Nëna që na dhurojë Hyjin

Dec 31 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela I pas Krishtlindjes – Virgjëra Mari, Nëna e Hyjit

Leximi i parë: Nr 6,22-27

Lexim prej Librit të Numrave

Zoti foli me Moisiun e tha: “Thuaju Aronit dhe bijve të tij: Kështu bekoni bijtë e Izraelit e thoni:Zoti të të bekoftë e të të ruajtë! Të të ndriçoftë Zoti me fytyrën e vet e pastë mëshirë për ty! E sjelltë Zoti fytyrën e vet drejt teje e ta dhëntë paqen! Kështu ata le ta thërrasin emrin tim mbi bijtë e Izraelit e unë do t’i bekoj”.

Fjala e Zotit

 

Psalmi  67

Ref: Zoti na bekon me dritën e fytyrës së vet.

———————————————————

Hyji pastë mëshirë për ne e na bekoftë
bëft të ndriçojë fytyra e tij mbi ne,
që në tokë të njihet udha e tij,
në të gjitha kombet shpëtimi i tij.

———————————————————

Le të galdojnë e le të brohorisin popujt,
sepse popujt i gjykon me drejtësi,
Sepse kombet mbi tokë ti i sundon.

———————————————————

Të dhënçin lavdi mbarë popujt , o Hyj
Mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin
Na bekoftë Hyji
Frikë e paçin mbarë skajet e botës!

———————————————————

 

Lexim i dytë: Gal 4,4-7

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Galatasve

Vëllezër, por kur erdhi koha e caktuar, Hyji dërgoi Birin e vet, të lindur prej gruaje, të nënshtruar Ligjit, që t’i shpërblente të nënshtruarit e Ligjit, që ne ta fitonim bijësinë në shpirt.

E, ngaqë vërtet jeni bij: Hyji e dërgoi në zemrat tona Shpirtin e Birit të vet,i cili gërthet: Abba ‑ o Atë! Këndej, më nuk je skllav, por bir; e, pasi je bir,atëherë, për vullnet të Hyjit, je edhe trashëgimtar.

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Herë mbas herë e në mënyrë të ndryshme, Hyji u foli etërve me anë të profetëve;

së fundi sot, na foli edhe neve me anë të Birit.

Aleluja!

 

Ungjilli Lk 2,16-21

Lexim i Ungjillit shenjt sipas Lukes

Në atë kohë barinjtë shkuan me nxitim dhe gjetën Marinë, Jozefin e Foshnjën të vënë në grazhd. Kur e panë, u treguan ç’u tha engjëlli për Foshnjën. Të gjithë ata që i dëgjuan, u mrekulluan nga ato që thanë barinjtë.  Maria i mbante mend me kujdes të gjitha këto ngjarje dhe i shoshiste në zemrën e vet.

Barinjtë pastaj u kthyen duke lëvduar e madhëruar Hyjin për gjithçka kishin dëgjuar e parë, pikërisht ashtu siç u tha engjëlli.

Kur u mbushën tetë ditë për të rrethprerë Foshnjën, ia ngjitën emrin Jezus, siç e quajti engjëlli para se të zihej në kraharor.

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Në leximin e parë lexojmë se si Zoti foli me Moisiun e tha: “Thuaju Aronit dhe bijve të tij: Kështu bekoni bijtë e Izraelit e thoni: Zoti të të bekoftë e të të ruajtë! Të të ndriçoftë Zoti me fytyrën e vet e pastë mëshirë për ty! E sjelltë Zoti fytyrën e vet drejt teje e ta dhëntë paqen! Kështu ata le ta thërrasin emrin tim mbi bijtë e Izraelit e unë do t’i bekoj”.

Është kjo një porosi e veçantë e Zotit për të gjitha breznitë dhe deri në ditën e sotme përdoret ky bekim për persona, familje dhe shoqëri. Nëpërmes bekimit prej Zotit ditët janë më të qeta dhe ndihma e Tij është lehtësim në jetën e përditshme.

Duke e treguar Hyji mëshirën ndaj nesh ne gjejmë falje dhe kuptim në jetë, thotë psalmisti.

Në leximin e dytë Shën Pali na rikujton që në Jezu Krishtin jemi bij dhe bija të Hyjit, jemi vëllezër e motra, kemi një Zot në qiell, i cili përkujdeset për ne. Kjo na bën të kuptojmë jetën tokësore si shprehje e lavdisë së Hyjit. Kjo lavdi na përfshinë nëse jetojmë nën ndriçimin nga qielli.

Gjatë tetëditëshit të Krishtlindjes, kemi festuar disa festa, që secila ka pasur porosinë e vet dhe motivimin për ne që të veprojmë në përputhshmëri për atë që jemi të ftuar në jetë.

Kjo kohë e Krishtlindjes na bën të ndihemi sikurse barinjtë që shkuan tek grazhdi dhe vizituan Jezusin Foshnje. Ishin të lumtur për ngjarjen e mrekullueshme të kësaj lindje të jashtëzakonshme. Krishtlindja na mbush me gëzim, na mbush me paqe dhe na jep optimizëm në jetë.

Ungjilli i sotshëm është vazhdimësi e kohës në të cilën jemi, kohës së Krishtlindjes.

Sikurse në shumë familje lindja e një fëmije ndërron plotësisht jetën familjare, ashtu edhe lindja e Krishtit që ndodhi në Betlehem. Krejt jeta e Jozefit dhe Marisë ndërlidhet me Krishtin dhe jetohet për Krishtin. Jetonin për Krishtin, Jezusi ishte plotësim dhe kuptimi i jetës së tyre.

Sot, në këtë ditë feste, Kisha dëshiron të vë në spikamë rolin e Marisë, si Nënë e Jezusit dhe Nënë e Kishës, duke dashur t’i jap një nder të veçantë. Nder të gjitha gratë Ajo është me e bekuara, më e lartësuara, u zgjodh të jetë Nëna e Zotit tonë Jezu Krishtit.

Diku rreth shekullit të pestë, Nestori predikonte dhe mësonte që në Jezusin janë dy natyra ajo qiellore dhe njerëzore dhe thoshte që Maria ka lindur Krishtin vetëm si natyrë njerëzore, Maria sipas tij kishte lindur Krishtin vetëm si njeri e jo si Hyj. Për këtë në Koncilin e Efesit që u mbajt nga 22 qershori 431 shpallet përfundimisht dogma se Virgjëra Mari e ka lindur Krishtin Zot dhe njeri. Kështu i gjithë Efesi me drita të ndezura brohoriste Maria është Nëna e Hyjit, Maria është Nëna e Hyjit, Hyjlindësja.

Edhe koncilet tjera që janë mbajtur pas tij e kanë ripohuar këtë të vërtetë, dhe i fundit Koncili II i Vatikanit (LG, 59).

Një njeri me emrin Atkinson nga Kanada ishte kthyer në fe katolike. Shokët e tij e kishin pyetur çka e ka shtyrë atë që të pranoj fenë e krishterë, çka ka gjetur të mirë në Kishën Katolike?

Ai u përgjigj me një skenë të jetës së përditshme:

Një nënë – tha – e kishte fëmijën e sëmurë. Kur fëmija ishte nën ethe, trupi i tij dridhej, nëna përkujdesej në çdo formë për ta ndihmuar. I ftohte buzët e veta me diçka të ftoftë dhe ashtu me buzë të ftoftë e puthte birin e vet, ia rregullonte shtratin sipas dëshirës, e po ashtu edhe nënkresën, ia bënte njëmijë shërbime, sikurse dinte nëna t‘i bënte. Por nuk e ndihmonte asgjë, ai nuk ndihej mirë.

Në fund e ngriti fëmijën nga shtrati dhe e vendosi në parzmën e vet. Në atë moment fëmija me një zë të qetë e të butë tha: Nënë kështu është mirë.

Kur përqafova fenë katolike është plotësuar çdo dëshirë. Në të gjeta paqen, jetën e vërtetë, lirinë, lumturinë.

Në Kishën dhe nëpërmes Zojes së bekuar, si Nënë, në gjejmë paqe dhe lumturi. Ajo si Nënë përkujdeset për ne dhe na ndihmon në jetën tonë. Prandaj i lutemi, shpresojmë dhe besojmë në Të, e cila ndërmjetëson për ne tek Biri i saj dhe Zoti ynë Jezu Krishti.

Sot, kur po e fillojmë një Vit të Ri kalendarik, mendojmë për të shkuarën që lamë pas dhe të ardhmen, e cila po vije, që nuk është në duar tona, por të Dikujt tjetër, në duar të Zotit.  Ne pra, ecim me shpresë në Të, duke besuar në Provaninë e Tij, e cila na përcjell çdo ditë.

Nuk dimë çka na sjell jeta dhe as nuk duhet të kërkojmë nëpër shortar dhe mag të ndryshëm, por me fe që është sikurse ylli që përcolli tre mbretërit shkojmë gjithmonë të ndriçuar kah takimi ynë me Zotin që e gjejmë, e takojmë në Kisha tona.

Jeta me Zotin na bën të ndihemi të sigurt. Sakramenti i rrëfimti na bën të pastër në shpirt, ndërsa Krishti në sakramentin e  Kungimit na forcon dhe bëhet bashkudhëtar në jetë, sikurse u bë me nxënësit e Emmaus-it.

Krejt jeta jonë është një lëvizje, një ecje, shkuarje dhe ardhje, por le të jetë me qëllime të mira dhe duke e thirr në ndihmë Hyjin që edhe ky vit të jetë i bekuar, në paqe dhe frytdhënës në të gjitha segmentet e jetës. Amen.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

T‘i lutemi Hyjit, i cili nëpërmes veprimit të Shpirtit Shenjt e bëri të frytshëm kraharorin e Virgjëres Mari dhe në plotësim të kohës na e dhuroi Shëlbuesin e botës. Për këtë, me fe, shpresë dhe dashuri, të lutemi së bashku duke thënë:

Dëgjoje, o Zot lutjen tonët!

  1. Për Kishën shenjte Katolike dhe apostolike: që gjithmonë dëshmon Krishtin si dritë të botës, të ndriçoj në kohë dhe hapësirë deri në përfundimin e botës, të lutemi:
  1. Për barinjtë e Kishës, që të jenë shembull i gjallë i shërbimit dhe të angazhohen për të gjithë njerëzit, të lutemi:
  1. Për njerëzit që kanë ndikim në popull, për të gjithë ata që kanë përgjegjësi që me gatishmëri të punojnë për të mirën e të gjithëve, të lutemi:
  1. Për të gjithë njerëzit që janë në luftë dhe të acaruar nga padrejtësitë e ndryshme që u ndodhin, që Ti, o Hyj. t‘u ndihmosh nëpërmes njerëzve të mirë dhe paqedashës, të jetojnë në paqe dhe dashuri, të lutemi:
  1. Për të gjithë ne këtu të pranishëm të bashkuar në gostinë të përgatitur për ne, që sikurse Zoja e bekuar të pranojmë fjalën tënde, ta ruajmë në zemër dhe nëpërmes saj të bëjmë vepra që të pëlqejnë Ty, të lutemi:
  1. Për të gjithë të vdekurit tanë, sidomos për të gjithë ata që kaluan nga kjo botë vitin që lamë pas, që të gjejnë në Ty gjykatësin e mëshirshëm dhe të gëzojnë lumturinë e pasosur, të lutemi:

Atë qiellor, dëgjoj lutjet tona, nëpërmes Nënës sonë qiellore, na prijë, na ndihmo dhe bëjë që ta kemi një vit të bekuar e të mbarë. Që jeton e mbretëron në shekujt e shekujve. Amen.       

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »