Kremtimi i Festës së Shën Gjon Boskut në Kosovë

Feb 3 • Kisha në Kosovë

Bashkësia Saleziane në Kosovë, si kudo në botën e krishterë, ka kremtuar festën e atit, mësuesit dhe edukatorit te tyre, Shën Gjon Boskut.

Qendrat Edukative Arsimore në Gjilan e Prishtinë i kane paraprirë kësaj feste më shumë aktivitete të ndryshme në kuadër të shkollave me karakter garues, si në lojëra sportive, ese, pikture etj. Janë zhvilluar gjithashtu edhe takime e tryeza te ndryshme me nxënës dhe koncerte argëtimi.

Ndërkaq, kulmi i kësaj feste, që i bie 31 janari, ishte kremtimi në mbrëmje i meshës shenjte që për dallim nga herët tjera kësaj radhe u mbajt ne kishën katedrale “Shën Nene Tereza” në Prishtinë. Në fillim të meshës mbajti fjalimin përshëndetës Don Izidor Llukiq, drejtor i Shkollës së Don Boskos në Prishtinë:

I nderuar mos Lush Gjergji dhe të nderuar meshtarë  dhe rregulltarë. Të nderuar të rinj, besimtarë miqtë e don Boskos. Sot ne salezianët e Don Boskos kremtojmë themeluesin tonë Atin dhe Mësuesin e të rinjëve Shën Gjon Boskon. Për mu si drejtor dhe bashkësinë tona është një privilegj i madh që së bashku  të ndajmë gëzimin dhe këtë dhuratë të Eukaristisë me ju. Don Bosko edhe sot na ftonë që të bëhemi qytetarë të ndershëm  dhe të krishterë të mirë. Sistemi  parandalues i don Boskos përfshinë në tërësi të riun, mendjen zemrën dhe shpirtin.   Sot jemi të bashkuar me gjithë Kongregatën tonë në botë për të festuar Atin dhe Mësuesin e të rinjve. Sikurse Don Bosko thoshte se edukimi buron nga zemra edhe ne dëshirojmë në këtë meshë t`ja ofrojmë jetën tonë, zemrën tonë Don Boskos.

Eprori Madhor i Kongregatës në porosinë  për këtë vit  na fton  “Të jemi një familje” për këtë çdo familje, është shkolla e jetës dhe e dashurisë. Të gjithë kemi një përvojë personale të familjes, ku në familje mësohet arti i jetës dhe i dashurisë. Shoqëria  Saleziane e Don Boskos është e pranishme në tërë botën, në të gjitha kontinentet dhe në më shumë se 132 shtete. Qëllimi dhe misioni i salezianëve të Don Boskos është edukimi dhe formimi i të rinjve për jetën, e në veçanti ndaj të rinjve më të varfër. Qendra “Don Bosko” dhe misioni i saj  kontribuojnë në zhvillimin e shoqërisë përmes edukimit të të rinjve, që është fokusi jonë,  dhe ne besojmë se përkushtimi ynë i përgjithshëm për të rinjtë është dhurata më e mirë për njerëzimin. Veprimtaria jonë në Kosovë me dy Qendra të Don Boskos Gjilan dhe Prishtinë, kanë  bërë  hapa të rëndësishëm në rritjen dhe vetëdijesimin e të rinjve. Ne në Qendrat tona nuk duhet të ndalemi, por të vazhdojmë të punojmë edhe më shumë,  që çdo vit të nxjerrim nga shkollat tonë të rinjtë të edukuar, të përgjegjshëm dhe të aftë për tu ballafaquar me sfidat  e jetës si dhe për një të ardhme më të mirë. Në hyrjen e Kushtetutës  së Shoqërisë Saleziane thuhet: “Kur në një shtëpi apo Qendër si kjo e jona,  mbretëron dashuria vëllazërore, ku të gjithë e duan njëri- tjetrin dhe secili kënaqet  nga e mira e njëri- tjetrit sikur të ishte e mira e vet, atëherë kjo shtëpi apo Qendër bëhet parajsë.

Shkolla jonë  “Don  Bosko” e cila  karakterizohet me Sistemin Parandalues në trinomin e tij: Arsyeja, Besimi dhe Dashamirësia,  e cila e vë në qendër të vëmendjes të riun. Don Bosko thoshte: Pa dashuri nuk ka besim dhe pa besim nuk ka edukim. Gëzimi, hareja  dhe lumturia janë shtyllat kryesore të edukimit, sa që “Lumturia e vërtet – thoshte Don Bosko –  lind nga paqja e zemrës dhe nga qetësia e ndërgjegjes.” Ai që kërkon të duhet nga të tjerët, duhet që t`i tregojë të tjerëve se i do. Ta  jetosh  karizmen Saleziane, do të thotë të qëndrosh me të rinjtë në mesin e tyre çdo ditë, të njohësh e të duash botën e tyre.”

Homelinë e kësaj meshe mbajti Mons. Lush Gjergji,vikari gjeneral i Ipeshkvisë së Kosovës, në bashkëmeshim me famullitarin e Prishtinës Don Fatmir Koliqin, me vëllezërit meshtarë salezianë dhe të tjerë. Madhështore ketë kremte e bënë edhe zërat e bukur të studentëve nga Pastorali i studentëve në Prishtinës dhe kori i katedrales.

Nuk mjafton ti duam të rinjtë, e rëndësishme është që ata ta kuptojnë se ne i duam” , me ketë thënie të Shenjtit, e nisi predikimin e tij Imzot Lush Gjergji kur po fliste për jetën dhe shembullin e Shën Gjon Boskut, prift, mësues dhe edukator i fëmijëve e brezave rinore.  
“Ky shenjt në ndryshimet e mëdha të asaj kohe, e vërejti se fëmijët e të rinjtë ishin të rrezikuar dhe në ta, e pa vet Krishtin Zot, prandaj zgjodhi strategjinë për t’i mbrojtur nga e keqja. Dhe, sa institucione janë krijuar, sa profesorë kanë punuar, e sa libra janë shkruar për edukatën e fëmijëve dhe të rinjve”, tha Imzot Gjergji. Por, sipas tij, i vetëm është libri, që e shkroi me jetën dhe shërbimin e tij shembullor Shën Gjon Bosku, e që mos të vdiste vepra e Zotit vetëm me te, ai themeloi edhe Rregullin e Salezianëve, qendrat e të cilit gjenden kudo nëpër botë. Ai kishte një vizion të mrekullueshëm se çdo njeri lind i mirë dhe i pafajshëm, por dalëngadalë rrethanat atë mund ta ndryshojnë për të keq. Prandaj, moto e tij ishte përdorimi i metodave parandaluese ndaj fëmijëve e të rinjve.

Për fat të mirë, tha Imzot Gjergji, qendrat e tilla i kemi edhe në Kosove. Në Prishtinë e Gjilan  e kemi pra Shën Gjon Boskun, i cili shërben përmes bijve të tij shpirtëror, duke vazhduar të njëjtën karizm, të njëjtën dhuratë që Zoti ia dha atij, e ai nuk e ndali vetëm për vete, por ua dhuroi ne rend të parë bashkëpunëtoreve të vetë, e pastaj edhe shumë e shumë të tjerëve, që me praninë e tyre veprojnë jo vetëm me goje e fjale, por me shpirtin e Shën Gjon Boskut, e për me tepër me shpirtin e Krishtit Shëlbues – vlerësoi Imzot Lush Gjergji.

Duke i porositur të rinjtë që të veprojnë gjithnjë sipas shembullit të meshtarit e mësuesit të tyre, Imzot Gjergji tha se jeta me Zotin ishte themeli e materiali ndërtues i tërë Apostullatit të tij të mrekullueshëm gjatë kohës sa jetoi, por mbi te gjitha Shën Gjon Bosku ishte dëshmitar  autentik i Krishtit. E, dhashtë Zoti që ndërmjetësimi i tij të na ndihmoje të gjithëve, tha veç tjerash Imzot Lush Gjergji dhe i përgëzoi Salezianet në Kosovë për festën e madhe të Shën Gjon Boskut. 

Në mbarim të meshës, famullitari i Prishtinës Don Fatmir Koliqi, pasi uroj vëllezërit salezianë për festën e themeluesit të tyre dhe për shërbimin që e bëjnë në Ipeshkvinë e Kosovës për edukimin e gjeneratave të reja, i thirri të gjithë të pranishmit në një koktej rasti të përgatitur nga Shkolla e Don Boskos, ku vazhdojë të bashkëndahet gëzimi dhe urimi i festës.

Përgatitën: Mrika Ibraj & Drita

[wonderplugin_gallery id=”40″]

Shpërndaje

Comments are closed.

« »