Jezusi i prekur nga plagët e tua

Jan 12 • Meditimi i ditës

12 janar 2017 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Heb 3,7-14; Ps 95,6-11; Mk 1,40-45)

 

Prania e Hyjit

Ndalem një moment
dhe mendoj për dashurinë dhe hirin që Zoti është duke e derdhur mbi mua,
se si është duke më krijuar në shëmbëlltyrën dhe përngjasimin e vet, se si më bën tempull të tij…

 

Liria

Hyji ma ka dhënë dhuratën e lirisë.
Madje nëse jam fizikisht i/e robëruar, shpirti im është i lirë.
Më ndihmo që lirinë e dhënë prej teje, me hirin tënd, ta përdor me mençuri.

 

Ndërgjegjësimi

E di që Zoti më do pa kushte.
Për këtë arsye me sinqeritet e vështroj ditën që po kalon, ngjarjet dhe përjetimet.
A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të falënderohem.
Diçka që ndihem fajtor/e? Atëherë do të lus për falje.

 

Fjala

Ndalem një moment, dhe e lexoj pjesën e ungjillit pa u ngutur.
Dëgjoj se çka po ndodh në zemrën time.

—————————–

Mk 1, 40-45

 

40 Atëherë iu paraqit një i gërbulur, ra në gjunj dhe iu lut:
“Nëse do, mund të më pastrosh!”
41 Jezusi pati dhembshuri, shtriu dorën, e preku dhe i tha:
“Dua! Qofsh pastruar!”
42 Dhe aty për aty prej tij u zhduk gërbula dhe u shërua. 43 Jezusi menjëherë e nisi të shkojë, por i urdhëroi rreptësisht:
44 “Shih i tha mos i trego askujt, por shko, duku te prifti dhe, për shërimin tënd, kushto çka ka urdhëruar Moisiu atyre për dëshmi.”
45 Por ai, posa doli, filloi të flasë e ta përflasë ngjarjen, kështu që Jezusi s’mund të hynte më haptas në qytet, por qëndronte përjashta në vende të pabanuara. E njerëzit shkonin tek ai nga çdo anë.

———————————–

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Plagët më të dhimbshme që i mbartim nga e kaluara, më
    shumë janë ato shpirtërore se sa ato fizike. Një nga këto plagë shpirtërore, që na shkaktojnë më së shumti dhimbje, është ndjenja e papërfilljes (të qenit i parëndësishëm). Në këtë rast i dëgjojmë fjalët e Jezusit drejtuar njeriut të gërbulurit, që janë plot vëmendje. I gërbuluri e lut Jezusin, që ta shëronte atë plagë që mbartte nga e kaluara.
    • Në lutjen tënde të sotshme, tregoji Jezusit mënyrat se si ke qenë i/e plagosur, qoftë nga fjalët, qoftë nga veprat e dikujt. Dëgjo se si Jezusi është i prekur nga plagët e tua dhe se si është i gatshëm të përgjigjet shpejt, i prekur dhe duke pasur dhembshuri për ty. Tregoji se si po ndjehesh për përkujdesjen e tij.

 

Bashkëbisedimi

O Zot, emrin tim e ke shkruar në pëllëmbët e duarve të tua.
Madje edhe nëse më harrojnë të tjerët, ti këtë nuk do ta bësh kurrë.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe
sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash 
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »