Të mëshirshëm porsi Ati

Feb 10 • Recension

Nga Don Tomë Mihaj

Libri Të mëshirshëm porsi Ati, i Mons. Lush Gjergjit, vjen këtë vit, për lexuesin e gjuhës shqipe, si një perlë e frytit të Vitit të Mëshirës që sapo kemi kremtuar. Në këtë libër autori, si bujku i kujdesshëm, mbledh frytet që burojnë nga përvoja e jetës, që kundron dhe dëshmon mëshirën në përditësi. Autori e sodit dimensionin e mëshirës jo si një slogan për të udhëhequr debatet teologjiko-baritore, apo thjeshtë si në vepër e rëndësishme shoqërore, por si një dimension antropologjik themelor, i cili më së pari jetohet thellë në shpirtin e personit, si marrëdhënie e pandërprerë me Hyjin. Ai, me një metodologji klasike, sjell kështu një risi për lexuesin: qoftë në përmbajtje, qoftë në stil dhe qoftë në metodologji.

Tri pjesët e librit janë si tri këmbët e një stoli, i cili nuk mund të jetë ai për të cilin është krijuar nëse mungon njëra. Tri dimensione të pandashme: Fjala e Hyjit, nga ku buron mëshira si themeli i jetës së besimtarit. Tradita e Kishës si asimilim dhe dëshmi mëshire dhe personi – besimtari– që jeton në një kohë dhe hapësirë vetjake si sakrament mëshire.

Në pjesën e parë, simbolika e 10 hapave që autori na ofron, na shpie ndërmend Dekalogun e Daljes, aty ku gërshetohet në mënyrë të pandashme vullneti i Hyjit dhe përgjigjja e njeriut.

Edhe pse pjesa më e gjatë i kushtohet meditimit biblik, në realitet ky libër vë në pah, jo një ekzegjezë bibliko-teologjike, por dimensionin antropologjik të mëshirës. Hyji është Hyj i gjallë dhe për njerëzit, Fjala e tij nuk është një mesazh i përgjithshëm, por interpelon individin, transformon ndërgjegjen dhe udhëheq procese transformuese. Situatat e jetës, para të cilave individi ndihet i pafuqishëm dhe shpeshherë duhet dorëzohet, të cilave nuk u gjen rrugëdalje, autori paraqet një udhë të tretë e cila transformon individin dhe bashkësinë.

Në pjesën e dytë autori, në mënyrë sistematike, analizon konceptin e mëshirës në Shkrimin Shenjt dhe në Etërit e Kishës. Në këtë pjesë vlen të theksohet raporti mes mëshirës dhe drejtësisë. Autori nënvizon se si e para duhet të tejkalojë të dytën, sepse mëshira buron nga Dashuria, si logjikë e re për një botëkuptim të ri.

Në pjesën e tretë autori vë në relacion mëshirën hyjnore me antropologjinë. Për autorin është e qartë se mëshira, një vlerë e patjetërsueshme, është pedagogu më i mirë i njeriut. Njeriu vazhdimisht modelohet duke iu referuar edhe shembujve konkret, për këtë autori paraqet tri ikona të mëshirimit të mëshirës: Marinë, Nënën e Mëshirës, Shën Faustinën, si promovuese e festës së Mëshirës hyjnore dhe Shën Terezën e Kalkutës, si model i mëshirës në vepër.

Aq sa teologjik dhe sistematik, ky libër është edhe shpirtëror e baritor. Nga njëra anë dalin në pah themelet ku duhet të rrënjoset pema e mëshirës, burimi nga i cili del (fjala e Hyjit); dhe nga ana tjetër tregohet një metodologji baritore, e cila është harmoni mes të qenit dhe të vepruarit. Autori shfaq njëfarë irritimi ndaj skizofrenisë shpirtërore dhe baritore. Ai zgjedh rrugën e harmonisë dhe të ekuilibrit. Vepra shpirtërore dhe baritore, sipas autorit, nuk mund të lundrojë në sipërfaqen e patrazuar të formalitetit, por duhet zbuluar thellësia e misterit i cili ushqen dhe shoqëron askezën e veprimit.

Ai propozon një antropologji vigjilente dhe të kujdesshme: “E keqja – nënvizon ai – fillon atëherë kur njeriu mendon se di gjithçka, do të ketë gjithçka, mendon se mund të arrijë çdo gjë”. Tundimi i lirisë dhe tundimi i risisë, shpeshherë të veshura me petkin e pafajësisë, shndërrohen në gracka ekzistenciale. Ndërsa ajo që propozon autori është një ndryshim perspektive, një kapërcim në një dimension të ri: ai i konfigurimit me Njeriun e ri.

Nuk mund të mos theksohet edhe një risi që sjell autori, me librin Të mëshirshëm porsi Ati, atë të Etërve të Kishës: Lectio divina. Aty ku Fjala bëhet lutje dhe jetë. Fryti i meditimit është lutja dhe fryt i lutjes është jeta konkrete. Nga Fjala buron lutja dhe nga zemra, që ka përtypur dhe kundruar Fjalën e Hyjit, buron një jetë e shëndoshë dhe e frytshme. Vetë jeta e besimtarit bëhet fytyra më e besueshme e mëshirës.

Mund të themi se lectio domosdoshmërish bëhet meditatio e meditimi bëhet contemplatio që jetohet në oratio e konkretizohet në actio.

Autori njeh mirë psikologjinë e lexuesve të tij dhe nuk heziton të japë udhëzime konkrete për një shqyrtim serioz dhe radikal në dritën e Fjalës së Hyjit.

Nuk mungojnë edhe pista praktike shpirtërore dhe psikologjike veprimi, si ai i mendimit pozitiv dhe konstruktiv. Autori propozon që t’i bëhet luftë brenda vetes tendencave negative dhe të vlerësojmë të mirën te vetvetja dhe te tjetri. “Vetëm vëllazërisht dhe bashkarisht mund të luftojmë këtë dukuri” – thotë autori, duke iu referuar dukurive negative njerëzore. Duhet një “vetëdije e përbashkët, bashkëpunimi dhe bashkëveprimi, synime dhe ide të përbashkëta

Edhe pse libri ka në mend një lexues mirë të përcaktuar, ai ofrohet si visar teologjik dhe shpirtëror që shndrit fytyrën e çdo njeriu. Sepse propozon një model përshpirtërie të hapur për formimin e çdo njeriu sipas vlerave më të shëndosha njerëzore.

Nuk më mbetet tjetër vetëm të ftoj lexuesin që pa ngurrim të lundrojë përgjatë faqeve të këtij libri e t’i uroj lexim të frytshëm.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »