Ti je fëmija i dashur i Zotit

Jan 8 • Meditimi i ditës

8 janar 2016 – E diela e Pagëzimit të Zotit, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme (Leximet e ditës: Is 42,1-4.6-7; Ps 29,1a.2.3ac-4.3b.9b-10; Vap 10,34-38; Mt 3,13-17)

 

Prania e Hyjit

Jezus i dashur, po vij sot tek ti, kam nevojë për afërsinë tënde.
Dëshiroj të të dua sikurse ti më do mua.
Kurrë mos më ndaftë asgjë prej teje.

 

Liria

Kur e ndiej veten të robëruar dhe kur gjithçka më tendosë,
më ngarkon, madje edhe atëherë kur rrezet e diellit
nuk arrijnë në vendin ku ndodhem,
edhe atëherë, në heshtjen e heshtjes, shpirti im është i lirë dhe i papenguar.
Në këtë liri të shpirtit po të drejtohem ty.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Krijuesit që më do,
me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,
ngritjet në maja e uljet poshtë si dhe rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.
A mundem ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

Marr kohë ta lexoj Fjalën e Zotit pa u ngutur dhe shumë herë.
Nëse diçka më flet,
thjesht qëndroj në atë vend dhe e shijoj.
Provoj të kuptoj çfarë po më flet Zoti ndërlidhur me jetën time.

 

Mt 3 ,13-17 13

Atëherë erdhi Jezusi prej Galilesë në Jordan te Gjoni për t’u pagëzuar prej tij. 14 Gjoni donte t’i kundërshtonte e i thoshte: “Mua më duhet të pagëzohem prej teje, e ti po vjen tek unë?” 15 Por Jezusi iu përgjigj: “Lëre tani! Sepse kështu na ka hije të kryejmë çdo gjë që përkon me vullnetin e Hyjit.” Atëherë e lejoi. 16 Menjëherë pas pagëzimit Jezusi doli nga uji. Dhe, ja! Iu hapën qiejt dhe e pa Shpirtin e Hyjit duke zbritur porsi pëllumb e duke ardhur mbi të. 17 Dhe, ja, një zë që vinte nga qielli, tha: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Kjo është një nga tre herët që Ati ynë na flet në Ungjill. Këtu thotë se ai është i cili dashuron me pasion.
  • Gjatë mijëvjeçarit të parë, kjo është bërë mënyra se si të krishterët e shihnin veten e tyre, sidomos kur e kuptuan domethënien e fjalëve të Jezuit: “Sikurse Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur ju. Qëndroni në dashurinë time!” (Gjn 15,9)
  • Nëse dëshiron të reflektosh në mënyrë të përmbledhur për këtë, qetësohu një moment duke e relaksuar trupin. Pastaj dëgjo se si Ati po të quan i dashuri/e dashura i/e tij, disa herë. Kur ndalesh dhe qëndron te këto fjalë, tregoji Atij se si ndihesh kur i dëgjon ato.

 

Bashkëbisedimi

Jezus, po më flet me tekstin e Shkrimit Shenjt.
Bëj që t`i përgjigjem thirrjes tënde të sotshme.
Më mëso që ta njoh dorën tënde vepruese
në jetën time të përditshme.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.Si ka qenë në fillim ashtu tash
E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »