Çka nuk dëshiroj ta lëshoj – çka më robëron?

Feb 17 • Meditimi i ditës

17 shkurt 2017 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Zan 11,1-9; Ps 33,10-15; Mk 8,34 – 9,1)

 

Prania e Hyjit

Jezusi pret që të hyjë në zemrën time, në heshtje dhe pa rënë në sy.

Ai vjen me dashuri dhe pushtet të pamasë.

Më përshkoftë gëzimi që jam në afërsinë e tij.

 

Liria

Shumë vende në këtë moment janë duke e kaluar agoninë e luftës.

E përkuli kryet në shenjë mirënjohjeje për lirinë që kam

dhe lus për të gjithë të burgosurit dhe të robëruarit.

 

Ndërgjegjësimi

Në këtë moment, o Zot, po i drejtoj mendimet e mia kah Ti.

Do t`i lë mënjanë punët dhe preokupimet e mia.

Do të pushoj dhe rifreskohem në praninë tënde, o Zot.

 

Fjala

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet të dëgjoj në mënyrë që të dëgjoj çfarë dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

 

Mk 8, 34-9,1

 

34 Atëherë grishi popullin bashkë me nxënësit e vet dhe u tha:

“Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, le t’i bjerë mohit vetvetes, ta marrë kryqin e vet e të më ndjekë. 35 Sepse, ai që do ta shpëtojë jetën e vet, do ta bjerrë, përkundrazi, ai që do ta bjerrë jetën e vet për mua e për Ungjill, do ta shpëtojë. 36 E njëmend, çka i vlen njeriut të fitojë mbarë botën, nëse e humb jetën e vet. 37 Çka mund të japë njeriu si këmbim për jetën e vet? 38 Për të vërtetë, kujtdo t’i vijë turp për mua e për fjalët e mia para kësaj breznie të patenzonë e mëkatare, për atë do t’i vijë turp edhe Birit të njeriut kur të arrijë në lavdi të Atit të vet me engjëjt e shenjtë.”

1 Dhe u thoshte:

“Për të vërtetë po ju them: ka këtu ndër ju nga ata që nuk do të vdesin para se të shohin se arriti me fuqi Mbretëria e Hyjit.”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

 Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Pjesa më e madhe e jetës duket se na kalon duke mbledhur, grumbulluar, ruajtur dhe duke përgatitur. Jezusi flet për një tjetër mënyrë – për lënien e çdo gjëje. A ka ndonjë gjë që s`e lëshoj, për çka jam  i/e lidhur: të mira materiale, pasuri, ndonjë ide, mendim, raport, marrëdhënie ndër-njerëzore? I kërkoj Zotit ndihmë.
  • Pranimi i Kryqit s`është një provë (test) durimi, për të parë se sa ti po qëndron, por është ftesë për ta imituar, ndjekur Jezusin, për të ecur me të si një nxënës/e. Do të përpiqem t`i kushtoj më shumë vëmendje thirrjes së Jezusit për ta ndjekur atë sesa përpjekjeve të mia.  

 

Bashkëbisedimi

Sa lehtë shpërqendrohemi dhe largohemi nga Zoti. Kjo botë na bën aq shumë kërkesa, dhe ato kërkesa siç duket janë konstante.

Të angazhuarit e vetvetes në drejtim të Zotit është një punë e rëndë, por nuk është e pamundur.

Angazhimi për te rruga e Zotit mund të bëhet çdo natë para se të shkosh të flesh dhe çdo mëngjes kur fillon dita.

Krejt çka duhet bërë është ta drejtojmë vëmendjen tonë kah veprimi i Zotit në jetët tona. Mendoje, shprehe, zbatoje këtë.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe që luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »