Agjërimi, lutja dhe veprat e mira janë rrugë drejt Hyjit, jo drejt mjerimit

Mar 1 • Meditimi i ditës

1 mars 2017 – E Mërkura e Përhimjes, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Jl 2,12-18; Ps 51,3-6a.12-14.17; 2Kor 5,20 – 6,2; Mt 6,1-6.16-18) 

 

Prania e Hyjit

Jezus i dashur, po vij sot tek ti, kam nevojë për afërsinë tënde.

Dëshiroj të të dua sikurse ti më do mua.

Kurrë mos më ndaftë asgjë prej teje.

 

 Liria

S`ka situatë prej së cilës s`do të mund të dilja më i/e pasur me dashuri dhe jetë.

Mirëpo, dëshirat e mia janë shpesh herë të fiksuara, të robëruara në iluzione se të gjitha do të duhet të jenë të plotësuara.

E lus Hyjin që nëpërmjet lirisë time

t`i bëjë dëshirat e mia këngë melodie gjallëruese të një dashurie plot harmoni.

 

Ndërgjegjësimi

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e

për të gjitha bamirësitë që mi ke dhënë.

Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

 Fjala

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë, disa herë,

dhe do të ndalem në atë fjalë a ndodhi që më prek, që më flet pikërisht për mua.

 

Mt 6, 1-6.16-18

 

1 “Ruajuni të mos i bëni veprat tuaja të mira në sy të njerëzve për t’u parë prej tyre! Përndryshe nuk do të keni farë shpërblimi te Ati juaj që është në qiell.

2 Prandaj, kur të ndash lëmoshë, mos i bjer borisë para vetes, siç bëjnë shtiracakët në sinagoga dhe në rrugë të madhe për t’u nderuar prej njerëzve. Për të vërtetë po ju them: u ndanë me atë shpërblim! 3 Ndërsa ti, kur të bësh lëmoshë, të mos dijë e majta çfarë bën e djathta, që lëmosha jote të jetë e fshehtë, 4 e Ati yt që sheh në fshehtësi, do ta shpërblejë.”

16 “Edhe kur të agjëroni, mos u mërrolni porsi shtiracakët, të cilët marrin një hije të rëndë në fytyrë për t’u treguar njerëzve se agjërojnë: përnjëmend po ju them: u ndanë veç me atë shpërblim! 17 Ti, përkundrazi, kur të agjërosh, përeroje kokën tënde dhe laje fytyrën tënde, 18 që të mos e vënë re njerëzit se po agjëron, por Ati yt, që është në fshehtësi. Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë.”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Fillimi i Kreshmës është një lajm i mirë: se Hyji është afër dhe asgjë nuk mund të na ndajë prej tij. Jezusi edhe vetë do ta ndiejë këtë më vonë. Çdo gjë që e bëjmë nëKreshmë duhet të na çojë te Hyji dhe te besimi në lajmin e gëzueshëm.
  • Agjërimi, lutja dhe veprat e mira janë rrugë drejt Hyjit, jo drejt mjerimit. Për më tepër, çdo gjë që bëjmë në javët e ardhshme duhet t`i pasurojë jetët e të tjerëve.

 

Bashkëbisedimi

Sa lehtë shpërqendrohemi dhe largohemi nga Zoti. Kjo botë na bën aq shumë kërkesa, dhe ato kërkesa siç duket janë konstante.

Të angazhuarit e vetvetes në drejtim të Zotit është një punë e rëndë, por nuk është e pamundur.

Angazhimi për te rruga e Zotit mund të bëhet në shumë mënyra: me agjërim, lutje dhe vepra të mira.

Krejt çka duhet bërë është ta drejtojmë vëmendjen tonë kah veprimi i Zotit në jetët tona. O Zot, më ndihmo, të mendoj për këtë, të bashkëbisedoj me ty, ta zbatoj këtë në jetën time të përditshme.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »