Ungjilli është kripë dhe dritë për botën!

Feb 4 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela V gjatë vitit (A)

 

Leximi i parë Is 58, 7-10

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Kështu thotë Zoti: “Ndaje bukën tënde me të uriturin, pranojë në shtëpinë tënde skamnorët e të pastrehët. Kur ta shohësh të zhveshurin, vishe dhe mos e përbuz farefisin tënd. Atëherë do të zbardhë porsi agimi drita jote, shërimi yt do të vijë më shpejt; para teje do të ecë drejtësia jote

e do të të përcjellë lavdia e Zotit.

Atëherë do të thërrasësh e Zoti do të të dëgjojë, do ta thërrasësh e ai do të përgjigjet: “Këtu jam!”

Nëse do ta zhdukësh prej mesit tënd zgjedhën, gishtin paditës dhe fjalën e keqe, nëse do t’ia japësh kafshatën tënde të uriturit, nëse do ta ngish të uriturin, atëherë në errësirë do të shndritë drita jote,

terri yt do të jetë porsi mesdita.”

Fjala e Zotit

 

Psalmi  112

Ref: I drejti shkëlqen porsi dritë.

——————————————

Lum ai njeri që e druan Zotin,

ka lindur për të drejtët një dritë në errësirë.

I ëmbël është njeriu që përdëllen dhe huajon,

punët e veta i kryen me ndërgjegje.

——————————————

Ai askurrë nuk do të bjerë poshtë,

nuk i trembet lajmit të keq.

E patrandshme është zemra e tij

me shpresë në Zotin.

——————————————

Të fortë e ka zemrën, nuk do të trembet,

është dorëdhënë, u fal skamnorëve;

Drejtësia e tij qëndron në shekuj të shekujve,

balli i tij ngallit për nder.

 

Leximi i dytë 1 Kor 2, 1-5

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Edhe unë, o vëllezër, kur erdha në mesin tuaj, nuk erdha për t’ju kumtuar misterin e Hyjit me fjalë të larta e me urti të stërholluar, sepse nuk desha në mesin tuaj të di tjetër përveç Jezu Krishtit ‑ dhe Atë të kryqëzuar. Edhe vetë u paraqita në mes jush i ligshtë, me frikë e me tmerr të madh. Fjalët e mia e predikimi im nuk ishin (fjalime) të stërholluara që mbushin mendjen me fuqi të urtisë njerëzore, por ishin dëftim i Shpirtit Shenjt dhe i fuqisë, që feja juaj të mos themelohej në dijen e njerëzve, por në fuqinë e Hyjit.

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Unë jam drita e botës, thotë Zoti:

Kush vjen pas meje do ta ketë dritën e jetës.

Aleluja!

 

Ungjilli Mt 5, 13-16

Lexim i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Ju jeni kripa e tokës. Po qe se kripa prishet, me çka mund të kripet? S’vlen më për asgjë, përveçse të hidhet jashtë e ta shkelin njerëzit.

Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur në majë të malit. As nuk ndizet dritëza për ta vënë nën magje, por për ta vënë mbi pishtar për t’u bërë dritë të gjithëve në shtëpi. Ashtu të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell.”

Fjala e Zotit

 

POROSIA

«Ju jeni kripa e tokës, ju jeni drita e botës». Ungjilli është kripë dhe dritë, është si një instinkt i jetës që i përshkon gjërat, e kundërshton prishjen e tyre dhe e bënë të qëndrueshëm. Është si një instinkt i bukurisë, që ngrihet mbi sipërfaqen e gjërave, ashtu siç e bën drita, përkëdhel, nuk bënë zhurmë, nuk ushtron asnjëherë dhunë, por bënë të dal forma, ngjyrat, harmia e raportet, gjërat më të bukura që gjenden në to. Në këtë mënyrë Apostulli – dritë, është ai që çdo ditë e përkëdhel jetën dhe e bënë të dukshëm aspektin e bukur të saj, është ai prej të cilit rrezaton nga sytë e tij respekti dashamirës për çdo kreatyrë.

Ju jeni kripa, ju e keni detyrë ta ruani atë gjë që në botë ia vlen dhe e meriton të jetë e qëndrueshme, të kundërshtoni prishësit, të jepni shije, të bëni të shijohet e mira e jetës.

Ju jeni drita e botës. Pohimi që na bënë të mrekullohemi: se Zoti është dritë, këtë e besojmë, por  të besojmë se edhe njeriu është dritë, që unë dhe ti jemi po ashtu, me të gjitha kufizimet dhe hijet e tona, kjo është një gjë që vërtetë na çuditë. Jemi që tani, nëse marrim frymë ungjillin. Drita është dhuratë natyrore të cilën e ka hukatë Zoti.

Kur ti ndjek si rregull të vetmen jetën e dashurisë, atëherë ti je dritë dhe kripë për atë që e takon. Kur dy njerëz duhen në këtë tokë, bëhen dritë në errësirë, dritëz për këmbët e shumë të tjerëve, bëhen gëzim i jetës dhe i besimit. Në çdo shtëpi ku duhen mes veti, aty shpërndahet kripa që i jep shije të mirë jetës.

Kush jeton sipas ungjillit është një bollëk drite e hedhur në fytyrën e botës (Luigji Verdi). E duke mos e bërë mësuesin apo gjykatësin, por me vepra le të shndris drita e veprave tuaja të mira.
Janë vepra të dritës gjestet e të varfërve, të atyre që e kanë një zemër të fëmijës, të etshëm për drejtësi, ata që nuk pushojnë së kërkuari paqen, gjestet e lumnive, ata që kundërshtojnë atë që e prish ecjen e botës: dhunën dhe paranë.

Drita nuk e shndritë vetveten, kripa nuk shërben për vetveten. Kështu çdo i besimtarë duhet të përsërisë leksionin e parë të gjërave: duke filluar nga unë, por jo për mua. Një religjion që shërben vetëm për ta shpëtuar shpirtin e vet, pa të tjerët, nuk është fe e Ungjillit.
Por nëse kripa e humb shijen, nëse drita vihet nën një tavolinë, për çka shërbejnë? Për asgjë. Kështu edhe ne, nëse e humbin ungjillin, venitet Fjala dhe e reduktojmë në sheqerkë, nëse do të kemi sy pa dritë e fjalë pa gjallërim kripe, atëherë rrëshqasim në rrezikun vdekjeprurës të pakuptimsisë, që mos të kemi kurrfarë kuptimi për askënd.
Përvujtëria e dritës dhe e kripës është të humbësh brenda gjërave. Ashtu si na sugjeron Isaia profet: “Atëherë do të zbardhë porsi agimi drita jote, shërimi yt do të vijë më shpejt.” (Is 58, 8). Mos ngel i kërrusur tek historitë tua e dështimet tua, por angazhohu për vendin tënd, për qytetin  tënd. Kush e shikon vetëm vetveten, kurrë nuk do të shndritë. (nga Ermes Ronchi)

 

LUTJET E BESIMTARËVE

Vëllezër dhe motra, Jezusi na ka premtua që nëse besojmë në Të, lumturia jonë do të jetë e madhe, do të jemi kripë dhe dritë për botën. Me këtë njet të shenjtë ta lusim së bashku e të themi:

Jezu, na bëjë kripë dhe dritë për botën!

  1. Për Papën Françeskun, ipeshkvin tonë Dodën, meshtarët e rregulltarët, dhe të gjithë besimtarët, që shembulli i jetës së tyre të shpërndajnë dritën e ungjillit e të bëhen shenjë e fesë për botën, të lutemi.
  2. Për Kishën tonë, që me fjalë dhe vepër të bëhet kripë e cila mbron nga prishja të mirën në shoqëri, e kështu të mund të bëhet mjet i ndryshimeve të shëndosha në vendin tonë, të lutemi.
  3. Për udhëheqësit e shteteve dhe shoqërisë civile, që të shndriten prej dritës e Krishtit për të  qenë në shërbim të të mirës së përbashkët të qytetarëve të tyre, të lutemi.
  4. Për ata që janë në gjendje varfërie dhe vuajtje, që të mund të gjejnë ndihmën dhe ngushëllimin prej bashkësive të krishtera, të lutemi.
  5. Për të gjithë të pranishmit në takimin e sotëm liturgjik, që hiri i Zotit të ndikojë në zemrat e tyre, për të qëndruar kripë e paprishur dhe dritë e pashuar, si dëshmia e pranisë së Zotit ndër ne, të lutemi.
  6. Për ata që na kanë paraprirë në jetën e pasosur, të fitojnë dritën e amshuar në Zotin, të lutemi.

O Hyj – ti je Drita jonë, ti je burimi i çdo drite dhe çdo shije të mirë për jetën, dëgjoj lutjet e besimtarëve të tu, që të mos pushojnë të jenë shije dhe dritë në botën e sotme. Këtë po ta kërkojmë nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

/rev. Drita/

Shpërndaje

Comments are closed.

« »