Në 86 vjetorin e vrasjes së albanologut të madh kroat Milan Šufflay

Feb 18 • Histori

 

Nga Prof. dr. Jahja Drançolli

 

86-vjet më parë, përkatësisht, në kalimin e natës 18/19 shkurt të vitit 1931 është kryer në Zagreb vrasja mizore ndaj Milan Šufflay, njërit ndër albanologët më të shquar të botës. Vrasja  e tij, e cila u organizua nga regjimi i mbretit Aleksandri I Karagjorgjeviq,  kishte bërë jehonë të madhe në opinionin publik europian. Lidhur me këtë vrasje është i njohur edhe reagimi i kolosëve të shkencës dhe të letrave, Albert Einstein, Heinrich Mann, e ndonjë tjetër, të cilit kishin dërguar një letër Ligës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Paris, sipas të cilës kërkohet dënimi për vrasje, si dhe për ushtrimin e diktaturës nga strukturat mbretërore të Jugosllavisë.

Šufflay ishte një nga nxitësit kryesorë të idesë së ndarjes së qytetërimeve sipas “Linjës së Teodosit” nga viti 395. Ndërsa në botën shkencore u bë i njohur me veprat e tija kapitale nga lëmi i Albanologjisë: “Acta et diplomata Res Albaniae mediae aetatis illustrantia, I-II” (“Aktet e diplomat që ilustrojnë ngjarjet në Arbërinë Mesjetare”, në bashkëpunim më, L. Thalloczy dhe K. Jireçek. Vjenë: 1913-1918); ”Biologie des albanesischen Volksstammes“ (Biologjia e popullit të shqiptarëve, München, 1916); ”Die Kirchenzustände im vortürkischen Albanien. Die Orthodoxe Durchbruchszone im Katholischen Dämme“ (“Gjendja e kishave në Arbërinë paraturke. Zona ortodokse e depërtimit në digat katolike”, Zagreb-Budapest: 1915/16); “Die Grenzen Albaniens im Mittelalter” (“Kufijtë e Arbërisë në Mesjetë”, Munich-Leipzig: 1916); “Städte und Burgen Albaniens hauptsächlich während des Mittelalters” (“Qytete e fortifikata të Arbërisë, kryesisht gjatë mesjetës”, Vjenë-Leipzig: 19241924),  “Serbët dhe Shqiptarët” (Srbi i Arbanasi: Beograd-Lubjanë: 1925), “Statuta et ordinationes capituli ecclesiae cathedralis Drivastensis, (“Statutet dhe urdhëresat e kapitullit të Kishës Katedrale të Drishtit”, 1927); “Politische Schicksale des Themas Dyrrachion” (”Fatet politike të Themës së Durrësit”, Zagreb: 1915), si dhe romani historik “Alba Limi” kushtuar princit arbër, Kastandin Balsha (1920).

 

Codex Albanicus

Ajo që tërheqë më tepër vëmendjen për ndriçimin e Historisë së Popullit Shqiptar është sidomos vjelja e lëndës arkivore në Arkivin Shtetëror të Napolit dhe arkiva të tjera aragoneze, të cilat Šufflay i përgatiti për shtyp me titull, Dokumentet e Aragonit për Historinë Arbërore. Vlera e këtyre dokumenteve të mbledhura është e shumëfishtë nga fakti se, Arkivi i Napolit kishte pësuar nga zjarri gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe shumë dokumente të mbledhura nga Šufflay tani kanë humbur fare. Në cilësi të ko-autorit me paleografin e madh kroat, Viktor Novak ka botuar edhe një dokument të rëndësishëm të vitit 1468 të shkruar nga noteri i Tivarit dhe mban titullin, “Statutet dhe urdhëresat e kapitullit të Kishës Katedrale të Drishtit”. Është për të vënë re se, Statuti i qytetit të Drishtit është më i hershëm dhe daton nga kapërcyelli i shek. XIV.

Në vitin 1929 Akademia Austriake e Shkencave i propozoi Šufflay për t’i vazhduar kërkimet për hulumtimin e lëndës që i referohet Historisë mesjetare arbërore, lëndë kjo e cila do të botohet në përmbledhjen Codex Albanicus. Kjo nismë gjeti përkrahës edhe në qeverinë e Zogut, e cila e kishte ftuar këtë studiues në Shqipëri. Mirëpo, qeveria jugosllave bëri çdo gjë për ta penguar këtë udhëtim. Megjithatë, studiuesi zulmëmadh u nis për në Shqipëri në muajin janar të vitit 1931. Gjatë qëndrimit të tij të shkurtër në Shqipëri, Šufflay mblodhi njoftime të reja për disa fortifikata mesjetare, të cilat kishin mbetur të patrajtuara në studimin e tij kushtuar qyteteve dhe fortifikatave iliro-arbërore. Šufflay, gjithashtu mori përsipër të vazhdonte hulumtimet arkivore për vazhdimin e botimin të veprës monumentale, Acta Albaniae në gjashtë vëllime. Si projekt pune, Šufflay kishte paraparë botimin e Historisë së re të Shqipërisë, vepër kjo e cila do të konsiderohet jetike kushtuar popullit shqiptar.

 

Vrasja

Sa ishte i dobishëm qëndrimi i Šufflay në Shqipëri po aq ishte edhe i kobshëm. Me të kthyer në Jugosllavi ai mori një letër kërcënuese nga ekstremistët serb të tubuar në organizatën Për mbretin dhe Atdheun. Në mbrëmjen e 18 shkurtit 1931, derisa kalonte nëpër një rrugë të Zagrebit, disa policë i dolën në pritë dhe e qëlluan me shufër hekuri në kokë duke e lënë të shtrirë pa ndjenja e të larë në gjak. Ai vdiq në spital po atë natë. Autoritetet jugosllave ndaluan botimin e çfarëdo lajmi lidhur me këtë ngjarje të tmerrshme. Mirëpo, gazetat europiane, që të nesërmen e informuan opinion për krimin e policisë jugosllave të ndodhur midis Zagrebit. Vrasja e shkencëtarit me famë botërore shkaktoi indinjatën e thellë tek inteligjencës përparimtare, me ç’rast u organizuan edhe protesta të shumta në të cilat morën pjesë edhe Albert Einstein, Heinrich Mann, Roger N. Baldwin, e ndonjë tjetër.

 

Ballafaqimi me spekulime historike

Milan Šufflay me opusin e tij albanologjik të pasuruar me burime historike të dorës së parë,  ishte bërë pengesë e madhe në realizimin e projekteve të mëdha  antishqiptare, jo vetëm nga strukturat mbretërore jugosllave, por edhe më vonë nga shteti  komunist i Jugosllavisë, që synonin zbrazjen e territoreve shqiptare duke u mbështetur edhe në dëshmi teorike-shkencore-historike. Pra, veprimet e tyre është dashur t’i  arsyetonin jo vetëm në aspektin politik por edhe në atë shkencor. Së këtejmi, shqiptarët në Kosovë dhe Maqedoni sipas Beogradit, dhe të ndonjë qendre tjetër të Ballkanit, janë të pranishëm në treva të përmendura vetëm nga kapërcyelli i  shek. XVII, çështje kjo që ka rënë ndesh me arritjet shkencore të albanologut kroat, sipas të cilit, gjatë gjithë mesjetës ishin troje arbërore të gjitha krahinat ku jetojnë edhe sot shqiptarët. Më saktësisht, kufiri i shtrirjes në krahinat veriore, kalonte sipër Tivarit dhe duke përfshi të gjitha trevat rreth liqenit të Shkodrës dilte në lumin e Moraçës dhe në rrjedhën e lumit Cem, deri në burimet e tij në Vërmosh. Prej andej kalonte në lindje nga burimet e lumit Valbona në rrjedhën e lumit Erenik poshtë Gjakovës dhe zbriste në jug gjatë Drinit të Bardhë, Prizren dhe deri në Novobërdë, pra shumë më në veri nga Tivari dhe Prizreni.  Në këtë kontekst,  Šufflay konstatonte se, Malin e Zi dhe Arbërinë i lidhte substrati i vjetër i përbashkët ilir, pra  lidheshin me substrat të gjakut të përbashkët. Madje, edhe fiset moderne malazeze, fillimet e të cilave dalin nga shek, XIV, si, Palabardhët, Ozriniqët, Piperët, Golemadët, Malonsët, e ndonjë tjetër,  kanë stërgjyshër të përbashkët. Kështu, Vasojeviqët, Piperët, Ozriniqët, Krasniqët e Hotët dalin nga 5 vëllezër. Pra, sipas Šufflay, Zeta dhe Arbëria Veriore me të drejtë krijonin një të vetëm facies biologjik.

Gjatë shekujve të mesjetës është përzier këtu elementi sllav dhe arbër dhe më herët ishte formuar një njësi gjeo-politike me emrin Dioklea, e cila përmendet edhe me emrin Zeta dhe Mali i Zi, të cilat konsideroheshin edhe si pjesë të Arbërisë. Së këtejmi, Shën Sergji (Shirqi) mbi Bunë (më 1429), qyteti i Tivarit (më 1430) Lushtica e Kotorri (më 1430), Podgorica (më 1443) përfshiheshin në Arbëri. Një përshkrim gjeografik i vitit 1570 brenda  Arbërisë përfshinte rajonin prej Ulqini deri në Vlrorë dhe brigjet e Himarës. Më 1602 thuhet në burime se edhe treva Pashtroviqe gjendet në “de Albania”. Në kuadër të konceptit Arbëri nga mesi i shek. XV është përfshirë edhe Budua e Zeta. Gjatë sundimit osman, vilajeti i Shkodrës, i Shkupit e i Janinës, përbënin Arbërinë, përkatësisht Shqipërinë, në kohën e Ali Pashë Tepelenës, ndërkaq Janina konsiderohet si kryeqytet i Shqipërisë.

Se arbërit bashkëjetonin në të gjitha trevat e Malit të Zi të sotëm, dëshmohet edhe në radhonjtë e statuteve të Kotorrit, Buduas dhe të kontesë së Grebalit. Këtej, masat kompakte të arbërve në Kotorr, Raguzë (si dhe në prapatokën e tyre) e Hercegovinë, gjatë shek. XIII-XV, tregojnë se këtu kishte kudo edhe mbeturina iliro-arbërore autoktone të shkëputura nga bërthama e Arbërisë. Pasi  vë në dukje në mënyrë të dokumentuar praninë e arbërve deri në Raguzë e rrethe, si dhe shtrirjen natyrore të arbërve në viset e Zetës dhe të Malit të Zi, të dëshmuar nga emrat shqip të vëllazërive arbërore, Šufflay pohonte se, vendosja e sllavëve kishte rënë si sëpatë, që i kishte prerë në veri dhe në jug disa degë të trungut dhe i kishte ngushtuar brenda një qarku më të vogël. Ndërkaq, Malin e Zi e konsideronte si një fëmijë të paformuar të Arbërisë. Sa i përket trevës së sotme të Republikës së Kosovës, Šufflay, disa vite para vrasjes së tij, kishte botuar një ese në gazetën “Hrvat”  (3. IX. 1928), ku aludonte edhe në formacionin shtetëror shqiptarë jashtë Shqipërisë politike, përkatësisht në trevën e Kosovës: “Peja, u bë, si Gjakova dhe Gucija, njëfarë republike qytetare shqiptare”.

 

Reagime rreth emrit Arbër, Arbëri

Këto pikëpamje në studime të ndryshme, shoqëroheshin edhe shpesh me reagime dhe shpjegime shkencore të Šufflay ndaj atyre, të cilët duke ngatërruar emrin Arbëri, Albani, dëshironin me e njësua me emrin Albani të Kaukazit. Këtej, përgjithësimi i këtij emri Arb dhe Alb, sipas Šufflay ka rrjedhë nga fisi i moçëm ilir Alban, Arban, që përmendet prej Ptolomeut në shek. e II-të. Albanopolisi i Ptolomeut, ndërkaq ishte padyshim diku në trevat e Tiranës së sotme. Fisi Albanoi gjatë antikitetit të vonë dhe mesjetën e hershme zinte pothuaj pozitën qendrore të trevave të ngushtuara iliro-arbërore. Drejtimet e saja, nëpërmjet të Rrugës Egnatia shpinin edhe në brendi të Ballkanit.

Në fund duhet thënë se, fuqia e madhe shkencore dhe humanitare, në një anë, si dhe përndjekjet dhe presioni shtetëror i Jugosllavisë mbretërore, në anë tjetër, shpien që Šufflay të vërtetën historike shpesh ta shprehë në mënyrë të tërthortë nëpërmjet të aludimeve, siç ishte rasti i paraqitjes së pikëpamjeve të tija jo vetëm në eseun e botuar në gazetën “Hrvat”, të datës 3 shtator 1928, ku aludonte në formacionin shtetëror shqiptarë jashtë Shqipërisë politike, përkatësisht në trevën e Kosovës: “Peja, u bë, si Gjakova dhe Gucija, njëfarë republike qytetare shqiptare”, si dhe emërtimi i Ahmet Zogut për mbret të gjithë shqiptarëve, janë mesazhe të shkëlqyeshme të Šufflay se shqiptarët kanë jetuar gjatë gjithë historisë aty ku jetojnë edhe sot e gjithë ditën.

 

Fotografia në ballinë: New York Times njofton për vrasjen e Milan Šufflay. Sjell edhe reagimin e Albert Einstein kundër Jugosllavisë.

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »