Jezusi është përkryerja e ligjit dhe profetëve

Feb 11 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela VI gjatë viti A

Leximi i parë  (Sir 15, 15-20)

Lexim prej Librit të Siracidit

Nëse do t’i mbash urdhërimet edhe ato të ruajnë; nëse ke besim në Të, edhe ti do të jetosh.
Para t’i vuri ujin e zjarrin,  ku të duash, shtrije dorën tënde!
Përpara njeriut jeta e vdekja, e mira dhe e keqja: çka ai të parapëlqejë, ajo do t’i jepet.
Sepse e madhe është urtia e Hyjit, Ai është i madh në pushtet e pandërprerje sheh gjithçka.
Sytë e Hyjit priren mbi ata që e druajnë, Ai i njeh të gjitha veprat e njeriut.

Fjala e Zotit

 

Psalmi 119

Ref: Lum ai që ec në ligjin e Zotit

———————————————-

Lum njeriu me sjellje të pastër,
që ecën në Ligjin e Zotit!
Lum kush i mban dëshmitë e tija,
që e kërkon me gjithë zemër.

———————————————-

Ti i shpalle urdhërimet e tua
që të mbahen përpikërisht.
Oh, sikur të ishin të drejta udhët e mia
për t’i zbatuar rregulloret e tua!

———————————————-

Bëja këtë të mirë shërbëtorit tënd:
që të jetoj e ta mbaj fjalën tënde.
M’i hap sytë të shikoj
mrekullitë e ligjit tënd.

———————————————-

Urdhri yt më bëri më të dijshëm se armiqtë e mi,
sepse gjithmonë është me mua.
Shpriti im i ruan ligjet e tua
dhe i mbajta ato me gjithë shpirt.

 

Leximi i dytë (1 Kor 2, 6-10)

Lexime prej Letrës së parë së Shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, ne shpallim dijen në mes të të përsosurve, por jo dijen e këtij shekulli, as të princave të kësaj bote të gjykuar për dënim, por predikojmë dijen e Hyjit të fshehur në mister, atë që Hyji e kishte paracaktuar para shekujve për lumturinë tonë, atë që asnjë nga princat e kësaj bote nuk mundi ta njohë; sepse, po ta kishin njohur, nuk do ta kishin kryqëzuar Zotin e lavdisë. Por, siç thotë Shkrimi shenjtë:
‘Çka syri nuk pa e veshi nuk dëgjoi
dhe në zemër të njeriut nuk hyri,
atë ua bëri Hyji gati atyre që e duan.’
Hyji na e zbuloi këtë të vërtetë me anë të Shpirtit Shenjt: sepse Shpirti Shenjt depërton në gjithçka, edhe në vetë thellësinë e natyrës hyjnore.

Fjala e Zotit

 

Aleluja

Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut,

që të vegjëlve ua zbulove misteret e Mretërisë qiellore.

Aleluja

 

Ungjilli  (Mt 5, 17-37)

Lexim i ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Mos t’ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer Ligjin ose Profetët! Jo, s’erdha të shlyej, por të përkryej. Për të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka, asnjë germë dhe asnjë presje nuk do t’i hiqet Ligjit, por do të zbatohen të gjitha.
Prandaj, kushdo që do ta shlyejë njërin ndër këta urdhra, qoftë edhe më të voglin, dhe do t’i mësojë njerëzit të bëjnë ashtu, do të jetë më i vogli në Mbretërinë e qiellit; ndërsa ai që do t’i mbajë dhe do t’i mësojë, do të jetë i madh në Mbretërinë e qiellit.
Sepse, unë po ju them: nëse drejtësia juaj nuk do të jetë më e madhe se drejtësia e skribëve dhe e farisenjve, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit.
Keni dëgjuar se u qe thënë të vjetërve: ‘Mos vra!’ Kush vret do të jetë përgjegjës para gjyqit.
E unë po ju them: Kushdo zemërohet kundër vëllait të vet, do të jetë përgjegjës para gjyqit; e kush t’i thotë vëllait të vet: ‘Budalla’, do të jetë përgjegjës para Sinedrit; kush t’i thotë: ‘I marrë’, do të përgjigjet në zjarrin e ferrit.
Pra, nëse e sjell dhuratën tënde për ta kushtuar në lter e aty të bie në mend se yt vëlla ka diçka kundër teje, lëre dhuratën tënde aty para lterit, shko e pajtohu më parë me vëllain tënd e pastaj eja e kushtoje dhuratën tënde! Rregullohu shpejt me kundështarin tënd sa të jesh ende në udhëtim me të, që kundërshtari të mos të të dorëzojë te gjykatësi e ky te rojtari i gjyqit, që të mos të ndryejnë në burg. Për të vërtetë po të them: s’do të dalësh prej andej para se ta paguash edhe paranë më të fundit.
Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Mos e the kurorën!’ E unë po ju them: kushdo që me dëshirim e shikon një grua, në zemrën e vet e ka bërë fëlligështinë me të. Nëse syri yt i djathtë të çon në mëkat, nxirre e flake larg teje! Është më mirë për ty të humbasësh njërën nga gjymtyrët e tua, se i tërë trupi yt të hidhet në ferr. E nëse dora jote e djathtë të çon në mëkat, preje e hidhe larg teje! Është më mirë për ty të humbasësh një gjymtyrë se i tërë trupi yt të hidhet në ferr.
Qe thënë edhe: ‘Kush e ndan gruan e vet, le t’ia japë letrën e ndarjes.’  E unë po ju them: kushdo e ndan gruan e vet ‑ përveçse në rastin e fëlligështisë ‑ e bën atë të thyejë kurorën; e nëse ndokush martohet me gruan e ndarë, then kurorën. Keni dëgjuar gjithashtu se u qe thënë të vjetërve: ‘Mos e the betimin, por zbato çka i ke premtuar Zotit me betim!’ E unë po ju them: assesi mos u betoni; as me Qiell, sepse ai është froni i Hyjit,  as me Tokë, sepse ajo është shtroja e këmbëve të tij as me Jerusalem, sepse ai është qyteti i Mbretit të madh. Mos bëj be as në kokën tënde, sepse nuk je i zoti as një fije floku ta bësh të bardhë ose të zezë. Fjala juaj le të jetë: Po, po; jo, jo! Çkado që është më tepër se kaq, vjen prej Qoftëlargut.”

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Ungjilli i kësaj jave është vazhdimësi e Fjalimeve të Jezusit në Mal. Në këtë pjesë të Fjalimit në Mal, shohim se si Jezusi vendos përballë njëra-tjetrës kërkesat e tij ndaj dishepujve me kërkesat e Judaizmit, siç paraqiteshin nga mësuesit e ligjit dhe farizenjtë. Jezusi ju thotë: “Mos t’ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer ligjin ose profetët! Jo, s’erdha ta shlyej, por ta përkryejˮ. Me këto fjalë Krishti ju drejtua disave, të cilët e rrespektonin vërtet ligjin, jo vetëm në aspektin letrar, por edhe në atë shpirtëror, edhe pse kishin frikë se Jezusi ishte duke e shlyer këtë ligj. “Asnjë presje nuk do t’i hiqet ligjit ˮ, në gjuhën origjinale herbraike bëhet fjalë për “iotaˮ që në gjuhën shqipe nuk është saktësisht presje, por as nuk ka ndonjë përkthim tjetër më të përafërt, sepse iota është thjeshtë shkonja më e vogël në alfabetin hebraikë, kjo për të ju bërë të qart se Krishti nuk ka ardhur për të shlyer as shkronjën më të vogël të ligjit, por për të përkryer ligjin dhe profetët.  Përkundrazi Krishti ju thotë: “kushdo që do ta shlyejë njërin ndër këta urdhëra, qoftë edhe më të voglin, dhe do t’i mësojë njerëzit të bëjnë ashtu, do të jetë më i vogli në Mbretërinë e qiellit, ndërsa ai që do t’i mbajë dhe do t’i mësojë, do të jetë më i madh në Mbretërinë e qiellitˮ. Duhet theksuar se ligji dhe profetët ishin dy pjesë kryesore të Bibles Hebraike dmth Beslidhjes së Vjetër, dhe me njëfar mënyre Ungjilltari dëshiron për të na thënë se duhet ta besojmë dhe ta jetojmë në plotësi edhe ne ligjin dhe profetët, ashtu sikurse i besojë dhe i jetojë Krishti, i cili është plotësimi apo përkryerja e ligjit dhe profetëve. Ndërsa, Mbretërinë e qiellit do ta fitojnë ata të cilët do t’i mbajnë urdhërimet, sepse Mbretëria e qiellit, në të vërtetë, është tërësia e njerëzve që e lënë veten të udhëhiqen prej Hyjit, jetojnë si bijtë e Hyjit dhe si vëllezër.

Në fjalimin në Mal, Jezusi thotë: “Keni dëgjuar se u qe thënë të vjetërve: ‘Mos vrit’ Kush vret do të jetë përgjegjës para gjyqit. E unë po ju them: Kushdo që zemërohet kundër vëllait të vet, do të jetë përgjegjës para gjyqit. Kush i thotë i marrë do të përgjigjet në zjarrin e ferritˮ. Me këto fjalë Jezusi shkonë në rrënjën e sjelljes dashakeqëse. Thoshte Kardinali i Milanos Carlo M. Martini: “Vrasja fizike nuk është gjë tjetër veçse rezultati përfundimtar dhe i zhurmshëm i një procesi që fillon në mendime, ndjenja, dëshira të ngjizura dhe të kultivuara në brendësinë e njeriut, është shprehja e plotësuar, në zbatimin e një qëndrimi të vullnetit njerëzor vrasës qysh në momentin e synimit. Kur njeriu e lë veten të shkojë sipas rrjedhës së zemërimit, d.m.th. se e pranon këtë qëllim, e kultivon atë farë, fryti i pjekur i së cilës është vrasjaˮ. 

Jeta e çdo njeriu është e shenjtë, na është bërë dhuratë nga Zoti, dhe si qëllim themelor e ka kthimin tek Zoti, sepse kryevepra e Hyjit është njeriu i gjallë. Vetëm Zoti është Hyji i fillimit të jetës dhe i përfundimit të saj, askush tjetër në asnjë situatë nuk mund të marrë këtë të drejtë që të i’a marrë jetën tjetrit, sepse është e drejt e rezervuar vetëm për Hyjin. E shohim se si për Krishtin jeta e njeriut është shumë e vlefshme dhe përveçse nuk duhet të tentojmë të marrim jetën e vëllait, ne nuk duhet as të zemërohemi as t’i themi budall, e as i marrë. Në të njejtën kohë na fton të falim, dhe të ndreqemi me vëllain dhe me kundështarët në momentet më të volitshme dhe në situata të ndryshme që jeta na i paraqet.  Falja është Hyjnore. Prandaj, edhe ne mund t’i përngjajmë Hyjit nëse ne falim të tjerët dhe jemi njerëz me zemër të madhe që falim. Kur dikush na shkakton plagë në zemër, nuk mund ta duam. Në mes atij personi dhe vetes e vendosim një mur, i cili deri dikund, na ndanë edhe nga njerëzit tjerë. Kur dikujt i shkaktojmë plagë ose i bëjmë diçka, për të cilin na vjen turp, mbyllemi në fajin tonë, të paaftë për të thënë: ‘Më vjen keq’ dhe ndihemi të pa realizuar për shkak të neverisë që kemi ndaj vetës, prandaj, edhe nuk mund të hapemi ndaj të tjerëve. Falja na aftëson për dashuri.  E aftëson atë që falë dhe atë që e pranon faljen. Falja shëron shpirtin.

Një herë shkonë një grua tek një meshtar dhe kërkon nga meshtari që të lutën së bashku dhe i thotë: dëshiroj të themi lutjen e shërimit. Pastaj, bënë një bisedë, dhe meshtari kupton se ajo e urrente renë e vet, ndërsa nipin e donte shumë. Pas lutjes për shërim të brendshëm dhe pasi e falënderuan Zotin për nipin e mrekullueshëm, gruaja kuptoj se në të vërtet, ajo duhet ta falenderojë renë për nipin e mrekullueshëm dhe të bukur që kishte. Pas disa orëve lutje, kjo grua shkojë në shtëpi, me një qetësi të brendshme. Ka falur dhe është shëruar. Kjo histori na tregon se duhet të kemi kujdes dhe të shikojmë me syrin e dashurisë të gjitha situatat, me të gjithë njerëzit që i takojmë dhe me të cilët jetojmë. Papa Françesku në Letrën Apostolike Misericordia et misera na thotë kështu: “Falja është shenja më e dukshme e dashurisë së Atit, që Jezusi ka dashur ta zbulojë me krejt jetën e vet. Nuk ka një faqe të Ungjillit që mund t’i ikë këtij detyrimi të dashurisë, që shkon deri në falje. Edhe në çastin e fundit të ekzistencës së vet tokësore, ndërsa gozhdohet në kryq, Jezusi ka fjalë dashurie: «Fali, o Atë, se nuk dinë ç’bëjnë!»(Lk 23, 34)ˮ(MM, n. 2).

Në fjalimin në Mal, Jezusi prap vazhdonë dhe thotë: “Keni dëgjuar se u qe thënë: “Mos the kurorënˮ. Përpara se të flasim mbi këtë urdhër, më duket e arsyeshme të theksojmë rëndësinë e familjes. Ne e dijmë që familja është bërthama themelore e shoqërisë. Është Zoti që ka e dashur dhe e ka mbrojtur familjen për lumturinë tonë, sepse, pa familje të lidhur ngusht nuk do të kishte pas popullin e tij. Nuk do të kishte pasur një mjedis pozitiv dhe të kthjellët në të cilin do të lindte Jezusi dhe Mbretëria e Hyjit. Jezusi jeton në një familje, merr pjesë në gëzimet tona familjare. I do dhe i shikon me shumë ëmbëlsi fëmijët, frytin e dashurisë së babait dhe nënës. Përmallohet kur sheh një nënë që qanë para të birit të saj të vdekur, dhe ia kthen të gjallë. Ka dhembshuri për një babë të cilit i ka vdekur e bija, dhe e merr atë përdore duke i ridhënë jetën. Ai e çmon shumë dashurinë mes burrit dhe gruas, familjen. Krishti ka dhembshuri dhe nuk është i vrazhdë ndaj atyre që e kanë lënë vetën të përfshihen nga çrregullimet e ndryshme, dhe bëjnë kurorëthyerje. Shohim reagimet e Krishtit ndaj atyre që kanë thyer këtë urdhër. Ai nuk e dënon kurorëshkelësen, për vetëm e fton të mos mëkatojë më. Nuk i bërtet e as nuk i rri larg samaritanës, që flet me të tek pusi, por asaj i kujton vetëm se njeriu me të cilin bashkëjeton «nuk është burri i saj». Që në Besëlidhjen e Vjetër, përveç kurorëthyerjes, Hyji e ka dënuar përdorimin e çrregullt dhe të keq të seksualitetit, ka dënuar dëshirat dhe veprimet që e ulin nivelin e personit njerëzor në atë kafshëror.

Të jetuarit drejt fillon me të menduarit drejt. Prandaj, në mësimet e Krishtit shohim se sa shumë kemi nevojë t’i kontrollojmë mendimet dhe emocionet tona para se këto të shndërrohen në veprime. Ne nuk duhet të jetojmë me mëkatin, por duhet të bëjmë të pamundurën që të  çlirohemi plotësisht prej tij, madje sa më shpejt të mundemi.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

Hyji na ka lënë të lirë që të zgjedhim, por nuk na len kurrë vetëm. Ai gjithmonë ka dëshirë që të ec së bashku me ne dhe shpreson në hapjen dhe zemërgjersinë e zemrave tona duke e pritur ‘Po’-në tonë. Të lutemi së bashku duke thënë:

O Jezus, na drejto në rrugën tënde!

  1. O Zot, bëj që Kisha jote të lejojë të drejtohet nga Ungjilli i Krishtit, i cili na bënë të jetojmë në plotësinë e vërtetë Ligjin dhe Urdhërimet e tua, të lutemi.
  1. O Zot, bëj që çdo njeri të dëgjojë zërin e ndërgjegjes së vet me besnikëri, sinqeritet, ndershmëri dhe koherencë, të lutemi.
  1. O Zot, bëj që përgjegjësit e të mirave të përbashkëta të punojnë gjithmonë në respektimin e plotë të drejtave themelore të çdo qenie njerëzore, të lutemi.
  1. O Zot, frymëzojë prindërit dhe edukatorët që mësimi i tyre të jetë një ndihmë themelore për rritjen shpirtërore dhe edukative të fëmijëve, të lutemi.
  1. O Zot, në vendimet e përditshme përball kemi të mirën dhe të keqën, zemërgjerësinë dhe egoizmin, na ndihmo që të zgjedhim me urti të vërtetë, duke e përsëritur në mendjen dhe në zemrat tona: u bëftë vullneti yt gjithmonë, të lutemi.

O Atë, ti që na je zbuluar nëpërmjet ngjalljes së Birit tënd, që me dashuri e ka mposhtur edhe vdekjen, na ndihmo që të mos kemi frikë të zgjedhim dhe të ndjekim shembullin e Birit tënd. Nëper Krishtin Zotin tonë.

 

Përgatiti: Don Meriton Dedaj

Comments are closed.

« »