Imzot Dodë Gjergji në ditën e tretë të vizitës zyrtare në Vatikan

Feb 2 • Kisha në Kosovë

Ipeshkvi i Kosovës Imzot Dodë Gjergji po vazhdon të qëndrojë në vizitë Ad limina në Selinë e Shenjtë, në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare Shën Çirili dhe Metodi, bashkë me ipeshkvijtë e rajonit (Mali Zi, Maqedonia dhe Serbia).

Ditën e parë të vizitës (30 janar) Imzot ynë ka patur takim shumë të rëndësishëm dhe të përzemërt me Papa Françeskun. Papa, përveç se ishte informuar mirë për gjendjen në Kosovë, ai në këtë takim ka marr informata më të detajuara dhe domethënëse nga ipeshkvi ynë Dodë Gjergji, i cili e ri-përsëriti ftesën për Papën që të vijë për ta shuguruar Katedralen e Nënë Terezës në shtator të këtij viti, në njëvjetorin e shenjtërimit të Shën Nënë Tereza.

Papa shprehi solidaritetin me ipeshkvijtë dhe kishat në rajon duke i nxitur të gjithë që të angazhohen për të dhënë kontributin në ndërtimin e paqes e të punojnë bashkërisht në shërimin e plagëve të shkaktuara nga konfliktet.  Papa – po ashtu – u interesua për gjendjen ekonomike të kishave dhe për nevojat që kanë duke e mbështetë iniciativën e ipeshkvit tonë “Aiuto piccolo gregge”  (Ndihmë grigjës së vogël), që u formalizua në Konferencën e shtatorit në Prishtinë.

Pas audiencës me Atin e Shenjtë, ipeshkvijtë e Konferencës kanë vazhduar me takimet e zakonshme nëpër dikastere të ndryshme të Selisë së Shenjtë, ku në detaje diskutohen çështjet e veçanta dhe gjendja e kishave. Ipeshkvijtë kam zhvilluar takime në Kongregatën e Selisë së Shenjtë për Doktrinën e Fesë, pastaj në Kongregatën për Ipeshkvij,  me  Këshillin Papnor për laikët, familjen dhe jetën, dhe në Kongregatën për Jetën Rregulltare, jetën e Përkushtuar e Institutet e Jetës Apostolike .

Temat kryesore që gjatë këtyre ditëve u diskutuan ishin ato që kanë të bëjnë me Kishën, emigrimin e katolikëve nga vendi, ekumenizmin dhe dialogun ndërfetarë. Të gjitha këto tema u trajtuan me kujdese dhe ipeshkvijtë e gjitha shteteve paraqitën realitetin e tyre.

Sot në mëngjes (1 shkurt), në Kapelën Santa Marta, Papa kremtojë meshën bashkë me Ipeshkvijtë e Konferencës, duke i patur në lutjet e tija kishat dhe popujt e rajonit, vuajtjet dhe sfidat që ata i përjetojnë në jetën e përditshme.

Imzot Dodë Gjergji rrëfen përmes Radio Vatikanit emocionet që ka përjetuar sot gjatë kremtimit të Meshës me Papën Françesku, tregon për bekimin apostolik të Atit të Shenjtë Françesku për Kishën dhe popullin e Kosovës, e për vizitën e shpresuar të Papës në vend, pas ftesës së përsëritur për të vizituar Kosovën.

http://sq.radiovaticana.va/news/2017/02/01/imzot_dod%C3%AB_gjergji_papa_fran%C3%A7esku_bekon_kosov%C3%ABn/1289747.

Vizita Ad limina do të vazhdojë deri të premten pasdite. /Drita/

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »