Bekimi i familjeve dhe shtëpive

Jan 6 • Këndvështrime

Përvoja e krishterë

Nga Don Agim QERKINI

Shpesh kemi raste kur besimtarët kërkojnë bekime, qoftë për fëmijë apo për të sëmurë, lutje e bekime për nevoja të tyre, bekimin e gjësendeve të natyrave të ndryshme: bekimin e kryqit, qiriut, ushqimeve etj. Çka do të thotë fjala bekim? Fjala e ka burimin nga folja latine “bene-dicere” që do tët thotë: të thuash mirë për dikë ose për diçka, të kërkosh prej Zotit të mira. Është një lavd Zotit për të fituar ndihmë dhe mbrojtje prej tij. Shën Pali, i ndërlidh dy bekimet, atë të lavdërimit të Emrit të Zotit dhe bekimin e Zotit ndaj nesh duke thënë: ”Qoftë bekuar Hyji. Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror në qiell në Krishtin” (Ef 1, 3). Bekimi nuk është sakrament por sakramentor. «Kisha Nënë e shenjte i ka themeluar sakramentorët. Këto janë shenja të shenjta, një mënyrë e imitimit të sakramenteve, të cilat shprehen me lutjen e Kishës dhe arrihen efekte kryesisht shpirtërore. Me anë të tyre njerëzit përgatiten për të marrë efektin kryesor të sakramenteve dhe shenjtërohen rrethanat e ndryshme të jetës» (KKK, n. 1667). Pra, për ta kuptuar më mirë dallimin në mes sakramenteve dhe sakramentorëve na ndihmon Katekizmi i Kishës Katolike ku thuhet: Sakramentor quhen shenjat e shenjta të themeluara nga Kisha, qëllimi i të cilave është t’i përgatitin njerëzit për të marrë frytin e sakramenteve. (KKK, n. 1677). Ndër sakramentorët më të parat, janë bekimet. Edhe atë: të personave, të tryezës, të sendeve, të vendeve etj. Çdo bekim është lavdërim i Hyjit dhe lutje për të pasur dhuratat e tij. Në Krishtin, të krishterët bekohen nga Hyji Atë «me çdo bekim shpirtëror» (Ef 1, 3). Prandaj Kisha e jep bekimin duke thirrur emrin e Hyjit dhe duke bërë normalisht shenjën e shenjtërueshme të kryqit të Krishtit (KKK, n. 1671).

Zakonisht, bekimet janë të përcjella përherë me lutje, lexim të ndonjë pjese nga Fjala e Zotit, gjeste, siç është shtrirja e duarve, shenja e Kryqit dhe spërkatja me ujë te bekuar. Në Ungjill, lexojmë se si Jezusi i bekon fëmijët: “Atëherë i përqafoi fëmijët dhe i bekoi duke vënë duart mbi ta” (Mk 10, 16), pastaj ushqimet: “I mori pesë bukët e dy peshqit, i çoi sytë kah qielli, i bekoi, i ndau dhe ua dha nxënësve, kurse nxënësit turmës” (Mt 14, 19). Gjatë historisë së Kishës janë zhvilluar rite e formula bekimesh edhe atë që nga shekulli i parë, si në liturgji, ashtu edhe jashtë saj, përherë të përcjella me shenjën e Kryqit. Pra, formula e bekimit mbi të gjitha shpreh falënderimin tonë Zotit për të gjitha të mirat që na jep, por edhe lutje që të na ndihmoj dhe të na mbroj nga çdo e keqe.

Në këtë kontekst, edhe para Krishtit, njerëzit janë përpjekur që përmes shenjave dhe shprehjeve të ndryshme t’i mbajnë larg shpirtrat e këqij. Ndërsa, në botën tonë të krishterë bekimi ka edhe kuptimin e një marrëdhënieje të veçantë me Zotin. Përveç njerëzve, bekohen objekte, vende, fusha, kafshë, mjete të punës etj. Kjo e shpreh kujdesin e Hyjit për tërësinë e jetës njerëzore, i cili, përmes Kishës vazhdon veprën e shëlbimit.

Në traditat dhe kulturat e popujve të ndryshëm, dallon edhe koha, sezoni dhe mënyra e bekimit të familjeve dhe shtëpive. Në disa vende bëhet para Pashkëve ose gjatë kohës së Pashkëve. Kjo sepse bazohen në kremtimin e Pashkëve hebreje që ndërlidhet me qengjin e flijuar. Në librin e Daljes 9 lexojmë: “Le të marrin prej gjakut të tij dhe le t’i lyejnë të dy shtalkat dhe ballzinat e dyerve të shtëpive, në të cilat do ta hanë qengjin (Dal 12, 7). Kjo do të jetë shenjë dalluese që Zoti ta kursej atë shtëpi nga dënimi: “Gjaku do t’ju shërbejë si shenjë se në cilën shtëpi jeni: unë do ta shoh gjakun dhe ju do t’ju kaloj” (Dal 12, 13). Pastaj, si kohë e përshtatshme për bekimin e shtëpive, në ritin ambrozian merret koha e Ardhjes, e cila zgjatë gjashtë javë e jo katër si në ritin romak. Kjo kohë e shenjtë përgatitë besimtarët për takim me Krishtin. Foshnjës së Betlehemit ia hapim zemrën dhe shtëpitë tona për bekim.

Në botën gjermane si dhe vende tjera skandinave, angleze etj., të ashtu quajturit “Sternsinger”, fëmijë të veshur si mbretër, në mes datës 25 dhjetor deri më 6 janar, në mënyrë të organizuar vizitojnë familjet në lagjet e tyre. Këndojnë këngë Krishtlindjesh dhe bashkë me familjet luten për një vit të mbarë. Më pas, në dyer ose mbi to shënohen tri inicialet e tre Mbretërve, simboli i Kryqit dhe viti pasues. Numrin tre, Origjeni e ndërlidh me tri dhuratat që Mbretërit sollën para Krishtit në Betlehem, ar, kem dhe mirrë. Po ashtu flet për tre Mbretërit: Caspar, emri me prejardhje persiane, Melkior me prejardhje hebreje dhe Baltazar, emër babilonas. Tri incialet kanë interpretime të ndryshme. Një prej tyre, ai kryesor lidhet me shprehjen latine dhe shënohet kështu, p.sh: 20 + C + M + B 17 “Christus mansionem benedicat – Krishti e bekoftë këtë shtëpi.”

Në Zvicër, prej vitit 1989 “Sternsingen” ka marrë gjallëri dhe udhëhiqet nga Missio (Shoqëri papnore për vendet misionare në botë – missio.ch). Me këtë 10 rast ndihmohet fondi solidar “Fëmijët ndihmojnë fëmijët”. Në popullin tonë është bërë traditë që bekimi i familjeve dhe shtëpive të bëhet pas festës së Dëftimit (Tre Mbretërit – Dita e ujit të bekuar).

Bekimi i familjeve

“Hir, mëshirë dhe paqe prej Hyjit Atë, dhe prej Krishtit Jezus, Zotit tonë” (Ef 1, 2).

Një nga aktivitetet e rëndësishme pastorale, përveç në famullitë tona në vendlindje, edhe këtu në mërgim, pa dyshim është bekimi i familjeve dhe shtëpive. Pra, kjo traditë dhe përvojë e rëndësishme pastorale, pa marrë para sysh vështirësitë në aspektin kohor dhe territorial, ka vazhduar dhe bëhet edhe në Misionit tona. Këto vizita, mbi të gjitha, kanë për qëllim të na forcojnë lidhjen tonë me Zotin, i cili na bekon. Për këtë arsye, po mundohemi të arrijmë në secilën familje, që së bashku, ta lëvdojmë Zotin dhe të kërkojmë ndihmën dhe bekimin e tij. (Këtu duhet theksuar se për shkak të mungesës së kontakteve dhe adresave, apo të ndonjë arsyeje tjetër teknike, ka familje që mbeten pa u vizituar për bekime. Natyrisht, qëllimi dhe dëshira është që t’i arrijmë të gjitha, prandaj, vazhdimisht bëhet thirrje që të lajmërohen ndryshimet e adresave dhe bashkëpunimi që ky aktivitet të përmbushet sa më me sukses).

Për përvojën e këtij riti, qysh në shekullin e III, Shën Hipoliti sjell dëshmi për bekimet si traditë e trashëguar nga Izraeli, ku bekoheshin njerëzit, ushqimet e gjësende tjera. Sipas shpjegimeve të tija, gjithçka që është e krijuar, është e nënshtruar së keqes. Për këtë arsye, ato duhet bekuar që të pastrohen, dhe kështu të marrin bekimin e Zotit para se të përdoren.

Liturgjia franke dhe gjermanike i shton lutjet dhe bekimet, duke i shtrirë prej objekteve liturgjike, edhe në njerëz, frute, tokë, ndërtesa etj. Është domethënës edhe bekimi i ujit të cilit i paraprinë lutja e ekzorcizmit. Bekimi me ujë është themeluar për të na përkujtuar pagëzimin e shenjtë.

Pra, bekimi i familjeve (shtëpive) ka një traditë të gjatë, edhe pse e shohim që në kohën tonë ka ndryshuar forma e bekimit. Nëse e shikojmë nga perspektiva popullore, forma e tashme është dukshëm më e varfër në aspektin e solemnitetit dhe kremtimit. Mirëpo, në anën tjetër, mund të thuhet se ky rit është pasuruar në kontekstin teologjik. Natyrisht është e rëndësishme që të gjendet forma më e përshtatshme liturgjike – pastorale e bekimit të shtëpive dhe familjeve në mënyrë që të evitohen vërejtje të ndryshme që lidhen me këtë aktivitet pastoral.

Edhe pse dikur ishte e mjaftueshme nëse vetëm një anëtar i familjes është i pranishëm gjatë bekimit, tani, me ritualin e ri, i jepet rëndësi bashkësisë familjare dhe porositet që të gjithë anëtarët, ose shumica e tyre të jenë të pranishëm.

Në kontekstin shpirtëror, bekimi përjetohej gati si mbrojtje magjike nga shpirtrat e këqij. Kjo vërehet edhe kur i zoti ose e zonja e shtëpisë donë të spërkat me ujë të bekuar çdo vend në shtëpi, apo edhe vende tjera, përfshi stalla, bagëti dhe gjithë pronat e tyre, me besim që të sigurohen nga ndikimi i së keqes. Kjo edhe nuk duhet nënvlerësuar, megjithëse duhet parë mangësitë e mundshme. Ndërsa, në kohën tonë, më shumë theksohet thirrja në shenjtëri dhe lidhshmëria në fe e familjes, si dhe falënderimi i tyre Zotit për të gjitha të mirat.

Duke marrë këtë para sysh, Rendi i ri i bekimeve e vë theksin së pari tek anëtarët e familjes e jo te vendi i banimit, mirëpo, sikur fitohet bindja se është shkuar larg në këtë drejtim, saqë, po duket që po injorohet krejtësisht bekimi i vet shtëpisë. Meqenëse individët apo e gjithë familja bekohen edhe gjatë meshës apo kremtimeve tjera liturgjike në kishë, gjatë bekimit të familjes nëpër shtëpitë e tyre, nuk duhet përjashtuar edhe bekimin e vendit ku banojnë. Aty lutemi për ta dhe të gjithë të tjerët që do të vijnë në atë shtëpi, prandaj, edhe lutjet duhet të jenë sa më gjithëpërfshirëse.

Sa i përket kohës së bekimeve, zakonisht në vendet tona ato fillojnë pas festës së Dëftimit, “ditë së ujit të bekuar”. Me rastin e kësaj feste, besimtarët marrin ujin nëpër shtëpitë e tyre, dhe gjatë vitit edhe vet bekojnë vende e gjësende, duke u lutur që bekimi i Zotit të mbretërojë në mesin e tyre. Ndërsa, vizita dhe bekimi nga ana e meshtarit përherë është rast i mirë që ai të njihet me rrethanat dhe jetesën e besimtarëve të vet, gjë që ka rëndësinë e madhe pastorale.

Nga përvoja praktike, në kohën tonë, për shkak të rrethanave të reja, ritmit të jetës dhe obligimeve të shumta, pastaj, familjet nuk jetojnë më në bashkësi të mëdha, pra, është shtuar dukshëm numri i familjeve, pastaj, përfshi obligimet tjera të meshtarit, kjo po kërkon kohë të gjatë dhe nuk po është i lehtë organizimi i tyre. Në këtë kontekst, shpesh, me rastin e bekimit të familjes dhe shtëpisë, nuk po arrihet të realizohet kjo vizitë në nivelin e duhur pastoral, dhe ndoshta ndodhë të krijohen pakënaqësi, si tek besimtarët, ashtu edhe tek meshtari.

Lidhur me organizimin e bekimeve dhe vështirësisë kohore e teknike, ndodhë që të zgjatet periudha kohore e bekimeve, pastaj edhe të ftohen meshtarë dhe ndihmës tjerë që të ndihmojnë në këtë aktivitet pastoral. Kjo vlen mbi të gjitha këtu në diasporë, kur për shkak të shumë vendbanimeve dhe kohës së kufizuar kur mund të bëhen këto vizita, bekimet po vazhdojnë deri në kohën e kreshmëve. Natyrisht, këtu nuk ka asgjë të keqe, por, ky fakt, sado që ka përparësinë e vet, duhet thënë se po mbetet përherë i mangët realizimi në nivelin e duhur nga ana e meshtarit përgjegjës për besimtarët e vet.

Është e vërtetë se gati në të gjitha rastet, nga ana e besimtarëve mirëpritet vizita e meshtarit gjatë bekimeve edhe për shkak të bisedave shpirtërore. Por, koha e kufizuar po e pamundëson një gjë të tillë, prandaj, marrë para sysh se kjo vizitë mbi të gjitha përfshinë lutjen e përbashkët dhe falënderimin Zotit, atëherë për këto biseda është mirë që të caktohet kohë tjetër apo edhe që besimtarët të vijnë në famulli.

Sa i përket përgatitjes me rastin e bekimeve, si të besimtarëve ashtu edhe të meshtarit, në kohët e mëhershme, edhe këtij aspekti i është kushtuar rëndësi më e madhe. Për shkak të kushteve më të përshtatshme, pastaj në famulli siç janë ato në vendet tona, më lehtë mund të lajmëroheshin këto vizita dhe kështu familja përgatiste shtëpinë, bëhej gati që me plotë respekt ta pret meshtarin, udhëheqësin shpirtëror, në shtëpinë e vet. Nga ana tjetër, edhe meshtari, kishte përcjellësit siç ishin ministrantët me zile në dorë e të tjerë, pastaj të veshur me petka liturgjike, të cilët ndihmonin në animimin e lutjeve dhe atmosferën e gëzueshme të kësaj vizite. Pra, edhe në këtë drejtim, duhet thënë se këto forma vizitash gjatë bekimeve kanë pësuar humbje të theksuar, por kjo, mbi të gjitha për shkak të shumë arsyeve që u cekën më lart, pa lënë anash situata të pa dëshiruara, që kanë të bëjnë më “terminet” e bekimeve, të tjerëve që nuk janë aspak aktiv dhe nuk vijnë në kishë, ndërsa bekimin e dëshirojnë etj.

Përveç gjithë kësaj, duhet përmendur edhe dhuratën apo shpërblimin që me këtë rast besimtarët ua japin meshtarëve. Ndodhë që pikërisht për shkak të kësaj të zbehet rëndësia e kësaj vizite dhe bekimi, sepse në disa raste krejt po bie në nivelin e vlerësimit material, dhe duket sikur bekimi po paguhet. Ndoshta në disa raste, kësaj i kontribuon edhe ndonjë meshtar me qëndrimet e tij, përndryshe, sikur në të kaluarën, edhe tani, kjo dhuratë ishte dhe mbetet një ndihmë për famullinë dhe shpenzimet që lidhen me të, e assesi krejt personale për meshtarin. Përkundrazi, përveç këtyre shpenzimeve, në shumë raste, nga këto të hyra ndihmohen edhe të varfrit në famulli. Lidhur me këtë, ndoshta do të ishte edhe më e përshtatshme që ky shpërblim të mos lidhet aspak me vizitat gjatë bekimeve, por kjo ndihmë të bëhet në ndonjë kohë tjetër apo në zyrën famullitare.

Bazuar në krejt këtë që u tha më lart, kryesorja është se bekimi i familjeve mbetet ngjarje e rëndësishme liturgjike-pastorale, që ka për qëllim lutjen e përbashkët dhe falënderimin Zotit, duke bërë që familja të formohet në vazhdimësi si Kishë shtëpiake, pastaj ato të përbëjnë një bashkësi të bekuar më të madhe dhe një shoqëri të shëndoshë.

Ky aktivitet pastoral, duke e ditur se për disa familje apo familjarë, ndoshta është ngjarja e vetme ose e rrallë liturgjike gjatë vitit, duhet të bëhet me urti e duresë baritore, duke lënë hapësirë me përshtypjet e mira dhe të nxiten në fe dhe jetë praktike fetare.

Pa marrë para sysh origjinën e këtij gjesti, apo periudhën e bekimit, një gjë është e rëndësishme: Jezusi, përmes Kishës së vet, vjen dhe na viziton për të na sjellë gëzim dhe paqe të cilën mund të na e jep vetëm Ai. Në Ungjillin e Lukës lexojmë fjalët e Krishtit që na porositë: “Në cilëndo shtëpi të hyni, më parë thoni: ‘Paqja me këtë shtëpi!’ (Lk 10, 5).

Kjo paqe e Krishtit mbretëroftë përherë në zemrat dhe familjet Tuaja!

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »