Prezantimi i Mesazhit të Paqes në Kosovë: Jodhuna, stil i një politike paqeje

Jan 27 • Kisha në Kosovë

Nga Ardian Nikolla   

 

Mesazhi i Paqes i Papa Françeskut për vitin 2017 tashmë është bërë mesazh i rëndësishëm edhe në Kosovë. Kancelari i Ipeshkvisë së Kosovës, Dr. Don Shan Zefi, së bashku me publicistin dhe shkrimtarin, Veton Surroi, gjatë ditës së enjte, kanë bërë prezantimin e Mesazhit të Paqes, për vitin që sapo kemi hyrë. Mesazh ky që prezantohet nga Kisha Katolike në Kosovë çdo fillim vit. “Jo dhuna: stil i një politike paqeje”, ishte kryefjala që Ati i Shenjtë e ka përzgjedhur për të gjithë njerëzit anë e këndë botës, pa dallim feje, race, gjuhe e kombi.

Në jubileun e 50-të të Mesazhit të Paqes, udhëheqësi i Kishës Katolike, Papa Françesku, me anë të mesazhit të përvitshëm, iu ka drejtuar kombeve dhe shteteve për rëndësinë që e ka paqja në ndërtimin e një bote më të sigurt, e një botë pa konflikte në të cilën dominon dialogu dhe mirëkuptimi. Kjo porosi e Papa Françeskut është vazhdimësi e porosive papnore të cilat janë kthyer në një traditë të Kishës Katolike që nga viti 1968 e këndej, të mbajtura rregullisht nga papët e kohës, nën mbrojtën e Zojës së Bekuar, e cila njihet edhe si Mbretëresha e Paqes.

Duke e vlerësuar jodhunën si një çështje kruciale të cilën Ati i Shenjtë e ka vendosur si porosi në Mesazhin e Paqes, kancelari i Ipeshkvisë së Kosovës, Dr. Don Shan Zefi, ka thënë se mesazhi i katërt më radhë i Papa Françeskut, mund të merret edhe si program politik për të gjithë popujt.

“Në fund të këtij viti çjerrjes dhe të thërrmuar nga torturat e luftës, Mesazhi i katërt i radhës i Atit të Shenjtës, për Ditën Botërore të Paqes,  e vë në qendër të vëmendjes botërore një çështje kruciale që nuk ka alternativë: Jodhuna. E, në dokumentin papal, për herë të parë bëhet fjalë e vetme, sintezë e një praktike “aktive dhe kreative”, stil i jetës dhe të një programi politik efikas për paqe. Jodhuna si urgjencë dhe mentalitet i ri, i përkasin njeriut dhe detyrave dhe fatit të tij. Pra, me rastin e 50’të të Ditës Botërore të Paqes, si një jubile në vete, Papa Françesku e ka përqendruar porosinë e tij mbi jodhunën, si program politik, në të cilin, merren fjalët e Papës Palit VI’të, duke iu drejtuar të gjithë popujve, e jo vetëm katolikëve dhe me fjalë të prera: “Më në fund ka dalë shumë qartë se paqja është linja e vetme dhe e vërtetë e përparimit (jo tensionet e nacionalizmave ambiciozë, jo fitoret e dhunshme, jo shtypjet mbartëse të rendeve të rreme civile”, ka deklaruar Don Shan Zefi

Sipas Don Shan Zefit, Jodhuna nuk duhet të kuptohet si dorëzim, mosangazhim a pasivitet, por, duhet të trajtohet si jodhunë aktive, siç na ka mësuar Nënë Tereza, por, edhe siç janë shembujt e mosdhunës aktive që kanë sjellë shumë fryte. Duke filluar nga Gandhi, Martin Luther King, e shumë të tjerë, që sipas, Don Shan Zefit, një vend të rëndësishëm e ka edhe figura e madhe dhe paqësore e Dr. Ibrahim Rugovës, për kombin tonë dhe Ballkanin jugpërendimor. Pse jo edhe për Evropën e botën!

Tutje, kancelari i Ipeshkvisë, ka thënë se praktikimi i dhunës në shoqëri, me theks veçantë dhuna nga terroristet fetarë është përdhosje e emrit të Zotit.

“Dhuna është një profanim në emër të Zotit dhe vetëm paqja është e shenjtë. Asnjë religjion s’mund të jetë terrorist apo besim fetar, sepse, “dhuna është përdhosje e emrit të Zotit… dhe kurrë nuk mund të justifikohet”, ka deklaruar Don Shan Zefi.

Ai, ka folur edhe për risinë që sjellë këtë vit Mesazhi i Papa Françeskut, duke thënë se papa me këtë mesazh, ku bënë fjalë për Jodhunën, zbulohet diçka e re në mes të rreshtave për të gjithë besimtarët e krishterë dhe për njerëzit vullnetmirë në botë.

“Papa e bën një hap historik dhe nga një perspektivë tjetër, na pajisë, neve të krishterëve dhe njerëzit vullnetmirë, e veçmas neve katolikëve, një literaturë të rëndësishme brenda kësaj bote tashmë kulturalisht e fetarisht pluraliste edhe në nivel lokal. Çështja në fjalë është pikërisht kategoria e Jodhunës. Papa Françesku e përmbyllë mesazhin e tij duke thirrur ndërmjetësimin e Zojës së Bekuar, Mbretëreshës së Paqes. Thirrja u përket të gjithë njerëzve vullnetmirë, e prej besimtarëve dhe jobesimtarëve për shpëtimin e botës. Asgjë s’është e pamundur, nëse i drejtohemi Zotit në lutje, të gjithë mund të jemi artizanë të paqes, siç është vetë Shenjtëria e tij, Papa Françesku që endë s’është kurorëzuar me çmimin e njohur Nobel për Paqe”, ka thënë ne fund kancelari i Ipeshkivsë së Kosovës, Don Shan Zefi.

Ndërsa, në anën tjetër, publicisti dhe shkrimtari Veton Surrori, duke e vlerësuar Papën Françesku si një Papë të veçantë, i cili ka lënë gjurmë të thella në botë, ka thënë se thirrjes së papës për një politike paqeje duhet t’i përgjigjemi edhe ne me Jodhunë.

“Më 13 mars të vitit 2013, në ballkonin e Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan , Papa i porsazgjedhur, që i pari ndonjëherë morri emrin e Françeskut, bëri një gjest jo të zakonshëm. Në vend të bekimit tradicional që ai duhej t’u jepte besimtarëve të mbledhur në shesh kërkoi fillimisht që populli i mbledhur në shesh ta bekonte atë. U përkul thellë për ta pranuar atë nur dhe vetëm pastaj përmbushi traditën duke e bekuar  masën që qe mbledhur për të uruar një Papë të veçantë, një që po lë tashmë një gjurmë të thellë në botë. Qe një inversion ai i bekimit dhe më ra në mend ndërsa lexoja porosinë e Atit të Shenjtë, për Ditën e 50-të Botërore të Paqes. Ndërsa ai porositë se gjendemi si botë në prag të një lufte të tmerrshme dhe kërkon që kësaj sfide t’i përgjigjemi të gjithë ne me jodhunën si një stil të një politike paqeje, porosia  bëri inversionin e vet kohor, më krijoi ndjesinë e vitit 1989-1990 kur në këtë vendin tonë të okupuar kishim përfytyrimin se ishim në prag të një lufte të tmerrshme dhe se duhej dhënë një përgjigje ndaj kësaj sfide të tmerrit”, ka deklaruar publicisti, Veton Surroi.

Duke kujtuar vitet e tmerrshme të okupimit, Surroi, ka thënë se gjatë atij konflikti ne kishim një fat të veçantë të njiheshim botërisht si populli i Nënës Terezës.

“Kur je i okupuar, i dhunuar në përditshmëri , dhe kur je i angazhuar në një politikë jodhune e cila , thotë Papa në Porosi, nga të tjerët “nganjëherë kuptohet si dorëzim, mosangazhim dhe pasivitet”, është me rëndësi, siç qe për neve, që të kemi një simbol të kuptueshëm, global, një ikonë e kohëve tona siç qe ai i Nënës Terezë. Konflikti ynë nuk kishte si të ilustrohej më mirë se sa me shërbimet sociale: spitali i pushtetit kishte emblemë policët e armatosur që rrinin në hyrje të tij, klinikat për shqiptarë ishin ato që mbanin emrin dhe figurën e Nënës së shenjtë Terezë. Pra, kishim një fat të veçantë të njiheshim botërisht si populli i Nënës Terezë”, ka deklaruar Surroi

Publicisti dhe shkrimtari, Veton Surroi, ndër tjera ka thënë se se thirrja e Papës Françesku, për paqe nuk është konvencionale dhe kjo porosi e adreson temën e përhershme të Kishës katolike, e cila kuptohet si kërkim i paqes fillimisht më vete, në shpirtin e njeriut,  pastaj në familje dhe për pasojë edhe në familjen e madhe të njerëzimit.

”Thirrja e Papës Françeskut për paqe nuk është konvencionale. Ajo, ç’është e vërteta , adreson temën e përhershme të Kishës katolike – pra kërkimin e paqes fillimisht më vete, në shpirtin e njeriut, pastaj në familje (ku lind konflikti por edhe ku zgjidhet përmes dialogut) e pastaj në familjen e kombit dhe kombeve. Poashtu udhëzon që njeriu e bashkësitë të shërbehen me atë që quan manualin e paqes, Tetë lumturitë e fjalimit të Jezu Krishtit në Mal. Por, kjo porosi paqeje do lexuar së bashku me një elaborim më të gjatë që i ka bërë Papa sfidave të shekullit XXI që në vitin e parë të pontifikatit të tij, në nëntor 2013, me nxitjen apostolike Evangelii Gaudium”, ka thënë ndër tjera, Surroi.

Duke i përshëndetur të pranishmit në emër të Ipeshkvit të Kosovës, Imzot. Dodë Gjergji, vikari gjeneral i Ipeshkvisë së Kosovës, Mons. Lush Gjergji, ka bërë thirrje për unitet kombëtar ku dhe ka deklaruar se nëse ne e duam paqen atëherë duhet ta ndërrojmë mënyrën e të menduarit, duke qenë vetvetja.

 “Përvoja e jonë me presidentin Dr. Ibrahim Rugova, përfaqësimi ynë në nivelin botërorë me të Shenjtën Nënën tonë Tereze, dëshmon se nëse besojmë në vlera dhe në virtyte, nëse besojmë dhe e duam paqen, atëherë duhet ta ndërrojmë mënyrën e të menduarit. Në rend të parë, dhe mbi të gjitha, duhet të ndryshojmë tek burimi e jetës që është zemra dhe dashuria. Vetëm në këtë mënyrë do të jemi vetvetja dhe do t’ia u mundësojmë edhe të tjerëve që të jenë vetvetja. E rëndësishme është që ta kuptojmë se përpara se të bashkohen tokat shqiptare, duhet të bashkohen kokat dhe zemrat. Sepse, koka dhe zemrat e shqiptarëve janë të bashkuara, atëherë, do ta kërkojmë dhe do ta gjejmë paqen e mirëfilltë. Strategjia jonë nuk është një strategji çfarë bëjnë apo çfarë nuk bëjnë të tjerët, por, është një strategji e cila lindë nga mendja e ndritur dhe nga zemra e madhe. I ndjeri presidenti Rugova thoshte: “Nëse Nëna Tereze pa asnjë armë, pa asnjë pasuri, pa askënd dhe asgjë e përfitoj botën me dashuri, pse ne mos ta bëjmë një gjë të tillë edhe ne, që të jemi vetvetja dhe ta dëshmojmë fuqinë e së vërtetës”, ka thënë Mons. Lush Gjergji.

Pas prezantimit dhe diskutimit me audiencën, takimi dhe diskutimi i relaksuar vazhdoi në hollin e Rezidencës së Ipeshkvisë i shoqëruar me një koktej të përshtatshëm për takime të këtilla.

Për të interesuarit, ligjëratat e dy panelistëve dhe mesazhin e Paqes mund t’i gjeni të plota në këto linçe të portalit Drita:

 

Ligjërata e Dr. Don Shan Zefit: http://www.drita.info/2017/01/27/jodhuna-si-alternative-aktive-dhe-kreative-per-nje-humanizem-te-ri-politik/

Ligjërata e Veton Surroit: http://www.drita.info/2017/01/27/jodhuna-aktive-si-politike-paqeje-dhe-uniteti/

Mesazhi i Paqes 2017 i Papa Françeskut: http://www.drita.info/2017/01/23/porosia-e-paqes-e-papa-franceskut-per-vitin-2017-jodhuna-stil-i-nje-politike-paqeje/

[wonderplugin_gallery id=”38″]

Shpërndaje

Comments are closed.

« »