Jezusi na thotë: mos u brengosni!

Feb 25 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela VIII gjatë vitit (A)

 

Leximi i parë Is 49, 14-15

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Tha Sioni: “Zoti më la,
më harroi Zoti!”
E harron ‑ thua ‑ gruaja foshnjën e vet,
që të mos ketë dhimbje për bamin e barkut të vet?
Po edhe nëse ndonjëra do të harronte,
unë ty kurrë nuk të harroj!

Fjala e Zotit

 

Psalmi 62

Ref: Në ty, o Zot, shpresoj: ti je strehimi im

—————————————————–
Vetëm në Hyjin pusho, shpirti im,
sepse prej tij vjen shpëtimi im.
Vetëm ai është qeta ime e shpëtimi im,
kështjella ime: më kurrë nuk do të trandem!
—————————————————–
Vetëm në Hyjin pusho, o shpirti im,
vetëm në të qëndron shpresa ime!
Në Hyjin është shëlbimi im e nderi im,
në Hyjin shpresa e fuqisë sime, strehimi im në Hyjin.
—————————————————–
Shpreso në të gjithmonë, o popull,
atij hapi zemrën,
Pushteti i përket Hyjit,
jotja, o Zot, është mëshira!
—————————————————–

 

Leximi i dytë 1 Kor 4, 1-5

Lexim prej Letrës së parë së Shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Prandaj, gjithkush le të na mbajë për shërbëtorë të Krishtit e për mbarështues të mistereve të Hyjit. Tashti, në fund të fundit, prej mbarështuesve kërkohet që secili të jetë besnik. Sa për mua, aspak nuk shqetësohem se më gjykoni ju apo çfardo gjyqi njerëzor. Por as vetë nuk e gjykoj vetveten. Vërtet, ndërgjegjja ime nuk më padit për asgjë, por nuk është kjo që më bën të drejtë, sepse gjykatësi im është Zoti. Prandaj, mos gjykoni para kohe, para se të vijë Zoti! Ai do të qesë në dritë çka është e fshehur në errësirë dhe do t’i zbulojë synimet e zemrave. Atëherë gjithkush do të marrë prej Hyjit lavdinë që i përket.

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Unë ju quajta miq, thotë Zoti, sepse ju zbulova gjithçka
Që dëgjova prej Atit tim.

Aleluja!

 

Ungjilli Mt 6, 24-34

Lexim prej Ungjillit të Shenjtë sipas Mateut

“Askush s’mund t’u shërbejë dy zotërinjve, sepse: ose do ta urrejë njërin e tjetrin do ta duajë, ose do t’i mbështetet njërit e tjetrit do t’ia kthejë shpinën. Nuk mund t’i shërbeni Hyjit dhe pasurisë.”

 “Prandaj po ju them: mos u brengosni për jetën tuaj se çka do të hani dhe çka do të pini, as për trupin tuaj se çka do të vishni: vallë a nuk është jeta më e vlefshme se ushqimi e trupi se petku? Shikoni shpendët e qiellit! As nuk mbjellin, as nuk korrin, as nuk mbledhin në drithnikë, e Ati juaj qiellor i ushqen! A nuk jeni ju më të vlefshëm se ata? E kush prej jush, me gjithë përpjekjet shqetësuese që mund të bëjë, është i zoti ta zgjasë sado pak jetën e vet? E për veshje, përse brengoseni aq? Shikoni si rriten lilat e fushës: nuk heqin keq as nuk tjerrin! E unë po ju them: as vetë Salomoni me tërë madhërinë e vet nuk është veshur si njëri nga ata! Tashti, nëse Hyji e vesh kështu barin e tokës, që sot është e nesër hidhet në furrë, vallë, a nuk do t’ju veshë më me ëndje ju, o fepakët? Mos u brengosni, prandaj, duke thënë: ‘Çka do të hamë?’ e ‘Çka do të pimë?’ ‘Me çka do të vishemi?’ ‑ këto gjëra i kërkojnë paganët ‑ sepse Ati juaj qiellor e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto. Kërkoni, pra, më së pari, Mbretërinë dhe drejtësinë e tij e të gjitha këto do t’ju jepen si shtesë! Prandaj: mos u brengosni për të nesërmen, sepse e nesërmja do të kujdeset vetë për vete. Secilës ditë i del mjaft mundimi i vet!”

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Leximet dhe porositë e kësaj të diele mund të përmblidhen në një fjalë, porosi, shtyllë jete dhe feje: Mos u brengosni! Mirëpo, fill lindin shumë pyetje, pse dhe si mos të brengosemi, kur jeta dhe puna është aq e pasigurt, ndryshimet politike, ekonomike, shoqërore, kulturore, fetare janë aq të shpeshta dhe të shumta? Si duket, sot asgjë më nuk është si më parë, si dikur, pohojnë dhe vajtojnë nostalgjikët e së kaluarës. Athua ka “ndërruar” gjithçka, njeriu, njerëzimi, ndoshta  edhe vetë Zoti?

Në leximin e parë të Isaisë profet (Is 49, 14-15) gjejmë elementin themelor dhe qenësor të sigurisë, qetësisë, kujdesit dhe provanisë së Zotit për njeriun dhe njerëzimin. Populli hebrenj ishte në një gjendje mjaft të vështirë, në robëri,  larg vendlindjes, në shkatërrim. Prandaj përjetonte harresën dhe braktisjen nga të gjithë, edhe nga Hyji, duke humbur shpresën dhe sigurinë, besimin për një ardhmëri më të mirë.

Ndjenja e tillë mund të na përcjellë edhe ne në jetën e përditshme si njerëz dhe si popull, bashkësi. Megjithatë, Isaia beson dhe propozon praninë dhe provaninë e Zotit kudo në botë, duke e krahasuar atë me kujdesin dhe dashurinë e nënës për fëmijë, si dëshmi sa dhe si Zoti na do dhe kujdeset për ne. Bile e tejkalon dashurinë natyrore të nënës për fëmijë, me përfundim të mrekullueshëm dhe jetëdhënës dhe shpresëdhënës “Po edhe nëse një grua do ta harronte, unë ty kurrë nuk do të harroj!” (Is 49, 15).

Shën Pali paraqitet para nesh, kush është ai si shërbëtor i Krishtit dhe mbarështues i mistereve hyjnore, duke na dhënë disa elemente për identitet dhe personalitet të krishterë. Ky mision dhe kjo jetë ishte së pari përcaktim dhe zgjidhje e Hyjit, por edhe fryt i bashkëpunimit dhe jetës së të tij me Krishtin. Cilësia e parë e kësaj  jete mes Zotit dhe për Zotin, me Kishën dhe për Kishën, për Shën Palit është besnikëria.

Këtu preket dhe shqyrtohet, trajtohet një argument mjaft delikat, gjithnjë aktual: si na vlerëson ne Zoti, të tjerët, ne vetveten? Shën Pali është i lirë nga këto “brenga” dhe shqetësime, sepse është i mirë, jeton me dashuri dhe për dashuri për Jezusin dhe Kishën e tij. Shi për këtë ai nuk merret me përgojime, thashetheme, fajësime dhe shfajësime, duke mos gjykuar vetveten dhe të tjerët, por duke dëshmuar bindshëm të vërtetën e fesë së krishterë: “Gjykatësi im është Zoti” (1 Kor 4, 4). Ne na pëlqen shpesh të jemi “gjykatës” të njëri-tjetrit dhe avokat për vetveten.

Porosinë e Isaisë dhe të Shën Palit, në Jezu Krishtin ka një kuptim dhe domethënie edhe më të thellë, jetësore, që mund ta shprehim kështu“Mos u brengosni”, që Ai e përsërit tri herë në ungjillin e sotshëm. Porosia e tillë është shumë e bukur, por na duket aty-këtu tejet e vështirë, gati edhe e pamundshme. Pse flet Jezusi kështu dhe ku e mbështet Ai këtë ftesë dhe kërkesë për ne? Sepse kemi një Atë të mirë në qiell,  Hyjin, që është i gjithëpushtetshëm, na njeh  personalisht, ka kujdes dhe dashuri për çdo njeri, si bijtë dhe bijat e tij. Kjo atësi e Tij për ne, sa zgjon, aftëson, konkretizon vëllazërinë ndërmjet nesh, sigurinë e jetës dhe të veprimit tani dhe këtu, deri te amshimi i lumtur në Qiell?

Prandaj porosia dhe plani i Jezu Krishtit për ne është ky: “Askush s’mund t’u shërbejë dy zotërive… Nuk mund t’i shërbeni Hyjit dhe pasurisë” (Mt 6, 24).

Ja, pra, shkaku kryesor i thyerjes së brendshme njerëzore, kujdesi i tepruar për pasuri, për sukses, për shëndet, për punë, për paraqitje sa më të mirë publike, për shumë gjëra të kota dhe të përkohshme, sipërfaqësore, që shkatërron harmoninë e brendshme dhe shkakton shumë halle, brenga dhe shqetësime trupore, psikike dhe shpirtërore.  Jemi në udhëkryq të jetës, duhet të zgjedhim jo vetëm një herë, por gjithnjë, mes Zotit dhe pasurisë, të mirës dhe të keqes, lirisë dhe robërisë, të vërtetës dhe rrenës,  dashurisë dhe urrejtjes, jetës dhe vdekjes, virtytit dhe vesit…

Brengosja e parë  dhe e vetme e çdo të krishteri duhet të jetë njohja, pranimi, zbatimi dhe dëshmimi i planit dhe vullnetit të Zotit për ne dhe për të tjerët, mbarë njerëzimin, që me fjalët e Jezusit është “Kërkoni, pra, më së pari, Mbretërinë dhe drejtësinë e tij e të gjitha këto do t’ju jepen si shtesë” (Mt 6, 33).

 Ky kërikim mbështetet në sigurinë e parë dhe të rëndësishme, vendimtare: Zoti është Ati ynë i mirë, i cili kujdeset për të gjitha krijesat, sidomos për njeriun. Mu për këtë Jezusi thotë: “A nuk jeni ju më të vlefshëm se ata?” (Mt 6, 27). Zoti i njeh, di, pranon dhe plotëson nevojat tona të përditshme, por mbi të gjitha nevojën, kërkesën, pranimin dhe zbatimin e Mbretërisë së Hyjit dhe  drejtësinë e tij, si qëllim krijimi dhe shëlbimi për njeriun dhe njerëzimin.

Shën Nëna Tereze është dëshmitare e guximshme dhe burimore e Provanisë së Hyjit dhe të bamirësisë së njeriu. Ajo ishte tërësisht e varfër, pa asgjë, dhe megjithatë më së shumti e ka ndihmuar mbarë njerëzimin me fuqinë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë, me flijim dhe shërbim ndaj të gjithëve, pa asnjë dallim dhe përjashtim. Ajo dëshmon kështu: “Ne duhet të besojmë në Provaninë e Zotit dhe në bamirësinë e njeriu. Rreziku më i madh është pasuria. Nëse Rregulli im do të pasurohet, do të shkatërrohet dhe do të vdes… Feja jonë nuk është asgjë tjetër përpos Ungjilli i Dashurisë”.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

Hyji është Ati ynë, besnik dhe i kujdesshëm ndaj nevojave tona. Ai na kërkon t’i përngjajmë e, gjithashtu, ta jetësojmë jetën tonë sipas drejtësisë së tij. Me këtë kërkesë të përshpirtshme të lutemi së bashku e të themi:

O Zot, na liro nga brengat tona!

  1. O Zot, bëj që Kisha jote, në krye me Papën dhe ipeshkvin tonë, të jenë strehë ngushëllimi dhe qetësie në momentet e shqetësimeve të jetës, të lutemi.
  1. O Zot, bëjë që mos ta harrojmë besnikërinë dhe kujdesin tënd, përkundër fajeve, dështimeve e brengave që na kaplojmë në jetën tonë të përditshme, të lutemi.
  1. O Zot, bëjë që dashuria e të afërmve tanë të jetë shtysë për kujdesin që duhet ta tregojmë ndaj atyre që kanë nevojë gjatë brengave në jetën e tyre, të lutemi.
  1. O Zot, bëjë që e ardhmja e pasigurt të mos jetë ngulfatëse e gëzimit të sotëm, por le të shërbejë si përgatitje me gëzim dhe shpresë, të lutemi.
  1. O Zot, bëjë që ata që na kanë pri në jetën e pasosur, t’i shpërbësh me gëzimin e pasosur, të lutemi.

O Atë, ti na pranon ashtu siç jemi. Na jep gëzimin e jetës së krishterë, e mos na le të dorëzohemi para vështirësive të jetës. Këtë po ta kërkojmë nëpër Birin tënd, Zotin tonë Jezu Krishtin.

Përgatiti: Don Lush Gjergji

Shpërndaje

Comments are closed.

« »