“Drita”, prezantojë gjashtë vepra të reja letrare

Feb 9 • Kisha në Kosovë

Nga Ardian Nikolla

 

Shtëpia botuese “Drita”, ka vazhduar traditën e saj më shumë se dy vjeçare në promovimin e librave të rinj. “Çeta e profetëve”, “Jeta, Dashuria, Dëshmia. Përshpirtëria e Nënës Tereze”,  “Josip V. Rela. Jeta dhe krijimtaria letrare”,  “Meditime për meshtarë”,  “Sakramentet. Kuptimi dhe domethënia e tyre” dhe “Të mëshirshëm porsi Ati”, ishin titujt e veprave të fundit të cilat u prezantuan nga kjo shtëpi botuese. Duke e vlerësuar “Dritën”, si një shtëpi e cila po e kryen një rol të veçantë në ndezjen dritës së  idealeve të shoqërisë sonë, Ipeshkvi i Ipeshkivsë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ka thënë se kjo shtëpi botuese, po kryen një rol të veçantë duke e mbajtur ndezë dritën e idealeve të reja të një populli me ideale të konsumuara, dhe se “Drita”, po mundohet që të nxis ideale të reja në mënyrë që të  bëhet e frytshme paqja, të përdorët në mënyrë të frytshme liria dhe të punohet për një të ardhme ku do të ketë përparim dhe prosperitet të gjithanshëm të kombit dhe vendit tonë.

Ndonëse për nga lashtësia libri “Çeta e Profetëve”, i ndarë në dy vëllime, shënon krijimtarinë me të vjetër letrare, këto vepra vazhdojnë të mbesin në piedestalin më të lartë të letërsisë sonë kombëtare. E shkruar nga kolosi Pjetër Bogdani, ato janë përmbledhur dhe ribotuar nga Presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova dhe profesori Engjëll Sedaj, dy autorët me meritorë për përgatitjen dhe botimin e “Çetës së Profetëve”. Duke e konsideruar Bogdanin si një autor të rëndësishëm të kohës së barokut, profesori universitar, Anton Berishaj, ka thënë se ipeshkvi Pjetër Bogdani, mbetet një hero kulturor i letërsisë kombëtare.

“Sa i përket Bogdanit unë do të flas shkurt, sepse, për Boganin kanë folur shumë dhe kanë shkruar shumë njerëz, në mes të tyre edhe Ibrahim Rugova, i cili e ka botuar një monografi, por edhe autorë të tjerë. Kemi të bëjmë me një autor tepër të rëndësishëm, kemi të bëjmë me një hero kulturor, i cili është personazh që i përket epokës së barokut, epokës së barokut religjioz, dhe në këtë epokë, siç e dimë nga historia e kulturës, një nga personazhet figurative-kulturore ishte figura e predikuesit. Ata që janë marrë me historinë e barokut, e dinë këtë, dhe pikërisht Bogdani, fillet e tij kulturore, letrare dhe baritore i fillon si predikues”, ka thënë Berishaj.

Përveç veprës “Çeta e Profetëve”, shtëpia botuese “Drita”, e ka publikuar edhe veprën “Jeta, Dashuria. Dëshmia. Përshpirtëria e Nënës Terezë”, e shkruar nga Don Lush Gjergj. Profesori Xhavit Beqiri, ka thënë se është pikërisht Don Lush Gjergji, i cili është më i thirruri nga të gjithë të dëshmojë për jetën, dashurinë, dëshminë dhe përshpirtërinë e Nënë Terezës.

“Dom Lush Gjergjit, si askujt tjetër, i takon merita e madhe e rinjohjes sonë me bijën e këtij nënqielli, me Nënën Tereze, sepse ai, me veprat dhe me rrëfimet e tij, na e risolli në mesin tonë këtë vigane të njerëzimit, duke na treguar sheshazi se si edhe nga ne, nga një popull i vogël, mund të lindin njerëz që ndryshojnë kohë e epoka. Por, jo vetëm kaq, Dom Lush Gjergji, me veprat e tij të shumta, të përkthyera në shumë gjuhë të botës, bëri që bota ta njohë dhe ta kuptojë më mirë e më afër figurën e rrallë të Nënës Tereze, e cila i braktisi të mirat e kësaj bote për t’iu kushtuar tërësisht shërbimit dhe kujdesit për të uriturit, për të sëmurët e lebrozët e Kalkutës së largët. Ajo jetoi çdo ditë me Krishtin, sepse, si askush tjetër përpara saj, i mori në përqafim, i lau, i ushqeu dhe u kujdes për ata prej të cilëve bota tashmë kishte hequr dorë, duke i lënë nën mëshirën e fatit të tyre të tmerrshëm. Dom Lushi e vizitoi nga afër, e pa dhe e njohu përditshmërinë e Nënës Tereze në mesin e më të mjerëve të Kalkutës, ndaj ai është më i thirruri nga të gjithë të dëshmojë për jetën, dashurinë, dëshminë dhe përshpirtërinë e saj”, ka thënë profesor Beqiri.

Në anën tjetër, letërsia shqiptare nuk ka pasur kultivim vetëm në atdhe, por ne dimë se ajo ka lulëzuar edhe në diasporën shqiptare, këtu e kam fjalën posaçërisht për diasporën e hershme, si ajo Arbëreshe në Itali dhe ajo në Zarë. Josip Rela, është njëri ndër shkrimtarët e njohur të arbëreshëve të Zarës, që hyn në mesin e autorëve më të arrirë të letërsisë sonë. Profesori i Prishtinës Isak Shema ka bërë një studim të kompletuar për Relën, për të cilin ka folur  Mons. Lush Gjergji, vikari gjeneral i Ipeshkvisë së Kosovës. Duke e vlerësuar veprën e Relës si dhuratë të çmuar për opinionin dhe lexuesit shqiptarë, Mons. Lush Gjergji, ka deklaruar se ai ishte krijuesi më i shquar i arbëreshëve të Kroacisë.

“Prof. Dr. Isak Shema është një ndër studiuesit e vëmendshëm dhe të kujdesshëm të letërsisë shqipe, që krijohet dhe botohet në botën shqiptare, i cili me kompetencë dhe përpikëri shkencore, letrare, “ndërmjetëson” komunikimin mes krijuesve dhe lexuesve, si kritik i njohur letrar ndër ne. Ai vazhdon ecjen gjurmëve të të madhit Dr. Ibrahim Rugovës, Presidentit historik të Kosovës, kultivuesit të spikatur të traditës dhe kulturës sonë të dikurshme dhe të sotme. Vepra që po promovojmë sot,  Isak Shema, Josip V. Rela, Jeta dhe krijimtaria letrare, Drita, 2016, f. 399, është një dhuratë e çmua për opinionin dhe lexuesit tanë shqiptarë kudo në botë, duke lehtësuar komunikimin dhe porosinë e tij për ne dhe pasardhësit tanë, sidomos në 120 vjetorin e lindjes së tij, si shkrimtari dhe krijuesi më i shquar i asaj kohe në “oazën” arbërore të Kroacisë”, ka thënë Don Lush Gjergji.

Monsinjor Gjergji, ka deklaruar se fushë-krijimtaria e Josip Relës është pothuaj gjithëpërfshirëse, në poezi, në prozë, sidomos në dramaturgji, si pjesë e vuajtjeve, pësimeve  dhe  përndjekjeve shekullore arbërore, që ishin për të frymëzim dhe brengosje e vazhdueshme. “Vatra” e vjetër, apo “gaca” e mbuluar me hi, që dukej se ishte fikur, po zgjohet, ngjallet dhe kallet, dhe pas shenjave të jetës, po intensifikohet dhe begatohet.

Të kuptosh jetën e shpirtit është një art, por edhe një kënaqësi që e fisnikëron vetë jetën. Shtëpia botuese “Drita”, është kujdesur që gjatë këtij viti të botoj 3 libra të karakterit shpirtëror: meditime për meshtarë, që është përkthim nga italishtja; sakramentet, kuptimi dhe domethënë domethënia e tyre, dhe Të mëshirshëm porsi Ati. Për këto tri botime ka folur zv/drejtor i Don Boskos dhe profesor në Shkollën Katekistike Dioqezane në Prishtinë, Don Tomë Mihaj. Duke folur për librin e Enzo Bianchit “Meditime mbi meshtarët”, Don Toma është shkrehur se autori ka për qëllim  të sodisë veçorinë e jetës së përditshme e cila është një kairos për meshtarinë.

“Në tetë meditimet që na ofron autori në këtë libër, jepen konjukturat themelore të të qenit meshtar. Natyra e tekstit është e thjeshtë, e qartë dhe shumë konkrete. Ky nuk është reflektimi i parë i autorit rreth kësaj teme, por veçoria e këtij libri është e perceptueshme që në rreshtat e parë. Ai ka për qëllim të sodisë veçorinë e jetës së përditshme e cila është një kairos për meshtarin. Jo si tërësi e një realiteti të përgjithshëm, por si një kështjellë që ndërtohet hap pas hapi, duke i dhënë rëndësi çdo detaji. Ku çdo gur duhet të pushojë në vendin e vet. Edhe pse në një pamje të parë ky doracak u drejtohet meshtarëve, ai jep një sërë pistash meditimi për çdo të krishterë”, ka thënë, Don Tomë Mihaj.

Tutje, Don Toma ka deklaruar se “Lutja personale dhe përpjekja për t’i përngjarë Krishtit që vetëdhurohet, bëhen rruga e vetme për një meshtari që ripërtërihet vazhdimisht. Libri trajton tema të rëndësishme të identitetit dhe të misionit meshtarak si: përshpirtërinë dhe lutjen e meshtarit, raportin me kohën dhe me Fjalën, raportin me liturgjinë dhe stilin e tij apostolik, relacionin me trupin meshtarak, shërbimin dhe jetën njerëzore. Po ashtu, autori, i kujton meshtarit se vetëm nëse i përngjan Jezusin dhe ushqen një jetë të shëndoshë shpirtërore dhe liturgjike, ai mund të jetë bari dhe ndërtues i mëshirës. Sipas Don Tomës, Autori fton lexuesin që të jetojë dëshminë e tij – Martyria – në konkretësinë e jetës e cila në dimensionon liturgjik – Leiturgia– gjen limfën e jetës dhe ndërton projektin e tij ekzistencial. Vetëdhurimi dhe shërbimi – apo Diakonia– bëhet dora e zgjatur e Hyjit që viziton e shëron bijtë e vet.

Don Toma ka folur edhe për librin e Don Anton Ukaj, i cili titullohej “Sakramentet. Kuptimi dhe domethënia e tyre”, gjatë prezantimit të këtij libri, Don Toma ka thënë se një meditim biblik, sistematik teologjik, ekleziologjik dhe baritor, kaq i kompletuar, i mungonte lexuesit të gjuhës shqipe: “Që të themi se një libër i tillë i mungonte teologjisë dhe përshpirtërisë së Kishës sonë është tepër pak. Një meditim biblik, sistematik teologjik, ekleziologjik dhe baritor, kaq i kompletuar, i mungonte lexuesit të gjuhës shqipe. Autori i librit – Sakramentet, kuptimi dhe domethënia e tyre – merr këtë detyrë mbi vete dhe me shumë mjeshtri e çon deri në fund.  Arsyeja që e shtyn autorin të shkruaj këtë libër është provokimi që i vjen nga realiteti empirik i besimtarëve. Dialogu i vazhdueshëm me realitetin – i cili shpeshherë ofron forma mendimi pseudoreligjioze – e shtyn autorin të mendojë seriozisht për të ofruar një libër sistematik ku të “ofrojë njohuritë dhe mësimet e përgjithshme mbi kuptimin biblik, domethënien teologjike, dobinë shpirtërore, mësimin kishtar dhe porosinë transhendentale të sakramenteve” (fq. 11)”, ka thënë Don Tomë Mihaj.

Ndërsa, duke folur për librin e Mons. Lush Gjergji “Të mëshirshëm porsi Ati”, Don Toma, ka bërë të ditur se autori e sodit dimensionin e mëshirës jo si një slogan për të udhëhequr debatet teologjiko-baritore, apo thjeshtë si në vepër e rëndësishme shoqërore, por si një dimension antropologjik themelor, e cila më së pari jetohet thellë në shpirtin e personit, si marrëdhënie e pandërprerë me Hyjin.

“Libri Të mëshirshëm porsi Ati, i Mons. Lush Gjergjit, vjen këtë vit, për lexuesin e gjuhës shqipe, si një perlë e frytit të Vitit të Mëshirës që sapo kemi kremtuar. Në këtë libër autori, si bujku i kujdesshëm, mbledh frytet që burojnë nga përvoja e jetës, që kundron dhe dëshmon mëshirën në përditësi. Autori e soditë dimensionin e mëshirës jo si një slogan për të udhëhequr debatet teologjiko-baritore, apo thjeshtë si në vepër e rëndësishme shoqërore, por si një dimension antropologjik themelor, e cila më së pari jetohet thellë në shpirtin e personit, si marrëdhënie e pandërprerë me Hyjin. Ai, me një metodologji klasike, sjell kështu një risi për lexuesin: qoftë në përmbajtje, qoftë në stil dhe qoftë në metodologji. Tri pjesët e librit janë si tri këmbët e një stoli, i cili nuk mund të jetë ai për të cilin është krijuar nëse mungon njëra. Tri dimensione të pandashme: Fjala e Hyjit, nga ku buron mëshira si themeli i jetës së besimtarit. Tradita e Kishës si asimilim dhe dëshmi mëshire dhe personi – besimtari– që jeton në një kohë dhe hapësirë vetjake si sakrament mëshire”, është shprehur në fund Don Tomë Mihaj.

Në fund të këtij takimi, të pranishmit i ka përshëndetur Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji, duke thënë se ne kemi një veprimtari të madhe të priftërinjve,  të cilët kurrë nuk kanë lejuar që populli i ynë të bie në errësirën e plotë dhe të shuhet drita e Kishës dhe e së ardhmes, e të vërtetës brenda popullit tonë

“Dëshiroj t’i them dy fjalë falënderimi për panelin dhe për paraqitjen e duhur të këtyre veprave, për drejtuesit e shtëpisë botuese “Drita”, dhe për të gjithë ju miq e dashamirë që keni ardhur sot, të bashkëndani me ne këtë moment, që është vërtetë moment miqësie dhe i ofrimit të shpirtit tonë për gjithë njerëzit që jetojnë në këtë tokë. Sepse, ne e dimë që Krishti është drita e botës. Kjo dritë, për fat të mirë është ndezur në popullin tonë nëpërmjet Kishës dhe ajo vazhdon të shkëlqej me gjithë fuqinë e vet të kësaj drite. Në rrethana të ndryshme, herë më shumë e herë më pak. Por, kjo dritë nuk është vetëm dritë që shkëlqen, por është gjithashtu dritë që ngrohë, dritë që shkelën e rrezaton dhe dritë që jep energji. Sepse, për ne, Zoti është dashuri. Zoti është i mëshirshëm. Zoti është i dhimbshëm. Zoti është babë që na do dhe ai e ka ndezur këtë dritë, nëpërmjet sakramenteve. Ne e kemi një veprimtari të madhe te priftërinjve që kanë qenë dritë në këto tri dimensione (dritë që ngroh, shkëlqen dhe jep energji) në të kaluarën dhe kurrë nuk kanë lejuar që populli i ynë të bije në errësirën e plotë dhe të shuhet drita e Kishës, e të ardhmes dhe e vërtetës brenda popullit tonë”, ka thënë Ipeshkvi Gjergji.

Imzot Dodë Gjergji, është shprehur se “Nëpërmjet këtyre librave, sidomos, nëpërmjet librit të Bogdanit, në kohën kur të gjithë kanë mendu që kjo Dritë do të shuhej, por, ja që një gacë është mbetur në hi, atje Bogdani, edhe pse nuk ka mund të shkëlqej dritën e vet në plotninë e saj, e ka pasë ngrohtësinë e zjarrit që të mund të ndezë mendjen e Rugovës, mendjen time, mendjen tënde, mendjen e gjithë njerëzve, sepse, kjo dritë nuk shuhet. Edhe atëherë kur na kanë dëbua në vende të ndryshme të botës, e kemi parë se ajo dritë është ndezur edhe në mërgim, dhe ajo dritë për asnjë moment nuk është shuar (shembulli i letrave tek diaspora shqiptare tek Arbëreshët). Ndërsa, shkëlqimi i gjithë kësaj drite është Nënë Tereza, e cila ka bërë që të rrezaton skaj me skaj botës kjo dritë që ngroh shpirtin, që i jep energji jetës dhe që e shkëlqen dhe e ndritë rrugën e njeriut drejtë së mirës, drejtë paqes, drejt pajtimit, drejtë shërbimit, drejtë vuajtjes, drejtë sakrificës, drejtë gëzimit dhe drejtë shpresës”.

Ipeshkvi Doda e ka vlerësua të rëndësishëm rolin e shtëpisë botuese “Drita”, e cila, sipas tij, e kryen një rol të veçantë që të vazhdojë të ndezë dritën e idealeve të reja të një populli me ideale të konsumuara. “Ne e kishim ideal shtetin, ne kishim ideal lirinë, ne kishim ideal paqen: të gjitha këto i arritëm. Por, nuk patë ndër ne fuqi që do të krijonte ideale të reja, që ato që i kemi mbërri  të dimë t’i përdorim. Dhe, këtë rol, Kisha, shtëpia botuese “Drita”, do të mundohen që të nxisin ideale të reja. Se si duhet të bëhet e frytshme paqja, se si duhet të përdorët në mënyrë të frytshme liria dhe se si duhet të punohet në një të ardhme për të gjithë ne që të kemi një përparim dhe prosperitet të gjithanshëm të kombit dhe vendit tonë”, ka thënë në fund Imzot Dodë Gjergji.

 

Fotografitë: Besim Ndau

[wonderplugin_gallery id=”41″]

Shpërndaje

Comments are closed.

« »