O Zot, më jep guximin për sfidat e përditshme të jetës

Jan 7 • Meditimi i ditës

7 janar 2017 – E shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Gjn 5, 14-21; Ps 149, 1-2,3-4,5 dhe 6a dhe 9b; Gjn 2,1-11)

 

Prania e Hyjit

Ndalem një moment
dhe mendoj për dashurinë dhe hirin që Zoti e derdh mbi mua,
se si më krijon në shembëlltyrën dhe përngjasimin e vet, se si më bën tempull të tijin…

 

Liria

Trungu i trashë dhe i shtrembët i pemës kurrë nuk do të besonte
se mund të bëhet statujë, vepër e mrekullueshme artistike,
dhe kurrë nuk do t`i nënshtrohej daltës së skulptorit,
që me gjeninë e tij depërton në të për të nxjerrë gjithçka mund të bëhet prej këtij trungu (Shën Injaci)
Lus për hirin që të lejoj të formohem me dorën e Krijuesit tim të dashur.

 

Ndërgjegjësimi

E pyes veten, ç`po ndiej sot në vete?
A jam ndoshta i/e lodhur, nën stres apo jashtë forme?
Nëse diçka prej kësaj ekziston në mua,
a mund të provoj t`i hedh tej këto brenga që më shqetësojnë?

 

Fjala

Fjala e Hyjit vjen tek ne nëpërmjet Shkrimit Shenjt.
Shpirti Shenjt ma ndriçoftë mendjen dhe zemrën në mënyrë që t`u përgjigjem nxitjeve të ungjillit.
Që t`i dua të afërmit si vetveten.
Që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

 

Mt 4,12-17.23-25

 

12 Kur Jezusi e mori vesh se e kishin burgosur Gjonin, u tërhoq në Galile. 13 E la Nazaretin e shkoi e u vendos me banesë në Kafarnaum, qytet bregdetar në krahinën e fisit të Zabulonit e të Neftalit, 14 që të shkonte në vend fjala që tha Isaia profet:
15 “Tokë e Zabulonit e tokë e Neftalit,
në drejtim të detit, përtej Jordanit,
Galileja pagane,
16populli që gjendej në errësirë,
pa një dritë të madhe;
atyre që banonin në krahinën e hijes
së vdekjes u lindi drita.”
17 Që atëherë Jezusi filloi të predikojë: “Kthehuni, se Mbretëria e qiejve është afër!”
23 Jezusi shkonte prej një vendi në një vend tjetër nëpër mbarë Galilenë, duke mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar Ungjillin e Mbretërisë e duke shëruar në popull çdo sëmundje e çdo pamundësi.
24 E u hap zëri për të anembanë Sirisë; i sillnin tek ai të gjithë ata që i mundonte ndonjë e keqe prej sëmundjesh e ndeshtrashash të larmishme ‑ të djallosur, epileptikë, të shituar; dhe i shëronte. 25 E pas tij shkonte një mori e madhe njerëzish prej Galilesë, prej Dekapolit, prej Jerusalemit, prej Judesë dhe prej krahinës përtej Jordanit.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit  Shenjt:

 

  • Jezusi shërues aplikonte terapinë që ishte personi i tij: dashurinë e mëshirshme të tij. Me gjithë zemër pranonte çdo person të sëmurë. Vuante edhe ai kur shihte se të tjerët po vuanin. Rikuperimi ishte mënyra e tij e dashurisë. Ai u tregonte atyre se e meritojnë të jenë të dashur dhe të pranuar.
  • O Zot Jezus, pjesa kryesore e veprimtarisë sate ka qenë ngrohtësia dhe miqësia jote. I ke tërhequr ata që duhej të besonin në mirësinë e Hyjit dhe të merrnin guxim për të vazhduar tutje. Ndihmomë edhe mua dhe më jep guximin për sfidat e përditshme të jetës.

 

Bashkëbisedimi

O Zot, e di që fjalët nuk janë të nevojshme kur të drejtohem ty.
Ti shikon në thellësinë e zemrës sime.
I njeh dëshirat dhe nevojat e mia.
Po lëshohem në duart e tua.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »