Nënë Tereza – dritë shprese e besimi për miliona njerëz

Feb 9 • Kulturë, Recension

 (Don Lush Gjergji, Jeta, Dashuria, Dëshmia dhe Përshpirtëria e Nënës Tereze, ShB “Drita”, Prishtinë, 2016, f. 250)

 

Nga Xhavit Beqiri

Përurimi i një libri të ri gjithmonë shenjon një akt kulturor. Libri është trajta më sublime jo vetëm e shpirtit të autorit, por edhe e mjedisit të cilit ai i përket. Nëpërmjet librit ne tregojmë më mirë sesa me çdo gjë tjetër kush kemi qenë, kush jemi dhe nga duam të shkojmë. Libri, pra, është monumenti kryesor i një vendi, ndërsa trajtimi që ai vend i bën Librit tregon shkallën e kulturës dhe të civilizimit të tij.Të gjithë ata që kanë zgjedhur të jetojnë me dhe për librin, e dinë se ditët e tilla si kjo e sotmja, kur po e përurojmë librin më të ri të Don Lush Gjergjit, Jeta, Dashuria, Dëshmia dhe Përshpirtëria e Nënës Tereze, janë të rralla dhe të veçanta.

Ne sot kemi kënaqësinë ta përurojmë një libër me vlerë të një autori tepër të veçantë të letrave shqipe, Don Lush Gjergji, një libër që i kushtohet jetës, dashurisë, dëshmisë dhe përshpirtnisë së bijës sonë, Agnes Gonxhe Bojaxhiut, tashmë të shenjtës Nënës Tereze. Nga aspekti i strukturës, libri ka tre kapituj: I. Jeta me Krishtin, II. Dashuria me Marinë, dhe III. Dëshmia me Kishën. Autori, njohës i afërt i së shenjtës Nënës Tereze, për krijimin e kësaj vepre i ka lexuar dhe i ka shtjelluar veprat kryesore kushtuar Nënës Tereze nga autorë të njohur ndërkombëtarë, si: Edward Le Joly, Piero Ghedo dhe Giacomo Gerardi, Josè Luis Gonzales, Juraj Gusič etj. Po ashtu, Don Lushi ka gjurmuar me zell në arkiva të ndryshme për ta pajisur librin me ilustrime sa më domethënëse, sa më të gjalla, siç janë Arkivi i VELAR-it dhe i Sh. B. “Drita”, po edhe ata të fotoreporterëve Arturo Mari dhe Franco Marzi. Me një fjalë, ai është përkujdesur deri në detaje që libri, përveç përmbajtjes, të jetë ekskluziv edhe në aspektin e përgatitjes teknike e estetike.

Duke e analizuar veprën më të re të Don Lush Gjergjit, Kardinali Vinko Puljić, argjipeshkëv i Sarajevës, vëren me të drejtë se Ky libër…, është një shqyrtim i kujdesshëm mbi disa tema themelore të fesë së krishterë: Jeta me Krishtin, dashuria me Marinë, dëshmia me Kishën. Ky libër është shkruar duke marrë vazhdimisht nga burimet biblike, mësimi i Kishës, dokumentet e Koncilit të Dytë të Vatikanit; nga dëshmia e çmueshme  e fesë dhe dashurisë së Nënës Tereze”. Pra, Autori Don Lush Gjergji është thelluar në veprën e Shpirtit Shenjt, “duke e shndërruar atë nëpërmjet mendimeve dhe ndjenjave të zemrës, në trajtën e fjalës njerëzore, në mënyrë që të arrijë drejtpërdrejt në zemrën e njerëzve”. (shih revista Drita, 30 gusht 2016).

Rëndësinë e këtij botimi e ka theksuar edhe Ipeshkvi ynë, Dodë Gjergji, i cili, ndër të tjera ka pohuar: “Lexuesi ynë ka pasur mundësi edhe më përpara të ketë në dorë libra të autorëve të ndryshëm mbi jetën, veprën, misionin dhe mendimet e Nënë Terezës. Mirëpo, Imzot Lush Gjergji na mundëson të kemi në dorë një libër të bukur dhe tërheqës, që trajton në thelb përshpirtninë e Nënës Terezë. Në këto faqe lexuesi do ta zbulojë përmasën shpirtërore të Gonxhes, sidomos dashurinë e saj ndaj Krishtit, me të cilën ajo arriti të prekë zemrën e dhimbshme të Zotit dhe dhimbjen e njeriut. Me gërshetimin e këtyre të dyjave, u bë gëzimi dhe ngushëllimi i njerëzve në nevojë dhe frymëzim e shpresë për një botë më të mirë për të gjithë njerëzit pa dallim”.

Njohja dhe thellimi në Shkrimin Shenjt ia ka mundësuar Don Lushit që mendimet, vlerësimet dhe mesazhet e tij të jenë të kuptueshme dhe të dashura për secilin, ashtu siç është vetë ai në jetën e përditshme. Në këtë pikë, autori jetësor sikur shkrihet në një me rrëfimtarin e tekstit, gjithnjë duke gjetur forcë, mbështetje e vullnet në jetën dhe shembullin e jashtëzakonshëm të Nënës Tereze, e cila, me jetën, me veprën, me dashurinë dhe sakrificën e pakufishme për më të varfëritë e më të përbuzurit, u bë dritë shprese e besimi për miliona njerëz anekënd botës.

Dom Lush Gjergjit, si askujt tjetër, i takon merita e madhe e rinjohjes sonë me bijën e këtij nënqielli, me Nënën Tereze, sepse ai, me veprat dhe me rrëfimet e tij, na e risolli në mesin tonë këtë vigane të njerëzimit, duke na treguar sheshazi se si edhe nga ne, nga një popull i vogël, mund të lindin njerëz që ndryshojnë kohë e epoka. Por, jo vetëm kaq, Dom Lush Gjergji, me veprat e tij të shumta, të përkthyera në shumë gjuhë të botës, bëri që bota ta njohë dhe ta kuptojë më mirë e më afër figurën e rrallë të Nënës Tereze, e cila i braktisi të mirat e kësaj bote për t’iu kushtuar tërësisht shërbimit dhe kujdesit për të uriturit, për të sëmurët e lebrozët e Kalkutës së largët. Ajo jetoi çdo ditë me Krishtin, sepse, si askush tjetër përpara saj, i mori në përqafim, i lau, i ushqeu dhe u kujdes për ata prej të cilëve bota tashmë kishte hequr dorë, duke i lënë nën mëshirën e fatit të tyre të tmerrshëm.

Dom Lushi e vizitoi nga afër, e pa dhe e njohu përditshmërinë e Nënës Tereze në mesin e më të mjerëve të Kalkutës, ndaj ai është më i thirruri nga të gjithë të dëshmojë për jetën, dashurinë, dëshminë dhe përshpirtërinë e saj. Ne që patëm fatin e zgjedhur të jetojmë në kohën e shenjtërimit të Nënës Tereze, duhet t’i jemi mirënjohës Hyjit edhe për dhuratat e tjera, ndër të cilat duhet të veçohet edhe emërimi Kardinal nga Papa Françesku i Dom Ernest Troshanit, si dhe lumturimi i poetit të shkëlqyeshëm, Imzot Vinçenc Prennushi dhe 37 martirëve të tjerë shqiptarë, të cilët u vranë dhe u masakruan nga komunistët e Milladin Popoviqit dhe të Enver Hoxhës, vetëm e vetëm pse nuk pranuan t’i bien mohit Zotit dhe Atdheut.

Këta martirë, nën moton e shenjtë Për Fe e Atme, u flijuan me thirrjen Rrnoftë Krishti Mbret, Rrnoftë Shqipnia, duke u bërë përmendore e pavdekshme e jetës për Hyjin dhe për Njeriun. Krejt në kundërshtim me frymën e dhunës e të urrejtjes të regjimeve totalitare, ky libër na e shpërfaq modelin apo shembullin e dashurisë, të përultësisë dhe të sakrificës për njeriun. Nëna Tereze, sipas dëshmisë së Dom Lush Gjergjit, jetonte e vepronte e nisur nga premisa se “Zoti na ka krijuar për gjëra të mëdha, për të dashur dhe për të dhuruar dashuri”. Si e tillë, ajo gjente frymëzim në Jezusin, duke thënë: “Jezusi mund të falë shumë, sepse ka shumë dashuri, mund ta falë një mëkat të madh. Siç është për Jezusin, ashtu duhet të jetë edhe për ne, nëse vërtet duam të falim, duhet vërtet të duam”. (fq. 49). Pra, në fillim e në fund, dashuria dhe gatishmëria për ta falur tjetrin, ashtu siç  na kërkoi vetë Jezusi, sepse “E tërë jeta njerëzore është një luftë dramatike mes të mirës dhe së keqes, dritës dhe errësirës”. (fq. 50)

            E, që të dalim fitimtarë në luftën ndaj errësirës, duhet të jemi edhe vetë si drita, në mënyrë që prej nesh të marrin dritën e syve dhe të zemrës edhe të tjerët. A nuk e thotë qartazi Ungjilli i Shenjtë (Mateu 28, 19-20): Prandaj, shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit të Shenjtë! Mësoni të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar! 

Ne shqiptarët, të ndarë e të shpërndarë anekënd botës, patëm forcë të jetojmë e të mbijetojmë, duke ruajtur gjuhë e traditë, duke ruajtur doke e zakone. Për më tepër, ne i dhamë gjithë njerëzimit një Shenjte si Nëna Tereze, vepra dhe të bëmat e së cilës nderohen nga e mbarë bota, pa dallim etnie, race e besimi.

            Jemi po ashtu fatlumë që jetojmë në kohën e një njeriu të përkushtuar tërësisht për Fe e Atme, si Don Lush Gjergji, të cilit i dëshirojmë edhe shume vite të tjera jete të shëndetshme, në paqe dhe suksese, ashtu si përherë deri më tani. 

(Tekst i lexuar në përurimin e librit Jeta, Dashuria, Dëshmia dhe Përshpirtëria e Nënës Tereze të Don Lush Gjergjit, më 9 shkurt 2017, në Rezidencën e Ipeshkvisë së Kosovës, Prishtinë)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »