Kulmi i përvojës me Zotin – fuqi në kohë vetmie

Feb 18 • Meditimi i ditës

18 shkurt 2017 – E shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Heb 11,1-7; Ps 145,2-5.10-11; Mk 9,2-13)

 

Prania e Hyjit

Për ta përgatitur veten për këtë kohë të çmueshme, qetësohu dhe bëhu i/e vetëdijshëm/e për ajrin që po e merr, që është duke lëvizur nëpër ty.

Relaksohu, vetëm për një moment të shkurtë.

 

Liria

I kërkoj Hyjit të të gjitha mirësive
dhe Atit të të gjithë përdëllimeve,
ta dërgojë Shpirtin Shenjt.
Që të më lirojë t`i shoh të gjitha të mirat që më janë dhënë e që më rrethojnë.
Për të më çuar në liri Hyji dëshiron që unë të gëzohem.

 

Ndërgjegjësimi

Në këtë moment, o Zot, po i drejtoj mendimet e mia kah Ti.

Do t`i lë mënjanë punët dhe preokupimet e mia.

Do të pushoj dhe rifreskohem në praninë tënde, o Zot.

 

Fjala

 Lutu Shpirtit Shenjt që të të ndriçojë dhe ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Mk 9, 2-13

 

2 Pas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin e i çoi vetëm ata në vetmi, në një mal të lartë dhe u shndërrua para tyre. 3 Petkat e tij u bënë ndriçuese të bardha, sa që asnjë zbardhues mbi tokë nuk mund t’i zbardhojë ashtu. 4 Atyre iu dukën Elia me Moisiun e po bisedonin me Jezusin.

5 Pjetri atëherë mori fjalën e i tha Jezusit:

“Rabbi, për ne është mirë të qëndrojmë këtu. Po ndërtojmë këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë.”

6 Në të vërtetë s’dinte çka të thoshte tjetër, sepse ishin trembur keqas. 7Ndërkaq u duk një re dhe i mbuloi me hijen e vet e prej resë u dëgjua një zë: “Ky është Biri im ‑ djali i Dishirit! Atë dëgjojeni!” 8 Menjëherë shikuan rreth e rrotull e nuk panë askënd tjetër, përveç vetëm Jezusit me ta.

9 Ndërsa po zbritnin nga mali, Jezusi u urdhëroi që të mos i tregojnë askujt çka panë derisa Biri i njeriut të ngjallej prej së vdekuri. 10 Ata e mbajtën porosinë, por njëri‑tjetrin e pyesnin çka do të thotë ajo fjalë: “të ngjallet prej së vdekuri?” 11 Dhe e pyetën:

“Përse skribët thonë se më parë duhet të vijë Elia?”

12 “S’ka dyshim ‑ iu përgjigj ‑ më parë duhet të vijë Elia për të vënë përsëri çdo gjë në vendin e vet. Por, pse atëherë u shkrua për Birin e njeriut se i duhet të pësojë shumë e të përbuzet? 13 Veçse, unë po ju them: Elia erdhi e bënë me të si deshën, po ashtu siç shkruan për të në Shkrimin e shenjtë.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimi të Shenjtë:

 

  • Mali Tabor është vend i shenjtë, kulmi i eksperiencës. Pjetri dëshironte që kjo eksperiencë të zgjaste përgjithmonë. E pra, Jezusi e zbret në tokë.
  • Edhe në jetën tonë ekzistojnë momente dhe përjetime të bukura për të cilat do të dëshironim të zgjasnin përgjithmonë, por që realiteti i jetës na zbret në tokë … E lus Zotërinë që afërsia e tij dhe momentet e bukura të më japin fuqi atëherë kur ta përjetoj që rreth meje nuk është askush.

 

Bashkëbisedimi

 Nuk po më vijnë fjalët lehtë, o Zot.

Shiko në zemrën time dhe shihe dëshirën time të madhe për paqe.

Më ruaj, o Zot. E di se je gjithmonë pranë meje.

 

Përmbyllja

 Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »