Imzot Dodë Gjergji po qëndron në vizitë “Ad limina” në Vatikan

Jan 30 • Kisha në Kosovë

Imzot Dodë Gjergji, ipeshkvi ynë, sot, më 30 janar ka filluar zyrtarisht vizitën “Ad limina” në Selinë e Shenjtë, e dyta me radhë që kur ka marrë në udhëheqje si bari Kishën Katolike në Kosovë.

Vizita e tij po bëhet në kuadër të vizitës “Ad limina” të Konferencës Ipeshkvore Ndërkombëtare  Shën Çirili dhe Metodi, pjesë e të cilës është edhe Kisha Katolike në Kosovë (bashkë me Argjipeshkvinë e Tivarit, Ipeshkvinë e Kotorit, Ipeshkvinë e Shkupit, Argjipeshkvinë e Beogradit, Ipeshkvinë e Suboticës, Ipeshkvinë e Zrenjaninit, Ipeshkvinë e Srijemit, Ekzarhati Apostolik për rritin lindor).

Sot, në orët e paradites, (argj)ipeshkvijtë e Konferencës u pritën në audiencë private nga Papa Françesku. Në ditët në vijim ipeshkvi do të ketë takime me dikasteret e Kuries Romake.

Kisha jonë e përcjell me lutje këtë vizitë të bariut tonë, që të jetë e suksesshme e të sjell frytë të shumta për kishën, e bekimi i Atit të Shenjtë, Papës Françeskut, që do ta sjell ipeshkvi do të na forcojë në fe e dashuri për të vazhduar me kurajo e guxim shpalljen e ungjillit në shoqërinë tonë.

 

Çfarë është vizitaAd Limna Apostolorum”?

Vizita “Ad Limna Apostolorum”, apo vizita te pragu i apostujve i Shën Pjetrit dhe Shën Palit (Vatikan), sipas traditës së lashtë, bëhet çdo pesë vjet nga çdo ipeshkëv dioqezan i Kishës Katolike, për të nderuar varret e dy kryeapostujve dhe për të takuar pasardhësin e Shën Pjetrit, që është Ati i Shenjtë, Papa.

Sipas normave aktuale, që tashmë janë të konsoliduara, vizita ad limina e çdo ipeshkvi  realizohet në kuadër të Konferencës Ipeshkvore ku merr pjesë. Secilës Konferencë i caktohen ditët e vizitës nga Selia e Shenjtë dhe takimet që do të bëhen në kuadër të kësaj vizite.  

Qëllimi kryesor i vizitës ad limina është për të përforcuar bashkimin mes Atit të Shenjtë dhe kolegjit të ipeshkvijve, e në mënyrë të veçantë për t’i përforcuar vëllezërit në fe dhe dashuri.

Ky shtegtim-vizitë karakterizohet nga tre momente kryesore: vizita te varret e apostujve Pjetri dhe Pali, takimi me Atin e Shenjtë – Papën  dhe takimet me dikasteret e Kuries Romake.

Gjatë kësaj vizite Ati i Shenjtë në mënyrë të drejtpërdrejtë merr dhe përthellon njohuritë për njësitë kishtare të veçanta nëpër botë, që janë kishat lokale të prira nga ipeshkvij përkatës, dëgjon me vëmendje për situatat e çdo kishe, dhe jep këshilla nëse është e nevojshme për veprimtarinë pastorale apo të natyrave tjera. Po ashtu, janë momente të shumë të rëndësishme për çdo ipeshkëv, pasi paraqet kishën e tij në të gjitha dimensionet para Papës dhe Kuries Romanke.

Ad limina është një vizitë që bëhet me plotë kujdes dhe përgatitet disa muaj përpara. Ipeshkvijtë vizitorë disa muaj përpara dërgojnë relacion të posaçëm në Selinë e Shenjtë, me anë të të cilit jepet një pasqyrë e përgjithshme mbi situatën e dioqezave të tyre. Relacioni shkon tek të gjitha dikasteret e Kuries Romake. Pastaj, secili dikaster krijon një komision ad hoc për të studiuar relacionet dhe për çdo çështje bëhet një përmbledhje që të mund të kihet në bisedimet mes dikastereve përkatëse dhe ipeshkvijve në vizitë. Këto bisedime kanë karakter shumë dimensional, si pastoral, administrativ, disiplinor etj. etj. /Drita/

Shpërndaje

Comments are closed.

« »