Lejo që Jezusi të të tregojë se sa të respekton

Jan 11 • Meditimi i ditës

11 janar 2016 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Heb 2,14-18; Ps 105,1-4.6-9; Mk 1,29-39)

 

Prania e Hyjit

Sa më shumë i përgjërohemi Zotit, aq më shumë e ndjejmë praninë e tij.
Prej dite në ditë, gjithnjë e më shumë, na tërheq kah Zemra jote e butë.

 

Liria

Hyji sillej me mu ashtu siç bën një mësues shkolle me një fëmijë:
më mësonte. (Shën Injaci)
Do ta kujtoj se ekzistojnë edhe shumë gjëra për të cilat Hyji duhet të më mësojë,
dhe do të lus për hirin që t`i vërej
dhe t`i lejoj që nëpërmjet tyre të më ndryshojë.

 

Ndërgjegjësimi

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – lidhje, me natyrën, me njerëz,
me Hyjin.
I vërej këto lidhje dhe falënderoj për jetën që rrjedh nëpër to.
Disa prej këtyre lidhjeve janë shtrembëruar, disa janë rrënuar, disa janë ndërprerë:
Ndoshta për këtë arsye ndjehem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lus për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

Kaloje këtë kohë duke e qendërzuar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

________________________________________

Mk 1, 29-39

29 Dhe menjëherë, posa dolën nga sinagoga, shkoi me Jakobin e me Gjonin në shtëpinë e Simonit e të Andreut. 30 Vjehrra e Simonit ishte në shtrat ndër ethe.
Menjëherë i treguan për të. 31 Jezusi u afrua, e kapi për dore dhe e ngriti. E lëshuan ethet dhe u shërbeu.
32 Në mbrëmje, në të perënduar të diellit, ia sollën para të gjithë të sëmurët dhe të djallosurit. 33 Mbarë qyteti u mblodh para derës. 34 Ai i shëroi të sëmurit ishin shumë dhe me sëmundje të ndryshme. Dëboi edhe shumë djaj. Por nuk i lejoi djajtë të flasin sepse e njihnin.

35 Herët në mëngjes, kur ende ishte natë, Jezusi u çua e shkoi në një vend të pabanuar e atje lutej. 36 Simoni me shokët e vet u vunë ta kërkojnë. 37 Kur e gjetën i thanë:
“Të gjithë po të kërkojnë.”
38 Ai u tha:
“Ejani të shkojmë gjetiu, në fshatrat e afërme që të predikoj edhe atje. Prandaj edhe erdha.”
39 Dhe i ra kryq e tërthor Galilesë duke predikuar nëpër sinagogat e tyre dhe duke dëbuar djajtë.

________________________________________

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Ungjilli na tregon se Jezusi, përveç se shëronte njerëz, dëbonte djaj, dhe predikonte, e kishte zakon të shkonte në një vend të vetmuar për t`u lutur. Ai e ndiente nevojën të ishte i lidhur me Atin, sepse ai ishte i dashuri i tij. E dhimbshme ishte mungesa e pranimit të njerëzve.
    • Në lutje bisedo me Jezusin për të njëjtën përvojë të mungesës së respektit dhe pranimit nga ana e njerëzve. Lejo që Jezusi të të tregojë se sa të respekton si shok dhe si njeri që ndan me të përpjekjet e tija për të shpallur Fjalë gëzimi. Vë re se sa po reziston, e sa po e pranon atë që Jezusi të thotë.

 

Bashkëbisedimi

O Zot i dashur, më ndihmo çdo ditë
që edhe më shumë të kërkoj.
Ma mbush zemrën time me dashuri ndaj teje.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash 
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »