Në kërkim të asaj që vërtet e dëshirojmë

Jan 6 • Meditimi i ditës

6 janar 2017 – E premte, Dëftimi i Zotit, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Gjn 5,5-13; Ps 147, 12-13, 14-15,19-20; Mk 1,7-11 ose Lk 3,23-38)

 

Prania e Hyjit

Ajo që është pranë meje është diçka që do të më formojë dhe udhëheq.
Mendohem për praninë e Zotit: në mua, ai është gjithmonë këtu, gjithmonë me dashuri,
në mesin e shumë ndikimeve që më rrethojnë dhe prekin.
Ndalem dhe lus që Zoti
të më formojë dhe udhëheq, tani në këtë moment.

 

Liria

Në realizimin e lirisë së brendshme më së shpeshti më bllokon prirja ime
që lejoj të robërohem nga frikëra dhe pritshmëri çfarë do të nevojitej apo duhej të isha.
Reagimet e mia të zakonshme më pengojnë që t`i kërkoj fusha të ndryshme të zhvillimit dhe të rritjes sime.
Do të lus për një ndjenjë më të madhe të lirisë së brendshme
dhe që të mund të arrij diçka të re nga ajo çfarë Hyji kërkon prej meje.

 

Ndërgjegjësimi

Të jesh i vetëdijshëm për diçka do të thotë këtë edhe ta vëresh.
O Zot, më ndihmo që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e se ma ke dhuruar jetën;
Falëminderit për këtë dhuratë të jetës.
Më mëso se si të koncentrohem dhe të jem i/e qetë dhe të kënaqem në sendet që i ke krijuar për mua.
Ta vërej bukurinë që më rrethon,
mrekullitë e majave të maleve, qetësinë e liqenit, thyeshmërinë e gjethës së lules…
Gjithmonë nevojitet me qenë i/e vetëdijshëm/e se të gjitha këto vijnë prej teje.

 

Fjala

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë, disa herë,
dhe do të ndalem në atë fjalë apo ngjarje që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

Mt 2, 1-12

 

1 Pasi Jezusi lindi në Betlehemin e Judesë, në kohën e mbretit Herod, ja, prej Lindjes ia behën në Jerusalem disa Dijetarë, 2 e pyetën: “Ku është foshnja e lindur, që do të bëhet mbreti i judenjve. Sepse e pamë yllin e tij duke lindur dhe erdhëm t’i shprehim nderimet tona.”
3 Mbreti Herod, posa i dëgjoi këto fjalë, u shqetësua vetë e me të edhe mbarë Jerusalemi. 4 I bashkoi të gjithë kryepriftërinjtë e skribët e popullit dhe i pyeti se ku duhej të lindte Mesia. Ata iu përgjigjën: “Në Betlehemin e Judesë, sepse kështu ka shkruar profeti:
6“E ti, o Betlehem tokë e Judës,
ti nuk je kurrsesi më i parëndësishmi
ndër qytetet princërore të Judës,
sepse prej teje do të dalë prijësi,
që do ta udhëheqë popullin tim, Izraelin.”
7 Atëherë Herodi i thirri fshehtazi Dijetarët dhe me kujdes mori hetime prej tyre rreth kohës kur u ishte dukur ylli. Pastaj i dërgoi në Betlehem duke u thënë: 8 “Shkoni dhe bëni me kujdes kërkime rreth fëmijës. Kur ta gjeni, më lajmëroni që të vij edhe vetë e t’i shpreh nderimet e mia.”
9 Ata, si e dëgjuan mbretin, u nisën. Dhe ja, ylli që kishin parë në lindjen e tij, u shkonte përpara derisa zuri vend aty ku ishte fëmija. 10 Ata, kur e panë yllin, u bënë shend e verë. 11 E, si hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marinë, të ëmën e tij, ranë përmbys dhe i shprehën nderimet e tyre. Pastaj hapën thesaret e veta e i dhuruan: ar, kem e mirrnë. 12 Të mësuar në ëndërr prej Hyjit të mos ktheheshin te Herodi, u kthyen një rruge tjetër në vendin e vet.

 

Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Dijetarët paraqesin të gjithë ata njerëz që e kanë braktisur rutinën dhe rehatinë e tyre dhe janë nisur në rrugë duke kërkuar atë që vërtetë dëshirojnë. Vogëlsia e fëmijës në grazhd mund të na tërheqë shumë herë më shumë se qielli madhështor xixëllues.
  • O Shpëtimtar dhe Zot, vëllai dhe miku ynë, po na tërheq nga çdo skaj i planetit tonë të përshpejtuar të Tokës me prekje që ka një fuqi shëruese dashurie, madje edhe ndaj më të vegjëlve të bijve të Hyjit.

 

Bashkëbisedimi

Nuk po më vijnë lehtë fjalët, o Zot.
Shiko në zemrën time dhe shihe dëshirën time të madhe për paqe.
Më ruaj, o Zot. E di se gjithmonë je pranë meje.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »