Të lejojmë të na ngushëllojë Zoti

Dec 29 • Meditimi i ditës

29 dhjetor 2016 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1Gjn 2,3-11; Ps 96,1-3.5b-6; Lk 2,22-35)

 

Prania e Hyjit

“Gjithçka e ka vendin dhe kohën e vet”, thotë fjala e urtë.

O Zot, bëj që gjithmonë të dëshiroj të kaloj kohën në praninë tënde.

Që ta dëgjoj thirrjen tënde.

 

Liria

Do ta lus Hyjin që të më ndihmojë
që të lirohem nga ankthet dhe brengat,
që t`i çelem gjatë kësaj kohe të lutjes,
në mënyrë që të mund ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.

 

Ndërgjegjësimi

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – lidhje me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I/e vërej këto marrëdhënie dhe falënderoj për jetën që përshkohet nëpër to.
Disa prej këtyre lidhjeve janë shtrembëruar, disa të rrënuara, disa të ndërprera:
Ndoshta për këtë arsye e ndjej veten të trishtuar, të zemëruar, të zhgënjyer.
Lus për hirin e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

O Zot, je bërë njeri për të biseduar me mua;
ke ecur dhe punuar përmbi këtë tokë; ke pësuar të nxehtët dhe të ftohtët.
Koha që e ke kaluar mbi tokë ka qenë e mbushur me kujdesin për njerëz.
Ke shëruar të sëmurë, ke ringjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Lk 2, 22-35

 

22 Kur, sipas Ligjit të Moisiut, u mbushën ditët e pastrimit të tyre, e çuan në Jerusalem, për t’ia kushtuar Zotit, ‑ 23 siç shkruan në Ligjin e Zotit: ‘Çdo i parëlindur mashkull le t’i kushtohet Zotit’ ‑ 24 dhe për të dhënë flinë siç thuhet në Ligjin e Zotit; ‘një palë turtuj ose dy zogj pëllumbash.’

25 Në Jerusalem asohere jetonte një njeri, që quhej Simon. Ishte njeri i drejtë dhe i përshpirtshëm. Priste Ngushëllimin e Izraelit e në të ishte Shpirti Shenjt.26 Shpirti Shenjt ia kishte zbuluar se s’do të vdiste pa e parë Mesinë e Zotit. 27I nxitur prej Shpirtit Shenjt erdhi në Temull. Kur prindërit e sollën Jezusin Foshnjë për të kryer rregulloren e Ligjit mbi të, 28 Simoni e mori para duarsh, falënderoi Hyjin e tha:

29 “Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë

shërbëtori yt në paqe

siç the ti vetë,

30 sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin

31 që ti e bëre gati

në sy të të gjithë popujve:

32 Dritën që bën të të njohin Ty paganët

e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.”

33 Prindërit e tij çuditeshin për sa thuhej për të.

34 Atëherë Simoni i bekoi dhe i tha Marisë, nënës së tij:

“Shih! Hyji e caktoi këtë Fëmijë të shkaktojë rrënim e ngritje për shumëkënd në Izrael. Do të jetë edhe shenjë të cilës njerëzit do t’i kundërshtojnë. ‑ 35(edhe ty vetë një shpatë do ta tejshkojë shpirtin) ‑ që të zbulohen shestimet e zemrës së shumëkujt.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • E vështroj Marinë se si me kujdes ia qet Jezusin në duar Simonit. E vërej entuziazmin në fytyrën e plakut. Ngushëllimin që aq shumë e kishte pritur më në fund erdhi. Simoni ma jep fëmijën mua që edhe unë në Jezusin ta dalloj ngushëllimin për të cilin kam nevojë.
  • Simoni e parasheh sesa do të vuajë Maria kur njerëzit fillojnë të ndahen në mes veti për shkak të birit e saj. Ndoshta e ka tronditur thellë kjo thënie. Do të ulem pranë saj dhe do ta ngushëllojë. Atëherë ajo e vendos foshnjën e vet në prehrin tim. Fjalë tjera nuk janë të nevojshme…

 

Bashkëbisedimi

Jezus, po më flet personalisht në tekstin e Shkrimit Shenjt.

Bëj që të përgjigjem në thirrjen tënde të sotshme.

Më mëso ta dalloj dorën tënde në vepër në jetën time të përditshme.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »