In memoriam: Ramiz Kelmendi, krijues i frymëzuar dhe i dalluar

Jan 13 • Kulturë

Nga Don Lush GJERGJI

Ramiz  Kelmendi është emër që ka shënuar krijimtarinë dhe kulturën shqiptare më se gjashtëdhjetë vjet, duke e begatuar atë me kuptim, domethënie, shije, bukuri, stil, mbi të gjitha me dashuri që shquhet dhe dallohet në çdo shkronjë, rresht, faqe, botim.

Dikush tha kështu: Njeriu është stil dhe stili është njeri. Kjo mund të thuhet veçmas për Ramiz Kelmendin,  njeri, vëlla, krijues i frymëzuar dhe dalluar, shkrimtar, publicist, gazetar, mbi të gjitha atë që jetën, kulturën, krijimtarinë i kishte vërë në shërbim të atdhedashurisë, gjuhës, popullit, kërkimit të vazhdueshëm të lirisë dhe demokracisë.

Ai pati këtë parim dhe përcaktim jetësor: “Atdheu është gjuha vetë. Mendoj dhe shkruaj shqip. Gjuha është shpirti i një kombi”.

Mu për këtë unë e kam quajtur “Kronisti kulturor” dhe krijuesi burimor i shumë dekadave të fundit, sidomos në Pajtimet e Gjaqeve, ku ishte i pandarë prej popullit dhe krijuesve tjerë,  intelektualëve që ishin bashkuar rreth Prof. Anton Çettës, për ta mposhtur hak apo gjak-marrjen famëkeqe, për ta afruar dhe vëllazëruar atë në paqe dhe pajtim të gjithëmbarshëm.

Fjala e tij e shkruar dhe shqiptuar, ishte dhe mbetet gjithnjë:

  • Shqipe, e frymëzuar dhe qëlluar, e ngrohtë, si drita dhe dielli;
  • E thellë dhe domethënëse, si rrënjët tona ilire, arbërore dhe shqiptare;
  • Domethënëse, si edhe vetë jeta dhe krijimtaria;
  • E domosdoshme, si ajri, uji dhe buka, sofra bujare shqiptare për të gjithë.

Kam pasur fat dhe dhuratë ta njohja që moti dhe për së afërmi, vite të tëra, si në shkrime dhe botime, ashtu edhe në miqësi, bashkëpunim vëllazëro në shumë fushëveprime, sidomos në Pajtimet e Gjaqeve, në tryeza të ndryshme kulturore kushtuar gjuhës, kulturës, krijimtarisë shqiptare.

Çka kam zbuluar dhe pranuar nga ky shoqërim dhe vëllazërim? Shumë, mbi të gjitha një Njeri të mirë, të dashur, të urtë, me shumë përvojë jete dhe krijimtari, me vullnet të madh për ta dashur dhe ndihmuar Popullin shqiptar, sidomos atdhedashurinë, që ai e shprehte me kultivim e gjuhës dhe krijimtarisë, kulturës, si “shpirti i një kombi”.

Trinomi që e ka karakterizuar Ramiz Kelmendin është: Populli, Libri, Kultura, për mbrojtjen e identitetit dhe personalitetit tonë, ngritjen dhe qytetërimin, si parakusht për një të tashme dhe të ardhme sa më të mirë dhe përparimtare.

Dikush urtësisht ka thënë: Ne Shqiptarët kemi nevojë për dy gjëra, për bukë dhe për libër. Ramiz Kelemndi e bashkëndante këtë mendim dhe porosi. Gjatë Kalvarit të gjatë dhe të Popullit tonë në shekullin XX, ku vuajtja, vaji, rreziku, burgimi, vrasja, arratia, mohimi i jetës dhe të drejtës, ishin “bukë e përditshme”, apo siç pikturonte Lin Delija, “Bukë e gjak”, ai qe dëshmitar dhe kronist kulturor i qëndresës dhe mbijetesës tonë, që së fundi është kurorëzuar me liri, pavarësi dhe demokraci.

Duke komentuar Pajtimet e Gjaqeve, Ramiz Kelmendi thoshte kështu: “Kurrë nuk kam qarë, nuk  kemi qarë më shumë, nga malli, dhembja, përjetimet tronditëse, sidomos nga gëzimi dhe lumturia që Shqiptarët së fundi po pajtohen dhe miqësohen… Me lotët tona kemi larë fusha dhe kodra, sheshe dhe livadhe, mbi të gjitha të ligat që na kanë përcjellë me shekuj, jemi pastruar… Tash shohim më mirë, dëgjojmë më mirë, duam më shumë, sepse dolëm prej “tunelit të errët” të vetëvrasjes dhe vëllavrasjes…”.

Kush ka lexuar ndonjë rresht apo faqe, vepër të Ramiz Kelmendit, ka shijuar stilin e tij të stërholluar, shkathtësinë dhe qartësinë e mendimit dhe të fjalës, rrjedhën e bukur dhe të natyrshme të shprehjeve dhe porosive,  si në sentenca, që komentohen, shqyrtohen, pranohen, pleqërohen,  pëlqehen, sepse janë gjithmonë  të bukura, të dobishme dhe në shërbim të jetës dhe të dashurisë.

Ramiz Kelmendi ynë pati syrin e shqiponjës, për të parë prej së larti dhe në largësi, shqyrtonte me arsye të shëndoshë dhe të pjekur personale dhe popullore, përjetonte me zemër të madhe dhe flijuese, shkruante me dorë dhe dashuri, dhe kështu e dha pjesën më të mirë të vetvetes – dashurinë dhe krijimtarinë, do të thoshte Shën Nëna jonë Tereze.

Kjo erdhi në shprehje në një trinom tjetër shumë të rëndësishëm: Ishte Njeri, Shqiptar dhe Krijues. Përse dhe si?

  • Kishte parë dhe përjetuar një popull të robëruar dhe të rrezikuar, Popullin tonë Shqiptar.
  • Një tokë dhe “nëntokë” të djegur dhe të pushtuar, shkretuar, trojet ilire, arbërore dhe shqiptare.
  • Kishte përjetuar shumë pësime, vuajtje, dhunë, por kurrë nuk ishte dorëzuar. Vetvetes, të tjerëve, Popullit tonë, i dhe frymëzim dhe zemër, ide, ideale, krijimtari, për ta larë borxhin e madh të atdhedashurisë.

Më lejoni në fund të kësaj fjalë të rastit dhe lamtumirës të them kush ishte dhe mbetet për mua Ramiz Kelmendi:

  • Ai që në fjalë dhe fjali – ishte për ontologji.
  • Që çdo porosi –  për shqyrtim dhe meditim.
  • Që çdo mendim – për vlerësim dhe përvetësim.
  • Që çdo botim – për lexim dhe begatim kulturor dhe shpirtëror.

Me ndjenja të thella të nderimit, falënderimit, fesë dhe dashurisë, mund të them:   Zoti të shpërbleftë  e Populli mos të harroftë! Gëzoje amshimin e lumtur!

(Fjala në Mbledhjen Përkujtimore në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, Prishtinë, 12 janar 2017)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »