Bota jonë e provon dhimbjen e rilindjes

Dec 27 • Meditimi i ditës

27 dhjetor 2016 – E marte, Shën Gjoni ungjilltar, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1Gjn 1,1-4; Ps 97,1-2.5-6.11-12; Gjn 20,1-8)

 

Prania e Hyjit

Mendoj një moment për praninë e Hyjit rreth meje dhe në mua.
Krijuesi i gjithësisë, diellit dhe hënës, tokës,
i çdo molekule dhe atomi, i çdo gjëje që ekziston, çdo gjëje që është:
Hyji është në çdo rrahje të zemrës sime. Ai është në mua, tani.

 

Liria

O Zot, më ke krijuar që të jetoj në liri.
Shpesh herë lehtë e pranoj dhe e marrë këtë dhuratë.
Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,
me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Krijuesit që më do,
me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,
ngritjet në maja e uljet poshtë, si dhe rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.
A mundem ta shoh ku ka qenë Zoti i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

Fjala e Hyjit na vjen nëpër Shkrimin Shenjt.
Shpirti i Shenjtë e ndriçoftë mendjen dhe zemrën time që t`i përgjigjem porosisë së ungjillit: që t`i dua të afërmit e mi si vetveten dhe që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

 

Gjn 20, 1-8

 

1 Ditën e parë të javës, në mëngjes, ende pa dalë drita, erdhi Maria Magdalenë te varri dhe pa se guri ishte hequr prej varrit. 2 Atëherë erdhi me vrap te Simon‑Pjetri dhe tek ai nxënësi tjetër, të cilin Jezusi e donte dhe u tha: “E kanë marrë Zotërinë prej varrit e nuk dimë se ku e kanë vënë.”

3 Atëherë dolën Pjetri dhe ai nxënësi tjetër e u nisën drejt varrit. 4 Vraponin të dy bashkë, por ai nxënësi tjetër ia kaloi Pjetrit dhe arriti i pari te varri. 5 Ai u përkul dhe pa pëlhurat e vëna aty, por nuk hyri. Ndërkaq mbërriti edhe Simon‑Pjetri që po vinte pas tij dhe hyri në varr. I pa pëlhurat e vëna 7 dhe rizën që pati qenë në kokë të Jezusit. Kjo nuk ishte me pëlhura, por veçmas e palosur në një vend.

8 Atëherë hyri edhe ai nxënësi tjetër, që mbërriti i pari te varri, pa e besoi.

 

Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm te Shkrimit Shenjt:

 

  • “Nxënësi që Jezusi e donte” është Gjoni, ungjilltar. Ai nuk është emëruar direkt dhe për këtë arsye angazhohet për mua dhe për të gjithë anëtarët e “Momentit të shenjtë”, sepse Jezusi edhe ne na do.
  • Ngjallja është iniciativë hyjnore për ta shpëtuar botën tonë. Hyji depërton në historinë njerëzore dhe asgjë më nuk do të jetë njësoj. Tani e kemi shpresën, por jo në veten tonë, por në atë çka bën Hyji. Jetojmë në një botë që e provon dhimbjen e lindjes së ngjalljes së re.
  • Do të lus që për këtë të mund të dëshmoj me jetën time.

 

Bashkëbisedimi

Jezus, gjatë qëndrimit tënd në tokë gjithmonë me gëzim i ke pranuar fëmijët e vegjël.
Më mëso që të kem mbështetje fëmijërore në ty.
Që të jetoj me vetëdije se kurrë nuk do të më lëshosh.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma ke dhuruar gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash 
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »