Lumnitë, shpërblimi që jep Jezusi

Jan 29 • Meditimi i ditës

29 janar 2017 – E diela 4-të gjatë vitit (A), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Sof 2,3; 3,12-13; Ps 146,6c-10; 1Kor 1,26-31; Mt 5,1-12a)

 

Prania e Hyjit

Para se të fillosh këtë tërheqjen tënde të shkurtër shpirtërore, pusho një moment duke i lënë mënjanë shpërqendrimet.
Qetësohu dhe fokusoje mendjen dhe zemrën tënde në praninë e dashur të Zotit,
I cili është me ty ndërsa po nisesh në këtë rrugëtim.

 

Liria

O Zot, ma jep hirin që të jem i/e lirë nga ekseset dhe teprimi.
Mos lejo që të më robërojnë dëshira për posedim dhe pasuri.
Ma ruaj mendjen dhe zemrën të lira që të dua dhe të shërbej ty.

 

Ndërgjegjësimi

Më ndihmo, o Zot, që të bëhem sa më i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde.
Më mëso se si të të dalloj në të tjerët.
Ma mbush zemrën me mirënjohje për të gjitha ato momente
kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar përkujdesjen tënde për mua.

 

Fjala

Kaloje këtë kohë duke e përqendruar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Mt 5, 1-12

 

1 Jezusi, kur pa turmën, u ngjit në mal. Kur u ul, iu afruan nxënësit e tij. 2 Atëherë mori fjalën dhe i mësoi duke thënë:
3 “Lum skamnorët në shpirt
sepse e tyre është Mbretëria e qiejve!
4 Lum ata që qajnë
sepse do të ngushëllohen!
5 Lum ata që janë të butë
sepse do ta trashëgojnë tokën!
6 Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi
sepse do të ngihen!
7 Lum të mëshirshmit
sepse do të gjejnë mëshirë!
8 Lum ata që janë të pastër në zemër
sepse do ta shohin Hyjin.
9 Lum pajtuesit
sepse do të quhen bijtë e Hyjit.
10 Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon
sepse e tyre është Mbretëria e qiejve.
11 Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkakun tim, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë! 12 Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell! Jo po, kështu i salvuan edhe profetët para jush!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt

 

  • Jezusi ofron “Oskarin”, lëvdimin dhe shpërblimin e tij. Merre me mend çfarë rëndësie i jep Jezusi asaj që është e brishtë, e dobët dhe e shpërfillur në sytë e kësaj bote. Dëgjoj sesi më thotë: “Bravo!”, të lumtë, për shkak se jetoj në frymën e tij.
  • Mund të zgjedh dy lumturi që mund të qëndrojnë në prapavijën e lutjes dhe reflektimit tim të sotshëm: njëra si vërtetim kurse tjetra që më thërret në më shumë, që të jap më shumë prej vetes.

 

Bashkëbisedimi

Fjalët nuk po më vijnë lehtë, o Zot.
Shiko në zemrën time dhe shih se sa shumë e dëshiroj paqen.
Më ruaj, o Zot. E di që gjithmonë je pranë meje.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma ke dhënë gjatë këtyre pak momenteve që i kalova vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim ashtu tash
E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »