Errësira – kryqi në jetën e Shën Nënës Tereze

Mar 1 • Këndvështrime, Opinion

Nga Mons. Lush Gjergji

 

Dhe pas  përvojave “mbinatyrore”, përjetimeve të thella mistike, Jezusi e ka “sprovuar” fenë dhe dashurinë e Shën Nënës Tereze në mënyra të ndryshme, sidomos nëpërmjet errësirës, kryqit, mungesës së ndjenjës për Jezusin, për dashuri ndaj Tij. Si të ishte “tërhequr” apo “fshehur” Jezusi, si bënë nëna më fëmijën e saj, për të parë kërkimin e tij, lodhjen, shpesh edhe vajin, dhe për t’iu paraqitur: Ja ku jam!

Çdo studiues i jetës dhe veprimtarisë së Shën Nënës Tereze, pa dyshim, është takuar doemos me vuajtjen, pësimin, dhembjen, sprovat, flijimin e pashoq, apo thënë në terminologjinë e krishterë, me kryqin në jetën e Gonxhe Bojaxhiut – të Shën Nënës Tereze. Ajo, si duket, ishte dhe është “prapavija” apo rrënja dhe “kapitali” i këtij Gjiganti të fesë dhe Dëshmitares së Dashurisë. Pa vuajtje dhe flijim ajo nuk do të ishte vetvetja, aq më pak Misionarja e Dashurisë, Guximtarja për t’u përballuar me të gjitha të ligat e botës moderne.

Ajo këtë të vërtetë e ka shprehur në mënyrë përmbledhëse dhe përmbajtjesore duke thënë: “Pa dashuri dhe flijim jeta s’ka kuptim”.

Vetë fakti se kishte lindur imtë dhe  e dobët,  aq sa prindërit e saj Kolë Bojaxhiu dhe Drane lind. Bernaj-Bojaxhiu ishin të shqetësuar për “mbijetesën”, rritjen, shëndetin e saj, gjë që më së miri dëshmohet me pagëzimin e përshpejtuar disa orë pas lindjes, më 27 gusht 1910, dëshmon bindshëm këtë gjë. Ishte koha e sundimit turko-otoman, me plot kufizime, ngarkesa, sfida.

Po ashtu edhe gjatë rritjes, fëmijërisë dhe rinisë së saj, ajo kishte vështirësi shëndetësore, sidomos me frymëmarrje. Mu për këtë ishte mjekuar edhe nëpër disa banja te asokohe, por pa ndonjë sukses të madh. [i]

Lazër Bojaxhiu, vëllai i vetëm i Nënës Tereze dëshmonte kështu: “Më kujtohet se Nëna Loke thoshte se s’do ta gëzojmë Gonxhen për dy arsyeja: sepse me shëndet një kohë ishte e dobët, ose do t’i kushtohej Zotit”[ii] .

 Dhe vazhdonte: “Për çdo vit Nëna Loke na çonte në Letnicë, te Zoja Cërnagore. Gonxhja dhe Agëja shkonin gati një muaj përpara, sepse Gonxhja ishte e dobët, e kishte kollin e keq. Atje për mrekulli u përmirësua shumë mirë. Pastaj shkonim në pushim në Vrnjačka Banja…” [iii].

Përpos kësaj vdekja e papritur dhe e hershme e Kolë Bojaxhiut (1873-1919), në rrethana të dyshimta, i shkaktoi vuajtje dhe dhembje kësaj familje, sidomos “sugares” Gonxhes, e cila ishte ende shumë e vogël dhe kishte nevojë të madhe për babën Kolë.

Dhe vuajtja vazhdonte në familjen e saj: largimi i Lazrit nga  Shkupi  për studime (1924), më vonë i Gonxhes, e cila e mori rrugën e virgjërisë dhe të rregulltarisë (1928). Vetmia e Dranes dhe Ages gjatë këtyre viteve ishte tejet e rëndë dhe shumë e përmallshme.

Lazri rrëfente: “Kur erdhi Nëna Loke në Shqipëri e pashë se ishte e lumtur për dy gjëra: sepse ne u bashkuam dhe sepse motra jonë Gonxhja, ishte murgeshë. Ajo atëherë na shkruante shpesh, na mbante me letra. Lokja gjithmonë lutej, thoshte uratë, në kishë, në shtëpi, në rrugë. Gjithmonë ishte me rruzare në dorë…” [iv].

Për karakterin e Gonxhe Bojaxhiut Lorenc Antoni  thoshte: “Gonxhja ishte vajzë tepër e fortë për kah karakteri, e qëndrueshme, e pathyeshme, edhe pse mjaft e dobët për kah shëndeti. Të gjithë disi na mbante në grup…” [v].

Mjafton t’i përkujtojmë rrethanat jetësore dhe politike që e kanë “shpartalluar” dhe shpërndarë këtë familje shqiptare, si dhe shumë familje tjera, një pjesë të madhe të popullit tonë. Edhe varrezat e familjes janë dëshmi tronditëse e asaj kohe: Kolë Bojaxhiu në Shkup, në një varrezë të përbashkët; Dranja dhe Agëja në Tiranë; Lazri në Palermo të Italisë, ndërsa Nëna Tereze në Kalkutë (Indi). Ky ishte dhe është fati ynë i mjerë!

Përvojën mistike e kanë pasur shumë shenjtër apo shenjtëresha gjatë historisë së krishterimit, duke u nisur prej Shën Palit e  deri në ditët tona. “Dhe që, të mos më rritet mendja për shkak të lartësisë së zbulesave, m’u dhe në trup një ferrë – engjëlli i djallit – për të më rrahur që të mos krenohem… Prandaj kënaqem në ligështi, në sharje, në vështirësi, në salvime e ngushtica që më bëhen për shkak të Krishtit! Sepse, kur jam i ligshtë – atëherë jam i fortë” (2 Kor 12, 7. 10).

Shën Nëna Tereze thoshte: “Dhembja e brendshme është aq e madhe sa që nuk përjetoj asgjë për tërë popullaritetin që kam… Bile, kryqi më i madh për mua është popullariteti”.

Ajo shpesh, mos të them vazhdimisht, meditonte mbi vuajtjen, mundimin, pësimin dhe vdekjen e Jezusit në kryq. Dy fjalë dhe porosi nga kryqi i bënin përshtypje të madhe, mbresa të thella, përjetime të paharrueshme: “Hyji im, Hyji im! Përse hoqe dorë prej meje”(Mt 27, 46).

 “Kam etje” (Gjn 19, 28). Mu për këtë ajo e mori si moto të çdo kapele klithjen e Jezu Krishtit : Kam etje!

Dhe vazhdonte: “Dua ta shuaj etjen Tënde me pikat e gjakut tim!”.

Shën Nëna Tereze këtë “kryq” e pranonte me shumë vullnet, mbi të gjitha me fe dhe dashuri të jashtëzakonshme, si shenjë e solidaritetit me vuajtje e Jezusit, por edhe të mbarë njerëzimit.

Mistikët disi janë “bashkudhëtarët e  ateistëve”, thonë figurativisht studiuesit e këtij fenomeni, ata që jetojnë gjithnjë në “ethe dhe në kërkim” të kuptimit të jetës dhe të veprimit,  sidomos ateistët që janë të drejtë, të mirë, të vërtetë, por nuk e kanë ende hirin e fesë, besimin e plotë në Zotin.

Mistikët kanë një dallim të madh dhe cilësor me ateistët, sepse “errësirën”, vuajtjen e përjetojnë me fe dhe me dashuri, edhe pa pasur kënaqësinë e përjetimit të pranisë dhe të dashurisë së Zotit.

 Ateistët, të pafetë, mund t’i kenë dy lloj përjetimi: dëbimin ndaj Zotit, fesë, Kishës,  ndjenjës fetare, apo ndjenjën si janë të dëbuar, të braktisur, të harruar prej Zotit, si e kishte edhe Jezusi në kryq, por edhe shumë shenjtër dhe mistikë, ndër të cilët ishte edhe  Shën Nëna Tereze.

Ajo iu shkruante kështu motrave të saja: “Bija  të mia të dashura, pa vuajtje puna jonë do të ishte vetëm një vepër sociale, shumë e mirë dhe e dobishme, por nuk do të ishte më vepra e Jezu Krishtit, pjesë e shpërblimit: Jezusi ka dashur të na ndihmojë duke e ndarë jetën me ne, vetminë, agoninë dhe vdekjen. Kjo na ndihmon që ne të përparojmë në jetën tonë shpirtërore, në përngjasimin tonë me Jezusin e kryqëzuar…”.

Shën Nëna jonë Tereze  është e madhe sepse diti të heshtte në vuajtje, të dashuronte deri në dhembje, gjithnjë e bashkuar me Jezusin dhe Marinë. Atë Longforti thotë: “Si Maria që ishte afër kryqit, me Shën Gjonin, edhe Nëna Tereze ishte gjithnjë afër Jezu Krishtit dhe afër atyre që vuanin”.

Përngjasimi i Shën Nënës Tereze me Zojën Mari ishte sidomos në përvujtëri, në besim dhe dorëzim të plotë ndaj vullnetit të Zotit, në zbatimin e planeve të tija dhe në kundrimin e veprave të madhërishme për mbarë shëlbimin e njerëzimit. Mu për këtë ajo arriti deri te ky përfundim i mrekullueshëm: “Arrita ta dua errësirën… Sot e ndiej një gëzim të thellë që Jezusi nuk mund të vuajë më  shumë se agoninë, por që dëshiron të vuajë nëpërmjet meje…”.

Qysh në lutjen apo kërkesën e parë për t’u pranuar në rregullin e Motrave të Loretos, më 28 korrik 1928, Gonxhe Bojaxhiu nga Shkupi shkruante kështu: “Kërkesa të veçanta nuk kam, por vetëm dëshiroj të jem në misione, dhe për çdo gjë tjetër lëshohem tërësisht në shërbim të Zotit” [vi].

Atë Franjo Jambreković-it i shkruante  më 24 maj 1937 ndër të tjera kështu: “Tash nga zemra gëzohem që hareshëm e kam bartur kryqin tim me Jezusin. – kishte shumë  vuajte – kishte qaste kur sytë e mi ishin plot me lot – por falënderoj Zotin për të gjitha…Nëna më shkruan rregullisht – vërtet ajo më jep fuqi që të vuaj hareshëm. Largimi im për të ishte fillimi i jetës mbinatyrore. Kur ajo të shkojë te Jezusi, Ai me siguri do ta pranojë me Gëzim të madh”[vii] .

Në mars të vitit 1942 e kishte bërë një njet apo kusht personal  Zotit, sipas traditës  tonë të krishterë: “Në vitin 1942 dëshiroja t’i dhuroja diçka Jezusit pa ndonjë rezervë. Me lejen e rrëfyestarit tim e kam bërë një njet – kusht Zotit, që më lidh me peshën e mëkatit të vdekshëm, që Ti dhuroja çdo gjë çka do të mund të më kërkonte: dhe “mos të dëboja asgjë”. Gjatë këtyre tetëmbëdhjetë viteve jam munduar të jam besnike këtij kushti apo njeti…”[viii].

Buzëqeshja është mbulesa që fsheh dhembjet e panumërta…” [ix].

Papritmas Zoti e ngushëlloi Nënën Tereze me një hir të veçantë gjatë meshës së dritës për shpirtin e Papës Piut XII. “Po në atë moment u zhduk errësira, dhembja e humbjes – vetmisë – kjo dhembje e jashtëzakonshme plot dhjetëvjeçare. Sot zemra ime është plot me dashuri dhe gëzim të patregueshëm – me lidhje të fortë të dashurisë. Ju lutëm, falënderoni Zotin me mua dhe për mua” i shkruante arqipeshkvit F. Perier-it [x].

Por kjo zgjat shumë pak dhe “errësira” rishtas ishte kthyer në jetën e saj. Ajo tashmë ishte “familjarizuar” aq me kryqe dhe dhembje, sa që shkruante kështu: “Më nuk më shqetëson asgjë. Të gjitha ja lë Atij, si dhe çdo gjë tjetër. Dua të bëhem shenjtëreshë sipas Zemrës së Krishtit, e butë dhe e përvuajtur. Për mua vetëm kjo tash ka rëndësi[xi].

Kjo “lojë” ishte tejet e gjatë dhe shumë e rëndë për Nënën Tereze, por ajo i mbeti gjithnjë besnike Jezusit, Kishës, kushteve rregulltare. Thoshte “Jam e gatshme të vuaj edhe për amshim, nëse është e mundshme, vetëm për të qenë gjithmonë e Krishtit… Etja e madhe për Zotin – aq e madhe sa që shkakton dhembje – vuajtje e vazhdueshme, dhe prapëseprapë  e padëshiruar – e dëbuar – e zbraztë – pa fe – pa dashuri – pa ngrohtësi… Dua t’i buzëqeshëm dhe edhe nga Ai ta fshehu dhembjen dhe errësirën e shpirtit tim…” [xii].

Në të njejtën letër Nëna Tereze e përmend edhe një vuajtje të veçantë, Nënën Drane, motrën Age, Lazrin, për të cilët vite të tëra nuk kishte kurrfarë lidhe dhe lajme. Ajo ndër të tjera shkruante kështu:

“E kam marrë një letër të gjatë nga nëna ime plakë. Së fundi kanë pasur lajme mbi mua dhe vetëm tani është informuar mbi Misionaret e Dashurisë. Në vitin 1948 kishte dëgjuar se do ta lëshoja kuvendin e Loretos, dhe pastaj  më asgjë, kështu që mendonte se kisha vdekur”[xiii] .

Shpirtërorit atë Jozef Neuer, ndër të tjera i shkruante: “Për herë të parë gjatë këtyre njëmbëdhjetë viteve e kam dashur errësirën – sepse tash besoj se ajo është pjesë tejet e vogël e errësirës dhe dhembjes së Jezusit… Sot vërtet kam përjetuar gëzimin e thellë që Jezusi më nuk mund të pësojë agoninë – por atë dëshiron ta përjetojë në mua. Më tepër se kurrë i dorëzohem Atij. – Po, – më tepër se kurrë do të jem në shërbim të Tij. –“ [xiv].

Nga kjo jetë e thellë shpirtërore Zoti e “përpunonte” fytyrën madhore të Shën Nënës Tereze, misticizmin e saj të madh, aftësinë për të vuajtur dhe dashur pa-skajshmërisht. “Po-ja me zemër dhe buzëqeshja ndaj të gjithëve. Jam tejet e lumtur që Zoti i mirë më ka dhuruar një hir të veçantë – jam dorëzuar plotësisht – jam në shërbim të Tij “[xv].

Nga ky shoqërim dhe bashkëpunim dhe jetë me Jezusin e kryqëzuar, me të varfër, të mjerë, të gërbulur, ajo e mësoi artin për ta zbuluar, dashur dhe shërbye Jezu Krishtin ne trajtat e ndryshme, së pari në Eukaristi, e pastaj edhe në çdo Njeri.

Ja dëshmia bindëse e Nënës Tereze: “Jo, atë, unë nuk jam e vetmuar. – E kam errësirën e Tij – e kam dhembjen e Tij – e kam dëshirën e flaktë për Zotin – dashuroj, por nuk jam e dashur.. E di se e kam Jezusin – në këtë lidhje të pandashme- sepse në vullnetin tim mendimet e mia janë të gozhduara ndaj Atij  dhe vetëm në Atë.” [xvi].

Mistikët e mëhershëm si Shën Terezja e Aviles (1515-1582), Shën Gjoni i Kryqit (1542-1591), Shën Gjonja Chantal (1572-1641), Shën Pali i Kryqit (1694-1775), Shën Vinku i Paolit (1581-1660), Shën Gjon – Maria Vianney (1796-1859), Shën Terezja e Lisieut (1833-1897), deri te Shën Pater Piu (1887-1968), si dhe tradita kishtare e shpjegonin “heshtjen e Zotit” ose “errësirën e brendshme”  në tri mënyra apo faza:

  • si një lloj rruge pastrimi apo purgative, e cila do të përgatiste fazën e dytë, atë të ndriçimit apo illuminative, për të arritur te faza e tretë, ajo e bashkimit të plotë dhe të përsosur apo unitive, një lloj “para-shijimi i parajsës në tokë”.

Edhe Nëna Tereze e mendonte ngjashëm, që ego-ja e saj ishte tejet e vështirë për ta mundur. Mirëpo si duket rruga e Zotit nuk ishte kjo, por përngjasimi i saj me vetë Jezu Krishtin e përbuzur, të dëbuar dhe të tradhtuar gati nga të gjithë.

Nga kjo përvojë lindi edhe kjo poezi-uratë:

 

DASHURO

Dashuro deri në dhembje,

Dhe nëse të dhemb

Shi për këtë do të jetë më mirë.

Përse të ankohesh?

Nëse e pranon vuajtjen

Dhe atë ia dhuron Zotit,

Ajo do të jep gëzim.

Vujatja është dhurata më e madhe e Hyjit.

Kush e pranon,

Kush dashuron me tërë zemrën,

Kush e dhuron vetveten

E di vlerën e saj.

 

Jezusi ishte i dëbuar prej njerëzve, sepse  ishte dhe thoshte se është Biri i Hyjit, si i tillë fliste, jetonte dhe vepronte. Ishte po ashtu i dëbuar edhe prej Hyjit, sepse tashmë ishte identifikuar me mëkatarët, ishte bërë “Mëkat”, si do të shprehej Shën Pali.

Dhe vazhdonte kështu: “Ne nuk jemi punëtore sociale. Ne jemi kontemplative aktive në zemrën e botës. Jemi me Jezusin 24 orë në ditë[xvii].

Nga ky dialog, takim, afrim, bashkim, bashkëpunim dhe bashkëjetesë mes Jezusit dhe Nënës Tereze kanë lindur edhe shumë lutje të bukura, të thjeshta, do të thoja shigjetore, të cilat dalin nga zemra e saj dhe i drejtohen Zemrës së Krishtit.

Jezu, në bashkim më të gjitha Meshtë që kremtohen në mbarë botën, po ta paraqes zemrën time. Bëje atë të butë dhe të përvuajtur si Zemrën tënde!”.

Dhe prapë: “O Jezu, në zemrën time, unë besoj në dashurinë Tënde besnike ndaj meje. Të dua!”. 

Atë Celestin Van Exem-i, rrëfyesi, këshilltari kryesor i Nënës Tereze në rregullin e Motrave të Loretos, si dhe gjatë themelimit të rregullit të Misionareve të Dashurisë, ndër të tjera më pati thënë kështu: “Kuptimi i jetës së Nënës Tereze ishte një Person: Jezusi”.

Një dashuri krejt të posaçme e pati Nëna Tereze për Jezusin në Eukaristi. Mjeku hinduist, cili përkujdesej për shëndetin e Nënës Tereze, një ditë i kishte thënë meshtarit kështu: “O atë, shkoni të shtëpia dhe ia sjell Nënës Tereze atë kuti”. Momentalisht e kam pyetur vetveten: “Çfarë kutie – kutinë për këpucë? Tha: “Atë kuti, atë tempull që e sjell në dhomën e saj dhe Nëna gjithnjë e shikon. Nëse do t’ia sjellë atë kuti dhe do ta vendosni në dhomën e saj, Nëna do të jetë e qetë tërësisht[xviii].

Një herë pas përfundimit të meshës, si në hoka, i pati thënë meshtarit që e kishte kremtuar meshën e shenjtë kështu: Jezusi kërkon pak shumë prej meje” [xix].

Ja vetëm disa thesare nga jeta dhe përvoja e Shën Nënës Tereze: “Vuajtja është e madhe, por edhe më e madhe është dashuria… Vuajtja vetvetiu nuk është asgjë, por si pjesëmarrje në vuajtjet e Krishtit, është një dhuratë e mrekullueshme… Njerëzit që vuajnë janë për ne Jezu Krishti në trajtën e njeriut nevojtar për ndihmë, për shërbime dhe për dashuri… Sot bota është Kalvarja e hapur dhe ne s’mund të shkojmë te Jezu Krishti pa përqafimin e kryqit të tij. Mundimi për ne është shenja se edhe ne iu kemi afruar dukshëm Jezusit në kryq.. Kjo është fshehtësia e suksesit të krishterë, sepse jeta e Jezu Krishtit nuk mbaron me të Premten e Madhe, por me ngjalljen e tij…”.

Rreth trazirave në Shqipëri Nëna Tereze ka shkruar kështu: “Me dhimbje të madhe në zemër po dëgjoj se jeta po humbët, ndërsa njerëzit po lëndohen në këto trazira… Nëse ne tani nuk kemi qetësi, kjo është për arsye se kemi harruar si ta shohim Zotin në njëri-tjetrin…”(28 prill 1997).

Para kalimit në amshim, më 27 gusht 1997, pra, në 87 vjetorin e lindjes, Nëna Tereze shkruan:

 

DUA TË KTHEHEM NË SHQIPËRI

Dua të kthehem në Shqipëri,

T’u shërbej

Më të varfërve ndër më të varfër

Të gjakut tim.

Dhe në nderim

Të kujtimit të prindërve dua të kthehem

Pranë tyre të mbyll sytë…

Ta dimë

Secili nga ne është krijuar për të bërë vepra të mëdha.

Vuajtja pa fe dhe dashuri do të ishte vetëm pësim, shkatërrim, asgjësim. Arkimedi pati thënë: Ma jepni një pikë të palëvizshme e unë do ta lëvizi tokën. Nëna Tereze e gjeti këtë pikë të palëvizshme në ZOTIN-DASHURI dhe në VËLLAUN-NJERI. Dhe mu për këtë ajo e lëvizi mbarë njerëzimin duke prekur mendjen dhe zemrën e njeriut, ndërgjegjen, për ta “zgjuar” dhe mjekuar botën e sotme nga indiferentizmi, egoizmi,  moskujdesi, padashuria. Ajo ishte dhe është  “shpresa e të pashpresëve”, profeti i një botës më të mirë.

 S’mund të besosh në Zotin e mos të jetosh – dashurosh dhe veprosh për njeriun.

Shën Nëna jonë Tereze në mënyrë thelbore dhe përmbajtësore na ka lënë këtë porosi: “Pa dashuri dhe flijim jeta s’ka kuptim” dhe :”Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën”.

  


                                                                                                                 

[i] Lexo: Dr. Lush GJERGJI, Nëna jonë Tereze, botimi i dytë, Ferizaj, 1990, fq. 11. 24.

[ii] Po aty, fq. 11.

[iii] Po aty, fq. 15.

[iv] Po aty, fq. 19.

[v] Po aty, fq. 21.

[vi] Madre Teresa, Sii la mia Luce, gli scritti più intimi della “Santa di Calcutta”, a cura di Brian Kolodjechuh, Rizzoli, 2007,  fq. 26.

[vii] Po aty, fq. 31-32.

[viii] Po aty, fq. 45-46.

[ix] Po aty, fq. 183.

[x] Po aty, fq. 184.

[xi] Po aty, fq. 193.

[xii] Po aty, fq. 177-178.

[xiii] Po aty, fq. 180.

[xiv] Po aty, fq. 221.

[xv] Po aty, fq. 224.

[xvi] Po aty, fq. 230.

[xvii] Po aty, fq. 291.

[xviii] Po aty, fq. 291..

[xix] Po aty, fq. 333.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »