Përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së në Kosovë, Z. Andrew Russell, mbanë ligjëratë me studentët e Pastoralit Studentor

Mar 2 • Bota e të rinjve

Nga Linda Gjokaj

 

Në kuadër të ligjëratave mujore të pastoralit për studentë në Prishtinë mbi kulturën e mirësjelljes,  për muajin shkurt ligjëruesja, Arbnora Gojani Mazreku kishte ftuar  për të ndarë eksperiencën profesionale shumë vjeçare mbi debatin dhe aftësitë e negocimit, përfaqësuesin e përhershëm të UNDP-së në Kosovë Z. Andrew Russell.

Në prani të studentëve dhe famullitarit të Prishtinës, Z. Russell shpalosi eksperiencën e tij profesionale dhe personale, punën dhe misionin në disa vende të botes, të cilat sipas tij ishin një përvojë e jashtëzakonshme për të kuptuar qasjen e popujve të ndryshëm në biseda, debate, konferenca dhe shumë formate tjera të komunikimit.

Ligjëruesi kaloi në disa pika, që e ilustroi me ngjarje personale, strategji të debatit, megjithatë, fokusi ishte tek dy elemente shumë jetike në debat, sidomos kur palët i përkasin proveniencave, përqasjeve të ndryshme, shpeshherë kontradiktore e thuajse të papajtueshme. E para sipas Z. Russell, çelësi i një komunikimi të çfarëdo formati është aftësia për të dëgjuar te tjerët, përpara se të japim përfundimet tona për bisedën, personin, ngjarjen. Aftësia për të dëgjuar tjetrin, nënkupton jo vetëm duke mos reaguar me përgjigje të menjëhershme, por duke kuptuar dhe analizuar rrethanat apo çfarëdo elementi tjetër të bisedës, në mënyrë që t’i zvogëlojmë sa më shumë paragjykimet tona rreth personit që qëndron përballë nesh në komunikim. Sipas Z. Russell, formatet e komunikimit në nivel institucional, konferencat, negociatat apo çfarëdo komunikimi tjetër publik gjithandej në botë, nuk arrijnë në pikën ku komunikimi do të duhej të ndërthurte elemente personale dhe ndoshta emocionale, dmth. mungon tentativa për ta kuptuar gjërat nga perspektiva e tjetrit.  Rëndësia e këtij elementi sipas te ftuarit është shumë e domosdoshme në të gjitha nivelet e komunikimit, qoftë atij personal deri tek ai institucional.

Në shumicën e vendeve të botës, misionet si ai të cilit Z. Russell i shërben mundohen të krijojnë kanale shume objektive të komunikimit, në mënyrë që të vihet në pah e vërteta, si instrument i vetëm për një bisedë apo dialog të suksesshëm. Në këtë pikë të dytë, Z. Andrew Russell e theksoi fuqishëm peshën e të vërtetës. Sipas tij, të kërkosh të vërtetën, ta pranosh apo shpalosësh atë kur palët ndajnë të kaluara jo të mira, është rruga më e lehtë dhe më e shpejtë deri tek paqja. I ftuari përmendi rastin e Kosovës dhe Serbisë, bisedimet në Bruksel si një shembull shumë të prekshëm për studentët sesi bisedimet apo marrëveshjet duhet të jenë gjithmonë për të mirën e të dyja vendeve, duke lënë anash urrejtjet nga e kaluara jonë. Të bësh përpjekje për të bashkuar dy grupe që historikisht nuk ndajnë raporte të mira, sipas ligjëruesit është një punë e vështirë, por edhe shumë motivuese në fund, sepse je dëshmitar i një procesi shumë human, të bashkimit apo neutralizimit të dy popujve, grupeve që në fund te fundit meritojnë të jetojnë në paqe.

Në fund të ligjëratës studentët drejtuan pyetjet e tyre për mysafirin, të cilët me shumë interes u munduan të përfitojnë nga eksperienca e tij. Përpos perspektivës profesionale në komunikim, i ftuari si fund i la studentët me një mesazh shumë të fuqishëm. Të flasësh para të tjerëve për diçka që ju e doni, u shpreh Z. Russell, për diçka që tashmë është pasioni juaj duhet të jetë diçka që kurrë nuk duhet të hezitojmë ta bëjmë. Studentë të nderuar nga prania e tij, e falënderuan përzemërsisht, duke kërkuar tutje bashkëbiseda të tilla me të.

Ligjëratat mbi kulturën e mirësjelljes janë ligjërata që mbahen një herë në muaj gjatë vitit 2017, ato udhëhiqen nga Znj. Arbnora Gojani Mazreku, e cila ka shprehur dëshirë të përcjellë njohuritë akademike dhe profesionale në këtë fushë.

[wonderplugin_gallery id=”44″]

Shpërndaje

Comments are closed.

« »