Ky është që ia shlyen mëkatin botës

Jan 14 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela e II gjatë vitit

 

Leximi i parë Is 49,3.5-6

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Hyji më tha: “Shërbëtori im je, o Izrael, në të cilin do ta dëftoj lavdinë time!”

E tani thotë Zoti që më trajtoi që nga kraharori shërbëtor për vete, për t’ia kthyer Jakobin Atij, për ta mbledhur rreth tij Izraelin.

U bëra i lavdishëm ndër sytë e Zotit, Hyji im u bë fuqia ime.

Ai më tha: “Tepër pak është të më jesh shërbëtor për t’i rilindur fiset e Jakobit,

për t’i riatdhesuar Tepricat e Izraelit: por të caktoj të jesh drita e popujve që shëlbimi im të arrijë në skaj të tokës!”

Fjala e Zotit

 

Psalmi 40

Ref. Ja, po vij, o Zot, për ta kryer vullnetin tënd.

——————————————————–

Me shpresë të gjallë shpresova në Zotin,

dhe ai u prirë drejt meje, e vështroi britmën time.

Në gojë më vuri një këngë të re,

himnin e Zotit, Hyjit tonë.

——————————————————

Fli e dhurata ti nuk do,

vetë ma zbulove vullnetin tënd:

fli shkrumbimi e pendestare nuk kërkon,

atëherë thash: “Ja, po vijë unë“.

——————————————————

Në Librin e Ligjit shkruan për mua:

“Të kryej vullnetin tënd, Hyji im, dëshiroj,

Ligji yt është në thellësinë e zemrës sime.”

——————————————————

Drejtësinë tënde e shpalla në kuvendin e dheut,

shih, nuk e mbaj të mbyllura buzët, o Zot, ti e di.

——————————————————

 

Leximi i dytë 1 kor 1,1-3

Lexim prej Letrës së patë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Pali, për vullnet të Hyjit, i grishur të jetë apostull i Krishtit Jezus, edhe vëlla Sosteni,

Kishës së Hyjit që është në Korint, të shenjtëruarve në Krishtin Jezus, të grishurve të jenë shenjtër, bashkë me të gjithë ata, që në cilindo vend e thërrasin Emrin e Zotit tonë, Jezu Krishtit, Zotit të tyre dhe tonë.

Paçi hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë, dhe prej Zotit Jezu Krisht!

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

E Fjala u bë njeri, e banoi nder ne.

Atyre që e pranuan u dha zotësinë të bëhen bijtë e Hyjit.

Aleluja!

 

Ungjilli Gjn 1,29-34

 

Leximi i Ungjillit shenjtë sipas Gjonit

Të nesërmen Gjoni e pa Jezusin duke ardhur drejt tij e tha:

“Ja, Qengji i Hyjit! Ky ia shlyen mëkatin botës!

Ky është ai, për të cilin thashë:‘Pas meje vjen një njeri,i cili është më i madh se unë,

sepse ishte përpara meje!’ Nuk e kam njohur as vetë, por arsyeja pse erdha e jam duke pagëzuar me ujë është që ky t’i zbulohet Izraelit.”

Gjoni dëshmoi edhe: “E pashë Shpirtin Shenjt tek zbriti prej qiellit porsi pëllumb dhe zuri vend mbi të. Unë nuk e njihja atë, porse Ai që më dërgoi të pagëzoj me ujë, Ai edhe më tha: ‘Në atë që të shohësh se zbret Shpirti Shenjt dhe zë vend në të, ai është që pagëzon me Shpirtin Shenjt.’ Unë e pashë dhe dëshmoj: Ky është Biri i Hyjit.”

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Leximet e të dielës II gjatë viti (A) kanë këtë porosi: dëshminë e Gjon Pagëzuesit për Jezusin, shpëtimtarin  që ia shlyen mëkatin botës.

Në leximin e parë e kuptojmë për jetën e vështirë të izraelitëve, të cilët ishin të shpërndarë dhe pa atdhe dhe shtet, nuk prisnin ditë të mira dhe mendonin që në këto kushte do të asgjësohen. Kjo ishte për ta e dhimbshme, sepse dikur ishin popull i zgjedhur i Zotit e tani mendojnë që nuk e kanë përkrahjen e Tij për shkak të mëkateve të tyre.

Por shkrimtari i shenjtë e zgjon shpresën duke iu thënë që Zoti nuk i harron dhe nuk lëshon dore. Do të vijnë ditët e shpëtimit në personin e Shërbëtorit të Hyjit. Ai do ta ngritë, do ta lirojë dhe do t‘ i bashkojë të shpërndarët, do t‘ju kthej atdheun. Ky Shërbëtor me porosinë e vet do të shndritë popujt, do të sjell shëlbimin deri në skajin e botës. Është ky Krishti, i cili do të jetë dritë dhe shpëtim për të gjithë ata që besojnë

Leximi i dytë: Korinti ishte qytet i madh dhe shumë i rëndësishëm. Këtu Shën Pali themelon bashkësinë e krishterë, por kjo bashkësi e ka vështirë të mbijetojë, sepse ishte një qytet me plot mëkate dhe padrejtësi, me vepra të ndyra që shfaqeshin çdo ditë.
Në këtë vend, bashkësia e krishterë ishte e rrezikuar të asgjësohet. Pali në letrën e vet uron paqe dhe hir, që çdo ditë të shenjtërohen në Krishtin.

Ungjilli i sotshëm na fton të mendojmë kush është Krishti për ne?

Gjoni Pagëzues e tregon atë si Qengj që ia shlyen mëkatin botës. Këtu Ungjilli thotë mëkatin e jo mëkatet, mëkati është i mos dijes, mos njohjes, injorimit apo refuzimit të dashurisë së Zotit që njerëzimi zgjedh për jetën e vetë.

Që nga atëherë kur mëkatuan njerëzit e parë duke dashur të fshihen para Zotit, për njeriun paraqitet problem i gati se i pazgjidhur. Është një e keqe e përhapur në botë. Sepse mëkati kishte bërë që njeriu të mos jetë i qetë, i disponuar dhe që do ta përcillnin tragjedi deri në ditët e sotme. Pavarësisht në cilin aspekt e shikon mëkatin, ai lenë gjurmë të shijes së hidhur, që shkatërron ura dhe ngritë barriera në mes njeriut dhe Zotit. Për këtë arsye, kur njeriu është në një gjendje të tillë të dëshpërimit dhe pasigurisë e ka ilaçin e shërimit dhe të ngritjes së dinjitetit të vet në Krishtin, që është Qengj i cili i shlyen mëkatin botës, i shlyen mëkatet tona.

Gjoni e njeh Jezusin në saje të frymëzimit nga Shpirti Shenjt, kur thotë: “Unë nuk e njihja atë, porse Ai që më dërgoi të pagëzoj me ujë, Ai edhe më tha: ‘Në atë që të shohësh se zbret Shpirti Shenjt dhe zë vend në të, ai është që pagëzon me Shpirtin Shenjt.’ Unë e pashë dhe dëshmoj: Ky është Biri i Hyjit.”

Në këtë dëshmi të Gjonit duhet të mendojmë edhe ne kush është Krishti për mua, kush është Krishti për ne? Kur Gjoni e tregon Krishtin të pranishëm si Qengj i Hyjit, dy nxënës të tij shkojnë drejt Jezusit duke  e pyetur: Mësues ku banon dhe Jezusi iu përgjigj: Ejani e shihni dhe atë ditë ndenjen me Jezusin.

Në këtë mënyrë fillon veprimtaria e Jezusit me dy nxënësit e parë.

Edhe ne për ta njohur Jezusin duhet të kemi fe, të jemi të nxitur prej Shpirtit Shenjt dhe në këtë kontekst do të kemi një pasqyrë të qartë për ta njohur Jezusin si Qengj që flijohet për ne dhe mëkatet  tona. Kështu e ndjekim Jezusin duke shkuar pas Tij dhe duke mësuar një mësim të ri që bazohet në dashuri dhe paqe.

Krishterimi nuk është vetëm mësim, nuk është vetëm fe, por është më shumë se kaq. Krishterimi është veprim i Hyjit në mes nesh.

Krishterimi është dërgim, sepse Hyji na zgjedhë për të na dërguar, sikur e dëgjojmë sot në leximin e parë, Shërbëtori i Jahves në Besëlidhjen e vjetër dhe Pali në Besëlidhjen e re.

Të gjithë ne si të krishterë jemi të dërguar, sepse jemi të pagëzuar dhe me pagëzim jemi bërë bijtë dhe bijat e Zotit. Kemi marrë vulën e pashlyeshme të Shpirtit Shenjt, që të identifikohemi si njerëz të Zotit dhe bashkëpunëtorë të Tij për shëlbim tonin dhe të tjerëve. Ne nuk mund t‘i ikim përgjegjësisë që kemi në familje dhe në shoqëri.

Prandaj jemi të dërguar dhe këtë dërgim mund ta realizojmë vetëm nëpërmes Shpirtit Shenjt nëse i lejojmë që Ai të na frymëzoj dhe mësoj çfarë duhet bërë dhe si duhet vepruar. Në Shpirtin Shenjt e njohim dhe e bëjmë të pranishëm Krishtin si Qengj dhe Fli për ne dhe shpëtimin tonë.

Prandaj i lutemi Krishtit të na dhurojë forcën, që të jemi dëshmitarë me jetë dhe vepra kudo që jemi e kahdo që shkojmë. Në këtë mënyrë e kryejmë përgjegjësinë që kemi si bijë dhe bija të Zotit, bëhemi bashkëpunëtorë të mirë të Tij dhe një ditë marrim shpërblimin të cilin Ai e ka përgatitë për ne. Amen!

 

Lutjet e besimtarëve

Hyjit Atë, i cili e dërgoi Birin e vet në botë si Qengj që shlyen mëkatet e botës,

t‘ ia drejtojmë lutjet tona duke thënë:

 

Ki mëshirë për ne dhe botën mbarë!

  • Për Kishën tënde, që në çdo kohë dhe të gjithë popujve t‘ ua shpallë veprën e Krishtit për shëlbimin e njerëzimit, të lutemi:
  • Për Papa Françeskun, ipeshkvijtë tanë, meshtarë e rregulltarë që t‘u dhurosh forcë dhe dije, me jetë të shprehin gëzimin e shëlbimit në shërbim dhe me dashuri, të lutemi:
  • Për shoqërinë tonë, që mos ta lejosh të mbetet në ndikimin e pesimizmit, pashpresës dhe të dëshpërimit, por me fuqinë tënde të përparojë në vlera shpirtërore dhe stabilitet ekonomik, të lutemi:
  • Për të gjithë ata që janë në rrugë të gabuar dhe nën peshën e mëkatit dhe të keqes, zgjo në ta ndjenjën e pranimit të së keqes dhe ndihmoju të gjejnë në Ty mëshirën dhe faljen, të lutemi:
  • Për ne këtu të pranishëm në emrin tënd, na dhuro Shpirtin tënd të shenjtë që të jemi të fortë në fe dhe të qëndrueshëm në dashuri për të dëshmuar praninë tënde në mes nesh, të lutemi:
  • Për të dashurit tanë që kanë kaluar në amshim, ji i mëshirshëm dhe pranojë në gëzimin e jetës së pasosur, të lutemi:

O Hyj i gjithëpushtetshëm, Biri yt me fjalë dhe me vepra na ftoi të shkojmë rrugës së shpëtimit. Na ruaj në këtë rrugë që një ditë të arrijmë në gëzimet e amshuara, në bashkim me Ty. Këtë të lutemi nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen!

 

Përgatiti: Don Marjan Demaj

 

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »