Sakramentet. Kuptimi dhe domethënia e tyre

Feb 10 • Recension

Nga Don Tomë Mihaj

 

Që të themi se një libër i tillë i mungonte teologjisë dhe përshpirtërisë së Kishës sonë është tepër pak. Një meditim biblik, sistematik teologjik, ekleziologjik dhe baritor, kaq i kompletuar, i mungonte lexuesit të gjuhës shqipe. Autori i librit – Sakramentet, kuptimi dhe domethënia e tyre – merr këtë detyrë mbi vete dhe me shumë mjeshtri e çon deri në fund. 

Arsyeja që e shtyn autorin të shkruaj këtë libër është provokimi që i vjen nga realiteti empirik i besimtarëve. Dialogu i vazhdueshëm me realitetin – i cili shpeshherë ofron forma mendimi pseudoreligjioze – e shtyn autorin të mendojë seriozisht për të ofruar një libër sistematik ku të “ofrojë njohuritë dhe mësimet e përgjithshme mbi kuptimin biblik, domethënien teologjike, dobinë shpirtërore, mësimin kishtar dhe porosinë transhendentale të sakramenteve” (fq. 11).

Pyetja ekzistenciale e besimtarit gjen një përgjigje teologjike, doktrinore dhe baritore në këtë libër. Brenga e njeriut shuhet hap pas hapi ndër rreshtat e tij.

Në proceset dinamike të antropologjisë – nga lindja deri në çastin kur përmbyllet ky proces –, sakramentet nuk janë një shtojcë por – si thotë vetë autori –“shenjtërojnë jetën e njeriut, në të gjitha periudhat e tija kohore” (p. 31) dhe  janë në raport intim me ekzistencëne personit që e lidh në mënyrë të pandashme me realitet tanshendental.

Libri lëviz në dy binarë: nga njëra anë dimensioni bibliko-teologjik dhe nga ana tjetër ai ekleziologjiko-baritor në shërbim të njeriut.

Autori, me qartësi u jep përgjigje teologjike disa pyetjeve antropologjike të njeriut të sotëm. Stili analitik dhe përshkrues, me strukturë të qartë dhe fjali të rrjedhshme, i jep mundësi autorit që të ofrojë një reflektim të qartë, i cili nuk ka për qëllim të shterojë tematikën, por të paraqesë pista në të cilat lexuesi mund të lundrojë e të ngacmojë kureshtjen për thellime të mëtejshme. Gjuha klasike teologjike, por me nuanca risie në shtjellim, në ndërtimin dhe në leksik, e bën më të lehtë depërtimin në skutat më të thella të mendim.

Struktura e librit është e qartë dhe lehtë e kapshme. Libri është i strukturuar në dy pjesë:

Pjesa e parë ofron një hyrje e përgjithshme biblike, teologjike, historiko-kulturore, filozofike dhe kishtare të dimensionit të sakramentit. Aty dalin në pah arsyet, rëndësia dhe domethënia e Sakramentit në përgjithësi dhe rëndësia e simbolikës dhe gjesteve liturgjike, të cilat janë shprehje e dukshme e realitetit të padukshëm. Me një gjuhë të thjeshtë arsyeton realitetin e Sakramentit në aspektin teologjik dhe në dinamizmin e tij historik, duke u ndalur në evolucionin liturgjik përgjatë historisë.

Ndërsa pjesa e dytë, e ndarë në tre kapituj – 1. Sakramentet e hyrjes (Pagëzimi, Krezmimi dhe Eukaristia); 2. Sakramentet e Shërimit (Rrëfimi dhe Vajimi) dhe 3. Sakramentet e dashurisë ose të Dhurimit (Urdhri i Shenjtë dhe Kurora e Martesës) –ofron një paraqitje të detajuar për secilin Sakrament. Duke u nisur nga një analizë e hodhësishme teologjike, disiplinore dhe shpirtërore, autori mëshiron konkretësinë e secilit Sakrament. I gjithë mundi intelektual ka një fokus të qarë, të ofrojë rëndësinë e funksionit shpirtëror të Sakramentit për të jetuar një jetë të shartuar në Krishtin dhe të përforcuar në fenë.

Vija e kuqe që udhëheq librin, është ajo e shëlbimit. Nevoja e një relacioni të vazhdueshëm, të shëndoshë me Hyjin, ku hiri dhe vullneti i Tij shfaqen dhe jetohen në një realitet ekleziologjik. Njeriu është një qenie e kufizuar në shumë dimensione dhe jo i vetëmjaftueshëm dhe për këtë është nevojtar shenjtërimi të vazhdueshëm. Mesazhi i autorit është i qartë: njeriu nuk është kurrë vetëm dhe ai realizohet si qenie në relacion – me dhe në bashkësi – me Hyji. Për këtë përvoja me Hyjin është konkrete, reale dhe e prekshme: fytyra e vëllait që vetëdhurohet si Krishti, amësia e Kishës dhe dëshmia e bashkësisë janë sakramenti konkret i Shfaqjes së Hyjit Uni-Trinitar Dashuri.

Së fundmi, mund të themi se ky libër, jo vetëm që është një doracak i vyeshëm për katekistët dhe operatorët baritor, por ofron një ushqim shpirtëror për fenë, lutjen dhe jetën e çdo besimtari.

Për këtë me bindje mund të them se ai ofron elemente të shumta, jo vetëm për studim dhe veprim, por edhe për meditim. Lexim të këndshëm.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »