e jetës së tij, më qëllim që ta shërojë krijesën e vet. Lindja e tij prej një gruaje, nëne, është një dëshmi se Ai ka dashur t’ia kthej dinjitetin gruas, të shërojë dhe ta shenjtërojë kraharorin e nënës dhe të ri-jep kuptim jetës. Përkundër shumë rasteve sotme, kur nënat nuk e pranojnë jetën dhe refuzojnë të lindin të gjithë fëmijët e vet, dhe përkundër disa mjekëve dhe disa spitaleve që janë shndërruar në vrasës të jetës së ngjizur, Kisha nuk ndalet të ofrojë shembullin e Marisë, nënës që e pranon dhe e dhuron jetën, e Familjen e Shenjtë si model për çdo familje të shëndosh dhe fisnike.

 

Krishtlindja është ftesë për fisnikëri

Krishtlindja është një ftesë për të fisnikëruar familjen, fisin e Kombin. E kaluara e popujve ka dëshmuar se personat që kanë pranuar Krisht-lindjen dhe  besnikërisht kanë jetuar atë, kanë qenë të bijtë dhe të bijat më të mira të një populli.  Sa më shumë që një popull ka pas në gjirin e vet të tillë – theksoi ipeshkvi – aq më fisnik është bërë ai komb. Ne jemi dëshmitarë, se sa e ka fisnikëruar kombin tonë e Shenjta Nënë Tereza, 38 martirët e Komunizmit, e shumë burra dhe gra të shenjta në të kaluarën.

 

Jezusi është qytetar legjitim i botës

Ungjilli i Lukës na dëshmon se Jezusi lindi në kohën kur Cesari, perandori i Romës, po bënte për herë të parë  regjistrimin e qytetarëve të perandorisë së vet. Kjo “rastësi” është shenja e dukshme se Zoti – Zoti me ne – ka dashtë të jetë një njeri i botës dhe qytetar legjitim i një shteti.  Në këtë mënyrë,  – vazhdoj Ipeshkvi – Hyji i ka njoh edhe njëherë njeriut pushtetin që ia ka dhanë në fillim, që të sundoj tokën e  t’i vë në shërbim të vet të gjitha të mirat e krijimit. Hyji, nëpërmjet Krishtit, nuk synon t’ia marrë njeriut këtë pushtet, por dëshiron t’ia ndryshojë mendjet dhe zemrën, njeriut qytetarë e pushtetarë që të mund të jetojnë me njeri tjetrin në paqe  e me dashuri. Kurse, duke e vu në ta Shpitin Shenjt, dëshiron t’ju kujtojë të bijve të vet: se pushteti mbi krijimin nuk nënkupton mohimin e Krijuesit, se jeta nuk është nën pushtetin e ligjit, po nën vullnetin e Zotit, se të mirat e krijuara nuk janë pasuri vetëm e shteteve, por e gjithë njerëzimit, pa dallim. Përgjegjësia e shteteve është vetëm që të angazhohen për t’i shpërndarë ato në mënyrë sa ma të barabartë, ashtu që askush të mos vuaj nga etja dhe uria.

Në fund të homelisë, ipeshkvi i siguroj lutjet e tija për të gjithë, që të mund jetësojmë drejtësinë, paqen dhe dashurinë mes njëri tjetrit. /Drita/

Shpërndaje

Comments are closed.

« »