Duani armiqtë tuaj, mos urreni!

Feb 18 • LEXIMET E SË DIELËS

 E diela VII gjatë vitit (A)

 

Leximi i parë Lev 19, 1-2. 17-18

Lexim prej Librit të Levetikut

Zoti foli me Moisiun e tha:

 “Fol me mbarë bashkësinë izraelase e thuaju:

Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë, Zoti, Hyji juaj!

Mos e urre në zemrën tënde vëllanë tënd. E ke detyrë ta qortosh bashkëvendasin, të mos kesh pjesë në mëkatin e tij. Mos u hakmerr as mos ushqe hidhërim ndaj bijve të popullit tënd. Duaje të afërmin tënd porsi vetveten. Unë jam Zoti.

Fjala e Zotit

 

Psalmi 103

Ref:  Zoti është i mirë dhe i madhe në dashuri

—————————————————-

Bekoje, shpirti im Zotin,

dhe krejt qenia ime Emrin e tij të shenjtë.

Bekoje, shpirti im Zotin,

e mos i harro bamirësitë e tija.

————————————————-

Ai i fal të gjitha fajësitë e tua,

Ai i shëron të gjitha sëmundjet e tua;

Ai ta shpëton jetën prej varrit,

ai të kurorëzon me mirësi e dashuri.

————————————————

Zoti është i mirë e i mëshirshëm,

i ngadalshëm në zemërim e shumë i dashur.

Nuk zemërohet gjithherë

as s’e mban hidhërimin për jetë të jetës.

————————————————

Sa është lindja larg perëndimit

aq larg i hedh prej nesh fajet tona.

Sikurse baba ka dhimbje për fëmijët e vet,

ashtu Zoti ka dhimbje për ata që e druajnë.

————————————————

 

Leximi i dytë 1 Kor 3, 16-23

Lexim prej Letrës së parë së Shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, po ju a nuk e dini se jeni Tempulli i Hyjit dhe se Shpirti i Hyjit banon në ju?

Nëse ndokush e rrënon Tempullin e Hyjit, Hyji do ta humbasë atë, sepse Tempulli i Hyjit është i shenjtë ‑ e ky Tempull jeni ju!

Askush mos ta gënjejë vetveten! Në qoftë se ndokush prej jush kujton se është i mençur sipas parimeve të shekullit, le të bëhet i marrë për të qenë i urtë. Sepse dija e kësaj bote është marri para Hyjit, sepse Shkrimi shenjtë thotë:

‘Ai i zë të dijshmit në dredhitë e tyre.’

dhe përsëri:

‘Zoti i njeh mendimet e të mençurve,

e di se janë të kota.’

Prandaj, askush prej jush mos ta vërë mburrjen e vet në njerëz, sepse gjithçka është juaja: Pali, Apoli, Kefa, bota, jeta, vdekja, e tashmja, e ardhmja! Gjithçka është juaja, ju jeni të Krishtit e Krishti është i Hyjit!

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Fjalët e tua, o Zot, janë shpirt dhe jetë,

Ti ke fjalët e jetës së pasosur.

Aleluja!

 

Ungjilli Mt 5, 38 – 48

Lexim prej Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Syrin për sy e dhëmbin për dhëmb’.  Unë po ju them: Mos u kacafytni me të keqin, por atij që të bie shuplakë faqes së djathtë, ktheja edhe të tjetrën. Atij që do të të qesë në gjyq për të të marrë këmishën, jepja edhe pallton.  E nëse ndokush të shtrëngon të ecësh me të një milje, ti bëji dy;  atij që të lyp, jepi, e atij që të kërkon hua, mos ia kthe shpinën.”

Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Duaje të afërmin tënd’ e urreje armikun tënd.  E unë po ju them: Duajini armiqtë tuaj, lutuni për ata që ju salvojnë,  për t’u bërë bijtë e Atit tuaj që është në qiell, sepse Ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqijtë e mbi të mirët e të bjerë shi për të drejtët e për të padrejtët.   Sepse, po qe se i doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi meritoni? Pse a nuk bëjnë kaq edhe tagrambledhësit?  E nëse i përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, çfarë bëni të veçantë? A nuk bëjnë të njëjtën gjë edhe paganët?

 Jini, pra të përkryer siç është i përkryer edhe Ati juaj që është në qiell!”

Fjala e Zotit

 

PORISIA

Në fillim të Ungjillit të sotëm: “mos u kacafytni me të keqin, por atij që të bie shuplakë faqes së djathtë, ktheja edhe tjetrën”, Jezusi është duke shpjeguar drejtësinë e mbretërisë dhe duke i ftuar nxënësit e vet që të kenë një tjetër këndvështrim të gjërave, një raport tjetër ndaj tjetrit, ku bujaria përbën standardin. Jezusi e shfuqizon ligjin e hakmarrjes dhe i fton njerëzit që të heqin dorë nga çdo gjest hakmarrjeje që shpie tek një zinxhir i pakëputur i të keqes dhe vdekjes.

Ai e kapërcen ketë ligj dhe i mëson nxënësit e vetë, që zemra e tyre të jetë e gatshme për ta mposhtur hakmarrjen, për të mos i bërë qëndresë dhunës së padrejtë. Kardinal Martini thotë: “Këtu mbetemi vërtetë të turbulluar. T’i braktisim të gjitha mbrojtjet përpara të afërmit. Si është e mundur? Janë fjalë të cilat të gjithë i ndiejmë vazhdimisht si një qortim, sepse e dimë se nuk jemi të aftë ta bëjmë ketë. Por, Jezusi dëshiron të na thotë: është e kotë që ti mundohesh ta ruash masën e drejtësisë në të gjitha marrëdhëniet, nëse në fund të fundit ke një ankth të tmerrshëm për t’u mbrojtur; gjithmonë i shikon të tjerët si sulmues të mundshëm. Qysh këtu, në mënyrë të errët, fillon të duket hija e Kryqit: është e pamundur të kuptohet kjo nëse jo në Zotin e kryqëzuar”.

Grishja  shpëtimprurëse dhe e artë e Jezusit: “Duani armiqtë tuaj, lutuni për ata që ju salvojnë, për tu bërë bijtë e Atit tuaj që është në qiell, sepse Ai bën të lind dielli mbi të këqinjë e të bjerë shi për të drejtit e për të padrejtit.”

Janë fjalët me angazhuese, për t’i përngja Jezusit, për të qenë nxënës të vërtetë, nxënës që do të aftësohen t’i duan armiqtë dhe të lutem për ata që i përndjekim, ashtu sikurse se do të bëjë ai në kryq.

Është ngushëlluese te mendojmë se shumë të krishterë, ashtu sikurse Jezusi kanë arritur në këtë kulm të dashurisë: që nga martiri i parë Shën Shtjefni. Ligji i dashurisë së krishterë është ligj që nuk mund ta reduktojmë në përmasa të ngushta e të vëmë kufijë. Jezusi na bën të kuptojmë se ai është më shumë se një ligj i ngurtë për të cilin mund të thuhet “deri këtu mjafton”. Jezusi e ka shndërruar ligjin në një angazhim dashurie, dhe dashuria nuk thotë kurrë mjaft.

Në përfundimin e Ungjillit, pohimi i Jezusit  “Jini, te përkryer sikur është i përkryer edhe Ati juaj ne qiell”. Me këtë Jezusi do me na tregue mënyrën dhe masën e dashurisë së ndjekësve të tij, mënyrën e qëndrimin dhe të veprimit të të krishterëve karshi të afërmeve. Ati e ka një mënyrë  mirësie dhe mëshire, kurse masa është me dashtë pa mase.

Edhe Katekizmi i Kishës Katolike na mëson: “që prej Fjalimit në Mal, Jezusi këmbëngul ne kthimin e zemrës: pajtimi me vëllain para se të paraqitet një fli në altar, dashuria për armiqtë dhe lutja për përndjekësit… Ky kthim është i orientuar tërësisht drejt Atit: është bijësor”.

Të lusim edhe ne sot, në këtë takim liturgjik, që Jezusi të na aftësojë të duam si Ai, të veprojmë sipas metodës së tij. Amen.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

Zoti na fton që t’i duam vëllezërit dhe motrat edhe kur nuk i bashkëndajmë me mendje dhe me zemër vendimet dhe zgjedhjet e tyre. Te lutemi se bashku duke thënë:

O Zot, na ndihmo ta duam të afërmin tonë!

  1. O Zot, po të lutemi për Kishën e shenjtë, që me hirin tënd të bëhet mjet shenjtërimi për botën, të qëndrojë besnike Lajmit të gëzueshëm, e kështu  t’i aftësojë të gjithë njerëzit për jetësimin e ligjit tënd të dashurisë,  të lutemi
  2. O Zot, na shndrit zemrat tona me Shpirtin tënd, që të mos kemi frikë nga butësia dhe dashuria jote, të lutemi:
  3. Mos lejo, o Zot, që kërkimi i drejtësisë dhe i dashurisë të shndërrohet në etje për hakmarrje ndaj tjetrit, të lutemi:
  4. O Zot, bëj që në mbarë botën të mbretërojë paqja dhe dashuria e ndërsjellë, që kudo të lulëzojë jeta e sigurt dhe e qetë, të lutemi:
  5. Të vdekurve jepu ngjalljen në jetën e pasosur, e bëjë që edhe ne një ditë të jemi pjesëtarë të lumturisë së tyre, të lutemi:

O Atë, Ti e ke dashur njeriun edhe pse shpeshherë ka refuzuar dashurinë tënde. Na ndihmo që të pranojmë ligjin tënd të dashurisë e të ta praktikojmë në marrëdhëniet tona me vëllezër dhe motra. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

 

Përgatiti: Don Daniell Markprekaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »