Zoti nuk ka frikë, as nuk i gërditet bota

Dec 26 • Meditimi i ditës

26 dhjetor 2016 – E hënë, Shën Shtjefni, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Vap 6,8-10; 7,54-60; Ps 31,3c-4.6ab.7b.8a.17.21ab; Mt 10,17-22)

 

Prania e Hyjit 

Jezusin mund ta kërkojmë në cilëndo kohë të ditës apo të natës.
Ai gjithmonë pret, duke përgjuar thirrjen tonë.
Çfarë bekimi i mrekullueshëm!
Nuk kam nevojë as për telefon as e-mail, vetëm një pëshpëritje.

 

Liria

Lus për hirin e fesë, të besoj

në gjithë atë çfarë do të mund të bëhesha dhe të bëja

vetëm po t`i dorëzohesha Hyjit, atij që krijon gjithçka nga dashuria,

që të vazhdojë të më krijojë, udhëheqë dhe formojë.

 

Ndërgjegjësimi

O Zot, ma ke dhënë natën për pushim dhe fjetje.

Në momentet e mia kur jam zgjuar kurrë mos e harrofsha mirësinë tënde.

Më mëso që bekimin tënd ta ndaj me të tjerët.

 

Fjala

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet ashtu ta dëgjoj në mënyrë që ta ndjej çka dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

 

Mt 10, 17-22

 

17 Ruajuni prej njerëzve: sepse do t’ju padisin në gjyqe, do t’ju frushkullojnë në sinagogat e tyre. 18 Për shkakun tim do t’ju qesin para sundimtarëve e mbretërve, që të dëshmoni para tyre dhe para paganëve. 19 E kur t’ju dorëzojnë, mos u shqetësoni se çka dhe si do të flisni, sepse në atë moment do t’ju jepet çka duhet të thoni, 20sepse nuk do të jeni ju që do të flisni, por Shpirti i Atit tuaj do të flasë nëpërmjet jush.

21 Vëllai vëllanë dhe babai fëmijën do ta dorëzojë në vdekje; edhe fëmijët do të ngriten kundër prindërve të vet dhe do t’i vrasin. 22 Edhe ju do t’ju urrejnë të gjithë për shkak të Emrit tim, porse, kush të qëndrojë deri në fund, ai do të shëlbohet.

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot? 

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Të trondit kur e lexon këtë rrëfim menjëherë pas Krishtlindjes. Mirëpo, kjo është bota në të cilën hyn Jezusi. Ai nuk largohet prej saj me frikë apo gërdi, por e përshkon me dashurinë e vet dhe kjo do të jetë e mjaftueshme për ta shpëtuar njerëzimin.
  • Tri Vetjet Hyjnore janë përmendur në këtë tregim. Kujdesen për botën që e duan. Janë pranë nesh dhe na japin fuqi. Ndërsa mbështetem në to do të përpiqem ta jetoj thirrjen time si nxënës/e.

 

Bashkëbisedimi

Fjalët tua o Zot më mësojnë  se si duhet të lus.

Urata e mrekullueshme Ati ynë

përmban  gjithçka dua të them.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »