Krishtlindja në Diasporë: Misioni Katolik Shqiptar në Luzern (CH)

Dec 26 • Kisha ndër Shqiptarë

Festa e Krishtlindjes në Misionin tonë ishte kremtim gëzimi për veprën e mrekullueshme të Lindjes së Zotërisë. Çdo vit përkujtojmë lindjen e Tij, ndërsa, i lutemi që ta përtërijë jetën tonë shpirtërore.
Mesha e natës, të cilës i parapriu programi që motrat e kanë përgatitur me fëmijë, u kremtua në Emmenbrücke. Bashkëmeshoi edhe famullitari i kësaj famullie, Z. Kurt Schaller, i cili, përveç urimeve për Krishtlindje, shprehi fjalë falënderimi për bashkëpunimin e mirë që kemi.
Ditën e Krishtlindjes, shumë kohë para se të filloj mesha, kishat ishin të mbushura me besimtarë. Mesha e parë ishte në Goldau, pastaj, tjetra në Sursee, të cilën e udhëhoqi don Marjan Marku.
Në mbrëmje, siç është bërë traditë, u mbajt festa familjare. Kësaj here në Kriens. Atmosferën festive e mbajti në nivel këngëtarja e mirënjohur, znj. Edona Llalloshi me të vëllain Milotin, të cilët i shoqëroi z. Gëzim Demaj. Festimin e zmadhuan me praninë e tyre edhe Grupi i Valltarëve “Shota”.
Edhe me këtë rast, në emër të Motrave që shërbejnë në Misionin tonë, falënderojmë të gjithë bashkëpunëtorët tanë: Këshillin, Korin, Lexuesit, Ndihmësit në ndarjen e Kungimit, Ministrantët dhe të tjerë. Sa i përket festës familjare, falënderojmë sidomos anëtarët e Korit, të cilët bëjnë përgatitjen e sallës dhe përkujdesen që festa të shkoj mirë. Zoti ua shpërbleftë me bekime të gjithëve.

“Në natën e shenjtë të Krishtlindjes, shndriti Drita e amshuar. Filloi të konkretizohet brenda kohe e hapësire, në kushte njerëzore, vepra e madhe hyjnore e shëlbimit të mbarë botës.
Shën Leoni i Madh, Papë, shkruan: “Shëlbuesi ynë, o fort të dashur, sot lindi: të gëzohemi! Nuk ka vend për trishtim ditën në të cilën lind jeta, një jetë që e shkatërron frikën e vdekjes dhe jep gëzimin e premtimeve të amshuara. Askush nuk është i përjashtuar prej kësaj lumturie.”
Me lindjen e Krishtit, Hyji i vjen në takim krijesës së vet të dashur, pra, secilit prej nesh. Bashkë me engjëjt le të këndojmë këngën: “Lavdi Hyjit në më të lartin qiell e paqe mbi tokë njerëzve, që i ka për zemër!” (Lk 2, 14). E falënderojmë Hyjin i cili në mëshirën e tij të pakufishme, me të cilën na ka dashur, bëri që ne të rijetojmë në Krishtin (Ef 2, 5). Ta flakim “njeriun e vjetër, me mënyrën e mëparshme të jetesës” (Ef 4, 22), me lindjen e Krishtit le të ripërtërihet jeta jonë.
Mishërimi i Fjalës së Zotit, është bekim për njerëzimin dhe duhet të na frymëzojë të vihemi në shërbim të jetës.
Viti që po lëmë pas do të shënohet në historinë tonë, sidomos për dy ngjarje madhore që përjetuam si popull. Ishte vit hiri e bekimi për mbarë Kishën ndër Shqiptarë. Shenjtërimi i Nënë Terezës, pastaj, Lumturimi i Martirëve, që na bëjnë krenar për krishterimin tonë të martirizuar që nga kohët e apostujve…
Shën Pali na mëson fton: “Ju përbej, prandaj, unë i burgosuri në Zotin: jetoni denjësisht si i ka hije thirrjes që keni marrë: me plot përvujtëri, butësi e duresë: duroni njëri-tjetrin me dashuri! Bëni çmosin ta ruani njësinë e Shpirtit me anë të paqes që ju bashkon (Ef 4, 1-3).
Shën Augustini lidhur me këtë festë thotë se, bazuar në fe, duhet të besojmë se janë dy lindje të Zotërisë: njëra hyjnore e tjetra njerëzore; njëra jashtë kohës, e tjetra në kohë. Të dyja të mrekullueshme, ajo pa nënë e kjo pa babë. Dhe, nëse se kuptojmë këtë, si mund të flasim për tjetrën? Kështu, atë që nuk e arrijmë me intelektin tonë na e zbulon feja. Pra, Zoti hyn në botë në një formë të re. Ai që është i padukshëm, bëhet i dukshëm, ai që është para kohës, hyn në kohë dhe bëhet shërbëtor.
Kjo është mrekullia e Mishërimit: “Fjala e Zotit u bë njeri!”.
Për shumë mot Krishtlindja!

[wonderplugin_gallery id=”35″]

Shpërndaje

Comments are closed.

« »