Në 573-vjetorin e konvokimit të Lidhjës së Lezhës (2 mars 1444)

Mar 1 • Histori

Me krijimin e Lidhjes së Lezhës ishte bërë hapi i parë dhe shumë i rëndësishëm në rrugën e bashkimit dhe themelimit të shtetit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

 

Nga Jahja Drançolli

Historiografia jonë, e udhëhequr deri vonë nga politika ditore, nuk e ka trajtuar sa duhet çështjen e historisë së trojeve shqiptare, të cilat janë gjendur jashtë kufirit politik të Shqipërisë. Në këtë aspekt edhe Lidhja e Lezhës, për shkaqe të kontekstit që ndërlidhet me integrimin politiko-shtetëror e ushtarak të trojeve shqiptare nuk është trajtuar si çështje e veçantë historike.

Nga këndvështrimi historik, principatat arbërore të kërcënuara nga inkursionet osmane kishin rifilluar rrugën e procesit politik të formimit të një shteti të bashkuar arbëror, të cilin pushtimi osman e kishte ndërprerë gjysmëshekulli më parë. Pikënisja e rifillimit të këtij procesi ishin ngjarjet e vitit 1443, të shoqëruara me ngritjen e flamurit në Krujë (28 nëntor 1443), të cilat kulmuan në vitin 1444 me themelimin e formacionit të parë politiko-shtetëror të integruar në mbështetje të vendimeve të Lidhjës Arbërore të Lezhës. Ishte pikërisht vepër e meritë e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe e forcave të udhëhequra prej tij, që morën përsipër për të themeluar Lidhjen e princave në Lezhë, më 2 mars 1444.

Qyteti në fjalë, dikur ishte kryeqendra e princave të familjës Dukagjini, por në kohën e Kuvendit ajo ishte komunë autonome nën mbikëqyrjen e Republikës së Venedikut. Po në këtë qendër, gjatë antikitetit dhe mesjetës është zgjatur rruga e njohur që lidhte bregdetin me qendra të njohura të Dardanisë antik,e dhe mesjetare, si: Theranda, Viciano, Vindenis, Naisso, e ndonjë tjetër.

Lidhja e Lezhës u mbajt mbi bazën e traditave më të hershme arbërore, për të trajtuar probleme madhore në kuvende të përbashkëta. Në këtë kontekst edhe ky Kuvend i organizuar nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, shënonte një nivel drejt emancipimit etnik e kombëtar. Në Kuvendin në fjalë, sipas bashkohësit dhe historianit të Heroit, humanistit arbëror Marin Barleci, morën pjesë shumë kryezotërinj nga pjesë të ndryshme të Arbërisë, si, bie fjala, Pal dhe Nikollë Dukagjini, nga Dukagjini; Lekë Zaharia, kryezot i Zadrimës së Epërme, Pjetër Spamni (Shpeni) i Shalës së Shoshit; Lekë Dushmani, bashkë me Pjetrin e Zadrimës; Gjergj Stres Balsha i Misjes, ndërmjet Krujës dhe Lezhës; Andrea Topia i Skurës, ndërmjet Tiranës dhe Durrësit, bashkë me dy bijtë, Komninin e Muzakën dhe me nipin Tanushin; Gjergj Aranit Topia Komneni i Kaninës dhe i Shpatës; Teodor Korona Muzaka i Beratit, nga Arbëria Jugore. Shtjefën Çërnoja, bashkë me të bijtë Gjergjin dhe Janin nga Zhabjaku i Malit të Zi; kryezoti i Himarës, si dhe krerë të tjerë nga Arbëria e Veriut dhe e Jugut (“II primo giorno del mese di maggio dell’ anno 1444, ad Alessio, citta albanese nei domini di Venezia, il giovane condottiero, che della strategia  dei Turchi conosceva gli intimi segreti, raccolse la fiaccola della resistenza del suo popolo, covata per tanto tempo negli eroici petti degli Arayniti, Musachi, Ducagin, Thopia, Leca-Zaccaria, Span, Balsha, Dushman e Cernovich di Montenegro”).  Në anën tjetër, përfaqësuesi i Republikës së Raguzës (edhe pse kishte premtuar) nuk u pa në Kuvend. Gjithashtu,  edhe përfaqësuesi i Republikës së Venedikut nuk erdhi zyrtarisht, por erdhi në cilësi të një vëzhguesi. Madje, kjo Republikë, duke qenë në paqe me sulltanin, duke mos dashur t’i prishte marrëdhëniet me të, nuk iu dha asnjë premtim princave arbër.

G M. Biemmi, Istoria di Giorgio Castrioto detto Scander-Begh, Brescia, 1742, p. 29.

 

Pas diskutimeve të shumta, Lidhja e Lezhës mori një sërë vendimesh të rëndësishme, të cilat përcaktuan edhe natyrën juridike të këtij organi. Me gjithë diversitetet që vinin si shprehje e interesave të ngushta, pjesëmarrësit në Kuvend u shprehën për bashkimin e tyre në luftë kundër pushtimit osman, një çështje për çka na njofton edhe Barleci, i cili theksonte se, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu “vendosi para së gjithash se, duhet hyrë në një aleancë dhe në njëfarë Besëlidhje të përhershme me princërit dhe sundimtarët fqinjë […]”.

Në Kuvend u vendos të formohej bashkimi i forcave, duke krijuar një lidhje midis sundimtarëve arbërorë, të cilët pranuan të heqin dorë nga partikularizmi i mbjellur me kohë dhe të formonin, sipas traditave të lashta iliro-arbërore, një lloj federate për të luftuar së bashku kundër sunduesit të huaj deri në çlirimin e plotë të vendit, me një kryetarë të vetëm, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Në të vërtetë, ky ishte vetëm “Primus inter pares” (I pari mes të barabartëve). Ndërkaq, sipas Martin Segonit Novobërdasit, biograf i parë i Gjergj Kastriotit- Skënderbeut (1481) “[…] qe i njohur prej tyre për princ të ligjshëm i quajtur mbret”.

Një tjetër vendim shumë i rëndësishëm që u mor në Kuvend, ishte formimi i një ushtrie të përbashkët, përkatësisht të një ushtrie federale, që do të ishte në gatishmëri për të marrë pjesë në luftë, e në rast nevoje do të ndihmonte sundimtarët arbërorë për mbrojtjen e zotërimeve të tyre. Kapiten i Përgjithshëm i ushtrisë, qe caktuar Skënderbeu i shoqëruar me një Këshill të Luftës. Në fillimet e veta ai përbëhej nga princat, që morën pjesë në Kuvendin e Lezhës, të cilët ishin zotuar se do të luftonin me forcat e tyre të armatosura. Veprimi i parë i Heroit qe të krijonte një ushtri jo nga mercenarë, por një ushtri të disiplinuar dhe të ushtruar si duhet. Në këtë kontekst, u mblodhën rreth 8000 luftëtarë, 3000 ndër këta e përbënin gardën e Gjergj Kastrirotit-Skënderbeut, me këmbësorë dhe kalorës të lehtë e të rëndë; 3000 u vënë nën komandën e Moisi Golemit, i cili do të mbronte kufijtë nga do të vinin osmanët. Heroi ynë, zgjodhi edhe ushtri vullnetare, për t’i pasur të gatshëm në rast lufte. Kështu, Kapiten i Përgjithshëm i ushtrisë ishte i zoti t’u vinte për ballë fuqive të sulltanit me një fuqi prej 15000-18000 vetash. Vendimet e Lidhjës së Lezhës është dashur që ta ruanin edhe autonominë e princave arbër. Që këtej, secili sundues kishte trupa të veçantë për të mbrojtur zotërimet dhe interesat e veta dhe ruanin të drejtën të hynin në marrëdhënie personale me vende dhe forca të tjera jashtë kuadrit të Lidhjes.

Vendimet e Lidhjes iu dhanë një mbështetje të fortë juridike e morale pozitave të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në marrëdhënie me sundimtarë të tjerë arbër. Ai diti t’i shfrytëzonte ato me mjeshtëri për t’i ngritur në një shkallë gjithnjë e më të lartë të drejtat e organeve qendrore, të udhëhequra prej tij, për të bashkuar sa më shumë krahinat e lira të Arbërisë. Pushtetin qendror e pranuan edhe fisnikëria arbërore. Në të vërtetë, kjo ishte një domosdoshmëri e kohës, meqë ishte e qartë se me politikën e zgjedhur të shpërndarjes së feudeve të vogla ushtarake, të pronave, për të cilat flet qartë Marin Barleci, pushteti qendror, si kudo në Europë, te feudalët gjeti një mbështetje efektive politiko- shoqërore e ushtarake.

Me krijimin e Lidhjes së Lezhës ishte bërë hapi i parë dhe shumë i rëndësishëm në rrugën e bashkimit. Në vitet e para të luftës ajo i dha një mbështetje të mirë Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në përballimin  e pushtimit osman dhe herë herë edhe politikës armiqësore të Republikës së Venedikut.  Mirëpo, me kalimin e kohës, në vetë gjirin e Lidhjes së Lezhës filluan të vepronin forca që e dobësonin unitetin e saj. Lidhja e Lezhës, e krijuar si një aleancë politiko-ushtarake e princërve arbërorë në luftën e përbashkët kundër  pushtimit osman, ishte ngritur mbi themele të formacioneve politiko-shoqërore të veçanta, që sipas modës mesjetare nënkuptonte respektimin e sovranitetit të privilegjeve të çdo njerit në veçanti.

Pikturë e Kuvendit të Lezhës në Krujë

Shpërndaje

Comments are closed.

« »