Festa e Zojës së Lurdit në Famullinë e Stubllës

Feb 12 • Kisha në Kosovë

Se Virgjëra Mari është shumë e dashur dhe e nderuar në Famullinë e Stubllës, u dëshmua edhe këtë vit në festën Zojës së Lurdit, e cila kremtohet me 11 shkurt. Edhe pse në këtë famulli pajtor është Shën Jozefi punëtor, Zoja e Bekuar është njëjtë e nderuar, madje mund të thuhet se Zoja e Lurdit është bashkëpajtore e kësaj famullie.

Kjo traditë vjen që në vitet e 70-ta, kur Dom Gjergj Gjergji, tashmë të ndjerë, e sjell truporen e Zojës së Lurdit nga Lurdi i Francës, vendi ku Zoja iu shfaq Shën Bernadetës. Përshpirtëria ndaj Nanës së Krishtit dhe Nënës sonë, që besimtarët e Stubllës e kanë ushqyer, ka bërë që të vendoset të festohet Zoja e Lurdit, që Papa Shën Gjon Pali II, para 25 vite më parë, e kishte shpallur ditë botërore të të sëmurëve.

Festës së Zojës Lurdit në këtë Famulli përherë i paraprinë një devocion i bukur përgatitor. Sivjet në përgatitja shpirtërore ka filluar me nëntëditëshin e udhëhequr nga famullitari, pastaj më intensivisht me treditësh, të prirë nga Don Dominik Qerimi, Don Aleksander Kola dhe Don Kolë Thaqi. Gjatë këtyre ditëve u trajtua rëndësia e Zojës së Bekuar në jetën e Kishës dhe në jetën e çdo besimtari veç e veç, e cila si Nënë e jona na do e na përkëdhelë me dashurinë amnore për të ecur ndershëm, përshpirtshëm në rrugëtimin tonë kah jeta e amshuar.

Vigjilja e festës në Famulli është në njëfarë mënyrë kulminacioni i përshpirtërisë dhe përgatitjes për festën. E veçanta e kësaj nate është mesha e shenjtë me pjesëmarrje të madhe të besimtarëve të famullisë dhe të famullive përreth në rajonin e Karadakut. Gjithashtu, tradicionalisht, pas meshe bëhet procesioni me të Shenjtënueshmin Sakrament. Pas procesionit fillon adhurimi me të Shenjtnueshmin Sakrament gjatë gjithë natës deri në ora 8:00 të mëngjesit.

Një periudhë dyorëshe gjatë adhurimit iu kushtohet të rinjve, e sivjet nga ora 22:00-24:00 u mbajtë ligjërata për të rinj nga Don Marjan Lorenci, famullitari i Shenjtërores së Letnicës dhe një meditim-adhurim i përgatitur nga famullitari Don Jeton Thaqi, në bashkëpunim me motrat dhe me katekistët e famullisë.

Të shtunën, ditën e festës, në prani të një numri të madh besimtarësh, Meshës solemne të festës i priu ipeshkvi ynë Imzot Dodë Gjergji, bashkë me dymbëdhjetë meshtarë të dioqezit. Në predikimin e tij nxitës, ipeshkvi ynë na bëri thirrje që t’i përngjajmë Virgjërës Mari në jetën tonë.

Pas Meshës ishte procesioni me truporen e Zojës së Lurdit, ku me një devocion dhe me një përshpirtëri të madhe u nderua figura e shenjtë e Zojës së Bekuar.

Mesha solemne e ditës së festës u transmetua drejtpërdrejtë edhe në valët e Radio Marisë së Kosovës.

Virgjëra Mari, Zoja e Lurdit. Lutu për ne. Amen.

(Përgatiti: Anton Gjergji, Stubëll)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »