Martesa e shekullit 21

Nga Dr. Pavao  Brajsha

 

Për t`i ruajtur raportet bashkëshortore të gjalla dhe aktive, të kënaqshme për çiftet bashkëshortore, partnerët duhet patjetër të merren me to, të rezervojnë kohë për t`u marrë me to dhe të sigurojnë hapësirë, në të cilën rrethi nuk do t`i pengojë. Shumë çifte bashkëshortore nuk merren me komunikimin e tyre, nuk kanë kohë për të dhe nuk gjejnë vend në të cilin do të mund të merreshin papengueshëm me të. Për ta gjithçka tjetër është më kryesore se sa kjo gjë. Merren me shtëpi, me kopsht, me kuzhinë, me fëmijë, me veturë, me vrapim, me notim, me sport, me shëndetin e tyre trupor edhe me aktivitete të panumërta shumë të vyeshme, duke harruar këtu se të gjitha këto i përdorin brenda martesës, respektivisht, brenda marrëdhënieve bashkëshortore që, nëse këto lihen anash, me destruktivitetin e tyre dhe me lëvizjet iracionale i asgjësojnë dhe i bëjnë të hidhura rezultatet e shkëlqyeshme në të gjitha fushat e tjera të martesës, familjes, si dhe çiftit bashkëshortor veç e veç.

Për t`i ruajtur marrëdhëniet bashkëshortore, lypset biseduar për çështjet thelbore të komunikimit/raportit të tyre, ta pranojnë realitetin e dyfishtë të partnerit në komunikim, mirëpo edhe barasvlefshmërinë e plotë në të. Biseda për komunikimin bashkëshortor është kusht pa të cilin ai nuk mund të qëndrojë. Komunikimi i çiftit bashkëshortor është ushqimi elementar i marrëdhënies bashkëshortore. Pa të ajo thahet dhe vdes, humbet.

Në praktikën time shumëvjeçare si psikoterapeut bashkëshortësh kam takuar një numër shumë të madh të komunikimeve bashkëshortore të paushqyera, të uritura dhe të vyshkura, që, në fakt, janë martesa të vdekura vetëm se e kanë një fasadë formale të jashtme të institucionit martesor qytetar dhe kishtar. Çifti bashkëshortor vetiu e ka realitetin e tij të martesës së përbashkët. Këto dy realitete të martesës duhet të njihen, vazhdimisht të krahasohen dhe për to të komunikohet intenzivisht.

Nuk ka martesë pa konflikte të çifteve bashkëshortore dhe për këtë arsye është shumë me rëndësi aftësia e tyre e sjelljes me to, qasjes së tyre në komunikimin bashkëshortor. Është me rëndësi edhe si çift të drejtohesh barazi ndaj vetes dhe ndaj partnerit në komunikimin bashkëshortor si dhe ta pranosh lojën e pavetëdijshme të përbashkët në të.

Martesa në të cilën të gjitha të cekurat nuk përfillën, shtypen, shtyhen, lihen anash, në të cilat çifti martesor merret me gjithçka, vetëm jo me veten dhe komunikimin e tyre, medoemos vyshket dhe përfundon me ndarje joformale apo formale. Ka kaluar koha kur është mundur të mbahet një martesë përbrenda e vdekur në bazë të obligimeve, detyrave dhe opinionit publik. Sot e gjithë kjo pak nga pak po e humb fuqinë e vet të ndikimit në çiftin bashkëshortor. Martesa të tilla ose ndahen në mënyrë jokualitative ose kërkojnë zgjidhje të përkohshme në “trekëndsha apo katërkëndsha martesore”.

Në shekullin 21 mund të mbijetojnë vetëm martesat cilësore dhe të kultivuara (të mbajtshme), kurse ato jocilësore dhe jo të kultivuara nuk kanë shans.

 

Ndarja emocionale e martesës

Ndarja nuk është e vetmja mënyrë e ndërprerjes së marrëdhënieve bashkëshortore. Ekzistojnë edhe martesa që nuk ndahen por mbesin “të ruajtura”, porse “të vdekura”, pa jetë, pa komunikime. Michael Lukas Moeller i përshkruan martesat e tilla si jo të ardhura në vete, në të cilat çifti bashkëshortor nuk e kupton se i duhet t`i kthehet komunikimit të vet për ta mbajtur, dhe se as që e ndjejnë që për të duhet bërë diçka. Ata “nuk e dinë se nuk janë duke ditur” të përkujdesen për komunikimin e tyre dhe ta mbajnë atë. Kur çiftet bëhen të vetëdijshme për çrregullimet në komunikim, nuk dinë çfarë duhet të bëjnë që ta përmirësojnë atë. Nuk kanë shembull as idenë në mënyrë që të mund të duket si komunikim i mirë. Si pasojë kemi mungesën e komunikimit në komunikim. E zhvillojnë komunikimin bashkëshortor pa komunikim, që është më i rrezikshëm se sa ndarja e që mund të zgjatet me vite. Komunikimi i pakomunikuemshëm në rastin më të mirë është gjoja-komunikim (quasi-komunikim) i vdekur në vend të komunikimit të shoqishoqëm të gjallë. Kjo është venitje e çiftit brenda një çifti ekzistues. Si pasojë vjen mungesa e bisedimit në komunikim. Çiftet amerikane bisedojnë 4 minuta në ditë, kurse ato gjermane 2 minuta. Pa bisedim nuk mund të jetohet asnjë komunikim. Për konflikte në komunikim duhet të bisedohet kurse ndjenjat të ndahen me shoqi-shoqin. Trishtimi (mërzia), zhgënjimi, nervozizmi ndrydhen dhe shfaqen si simptome. Në komunikime të tilla nuk është e pranishme kënaqësia. Vjen deri te deerotizimi dhe deseksualizimi i marrëdhënieve bashkëshortore. Erotika humbet nën barrën e pezmatimit dhe rezignacionit (pakundërshtimit). Kënaqësia vjen duke u venitur. Çiftet gjithnjë e më pak duhen. Besimi në dashurinë e madhe humbet.

Sa i përshtatet ky përshkrim edhe martesës sonë? Sa minuta në ditë bisedojmë me partnerin tonë të martesës për çështjet thelbore dhe problemet e martesës sonë, jo vetëm të llogarive bankare, blerjes së veturës së re, ndreqjes së një shtëpie të vogël për pushime e gjëra të ngjashme, por për atë se çfarë po ngjan ndër ne në momentet më intime, si po e ndjejmë njëri-tjetrin në veten tonë, çfarë po përjetojmë në shtratin bashkëshortor, a jemi tashmë moti kohë brenda e në të vërtetë “të ndarë”?

Pak mendojmë dhe pak e marrim vesh se ekzistojnë dy ndarje të martesës. E para është formale, para gjyqtarit me letra zyrtare, kurse tjetra është me natyrë të brendshme, ajo emocionale, lidhore (përkatëse), që nuk e shprehim para të tjerëve as para partnerit martesor, dhe shpesh as para vetvetes. Kjo është prishje e heshtur, e brendshme e martesës sonë me fasadë dhe formalitet të ruajtur të jashtme, madje edhe me obligime dhe detyra që rrjedhin nga kjo. Kjo është një martesë për fëmijë dhe fqinjë e flijuar për prindëri dhe familje, por pa një lidhje dhe kuptim të vërtetë të brendshëm, pa frymë dhe shpirt. Një martesë e tillë e vdekur atëherë mbahet me një “të tretë” përjashta ose me një rutinë (praktikë të vjetruar), shprehi, me një qëndrim sa më pak kundërshtim dhe me një komoditet të brendshëm./drita.info

(Përktheu dhe përgatiti: Don Shtjefën Dodes)

Shpëndaje: