Zoti është drita e jetës sime!

Jan 21 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela e III gjatë vitit (A)

 

Leximi parë Is 8,23.9.3

 

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Në kohën e kaluar e përbuzi tokën e Zabulonit e tokën e Neftaliut, por në kohën e fundit do ta bëjë të lavdishme udhën përgjatë detit, përtej Jordanit, Galilenë pagane.

Populli që ecte në errësirë, pa një dritë të madhe; për banorët, që jetonin në krahinën e hijes së vdekjes, zbardhi për ta drita.

Ti e shtove gëzimin, e madhërove harenë; ata gëzohen në praninë tënde si njerëzit që i gëzohen korrjes, si gëzohen kur ndajnë prenë.

Sepse ti e theve si ditën e Madianit zgjedhën e tij të rëndë, lozën e krahut të tij,

e shkopin e atij që e dëbonte përpara.

Fjala e Zotit

 

Psalmi 29

Ref: Zoti është drita ime dhe shëlbimi im

———————————————————

Zoti është drita ime dhe shëlbimi im

kë do të kem frikë?

Zoti me fesh në tënden e vet

në ditë të vështirë.

———————————————————

Për një gjë të vetme i lutem Zotit,

vetëm atë ia kërkoj:

që të jetoj në shtëpinë e Zotit

të gjitha ditët e jetës sime,

që ta shijoj kënaqësinë e Zotit

e ta vërej Shtëpinë e Zotit.

———————————————————

Besoj se do t‘ i shijoj të mirat e Zotit

në tokën e të gjallëve.

Shpreso në Zotin; bëhu burrë

ji zemërfortë e prite Zotin.

——————————————————–

 

Leximi i dytë 1 Kor 1,10-13.17

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Ju përbej, o vëllezër, pashë Emrin e Zotit tonë Jezu Krishtit: jini të gjithë një mendimi e të mos ketë përçarje ndër ju, por të jeni në përkim të plotë me ndjenja e në mendime.  Sepse, o vëllezër, njerëzit e Klojes më lajmëruan se mes jush ka grindje.

Ja, ku e kam fjalën: secili prej jush thotë:

“Unë jam i Palit!”

“Unë i Apolit!”

“Unë i Kefës!”

“Unë jam i Krishtit!”

Vallë, a qenka Krishti i ndarë? A mos u kryqëzua Pali për ju? Apo u pagëzuat në emër të Palit? Sepse Krishti nuk më dërgoi të pagëzoj, por të predikoj Ungjillin, madje ta predikoj, jo me dituri fjale, që të mos i humbë fuqia kryqit të Krishtit.

Fjala e Zotit

 

 

Aleluja!

Jezusi predikonte Ungjillin e Mbretërisë.

dhe shëronte në popull çdo sëmundje e çdo lëngatë.

Aleluja!

 

Ungjilli Mt 12-23

Lexim i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Kur Jezusi e mori vesh se e kishin burgosur Gjonin, u tërhoq në Galile.  E la Nazaretin e shkoi e u vendos me banesë në Kafarnaum, qytet bregdetar në krahinën e fisit të Zabulonit e të Neftalit, që të shkonte në vend fjala që tha Isaia profet:

“Tokë e Zabulonit e tokë e Neftalit,në drejtim të detit, përtej Jordanit, Galileja pagane, populli që gjendej në errësirë, pa një dritë të madhe;

atyre që banonin në krahinën e hijes së vdekjes u lindi drita.”

Që atëherë Jezusi filloi të predikojë: “Kthehuni, se Mbretëria e qiejve është afër!”

Ndërsa Jezusi po ecte afër Detit të Galilesë, pa dy vëllezër ‑ Simonin që quhet Pjetër dhe Andreun, të vëllanë e tij, duke hedhur rrjetën në det: ishin peshkatarë. E u tha: “Ejani pas meje e unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish!”

Ata menjëherë lanë rrjetat e shkuan pas tij.

Duke vazhduar rrugën më tej, pa dy vëllezër të tjerë, Jakobin e Zebedeut dhe Gjonin, vëllain e tij, në lundër bashkë me Zebedeun, atin e tyre, duke rregulluar rrjetat dhe i thirri. Ata aty për aty lanë lundrën dhe babain e shkuan pas tij.

Jezusi shkonte prej një vendi në një vend tjetër nëpër mbarë Galilenë, duke mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar Ungjillin e Mbretërisë e duke shëruar në popull çdo sëmundje e çdo lëngatë.

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Drita është gjëja më e shtrenjtë në jetë; pa dritë nuk ka jetë, drita ngroh, drita të jep siguri etj. Drita është gëzim.

Leximet e sotme na sjellin dritën e vërtetë, e cila sjell jetë dhe gëzim, përmban në vete shndërron dhe ripërtëritë.  Kjo dritë është Krishti.

Leximi i parë sjell një periudhë të errët të popullit të Izraelit. Ishte kjo në vitin 732 para Krishtit, fiset veriore të Izraelit ishin në robëri asiriane. Toka ishte e populluar thuaj se e tëra nga paganet. Populli vuante dhe përjetonte pikëllim të thellë, ata ecnin në errësirën e jetës, ishin të nënshtruar robërimit dhe kjo shkaktonte vuajtje, vdekje, tmerr.

Në këtë gjendje errësire, Isaia profet sheh një dritë të madhe që do të vije, që është Krishti Mesia. Kjo dritë do të largojë errësirën. Krishti sjell shëlbimin, shpëtimin, sjell kuptimin e jetës. Prandaj Isaia profet e nxitë popullin të mos humb shpresën, por të besoj se premtimi i Hyjit do të realizohet, populli në errësirë do të jetë i ndriçuar prej Krishtit.

Edhe ne në raste kur përjetojmë errësirën, peshën e kryqit mos të humbasin besimin në Zotin, por të kemi shpresë që Krishti do të na ndriçojë, do të na ndihmojë në nevojat tona.

Ndërsa Shën Pali në letrën e vet drejtuar korintasve na tregon realitetin e bashkësisë që kishte themeluar; ata ishin të përçarë si të krishterë, por kërkon nga ata që të jenë të bashkuar në Krishtin, i cili vdiq për të gjithë.

Edhe ne sot duhet të jemi të bashkuar në mes vete, duke kuptuar se Krishti vdiq për të gjithë ne, që të na shpëtojë nga i keqi dhe e keqja e pranishme në botë.

Në ungjillin e sotshëm lexojmë për veprimtarinë publike të Jezusit. Jezusi mësimet e veta i fillon me kthim të popullit, sepse Mbretëria e Hyjit është ngjat, është në mesin e tyre, është në Jezusin, i cili e shpall Hyjin Atë, e shpallë dashurinë dhe kujdesin që Ai ka për ne.

Me Krishtin fillon jeta e re, fillon epoka e re për këtë pra që të përjetohet kjo kohë e re, për të bërë që gjërat të jenë të reja, në një stil tjetër jete, që ka burimin në personin e Krishtit.

Qëllimi jetës së njeriut është ëndrra që Hyji kishte mbi djepin tim, thoshte një njeri dikur. Dhe kthimi do të thoshte të largohesh nga planet dhe veprat që dëmtojnë njeriun si ikonë e Hyjit. Të pranosh planin e Hyjit do të thotë të realizohet ëndrra e Hyjit për shëlbimin e çdo njërit prej nesh.

Në çdo kohë njeriu është fillestar, thoshte Shanfort, e në veçanti i krishteri. Njeriu mund të largohet lehtë prej Zotit, prandaj të përmirësojmë jetën çfarë i pëlqen Zotit dhe është për të mirën tonë, është një nisje e re kah takimi ynë me Të.

Jezusi shpalljen e Mbretërisë nuk mund ta bëjë vet, as nuk dëshiron ta bëjë vet, por në bashkëpunim me ne. Sepse Shën Augustini thotë; Ti o Hyj na ke krijuar pa na pyetur, por nuk mund të na shëlbosh pa pjesëmarrjen tonë.

Prandaj duke lexuar pjesën e dytë të Ungjillit, shohim se si Jezusi thërret njerëzit e parë, të thjesht por të zellshëm, thërret Simonin dhe Andreun, Gjonin dhe Jakobin që do t‘i bëjë peshkatarë njerëzish.

Para Zotit nuk është e nevojshme të masin inteligjencën tonë, por shpirtin tonë që duhet të jetë i përvujtë, i gatshëm për ta pranuar Zotin e për të jetuar sipas mësimeve të Tij.

Të gjithë jemi të thirrur, jemi të ftuar prej Zotit në jetën që kemi, në përgjegjësit që kemi si meshtar, rregulltar dhe shekullar/laikë dhe kështu duke u orvatur për një jetë dinjitoze ti dhe unë , të gjithë ne bëhemi apostujt e Krishtit, të dërguarit që me fjalë dhe vepra e shpallim Mbretërinë e Hyjit. Amen.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

Të bashkuar në Shpirtin Shenjt, i drejtojmë lutjet tona Atit qiellor, i cili na vjen në takim nëpër Birin e vet Jezu Krishtin, si dritë e botës. Lutemi së bashku dhe themi:

Dëgjoje, o Zot lutjen tonë!

  • Për Kishën e bashkuar nga shumë popuj dhe gjuhë, që të vërtetën e pranuar nga Ti t’ua shpall të gjithë njerëzve në katër anët e botës, të lutemi:
  • Për Papën tonë Françeskun, ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë dhe rregulltare, diakon, që me jetë dhe angazhim të jenë nxitës të raporteve të mira ndërnjerëzore, të lutemi:
  • Për të gjithë të krishterët që t‘i lirosh nga tundimi i mosbesimit, bëj që të qëndrojnë në rrugën e së vërtetës dhe të paqes, të lutemi:
  • Për njerëzit e jetës publike, që të jenë ndërtues të palodhshëm të paqes, drejtësisë, të vërtetës dhe solidaritetit, të lutemi:
  • Për prindër dhe edukatorë, që në këtë kohë të vështirë mospërputhjesh me Ligjin e Zotit t‘u ndihmosh të jenë të qëndrueshëm në dëshmi të jetës morale dhe shpirtërore për të ardhme me të mirë, të lutemi:
  • Për ne këtu të bashkuar në gostinë e dashurisë, që me zemër të përvujtë dhe të thjeshtë të pranojmë thirrjen e Krishtit për ta ndjekur, të lutemi:
  • Për të vdekurit tanë që t‘u dhurosh jetën e pasosur, të lutemi:

Hyj i gjithëpushtetshëm, ndriçona me dritën tënde ne dhe botën mbarë. Të gjithë njerëzve dhuroju Shpirtin tënd që të jenë ndërtues të mbretërisë sate këtu mbi tokë dhe pjesëtarë të gëzimeve të amshuara. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

 

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »