Jodhuna, si alternativë aktive dhe kreative për një humanizëm të ri politik

Jan 27 • Opinion

Nga Don Shan ZEFI

 

Kontinuiteti i porosive papnore (1968-2017)

Dita, që Kisha ia kushton paqes, në saje të  vullnetit të Papës Palit VI-të qe në vitin 1968, e konfirmuar nga Papa Gjon Pali II-të nga ’79 e këndej, të mbajtura rregullisht nga Papa Benedikti XVI-të dhe nga Papa i sotëm Françesku, nën mbrojtjen e Zojës-Mretëreshës së Paqes, sepse porositë papnore u shpallen dhe u nënshkruan më 8 dhejtor, ditën e Zojës së Papërlyer. Viti suksesiv (’69) merret me edukimin dhe pajtimin. Në viti 1971 mesazhi i Palit të VI-të titullohet: “Çdo njeri është vëllai im”, pohim ky në kulmin e luftës së ftohtë. Gjon Pali II-të ndër 27 mesazheve, të parin ia kushtoi lëvizjeve paqësore dhe shpjegon se duhet të respektohet njeriu dhe i njëjti të edukohet. Vitin tjetër (’80) e vë çështjen e së “vërtetës”, si forcë e paqes, e pastaj arritja kolektive e kombeve dhe përgjegjësia personale e çdo individi. Nëse do të mungonte kjo e dyta, paqja nuk do të mbretëronte.

Papa Benedikti XVI-të, duke i konfirmuar institucionet e paraardhësve të tij, e vë në relacion “paqen” dhe të “vërtetën”, ndërsa për vizionin e Papës Françesku do të bëhet fjalë në vijim.

 

 Mesazhi me rastin e 50-Vjetorit (2017)

Në fund të një viti çjerrues dhe të thërrmuar nga torturat e luftërat, Meshazhi i katërt i radhës i Atit të Shenjtë, Papa Françeskut, për Ditën Botërore të Paqes (1 Janar 2017), e vë në qendër të vëmendjes botërore një çështje kruciale që nuk ka alternativë: Jodhuna. E në dokumentin papal për herë të parë bëhet fjalë e vetme, sintezë e një praktike “aktive dhe kreative”, stil i jetës dhe të një programi politik efikas për paqe. Jodhuna, si urgjencë dhe mentalitet i ri, i përkasin njeriut, detyrave dhe fatit të tij.

Pra, me rastin e 50-vjetorit të Ditës Botërore të Paqes, si një jubile në vete, Papa Françesku e ka përqendruar porosinë e tij mbi jodhunën, si program politik, në të cilin merren fjalët e Papës Palit VI-të, duke iu drejtuar të gjithë popujve, e jo vetëm katolikëve dhe me fjalë të prera: “Më në fund ka dalë shumë qartë se paqja është linja e vetme dhe e vërtetë e përparimit (jo tensionet e nacionalizmave ambiciozë, jo fitoret e dhunshme, jo shtypjet mbartëse të rendeve të rreme civile)” (nr.1).

Papa Françesku fillon me një excurs të shkurtër historik, duke na përkujtuar dy luftërat botërore të shekullit të kaluar që kanë sjellë shkatërrim e vdekje, pasojat e së cilave kanë arritur deri tek ditët tona me një numër të madh konfliktesh, të njohura apo të panjohura. Kjo situatë definohet nga Ati i Shenjtë si lufta e tretë botërore që mund të ketë një çmim të lartë, me një dhunë që fatkeqësisht, na ka bërë një specie e globalizmit indiferent. Luftëra që sjellin vuajtje të madhe, emigrime të sforcuara që godasin mbi të gjitha fëmijët dhe gratë, gjë që përballë këtyre dukurive thirremi të bëjmë gjeste autentike të solidaritetit.

Jodhuna nuk duhet të kuptohet si dorëzim, mosangazhim e pasivitet, por duhet të trajtohet si jodhunë aktive, siç na ka mësuar (apo dhënë shembullin e mirë) Nënë Tereza, por edhe siç kemi shembujt e mosdhunës aktive që kanë sjellë shumë fryte: Gandhi, Martin Luther King e shumë të tjerë që, sipas meje, meriton të përmendet edhe figura e madhe paqësore e Dr. Ibrahim Rugova, për kombin tonë dhe Ballkanin jugperëndimor. Pse jo edhe për Evropën e botën!

Për këtë angazhim në favor të viktimave, që kanë pësuar padrejtësi e dhunë, nuk është trashëgimi ekskluzive e Kishës Katolike, por edhe e traditave të shumta religjioze. Dhuna është një profanim në emër të Zotit dhe vetëm paqja është e shenjtë. Asnjë religjion s’mund të jetë terrorist apo besim fetar, sepse “dhuna është përdhosje e emrit të Zotit… dhe kurrë nuk mund të justifikohet”.

Me ardhjen e krishterimit paqja merr një domethënie interiore (të brendshme) dhe transcendentale: është paqja e shpirtit, fryti i fesë dhe i hirit (Rom 15,13). Ajo pra, është ndryshe dhe superiore në krahasim me paqen tokësore por, ka me të pika të përbashkëta (lidhëshmëri). Paqja, shkruante Shën Augustini në De Civitate Dei (XIX,11) “Është një e mirë aq e madhe saqë normalisht nuk ndihet asgjë më e ëmbël dhe nuk ka diçka më të dëshirueshme (zjarrtë) dhe as që mund të kërkohet diçka më e mirë në realitetin tokësor dhe mortor. Ajo është qëllimi i çdo realiteti të Universit, trupor ose shpirtëror, sepse koincidon me Ordo rerum… ” (ibid. XIX).

Natyrisht, paqen që e dëshironin paganët kishte për qëllim kënaqësinë e të mirave tokësore, ndërsa këtë që e aspironin të krishterët ishte e një natyre të të mirave të amshuara. Megjithatë, Jeruzalemi tokësor e ndante paqen e kërkuar prej Babilonisë, sepse ajo ishte kusht i domosdoshëm për ruajtjen e jetës së vdekshme. Për këtë arsye të krishterët u binden ligjeve dhe i pranojnë kostumet, ligjet dhe institucionet me të cilat mbahet paqja tokësore.

Nga këtu e kemi përpjekjen, gjithnjë sipas Shën Augustinit, që të disciplinohet përdorimi i dhunës në doktrinën e luftës si e drejtë, qëllimi i së cilës ishte përkufizimi ose eliminimi i konfliktit në mes të krishterëve që ishin të bashkuar rreth një personaliteti të vetëm.

Papa Françesku, duke e pasur parasysh historinë e gjatë të krishterimit mbi paqen, mesazhin e tij e bazon tek një e vërtetë se dhuna nuk mund të jetë kurë (mjekim) për botën tonë të thyer copë e çik. Na përkujton se edhe Jezusi jetoi në kohëra të dhunës, dhe vetë Ai na ofron një model jo të dhunës, siç lexohet në Lumturitë (Mt 5,3-10), që ravijëzon profilin e një personi të mirë (I Lum në kuptimin biblik) dhe autentik.

Ky është një program dhe një sfidë për udhëheqësit politikë dhe religjiozë, për përgjegjësit e institucioneve ndërkombëtare dhe për udhëheqësit e ndërmarrjeve të mass-mediave botërore.

Jezusi na mësoi edhe fushën e vërtetë të luftës, në të cilën ballafaqohen dhuna dhe paqja, e zemra njerëzore “… prej brendisë – prej zemrës së njeriut rrjedhin mendimet e këqija” (Mk 7,21).

 

Paqja e Drejtë

Koncepti “paqja e drejtë”, duke u bazuar në drejtësi, është duke ndërruar pozitivisht konceptin e vjetër të “luftës së drejtë” ose justifikuar në kushte të caktuara, që ka qenë nga shekuj qendrore në refleksionin moral – kristian mbi luftën dhe e keqpërdorur nga vullneti i pushtetarëve dhe shteteve. Jodhuna ka qenë e parë për shumë kohë si virtyt personal – dhe është në fakt – siç pohon Papa Françesku në këtë mesazh, sepse gjithçka fillon nga zemra, por e huaj për politikë që me çdo kusht e do suksesin. Kultura e paqes të shekullit të kaluar përmbush (plotëson) pikërisht këtë: nga butësia private tek jodhuna aktive si karakter e politikës së drejtë. Dhe Papa Françesku vihet saktësisht në këtë evolucion të kulturës dhe të etikës politike, duke treguar se jodhuna si “stil” i një politike punon për paqe, humanizëm, për të mirën e përbashkët dhe për të njëjtën mbijetesë të njerëzimit.

Jodhuna pozitive praktikohet në raporte interpersonale, shoqërore e ndërkombëtare. Si në konflikte të vogla ashtu edhe në ato të mëdha, të gjithë mund të jenë protagonistë, e jo vetëm ai – shteti, ushtria… ka fuqinë e tmerrshme materiale për ta vendosur dhe imponuar zgjidhjen. Madje edhe viktimat, thotë Papa: “mund të jenë protagonistë më të besueshëm të proceseve të ndërtimit të paqes” (nr.1).

 

Iluzioni i armëve

Ç’kuptim dhe qëllim kanë pushtimet, dhuna e madhe ushtarake? Arrihet ndoshta objektivi i një vlere të qëndrueshme? Në fakt sjellin vetëm vuajtje të mëdha për benefite për pak “zotërinj të luftës”, thotë qartësisht Papa (nr. 2). “Forca e armëve është gënjeshtare” (nr.4). Ato mbajnë një rrezik të madh të çnjerëzimit për ata që i përdorin.

Mendimi i paqes (te Erasmo, Kant, Simone Weil…) gjithnjë i shpreh armët si iluzion tragjik, duke qenë se ato nuk sjellin paqen e vërtetë, lirinë dhe drejtësinë. Armët bartin një rrezik të lartë të çnjerëzimit nga ata që i përdorin.

 

Paqja në shtëpi e botë

Meqënëse paqja themelohet në zemra, ajo kalon përmes marrëdhënieve të të afërmve, si familja, për tu shtrirë në popuj që të arrihet deri tek një paqe në botë. Fërkimet dhe konfliktet hartohen me dialog, respekt, mëshirë, falje, në kërkim të së mirës së tjetrit. Ky është një nënvizim konkret i Mesazhit të Papa Françeskut. Ai përgjërohet që të ndalen dhunat shtëpiake dhe abuzimet mbi gra e fëmijë, madje me urgjencë, sepse ata vlejnë si e gjithë bota dhe anasjelltas. Në këtë kuptim, thotë: “po bëj një apel për çarmatim, ndalimin dhe eliminimin e armëve bërthamore: frika bërthamore dhe kërcënimi i shkatërrimit të ndërsjelltë nuk mund të jenë baza e kësaj lloji etike” (nr.5).

Jodhuna dhe shpirti i solidaritetit lindin brenda familjes, siç thuhet në grishjen apostolike “Amoris Laetitia (Gëzimi i Dashurisë)”, të Papës Françesku (Vatikan, 19 mars 2016). Për këtë arsye politikat e jodhunës duhet të fillojnë në mesin e mureve shtëpiake për të shtrirë më pastaj brenmda tërë familjes. Objektivi duhet të jetë zhvillimi integral i njeriut, siç thuhet në letrën enciklikë të Papës Benedikti i XVI-të “Caritas in Veritate” (Dashuria në të Vërtetën) – (Vatikan, 29 qershor 2009), dhe kjo e ekologjisë integrale që i përket jo vetëm ambientit, por të gjitha aktiviteteve të njeriut, qoftë si i vetëm apo si bashkësi.

 

Risia e mesazhit

Na duket se, përtej përmbajtjes, mund të zbulohet diçka e re në mes rreshtave të këtij mesazhi. Në fakt Papa e bën një hap historik dhe nga një perspektivë tjetër, na pajis, neve të krishterëve dhe njerëzit vullnetmirë, e veçmas neve katolikëve, një literaturë të rëndësishme brenda kësaj bote tashmë kulturalisht e fetarisht pluraliste, edhe në nivel lokal. Çështje në fjalë është pikërisht kategoria e jodhunës.  S’është hera e parë që një papë flet për dhunën. I njëjti papë Françesku në Mesazhin e tij, e citon parardhësin e tij Benediktin e XVI-të, që kishte referuar në raste të ndryshme, duke mbajtur, ndër të tjera, “realistike”, sepse llogarit që në botë ka tepër dhunë, tepër padrejtësi, e pra s’mund të tejkalohet kjo situatë nëse jo duke i kundërvënë pak më me shumë dashuri, pak më me shumë mirësi. E kjo pak më shumë, thotë Papa Benedikti, vjen nga Zoti.  Vetë ky Papë  kishte kaluar përtej dhe e kishte ravijëzuar fizionominë antropologjike të konceptit jodhunë, duke kërkuar që, për të krishterët, jodhuna nuk është një taktikë, por një mënyrë (stil) për të qenë person, për të pasur qendrim për atë atë që është i bindur në dashurinë e Zotit dhe fuqisë së Tij, që nuk ka frikë të ballafaqohet me të keqen me armët e dashurisë dhe të vertetës.  

Në këtë frymë Papa Françesku na kujton institucionin e Dikasterit të ri për Shërbim e Zhvillim Integral-Njerëzor që parasheh funskionin e tij në fillim të vitit të ri.

Papa Françesku e përmbyll mesazhin e tij duke thirrur ndërmjetësimin e Zojës së Bekuar, Mbretëreshës së Paqes. Thirrja u përket të gjithë njerëzve vullnetmirë, e prej besimtarëve dhe jobesimtarëve për shpëtimin e botës. Asgjë s’është e pamundur, nëse i drejtohemi Zotit në lutje, të gjithë mund të jemi artizanë të paqes, siç është vetë Shenjtëria e tij Papa Françesku që ende s’është kurorëzuar me çmimi e njohur Nobel për Paqe.

(Fjala në prezantimin e Porosisë së paqes së Papës Françeskut, Rezidenca e Ipeshkvisë së Kosovës, Prishtinë, 26 janar 2017. Titulli është i redaksisë Drita)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »