Në Pagëzim bëhesh bir dhe bij e dashur e Zotit

Jan 7 • LEXIMET E SË DIELËS

Pagëzimi i Jezu Krishtit (A)

Leximi i parë (Is 42, 1-4.6-7)

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Kështu thotë Zoti: “Ja, Shërbëtori im që unë e përkrah, i Zgjedhuri im, në të cilin kënaqet shpirti im, mbi të e kam ndikuar Shpirtin tim: ai do t’ua japë të drejtën popujve. Ai s’do të bërtasë, s’do ta lartësojë zërin, zëri i tij s’do të dëgjohet në sheshe. Ai s’do ta thyejë as kallamin e copëtuar, s’do ta ndalë as fitilin tymues, dhe pa u trembur ai do ta shpallë të drejtën. S’do të lodhet as nuk do të ndalet derisa ta ketë vendosur të drejtën në tokë. Ishujt e presin me afsh mësimin e tij. Unë, Zoti, të thirra në drejtësi e për dore të kam marrë; të kam trajtuar e caktuar besëlidhje të popullit edhe dritë për të gjithë popujt: që t’ua hapësh sytë të verbërve, që t’i nxjerrësh të burgosurit nga burgu, prej shtëpisë së burgut ata që rrinë në terr.” 

Fjala e Zotit

 

PSALMI (29)

Ref: Lavdi i qoftë emrit tënd, o Zot

———————————————

Jepni Zotit, o bijtë e Hyjit,
jepni Zotit lavdinë e fuqinë!
Jepni Zotit nderin e Emrit të tij,
adhurojeni Zotin në shkëlqimin e shenjtë!
———————————————

Dëgjo! Zoti gjëmon mbi ujëra,
Hyji i madhërishëm gjëmon,
Zoti bubullon mbi ujëra të mëdha!
Dëgjo! Zoti gjëmon fuqishëm,
Zoti gjëmon me madhëri!
———————————————

Ndërkaq në Tempullin e tij të gjithë thonë: “Lavdi!”
Zoti e ka fronin përmbi përmbytje,
Zoti mbretëron përgjithmonë e jetë!
———————————————

 

Leximi i dytë (Vap 10, 34-38)

Lexim prej Veprave të Apostujve

Atëherë Pjetri mori fjalën e tha: “Tani me të vërtetë po e marr vesh se Hyji nuk i mban kujt krah, shi përkundra – në çdo kombësi i pëlqen ai që e ka frikën e tij dhe që e zbaton drejtësinë. Ai u dërgoi fjalën e vet Izraelitëve dhe ua shpalli Ungjillin e paqes përmes Jezu Krishtit që është Zotëria i të gjithëve. Ju e dini çka ka ndodhur në mbarë Judenë, duke filluar nga Galileja, pas pagëzimit që predikoi Gjoni, sesi Hyji Jezusin prej Nazaretit e shuguroi me Shpirtin Shenjt e me pushtet; atë që e përshkoi vendin duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë ata që kishin rënë nën pushtet të djallit, sepse Hyji ishte me të.” 

Fjala e Zotit

 

Aleluja!
Ja, po vjen një më i fortë se unë, thotë Gjoni;

Ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt e me zjarr.
Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 3,13-17)

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Atëherë erdhi Jezusi prej Galilesë në Jordan te Gjoni për t’u pagëzuar prej tij. Gjoni donte t’i kundërshtonte e i thoshte: “Mua më duhet të pagëzohem prej teje, e ti po vjen tek unë?” Por Jezusi iu përgjigj: “Lëre tani! Sepse kështu na ka hije të kryejmë çdo gjë që përkon me vullnetin e Hyjit.”Atëherë e lejoi.

Menjëherë pas pagëzimit Jezusi doli nga uji. Dhe, ja! Iu hapën qiejt dhe e pa Shpirtin e Hyjit duke zbritur porsi pëllumb e duke ardhur mbi të. Dhe, ja, një zë që vinte nga qielli, tha: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër!” 

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Në këtë të dile Kisha e feston Pagëzimin e Jezu Krishtit, festë liturgjike me të cilën përfundon koha e Krishtlindjes. Ngjarja e pagëzimit të Jezu Krishtit është fillimi i jetës publike dhe dërgimi i tij si Mesia i Hyjit shpëtimin e njerëzve.

Në leximi e parë nga Isaia profet, na paraqitet Shërbëtori që është i përkrahur i Hyjit, i Zgjedhuri, në të cilin kënaqet shpirti i Tij dhe mbi të cilin ka ndikuar Shpirtin e vet…
Kështu paraqitet në mëynrë madhështore Shërbëtori i Hyjit në aradhen e shenjtërve për shëlbimin e të gjithë atyre që besojnë.
Jezusi i dashuri i Hyjit,  shërbëtorë me mision të caktuar e që është për të mirën jo vetëm të hebrenjve, por për të mirën e mbarë botës.
Psalmisti fton njerëzit t‘i japin lavdi Zotit, të madhërojnë Emrin e Tij, të shpallin mrekullitë e Tija, sepse Ai është i fuqishëm, është i shenjtë, është i madhërueshëm mbi të gjithë zotat.
Ndërsa Veprat e Apostujve  ja jep fjalimin e Shën Pjetrit, i cili, si i pari i apostujve, pas ngjalljes së Krishtit, thotë: Hyji nuk i mban kujt krah, por të gjithë janë të barabartë para Tij dhe të gjithë janë të ftuar të marrin pjesë në veprën e shpëtimit.
Shën Pjetri i rikujton edhe një herë njerëzit e asaj kohe, por edhe neve sot,  për atë që ndodhi në mbarë Judenë, duke filluar nga Galileja, pas pagëzimit që predikoi Gjoni, sesi Hyji Jezusin prej Nazaretit e shuguroi me Shpirtin Shenjt e me pushtet; atë që e përshkoi vendin duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë ata që kishin rënë nën pushtet të djallit, sepse Hyji ishte me të. 
Hyji ishte me Jezusin. Hyji është edhe me ne, nëse jetojmë sipas pagëzimit dhe përgjegjësive që kemi marrë dhe i kemi si katolikë.
Ungjilli na paraqet pagëzimin e Jezusit nga Gjoni në lumin Jordan. Të gjithë ungjilltarët flasin për këtë ngjarje. Njerëzit shkonin të Gjoni për t‘u pagëzuar. Ky pagëzim ishte moment kthimi dhe falje e mëkateve.
Lind pyetja, a ka pasur nevojë Jezusi të pagëzohet? Me siguri jo, sepse Ai ka qenë pa mëkat, por në saje të bisedës që bënë Jezusi me Gjonin dhe që është e shënuar vetëm te Mateu, shihet qartë që Jezusi vjen nga Galilea për t’u bashkëngjitur aradhës së atyre që përgatiten për ta pritur Mesinë. Kjo është një shenjë e dukshme e Jezusit për t’u bërë pjesë e ndryshimeve njerëzore, pjesë e një historie që po lind e që vet Ai është protagonisti kryesor.
Në këtë pagëzim Jezusi shpallet si Biri i dashur i Hyjit që e ka për zemër, dhe pikërisht kjo ishte arsyeja që Krishti pagëzohet, i deftohet botës si Shëlbues.
Një tjetër gjë që është e rëndësishme për ne, duhet kujtuar që aty ku pagëzon Gjoni kishte kaluar edhe populli i Izraelit nga robëria egjiptiane në liri. Kështu kuptojmë që sikurse populli i Izraelit kaloj nga robëria në liri edhe nëpërmes pagëzimit të Gjonit populli duhet të kalojë në lirinë e re që u shfaq në horizontin e historisë së shpëtimit.  Pagëzimi me ujë dhe me Shpirt Shenjt, si fillimi i Besëlidhjes së Re, që do ta dhurojë Jezusi, do të jetë pagëzimi përfundimtar i lirisë, do të krijohet bijësia në shpirt.
Prandaj, sot, më këtë ditë të veçantë ne duhet të mendojmë për përgjegjësit që kemi marrë në pagëzim. Në pagëzim jemi bërë bijë dhe bija të Hyjit, jemi të vulosur me vulën e Shpirtit Shenjt. Jemi bërë anëtarë të Kishës. Kemi pranuar përgjegjësinë që të jetojmë në fe. Kisha sot nuk kërkon nga ne që të jemi për një moment apo në çdo moment të përsosur, por kërkon të jemi të vetëdijshëm se jemi të krishterë, jemi anëtarë të Kishës, jemi bijë dhe bija të Zotit, dhe për pasojë dëshmitarë të përhershëm të Zotit në historinë e njerëzimit.
Nëse nuk e dëgjojmë zërin prej qiellit, së paku ta dëgjojmë klithmën e vëllait njeri që ka nevojë për ndihmë, ka nevojë për ty, për mua, për ne. Dhe kjo na bën të dallohemi si të krishterë të mirë.
Shpeshherë, njerëzit e krishterë që nuk e jetojnë besimin e tyre, i identifikojnë të gjithë të krishterët me vetveten, sepse bëjnë njëjtë sikurse ata që nuk besojnë, nuk jetojnë jetën sakramentale, përdorin fjalë banale, fyejnë, vjedhin, thyejnë kurorat, ndahen bashkëshortet, vrasin…
Kështu në vend që të jenë dëshmitar janë skandal për dyfytyrësinë e tyre. Duhet të jemi protagonist të së mirës dhe t‘i lejojmë Hyjit të veproj nëpërmes nesh.
Prandaj duke kujtuar pagëzimin tonë të veprojmë sipas përgjegjësisë që kemi pranuar dhe ato t’i jetësojmë me hare në jetën e përditshme.

 

LUTJET E BESIMTARËVE 

T’ ia drejtojmë lutjet tona Atit tonë të mirë, i cili nëpërmes pagëzimit na bëri bijë e bija të Tij të dashur, të themi së bashku:

O Atë i mëshirshëm, ki mëshirë  për ne e na dëgjo!

  • Për Kishën tënde të shenjtë: që t‘i qëndrojë besnike Lajmit të gëzueshëm të Jezu Krishtit dhe shëlbimin tënd t‘ua shpallë të gjithë njerëzve, të lutemi:
  • Për barinjtë e Kishës, të udhëhequr nga Papa Françesku, që të bekosh çdo vepër të mirë për ndërtim të bashkësisë në paqe dhe dashuri, të lutemi:
  • Për të gjithë ata që janë larguar nga Zoti: që të dëgjojnë zërin tënd, ta pranojnë dhe të kthehen në përqafimin atërorë, të lutemi:
  • Për ne këtu të bashkuar, që të rritemi në dashuri ndaj Teje dhe me gëzim të jetojmë dhuratën e bashkimit si vëllezër dhe motra, të lutemi:
  • Për të gjithë të vdekurit tanë, që nëpërmes sakramentit të pagëzimit i lirove nga robëria e vdekjes, dhuroju edhe jetën e pasosur, të lutemi:

O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i mëshirshëm, me hirin tënd jemi të ftuar në jetë dhe sipas mirësisë sate shkojmë kah gëzimet e amshuara. Na ripërtëritë nëpërmes Shpirtit tënd të Shenjtë që të qëndrojmë besnik në thirrjen tonë.  Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

 

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »