Imzot Dodë Gjergji: 10 vjet në shërbim të përvujtë e në kumtim të hareshëm

Dec 29 • Kisha në Kosovë

Përvjetori i 10 i Imzot Dodë Gjergjit si Bari i Ipeshkvisë së Kosovës

Me rastin e 10 vjetorit të Imzot Dodë Gjergji, si bari i Kishës Katolike në Kosovë, të martën, më 27 dhjetor 2016, u kremtua mesha e shenjtë në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë.

Don Shan Zefi, njëri ndër bashkëpunëtorët e tij të ngushtë gjatë këtyre 10 vjetëve, mbajti homelinë e rastit të cilën do ta japim këtu të plotë. Në mesin e shumë meshtarëve, murgeshave dhe besimtarëve të pranishëm, na nderoj edhe argjipeshkvi i ri i Tivarit, Sh. T. Imzot Rrok Gjonlleshaj, i cili po ashtu ishte një bashkëpunëtorë i ngushtë i Imzot Dodë Gjergjit. Ai me disa fjalë të rastit e përshëndeti ipeshkvin tonë.

Nga Dr. Don Shan ZEFI

 

I dashuri Monsinjor Doda,

I dashuri Mons. Rrok Gjonlleshaj, Argjipeshkëv i Tivarit,

Të dashur Meshtarë,

Të dashura Motra të Nderit,

Të dashur Vëllezër e Motra,

Kam nderin dhe kënaqësinë që në emër Tuaj dhe timin t’a mbaj fjalën e rastit që përkon me 10-Vjetorin e ardhjes së Imzot Dodë Gjergjit në Selinë e Prizrenit, më 29 dhjetor 2006 ku, zyrtarisht, u bë intronizimi i tij në Katedralen historike të Prizrenit, në praninë e Nuncit Apostolik Mons. Eugenio Sbarbaro, të ipeshkvijve, meshtarëve, motrave të nderit e personaliteteve nga jeta kulturore dhe politike e Kosovës, si dhe në praninë e shumë besimtarëve nga Prizreni, famullitë tjera të Kosovës, si dhe jashtë vendit.

Qe një Ditë e bekuar prej Zotit, që lidhet edhe me Ungjillin e sotëm që posa e dëgjuam. Në fakt, Shën Gjoni dhe Shën Pjetri shkuan ta takojnë Zotërinë dhe besuan në të Ringjallurin (Gjn 20, 2-8), siç po ju shohim dhe besojmë edhe ne sot Juve, Ringjalljen e Ipeshkvisë sonë gjatë këtij dhjetëvjeçari. Megjithëse Gjoni ishte më i shpejt, e që Zotëria e donte më shumë, ai nuk hyri i pari ta shohë por e priti zëvendësin e Tij që i pari të hyjë, si dhe ne që u jemi bashkangjitur Juve në atë ditë kur u ngritët në selinë e Prizrenit.

Faleminderit juve, vëllezër e motra, që keni ardhur në këtë meshë falënderimi për ministerin ipeshkvnor gjatë një dekade të Ipeshkvit tonë në Katedralen e Nënë Terezës në Prishtinë, për të bashkëndarë shujtën Euharestike. Faleminderit që jeni afër Ipeshkvit tonë!

Ardhja e juaj në Kosovë e gjeti Kishën tonë të organizuar mirë dhe me një strukturë e organe tjera të nevojshme, sidomos me një numër të mjaftueshëm meshtarësh, motra të nderit, të lakmueshëm edhe për vetë Romën, pasiqë misioni i tyre ungjillor, mosha e re, entuziazmi dhe vrulli nuk mungonte. E kemi parasysh një raport të detajuar nga SHBA-të, ku ndër të tjera përmendet në kontekstin e Kosovës edhe vetë Ipeshkvia jonë, siç përmenden edhe Kishat tjera në rajon, ku thuhet: “Vetëm Kisha Katolike e Kosovës me klerin dhe motrat e saja të nderit nuk kanë nevojë për reforma, sepse shihet qartë ideali i tyre për Fe e Atdhe”. Pra Juve u është hapur dera që ta vazhdoni misionin e shenjtë si Bari i grigjës së Zotit, por edhe ta ruani kontinuitetin historik të Parardhësve tuaj si dhe në përgjithësi të të Parëve tanë.

 

I dashuri Monsinjor,

duket si e papërftyrueshme, por e vërtetë, “tempus fugit”, madje shpejt, por jo pa lënë gjurmë e dëshmi me këtë 10-vjeçar në ipeshkvinë tonë. Të gjithë ne, meshtarët dhe populli i Zotit, e njohim qëndrimin (rezistencën) tuaj të madhe në angazhimin baritor, përkushtimin tuaj ndaj të rinjve (takimet), vëmendjen tuaj për të varfër dhe për emigrantët, ndjeshmërinë tuaj ndaj çështjes së të papunëve, pjesëmarrjen tuaj në pastoralin e Iniciacionit të krishterë e katekizmit, duke patur një përvojë të gjatë si meshtar dhe si ipeshkëv në dioqezën e Sapës. Dhe shumë të tjera që, në vijim, sadopak do të zihen goje, si kontribut për Kishën që u është besuar.

Gjatë dhjetë viteve të udhëheqjes së ipeshkvisë Mons. Doda gjithnjë e më shumë po çmohet dhe po vlerësohet nga Kisha për një shpirt të pandalur për iniciativa të shumta për të mirën e dioqezës dhe vendit tonë.

Shumë fronte të angazhimit personal e kanë parë si protagonist:

rivlerësimi i përditshmërisë, si rast i besnikërisë ndaj Kishës e Zotit dhe impenjimi në ungjillëzimin e ri përmes “revolucionit” katekumenal për ata që duan t’i afrohen Krishtit, që kërkon edhe përzierjen (mbështetjen tonë) si meshtarë, por edhe si laik dhe prindër me qëllim që askush të mos mbetet subjekt pasiv, por aktiv i jetës dhe i dinamikës kishtare.

 

Vizita pastorale

Të gjithë ne jemi dëshmitarë se Ipeshkvi ynë përveç ndërrimeve të nevojshme që u bënë në famullitë e Kosovës, duke filluar nga ky që po ju drejtohet, si i pari në mesin e tyre, bëri edhe vizitat e para pastorale nëpër të gjitha bashkësitë e Kishës Katolike në Kosovë që edhe sot po vazhdojnë pasiqë në agjendën e tij figurojnë vizitat e dyta baritore.

Nëpër këto takime intensive e sistematike, që edhe unë isha dëshmitar dhe përcjellës, vlen të theksohen takimet me familje (prindër), me këshillin e Kishës, me autoritete relevante në ato vende e rrethe, institucione politike, kulturore, arsimore, fetare…, duke theksuar rolin e Kishës në shoqëri, pavarësisht ndarjes formale mes Kishës dhe shtetit, por që bashkohen për të mirën e njeriut.

Përveç këshillave, udhëzimeve në këto takime të frytshme, Ipeshkvi ka lënë kujtime të mira në këto vende, i ndjeshëm me problemet e njerëzve dhe për asgjë i frikësuar në përballje edhe me tema të nxehta, duke i inkurajuar të mbesin apo të qëndrojnë besnik Zotit dhe kombit. Lajmi shpesh u përhap, siç thuhet në Shkrimin Shenjt: “edhe në mbarë krahinën malore të Judesë flitej për këto ngjarje” (Lk 1,65).

 

Raportet me Islamin dhe Ortodoksinë

Një prioritet tjetër ka qenë për Ipeshkvin tonë gjatë viteve në fjalë raporti me islamin – Bashkësinë Islame të Kosovës dhe me Ortodoksinë – Kishën Ortodokse, gjithashtu në Kosovë. Në fakt takimet dhe dialogu me islamin nuk mund a të mos merrnin një vend të veçantë në kuadër të raporteve me religjionet tjera, dhe ky raport me islamin ka filluar t’i bëjë hapat e mëtutjeshëm, qoftë në takime formale apo joformale, duke nxjerrë në pah elementet e përbashkëta që nevojiten akoma të zbulohen dhe të vlerësohen si rrjedhë abramitike, por edhe feja në një Zot të vetëm.

Nevoja e dialogut me islamin, siç ka qenë edhe tek paraardhësit e tij (Mons. Sopi, Mons. Prela) mbetet edhe më tej një prioritet duke pasur parasysh, jo aq numrin e tyre të lartë sesa vëllazërinë e gjakut, gjuhës, traditës shumë shekullore.

Krahas raporteve të mira me Bashkësinë Islame të Kosovës Ipeshkvi ynë gjithashtu ka qenë i vëmendshëm ndaj marrëdhënieve edhe me Kishën Ortodokse, pasiqë dy kishat tona janë, siç thuhet, “si motra”, duke pasur parasysh sidomos trashëgiminë shpirtërore të shekujve të parë të krishterimit, por edhe numrin e tyre që jetojnë në vendin tonë. Ndaj, me të drejtë Ipeshkvi ynë insiston të ketë jo vetëm takime sporadike apo të rastit, por edhe formale duke uruar dhe përshëndetur intensifikimin e tyre në vitet e ardhshme, dhe se dialogu e ekumenizmi të jenë permanent.

Me një fjalë dua të them: nëse kishat tona janë të ndara, Krishti mbetet i njëjtë, qoftë edhe për religjionet tjera që janë të pranishme në vend.

 

Kremtimet që shënuan historinë

Shumë kremtime jubilare kanë ndodhur për Kishën tonë gjatë 10-vjeçarit të fundit, ku Monsinjor Doda ka prirë edhe në këtë drejtim së bashku me klerin dhe popullin e vet. Ndër ato takime po veçojmë:

Kremtimi i Vitit të Shën Palit (2008-2009) në Gjakovë; Viti i Nënë Terezës (2010) në Prishtinë; Kremtimi i Vitit Meshtarak (2009-2010) dhe Viti i Fesë (2012-2013); mandej shtegtime të shumta brenda dhe jashtë vendit ku, edhe kësaj radhe po veçojmë: Shtegtimi në Romë te varri i Shën Pjetrit; Shtegtimi me rastin e ardhjes së Papës në Shqipëri (shtator 2014); Shtegtimi me rastin e Shenjtërimit të Nënës Tereze në Romë (2016); Shtegtimi me rastin e Lumturimit të 38 Martirëve Shqiptarë në Shkodër (5 nëntor 2016). Kush nuk i përkujton këto ngjarje të rëndësishme për Kishën dhe popullin tonë? Mirë shprehej Ipeshkvi ynë kur shkruante në Planin Baritor “Shërbejmë me përvujtëri e kumtojmë me hare: “A nuk ndizej zemra në flakë dashurie, kur shihnim se si besimtarët tanë na ndiqnin në këtë shtegtim, të shoqëruar me brohoritje, në këngë hareje e në uratë?!

Njëkohësisht, Kisha e Kosovës ka qenë e ftuar të reflektojë në disa “fronte” të udhëzuara nga Ipeshkvi e të ndara në katër zona pastorale (Prizreni, Prishtina, Gjakova e Klina): si riungjillëzimi, edukimi, formimi i të rinjve laikë (katekizimi). etj. si pjesë e misionit të përgjegjësive në Kishë.

Të gjitha këto që u përmenden sipër, madje edhe kalimthi, Ipeshkvi ynë i ka paraqitur të detajuara në Planin e poërmendur baritor pas tetë vite udhëheqjeje në selinë e Prizrenit: “po mbushen tetë vite qysh kur jam kthyer në mesin tuaj, si shërbëtor i Ungjillit dhe bari i grigjës së Kishës në Kosovë. Në ditën e intronizimit tim, në Katedralen e Zojës Ndihmëtare në Prizren, me kujdes dhe plot shpresë e shpalosa planin tim baritor, të përmbledhur në disa pika” (fq. 5).

 

Katedralja e shekullit

Përveç angazhimeve të shumta baritore që u zunë goje më lartë, duket  e pamundur a të mos përmendet edhe Katedralja (Shenjtërorja) e Nënë Terezës në Prishtinë. Në fakt, pas kalimit në amshim të Ipeshkvit tonë të dashur Imzot Mark Sopit (11 janar 2006), por edhe të presidentit Rugova (21 janar 2006) shihej sikur shpresat tona po shuheshin në realizimin e projektit më të madh për Kishën Katolike në Kosovë gjatë pesë shekujt e fundit, por deshi Zoti që menjëherë pas ritit të varrimit të ipeshkvit Sopi, na u konfirmua edhe pasardhësi i tij “ad interim”, Argjipeshkvi i Tivarit, Imzot Zef Gashi, me të cilin u angazhuam që, jo vetëm ideja dhe projekti i këtij tempulli të mos shuhen, por që të riaktualizohen, duke përfshirë edhe çështjen e subvencionimit.

Me ardhjen e Mons. Dodës në Selinë e Prizrenit pa “ad interim”, mori një rrjedhë tjetër, edhe përkundër problemit me tokën e katedrales që donin ta përgjysmonin nga 1.3 h  në 0,68  ari., gjë që na pamundësoi zbatimin e plotë të projektit, siç ishte paraparë, jo vetëm për objektin sakral, por edhe për Kurinë ipeshkvnore, qendrën kulturore, institutin katolik…

Natyrisht, ideja jonë për një katedrale-shenjtërore në qendër të Prishtinës, e përkrahur parezervë nga Presidenti Rugova dhe nga bekimi i  Imzot Mark Sopit, me një stil të arkitekturës romanike, që do t’i lidhte shekujt e rrënimeve të shumta shikohej në atë botë (para dhe pas luftës ’99) si diçka e parealizueshme, një utopi në veti dhe për shumë kënd, por jo edhe për Ipeshkvin tonë të ri që kishte ardhur me plot energji e entuziazëm, megjithëse ishte i vetëdijshëm për mundin dhe djersën që do ta kërkonte kisha në fjalë, por edhe istitucioni tjetër – Kuria ipeshkvnore (Ordinariati) që, përveç ndërtimit, Ordinari ynë gjatë kësaj dekade me sukses riorganizoi dhe formoi institucione e domosdoshme në Kishë dhe pati sukses. Sigurisht, gjatë këtyre viteve, Shkëlqesia e tij Mons. Doda, duke patur një kler në vijën e kishës, me cilësi e tipare të larta ungjillore, madje duke bashkëndarë misterin dhe misionin e tij me ta, s’mund të ishte ndyshe dhe meritojnë falënderimin dhe mirënjohjen tonë më të thellë për kontributin e tyre para, gjatë e pasluftës, sikur dhe me kohën e Mons. Nikë Prelës dhe Mons. Mark Sopit, pa harruar edhe meritat e mëdha të Motrave të Nderit, besimtarëve tanë, siç dimë t’i quajmë të mirë, por edhe popullit tonë në përgjithësi.

Po i afrohemi fundit, por pa thënë shumëçka tjetër në meritë për Ju dhe meshtarët tanë të zellshëm e të përkushtuar, për arsye të kohës së limituar, siç parashihet për një homeli (predikim) në raste përvjetorësh, por ani, sepse e keni dekadën tjetër përpara (e diçka më shumë) për përfundimin e mirë të shumë iniciativave riorganizuese dhe mrekullive tjera.

Na pëlqeu që, në këtë përvjetor simbolik dhe me konatacion të mirë si dhjetë, të jemi afër jush, t’Ju shtrëngojmë dorën me dashuri dhe bijësi në shpirt.

 

Urime! Ad multos annos!

(Homelia e Don Shan Zefit në rastin e 10 vjetorit të Imzot Dodë Gjergji si Bari i Kishës Katolike në Kosovë. Katedralja Nënë Tereza në Prishtinë, 27 dhjetor 2016.)

 

Fotografitë: Besim Ndau

[wonderplugin_gallery id=”36″]

Shpërndaje

Comments are closed.

« »