Grupi i Pastoralit Studentor, viziton Brezovicën dhe Prizrenin

Feb 27 • Bota e të rinjve

Nga Ardian Nikolla

 

Një grup i të rinjve nga Pastorali Studentor i Kosovës, pas një pune dhe angazhimi në aktivitete të ndryshme, gjatë ditës së shtunë kanë zhvilluar një aktivitet më ndryshe se herëve të tjera. Ky grup ka qëndruar në Qendrën e Skijimit në Brezovicë si dhe në qytetin e lashtë të Prizrenit, duke shënuar kështu edhe aktivitetin e parë rekreativ, pas mbajtjes së ligjëratave mujore dhe takimeve të shumta shpirtërore, të cilat kanë për qëllim ecjen e përbashkët baritore të studentëve katolik në Kosovë.

Vizita në Brezovicë dhe Prizren, ka qenë një ekspeditë e mrekullueshme për anëtarët e këtij grupi, ku kanë pasur rastin dhe mundësinë t’i kalojnë disa momente relaksuese së bashku. Po ashtu, ky udhëtim ka ndikuar që këta studentë të njihen edhe më shumë ndërmjet veti, në mënyrë që ta rrisin bashkëpunimin në projektet që do të realizohen në kuadër të Pastoralit Studentor të Kosovës.

Ndonëse ishte planifikuar të vizitohej vetëm Brezovica, dëshira e të gjithë anëtarëve të këtij grupi ishte të shkohet edhe në qytetin e bukur dhe të lashtë të Prizrenit, me konkretisht, në Katedralen e Zojës Ndihmëtare, për t’u njohur për së afërmi me punimet që janë duke u zhvilluar në këtë katedrale, e cila, është një dëshmi e gjallë e së kaluarës tonë kristiane. Famullitari i Prizrenit, njëherit edhe kancelari i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Shan Zefi, i ka njoftuar studentet me lashtësinë e Katedrales së Prizrenit, dhe për gjetjet arkeologjike që datojnë nga shekujt e V dhe VI pas Krishtit. Po ashtu – sipas Don Shanit – gjurmimet e bëra gjatë renovimit të kësaj Katedrale dëshmojnë për një histori të lashtë të katolicizmit në qytetin e Prizrenit. Përveç gjetjeve arkeologjike, në këtë tempull të lashtë të krishterimit shqiptar, janë gjetur edhe relikte të ndryshme të cilat datojnë që nga periudha Austro-Hungareze, e të cilat janë duke u ruajtur në muzeun e Katedrales Zoja Ndihmëtare në Prizren. Pas vizitës së katedrales, u njohëm edhe me  Shkollën Fillore Loyola, pjesë e kompleksit të Kishës së Prizrenit, e cila është hapur vitin e kaluar dhe bën pjesë në projektin e Kishës Katolike në edukimin dhe formimin e brezave të rinj.

Në fund të një përjetimi të bukur të shëtitjes njëditore, famullitari i Prishtinës, Don Fatmir Koliqi, njëherit edhe themeluesi i Pastoralit Studentor të Kosovës, i ka përshëndetur dhe falënderuar të gjithë anëtarët e këtij grupi për pjesëmarrjen e tyre, me ç’rast i ka inkurajuar të rinjtë që të angazhohen edhe më shumë në këto aktivitete, të cilat, sipas tij, do të jenë edhe më të shumta si në aspektin kulturor, shkencor, shpirtëror, rekreativ, etj.

Fotografitë: Besim Ndau&Arber Gashi

[wonderplugin_gallery id=”43″]

Shpërndaje

Comments are closed.

« »