PËRVJETOR: Katër Vjetori i Radio Marisë në Kosovë

Jan 28 • Kisha në Kosovë

Ky katër vjetor i Radio Marisë së Kosovës, vetvetiu i vogël,  por për ne mjaft  i rëndësishëm dhe domethënës, është synimi ynë që sipas shpirtit dhe rregulloreve të Radio Marisë Botërore (RMB), edhe ne ta bëjmë një shërbim të vogël me përkushtim dhe dashuri ndaj Fjalës së Mishëruar – Jezu Krishtit, Nënës së Tij dhe tonë, Virgjërës Mari, Kishës Katolike ndër ne dhe në botë, për gjetjen e vetvetes dhe të Vërtetës sipas parimit të shenjtë: e Vërteta në Dashuria.

Gjatë vitit të kaluar  2016, jemi munduar që t’u japim sa më shumë hapësirë famullive tona, me transmetime të drejtpërdrejta të Meshëve, me paraqitjen e historikut të tyre, me lidhje të ngushte mes dëgjuesve dhe RMK-së, ku meshtarët dhe famullitarët tanë dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të tyre, vullnetarët, ishin bartës dhe krijues të programeve tona.

  • Bashkëpunimi ynë është së pari dëgjimi, përcjellja, pjesëmarrja, vlerësimi, propozimet, dëshira, nevojat dhe kërkesat e dëgjuesve tanë, që janë arsyeja kryesore e ekzistencës dhe veprimit tonë. Fjala, të folurit, porosia, ka kuptim dhe veprim vetëm atëherë kur krijohet mirëbesimi, dëgjimi, pranimi, zbatimi dhe dëshmimi i së Vërtetës dhe Dashurisë – Zotit në jetën tonë.
  • Për ta arritur këtë kemi nevojë për uratë, lutje, jetë shpirtërore, që na afron, bashkon dhe frymëzon për Zotin – Dashuri dhe për Vëllanë – Njeri, në krijimin, përplotësimin, rritjen dhe pjekurinë e bashkësisë së krishterë. RMK është dhe dëshiron të jetë urë-lidhëse   mes dëgjuesve tanë në Kosovë dhe gjetiu, sidomos në diasporë,  për të kërkuar  rrethin e lutjeve, hireve, falënderimeve, si dhe për t’i paraqitur nevojat, hallet, dertet, brengat, shqetësime, sëmundjet, shërimit e llojllojshme trupore dhe shpirtërore, kthimet kah Zoti, Kisha, feja me shembuj shumë konkretë dhe real të përditshmërisë sonë.

Kështu të krishterët tanë, por edhe të gjithë njerëzit vullnetmirë, sidomos ata që janë në kërkim dhe të hapur ndaj jetës, vlerave të matanshme, të sëmurët dhe të moshuarit, mos të jenë të vetmuar, të harruar, të braktisur, por gjithnjë në shoqëri me Zotin, Virgjërën Mari, Kishën Katolike, bashkësitë e krishtera që luten dhe përkujdesen për të gjithë, veçmas për ata që janë në nevoja të ndryshme trupore dhe shpirtërore. 

Dëgjuesi e Radio Marisë së Kosovës janë hallka e “Rruzares së gjallë” dhe të vazhdueshme të Virgjërës Mari, që lartësohet nga zemrat kah Qielli, dhe me fe e dashuri, në kërkim të Paqes, Pajtimit, Mëshirës hyjnore, bashkëjetesës dhe vëllazërisë mes njerëzve, popujve, feve, kulturave, traditave të ndryshe, si parakusht për të tashme dhe të ardhme më të mirë, për shpëtimin tonë dhe të mbarë njerëzimit.

Në këtë Përvjetor jemi begatur edhe me Valët e Radio Therandës, që tash e tutje janë të RMK, që  me dëgjuesit tanë më lehtë dhe më mirë të jemi në lidhje, bisedim, dialog dhe komunikim të vazhdueshëm në kërkim të hireve dhe bekimeve, gjithnjë me ndërmjetësinë e Zojës Mari, të  Shën Nënës  tonë Tereze,  të Lumëve Martirëve Shqiptarë, si modele të përsosura për jetën dhe dëshminë tonë të krishterë.

  • Së fundi kërkojmë prej dëgjuesve tanë, njerëzve vullnetmirë, edhe përkrahjen financiareapo materiale, për mirëvajtje, zhvillim, përhapje, begatim, pasurim, shërbim, funksionim të RMK, pa të cilën nuk mund të vazhdojë veprimin dhe zhvillim e programeve tona.

Mos të harrojmë një gjë, nderimi dhe falënderimi ynë  gjithmonë përcillet me uratë dhe dashuri:

  • Ndaj Zotit, Virgjërës Mari, Kishës katolike ndër ne, që na ka mundësuar këtë mjet të madh të komunikimit të Fjalës së Zotit, të ungjillëzimit të ri, të informimit dhe formimit të krishterë.
  • Bashkëpunëtorëve dhe dëgjuesve tanë anekënd Kosovës dhe më gjerë, që janë dhe mbesin “pasuria” më e madhe e Radio Marisë;
  • Bamirësve tanë ndërkombëtar dhe vendor, pa të cilët s’do t’i kishim këto valë, për ne risi dhe mundësi e madhe,  me përmbajtje shpirtërore, kulturore, fetare.

Parim dhe synimi i Radio Marisë në botë, pra, edhe në Kosovë, mund të sintetizohet kështu: “ Kudo të jetë një njeri, aty do të jetë edhe Radio Maria, si zëri i Zotit, Virgjërës Mari, Kishës, për udhëzim dhe ndihmesë në çdo vend dhe rrethanë jete”.Ky parim përputhen edhe me thënien e Shën Nënës Tereze: “Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi edhe ne”.

Përgatiti për Dritën: Don Lush GJERGJI, drejtor i Radio Marisë Kosovë

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »