Familja dhe edukimi i adoleshentëve

Feb 2 • Familja

Nga Mons. Lush Gjergji

 

Çdo prindër dëshiron edukimin e mirë të fëmijëve, kështu që ata më vonë të jenë të mirë, të sigurt dhe të lumtur në jetë. Mirëpo kjo fatkeqësisht nuk ndodh përherë. Përse?

Ka shumë shkaqe dhe arsye. Unë do t’i numëroj vetëm disa:

–     Së pari plotësimi i të gjitha dëshirave të fëmijëve, aq sa fëmija sot është bërë pothuaj “diktator” për familje, kërkon dhe kushtëzon çdo gjë dhe menjëherë, dhe prindërit duken të paaftë, disi lëshojnë pe, dorëzohen para këtyre kërkesave, gabojnë  rëndë duke menduar dhe thënë: s’dua që fëmija im të vuaj si unë.

–     Mungesa e vlerave dhe virtyteve personale, familjare dhe shoqërore, si dhe mungesa e madhe e modeleve kulturore dhe shpirtërore. Adoleshentët s’duan dhe s’mund të jenë më si prindërit e tyre, sidomos për familje në rrethe të huaja, në diasporë, si dhe për prindër të varfër dhe të pashkolluar, të trajtuar si “primitive” dhe të prapambetur. Prindërit s’janë gati aspak të përgatitur për rrethe të reja, për edukim të ri, të hapur, ku lypset kërkuar të mirën e përbashkët nëpërmjet bisedimeve, dialogut dhe komunikimit, por më tepër insistojnë në rregullore, në disiplinë, në autoritet edhe të “grushtit” të fortë.

–     Disorientimi edukativ, sepse tashmë askush nuk e di saktësisht dhe përfundimisht çka domethënë të jesh prindër, edukator, pasi ka ndryshuar botëkuptimi i jetës dhe i punës, tradita, kultura, ekonomia, politika, shkenca, arti, gati çdo gjë. Globalizimi e ka përfshirë mbarë botën, por më tepër në dukuri negative, sidomos me anën e mjeteve pamoro-dëgjimore, duke ia imponuar njerëzimit materializmin, hedonizmin, indiferentizmin dhe ateizmin praktik, me pasoja tejet të rënda për jetën kulturore dhe shpirtërore.

 

  1. Krijimi i personalitetit dhe identitetit

Pa njeri s’ka as familje as shoqëri. Edukimi familjar është baza e çdo edukimi të mëvonshëm, sepse në familje formohet personaliteti bazor dhe identiteti personal. Çka domethënë personaliteti bazor?

Pranimi i prindërve, vëllezërve, motrave, rrethit familjar, si dhe pranimi i vetvetes në prizmin pozitiv, me procesin e identifikimit me prindër, me procesin e socializimit – hapjes dhe bashkëpunimit, bashkëjetesës me të tjerët. Pa këto dy procese bazore s’ka as fëmijëri as rini.

Shprehja edukimi, edukata vjen nga latinishtja dhe ka dy vështrime : educare – të ushqesh, apo e-ducere = të nxjerrësh jashtë, të udhëheqësh, të drejtosh kah. Prandaj ushqimi duhet të jetë i trefishtë: trupor,  mendor (psikik) dhe shpirtëror.

Të nxjerrësh jashtë, të drejtosh dhe të udhëheqësh dmth. se adoleshenti është qenie njerëzore, person, qysh nga ngjizja, lindja, prandaj duhet zbuluar në të mundësitë, aftësitë për ta nxjerrë nga bota e vogël, nga barku i nënës dhe i familjes, për t’u bërë vërtet njeri i matur dhe i pjekur, qytetar i botës  (mondialiteti).

Edukimi duhet të zbulojë aftësitë e fëmijës, adoleshentit, ato duhet përkrahur dhe zhvilluar, duke nderuar natyrën, karakterin, talentet, moshën, gjininë… për ta ndihmuar dhe drejtuar kah vlerat dhe virtytet.

Familja duhet të edukojë sidomos:

Me pranimin e gjithanshëm të fëmijës, ashtu si është, e jo ashtu si mendojmë dhe dëshirojmë ne, sepse ashtu e ngarkojmë apo projektojmë sipas dëshirave dhe nevojave tona. Prindërit të cilët nuk janë të kënaqur me vetveten, me palën martesore, mundohen nëpërmjet fëmijëve ta realizojnë veten me pretendime: biri apo bija ime do të bëhet…, do të jetë…, do të fitojë… Kjo mënyrë e ngarkon dhe rrënon fëmijën, sepse ia cakton një rol, një detyrë, një mision të pamundshëm, t’iu përgjigjet nevojave dhe kërkesave, ëndërrimeve të prindërve. Fëmija gjendet gjithnjë në konflikt me vetveten, me prindër, me shoqëri, dhe së fundi rrezikon identitetin: kush jam unë, çka dua unë, dhe si dua unë të realizohem.

Çdo njeri së pari duhet të jetë vetvetja, pastaj mund të jetë edhe me të tjerët dhe për të tjerët.

–     T’i edukojmë fëmijët, adoleshentët për jetë dmth. t’i aftësojmë për ballafaqime me të tjerët, jo për të sunduar mbi të tjerët, tendencat diktatoriale, apo për t’iu nënshtruar të tjerëve, tendencat për servilizëm. Edukimi i rreptë dhe me ndalesa, ndoshta edhe me ndëshkime, fëmijën e bën të  pasigurt, prandaj e shtyn që të mbështet në të tjerët, pa formimin e unit, ego-s, kështu që gjithnjë do të jetë i varur prej të tjerëve.

–      Çdo rregull, ligj, normë pa motivim, mirëkuptim dhe dashuri, e edukon fëmijën për dyfytyrësi, sa për sy e faqe, dëgjon dhe vepron sipas kërkesës së prindërve, por pa bindje, përcaktim, vetëm formalisht. Ose skajimi tjetër mund të jetë anarkist – t’i urrejë dhe kundërshtojë të gjitha rregullat, ligjet në fëmijëri dhe në rini,  sepse si fëmijë ka pësuar jetën, s’ka pasur fëmijëri dhe rini të qetë dhe të bukur.

Familjet e rrepta dhe represive edukojnë hajna, rrenca, mashtrues, kriminelë, ata të cilët s’kanë pasur përvojë dashurie, përgjegjësie, por lirinë e kërkojnë në anarki dhe në shkelje të normave familjare, shkollore, shoqërore dhe fetare.

 

  1. Të jesh prindër sot

Shumë prindër nuk dinë më çka domethënë të jesh babë apo nënë, pra, s’dinë si duhet të jetojnë dhe të veprojnë mes tyre, edhe më pak me fëmijë. Fëmijët nëse pranohen si fryt i ndërsjellët i dashurisë, ndihmojnë shumë edhe çiftin martesore, kërkimin e bashkëshortisë, sepse:

  • zgjerohet dhe thellohet komunikimi ndërpersonal në martesë dhe në familje;
  • shtohet dhe begatohet jeta afektive dhe emotive, dashuria;
  • rritet pjesëmarrja e të gjithëve në jetën familjare.

Lindja dhe edukimi i fëmijëve, adoleshentëve, tregon aftësinë e prindërve për jetën martesore. Vetëm pas lindjes së fëmijës hetohen më qartas qëllimet e martesës, që mund të jenë të llojllojshme:

  • për t’i ikur vetmisë, familjes së prejardhjes, e cila është e rreptë dhe s’lejon asgjë;  
  • për të pasur së paku dikë (fëmijën) dhe diçka (familjen) për vete;
  • për të qenë i rëndësishëm para të tjerëve;
  • për të siguruar pasardhësin, sidomos tek ne shqiptarët, me djalin…;
  • për të dalë prej rrethit të ngushtë, tek shqiptarët martesa është shndërruar edhe në bisnis, për të shkuar në botë, jashtë Kosovës, me fejesa dhe martesa për vizë…

Nëse nuk është në rregull marrëdhënia martesore, s’do të jetë në rregull as ajo me fëmijë, me të tjerët, sepse pakënaqësia, mosrealizimi, frustrimi, hurxhi, konfliktet, krijojnë mosdurim, agresivitet, shpërthime në grindje  dhe përçarje të vazhdueshme.

Pas lindjes së fëmijës burri mund ta ndijë veten i përjashtuar dhe i harruar, sepse s’është më në qendër të vëmendjes, pra, mund të lind edhe xhelozia, sipas fjalës së urtë shqiptare:  “Fisnike, tash je përtej djepit dhe detit! “, që dmth. se mes nesh është djepi, fëmija, që na largon si deti, si dy bota.

E vërteta themelore është kjo: fëmijët nuk janë për prindër, por prindërit për fëmijë! Kjo vlen në veçanti për botën femërore shqiptare, sepse femrat tona mundohen zbrazëtitë e tyre afektive dhe emotive, jetësore t’i mbulojnë dhe projektojnë në fëmijët e tyre me motivime si: së paku jam nënë, kam fëmijë, ata le të jenë të lumtur, sepse edhe ashtu s’kam asgjë nga jeta përpos vuajtjes dhe fëmijëve…

Prindërit që s’janë të bashkuar dhe koherentë, u japin fëmijëve porosi të gabuara, sepse njëri thotë po, tjetri thotë jo, duke shkaktuar kështu pasiguri, nervozë, frikë, shqetësim, dyshim dhe thyerje psikike.

Pjekuria personale dhe martesore, familjare është parakusht për edukimin e fëmijëve, sepse nuk edukojmë me fjalë, me porosi, por më tepër me shembull dhe me jetë. Në familje të papjekur apo në konflikt, fëmijët shpesh shndërrohen në “objekt”, lodër apo vegël për ta luftuar çiftin martesor, duke rrënuar kështu veten, por edhe fëmijën dhe fëmijërinë e tyre. Pyetja: kë e do më shumë? A je me mua apo me… janë “lojëra” dhe ngarkesa shkatërruese, sepse fëmija kështu disorientohet, habitet, s’di më me kë duhet të jetë, herë anon kah babai herë kah nëna.

Familja, edhe pse ka pësuar ndryshime të mëdha dhe rrënjësore, prapë mbetet rrethi i parë natyror i çdo edukimi, përgjegjësie për fëmijë dhe për rini. Mu për këtë familja s’mund të jetë indiferente, neutrale, t’i edukojë fëmijët vetëm për përshtatje ndaj jetës dhe punës, por duhet t’ua jep përvojë kujdesi, mirësie, butësie dhe dashurie, sepse është bartëse dhe edukuese për jetë dhe për vlera.

Edukimi është kryesisht aftësimi i fëmijës për zgjedhjen e vlerave dhe të virtyteve, si ndërmjetësim mes familjes, shkollës, shoqërisë.

Si mund ta bëjnë prindërit këtë?

  • Me dialog të hapur dhe të sinqertë në familje, në shkollë, kudo… me të gjithë ata që merren me edukimin e fëmijëve. Tek ne qysh moti është rrënuar hallka apo zinxhiri Familja – Shkolla – Feja – Shoqëria, dhe secili vepron si di dhe si do, por pa ndonjë harmonizim dhe bashkëpunim.
  • Me edukim në vazhdimësi (permanent) të prindërve, si proces jetësor për vete dhe për të tjerët. Tek ne pak i jepet rëndësi edukimit dhe formimit permanent, si në anën profesionale, ashtu edhe familjare, sepse mendojmë se dimë dhe mundemi edhe pa këtë.
  • Me angazhim të vazhdueshëm për t’i njohur nevojat, dëshirat, problemet e brezit të ri, dhe për të qenë në shërbim të tyre.

Sot fëmijët kanë shumë vështirësi dhe halle të ndryshme, si p. sh. frika, mosbesimi, mbyllja në vete, vetmia, shqetësimi para luftës, terrorizmit, varfërisë, papunësisë,  ndarjes së prindërve, garimi, rivalitetet, mosdurimi…

Dikur edukimi familjar, por edhe shkollor, fetar dhe shoqëror, ishte për të gjithë i njëjtë, me rregulla të përbashkëta dhe të sigurta, që mund të shprehet edhe kështu: Si të tjerët, si të gjithë!

Sot kërkohet më tepër edukimi personal dhe ndërpersonal, sipas moshës, gjinisë, aftësive, nevojave, rrethanave, mundësive…Tashmë s’mund të thirremi në autoritet të rolit: unë jam prindi yt…, mësuesi, prifti…duke pasur ndonjë rol të caktuar. Të gjitha këto autoritete vetvetiu janë në krizë dhe në rishqyrtim. I vetmi autoritet i pamohueshëm ka mbetur dashuria, mirësia, duresa, shembulli i mirë, sepse kështu të gjithë edukohemi së bashku dhe edukojmë njëri-tjetrin. Për këtë të gjithë jemi nevojtarë për informim dhe për formim permanent , por të udhëhequr  dhe të motivuar nga kujdesi dhe dashuria.

Nuk mjafton dija për të qenë të mirë, por nevojitet angazhimi i tërë personalitetit në kërkimin, gjetjen dhe zbatimin e të mirës së përbashkët.

Njeriu si qenie shoqërore dhe në marrëdhënie gjatë tërë jetës gjendet para zgjidhjeve apo marrëdhënieve me rrethin e jetës dhe të punës. Nga kjo kryesisht edhe varet suksesi apo mossuksesi i jetës, çka japim dhe çka marrim, çka zgjedhim në jetë si vlerë, si ide, ideal, orientim dhe përcaktim jetësor.

Çdo zgjidhje në jetë ka për qëllim:

  • Krijimin apo ruajtjen e drejtpeshimit, të harmonisë mes njeriut dhe rrethit për ruajtjen dhe zhvillimin e jetës. Ta marrim një shembull nga jeta e përditshme: kur është ftohtë, vishemi, kur është nxehtë, zdishemi, kur jemi të uritur, hamë, të lodhur, pushojmë… Kështu është edhe në jetën psikike, mendimore, dhe shpirtërore, sidomos në dashuri, në shkëmbimin e përvojës dhe të jetës .
  • Çdo zgjidhje ka ndikim për të tashmen, por edhe për ardhmërinë tonë, sepse çka mbjellim sot do të korrim nesër. Shi për këtë nevojitet përgjegjësia e përbashkët për jetën tonë dhe të tjerëve, sidomos të prindërve ndaj fëmijëve, sepse ata ende s’janë të aftë për jetë, për zgjidhje – pa prindër. Prindërit duhet t’i edukojnë dhe aftësojnë fëmijët e tyre për të zgjidh me përgjegjësi, sepse kjo është baza e lirisë njerëzore. Çdo njeri, person është i papërsëritshëm, burimor, unikat, dhe si i tillë meriton kujdes, përkrahje në edukim që të jetë vetvetja.

 

  1. Njeriu – qenie e përbërë

Njeriu është qenie e përbërë prej shumë faktorëve, trup, psikë dhe shpirt; e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja; unë + ti = ne… Unë do t’i përmendi tre faktorë të rëndësishëm të përbërjes së njeriut:

  1. Trashëgimia, ana ose pjesa gjenetike;
  2. Rrethi, ana familjare, edukative, morale, fetare dhe kulturore;
  3. Zgjidhjet apo përcaktimet jetësore, ana personale.

Çdo njeri është njësi e veçantë gjenetiko-kromozoike, sepse i ka 23 kromozome nga ana e babait dhe 23 tjerë nga ana e nënës. Në çdo qelizë gjenetike janë më se 30.000 gjene, gjë kjo që krijon mundësi të panumërta të kombinimeve. Edhe kjo dëshmon se njeriu është qenie e veçantë  dhe e papërsëritshme. Mu për këtë edukimi duhet të drejtojë fëmijën si qenie të përbërë dhe burimore që të jetë vetvetja, t’i aktivizojë dhe realizojë mundësitë e ndryshme që i ka në vete.

Ana gjenetike ndikon mjaft, por nuk kushtëzon tërësisht jetën e njeriut, sepse përpos trashëgimisë gjenetike, ndikim të madh ka edhe rrethi familjar, ambienti edukativo-arsimor, marrëdhëniet ndërnjerëzore.

Nga studimet e deritanishme mund të themi se trashëgimia gjenetike ndikon në njeriun afro 50%, edukimi, rrethi, familjar po ashtu afro 50%, apo thënë figurativisht: fara ka rëndësi 50%, por edhe toka ku bie fara 50%. Pa farë të mirë dhe pa arë të mirë s’ka fryte. Mos të ishte kështu, njeriu s’do të ishte i lirë dhe përgjegjës për jetën dhe veprimet e veta.

Edukimi familjar së pari, pastaj shkollor, fetar, moral, ndikojnë dukshëm në zhvillimin e mundësive gjenetike për njeriun. Mënyra më e mirë, dhe pothuaj e vetmja për edukim të mirëfilltë të fëmijës është dashuria, si fuqi tërheqëse që zgjon te tjetri nevojën, dëshirën dhe kënaqësinë e shkëmbimit, apo si do të thoshte Shën Nëna jonë Tereze, “njeriu e jep pjesën më të mirë të vetvetes”.

Edukimi familjar dhe shkollor e aktivizon dhe drejton trashëgiminë gjenetike që nga mundësia, potenciali, të shndërrohet në zbatim dhe në realitet.

Njeriu ka në vete dy lloj gjene:

  • GJENOTIPI – është tërësia e trashëgimisë dhe e karakterit të një organizmi njerëzor;
  • FENOTIPI – është tërësia e individit, si fryt i gjenotipit (trashëgimisë gjenetike) dhe e fenotipit (i edukimit). Mund të themi edhe kështu: gjenotipi është mundësi, fenotipi është konkretizimi i mundësive, sepse e tërë jeta është proces në zhvillimi dhe në kërkim.

Dashuria është “mjekimi” i çdo varre dhe aktivizimi i çdo mundësie që bën kalimin prej trashëgimisë gjenetike në realizimin fenotip të njeriut.

Zgjedhjet dhe përcaktimet, krijimi i unit, varet kryesisht prej dy faktorëve të lartpërmendur, atij gjenetik dhe të rrethit, por sidomos prej orientimit jetësor.

Edukimi i rreptë familjar, si dhe plotësimi i lehtë i shumë dëshirave të fëmijëve, i bënë ata pasivë, të paaftë për ta përballuar jetën dhe sfidat e ndryshme. Fëmijët  e tillë presin gjithçka prej të tjerëve, janë kritikë ndaj çdo gjëje, dinë vetëm të sulmojnë dhe të rrënojnë, por jo edhe të ndërtojnë dhe bashkëpunojnë.

Orientimi i parë për fëmijë është familja, dhe nga kjo përvojë varet mjaft jeta e mëvonshme. Disa fëmijë thonë kështu:

s’kam sukses, sepse s’kam fat, sepse të tjerët më pengojnë, qëndrim ky që fajëson të tjerët , për ta shfajësuar veten, pasivizimin dhe ikjen prej përgjegjësisë;

të tjerët thonë: s’kam sukses sepse s’kam punuar, s’jam munduar, s’jam flijuar, qëndrim pozitiv dhe me përgjegjësi .

Fëmijët e formojnë unin, ego-n, konceptin mbi vetveten në dy drejtime:

  1. Pozitiv: dua, mund, duhet, do të provoj, sepse ka besim në vete dhe në të tjerët, prandaj mundohet, jep çdo gjë prej vetes, por edhe bashkëpunon me të tjerët.
  2. Negativ: s’dua, s’mund, s’ka kuptim, sepse i mungon besimi në vete dhe në të tjerët, mbetet pasiv, mundohet në shpinë të tjerëve të ketë sukses, varet shumë prej të tjerëve.

Prindi në asnjë mënyrë nuk duhet ta zëvendësojë fëmijën në asgjë, sepse kjo e rrënon tek ata vetëbesimin dhe sigurinë. Rrethi nuk duhet t’i zgjedhë vështirësitë, detyrat, problemet e fëmijëve, por duhet t’i nxisë ata në angazhim, në punë, në mësim, në ushtrim, në kërkimin e zgjidhjeve. Ne duhet t’i përcjellim fëmijët kështu: mëso, puno, kërko, unë apo ne të përcjellim, jemi afër teje dhe me ty! Kush prêt në mënyrë pasive apo të gatshme zgjidhje prej të tjerëve, është i “robëruar” prej tyre, s’ka liri dhe pavarësi, identitet dhe personalitet.

 

  1. Si përfundim

     Sot në shumë raste mungon familja, jeta familjare, fëmijët jetojnë shumë jashtë familjes, në çerdhe, në  mësime parashkollore, në shkollë, në aktivitete të lira…, sa që pak jetojnë në familje dhe me familje. Edhe atë pak kohë që e kalojnë me prindër, e kalojnë keq, sepse prindërit janë të ngarkuar me punë, me lodhje, me halle të ndryshme, kështu që fëmija trajtohet më shumë si ngarkesë, pengesë, peshë, se si gëzim, dhuratë, mundësi…

     Ne shqiptarët e kemi një traditë të mirë dhe të shenjtë, të shëndoshë familjare: pranimin e fëmijëve si dhuratë të Zotit dhe të dashurisë dhe dhurimit martesor. Këtë traditë duhet ta ruajmë dhe kultivojmë edhe në rrethana të reja, edhe në botën e jashtme, sepse përndryshe do të vijmë deri te vetëshkatërrimi, si ndodh pjesërisht në Perëndim me dëbimin e fillimit të jetës, fëmijës, si dhe mbarimin e saj, pleqërinë, duke “seleksionuar” jetën vetëm në rini dhe në pjekuri..

Kjo vlen për jetën e re, fëmijët, si dhe për të moshuarit, sipas parimit: S’ka shtëpi pa pleq dhe pa fëmijë dhe Mjerë ajo shtëpi që s’ka pleq dhe fëmijë!

     Edukimi është proces jetësor, ku rol vendimtar kanë prindërit, pastaj edhe anëtarët tjerë të familje, por edhe fëmijët.

     Edukojmë me jetë, shembull, dëshmi, e jo me fjalë, porosi, ligje, ndalime.

     Edukimi është fryt i dashurisë, prandaj mund të edukojmë vetëm nëse dashurojmë, dhe së bashku, prindërit dhe fëmijët, pastaj shkolla dhe shoqëria.

     Tek ne shqiptarët duhet të jetë roli më aktiv edhe i babait, e jo si dikur, babai ishte gati mysafir në familje, sidomos për edukimin e fëmijëve.

     Prindërit janë në shërbim të fëmijëve, e jo anasjelltas, sepse atëherë s’do të kemi fëmijë, por “vegla” apo mjete në duart e të rriturve..

     Fëmijëve mund t’u japim çdo gjë, por do të jetë e kotë nëse nuk ua dhurojmë veten, kujdesin dhe dashurinë tonë. Edukimi aktiv nënkupton pjesëmarrjen e përbashkët, prindërit – fëmijët, për ta zbuluar natyrën, talentet, aftësitë dhe mundësitë e tyre, dhe për t’ia aftësuar për jetë, për zgjedhje, për vlera, për virtyte, për përgjegjësi dhe dashuri.

     Mjekimi më i mirë i çdo zbrazëtie është dhurimi – dashuria.

     Shën Nëna Tereze thoshte:  “Pa dashuri dhe flijim jeta s’ka kuptim”, e ne mund të themi: Pa dashuri dhe flijim s’ka  as edukim!                                                                                          

Literatura:

  1. BARTOLINI, Per una pedagogia del ragazzo difficile, Bologna, Malipiero, 1965.
  2. BRUCH, Non avere paura di tuo figlio, Milano, Ferro, 1971.
  3. FROMM, Il cuore dell’ uomo. La sua disposizione al bene e al male, Roma, Carabba, 1965.
  4. G. GINOTT, Bambini e genitori, Milano, Garzanti, 1969.
  5. ISAACS, Dalla nascita a sei anni, Firenze, Giunti, 1968.
  6. LEVINE – G. VERMEIL – G. PERNOUD, Il bambino e la scuola, Milano, Mondadori, 1970.
  7. POROT, Il bambino e le relazioni familiari, Roma, AVE, 1969.
  8. TEJERA DE MEER, Il bambino e i suoi conflitti, Assisi, Citadella, 1978.
  9. W. WINICOTT, Il bambino e la famiglia, Firenze, Giunti, 1973.

SKICA PËR LIGJËRATË

Disa gabime në edukim:

  • Plotësimi i menjëhershëm i të gjitha dëshirave dhe nevojave;
  • Mungesa e vlerave dhe virtyteve;
  • Disorientimi edukativ.
  • Rrebtësia edukon për formalizëm dhe dyfytyrësia, ose për anarkizëm dhe servilizëm.

Krijimi i identitetit dhe personalitetit:

  • Pranimi i fëmijëve ashtu si janë;
  • Aftësimi i fëmijëve për ballafaqime dhe zgjidhje në jetë;
  • Aftësimi i fëmijëve për përgjegjësi dhe për liri;
  • Prinërit e frustruar dëshirojnë të realizohen nëpërmjet fëmijëve.

Të jesh prindër sot:

  • Me anën e fëmijëve zgjerohet dhe thellohet komunikimi familjar;
  • Shtohet jeta afektive, dashuria martesore dhe prindërore;
  • Rritet pjesëmarrja dhe përgjegjësia në jetën familjare,  (babai, nëna, fëmijtë), si trefishim përgjegjësie;
  • Pjekuria personale, bashkëshortore, parakusht për edukim;
  • Edukimi permanent, në vazhdimësi, nevojë e kohës, si dhe zbulim i vetvetes, i çiftit martesore dhe i fëmijëve, si dhe aftësive të tyre;
  • DASHURIA – fuqia e vetme edukative, aftësi për ta pranuar dhe çmuar tjetrin në mënyrë pozitive, për bashkëpunim dhe për shkëmbim.
  • Fjala e urtë shqiptare pas lindjes së fëmijës: “Përtej djepit dhe detit!”.

Njeriu – qenie e përbërë:

  • Trashëgimi, ana gjenetike ndikon afro 50%;
  • Rrethi familjar, edukimi, shkollimi ndikon afro 50%;
  • Zgjidhjet apo përcaktimet jetësore dhe ana personale:
  • GJENOTIPI – trashëgimia organike;
  • FENOTIPI – edukimi apo realizimi i gjenotipit nëpërmjet edukimit, apo prej mundësisë-trashëgimisë në realizim apo jetësim.

Njeriu është kombinim mes trashëgimisë gjenetike (gjenotipit), dhe edukimit (fenotipit) për të ardhur deri te fëmija, adoleshenti = njeriu.                                                                           

(Kumtesë e mbajtur në Tryezën e rrumbullakët kushtuar edukimit të fëmijëve, adoleshentëve dhe rinisë, në kuadër të Ditëve të Shkollës së Don Boskos, Prishtinë, 1 shkurt 2017)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »