Tundimi mposhtet me Shkrimin e shenjtë

Mar 4 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela I e Kreshmës (A) 

Leximi i parë  Zan 2, 7-9; 3, 1-7

Lexim prej Librit të Zanafillës

Zoti Hyj e formoi prej pluhurit të tokës njeriun dhe nëpër hundë i shtini frymën e jetës e njeriu u bë qenie e gjallë. Zoti Hyj mbolli një kopsht në Eden, në lindje, e në të e vendoi njeriun që e kishtë krijuar. Zoti Hyj bëri që prej toke të mbijë çdo lloj peme, e bukur për t’u parë dhe e shijshme për t’u ngrënë, e në midis të parrizit pemën e jetes e pemën e dijes të mirës e të së keqes.  Ndër të gjitha egërsirat e fushës që Zoti Hyj krijoi, gjarpri ishte më dinaku. Ky i tha gruas: “Vërtet, Hyji ju urdhëroi që të mos hani prej asnjë peme të kopshtit?” Gruaja i përgjigji: “Ne i hamë frytet e pemëve që janë në kopsht; porse për frytin e pemës që është në midis të kopshtit, Hyji na urdhëroi të mos e hamë as të mos e prekim që të mos vdesim.” Porse gjarpri i tha gruas: “Nuk do të vdisni assesi. Madje Hyji e di se kur do të hani prej saj, sytë tuaj do të hapen e do të bëheni porsi Hyji duke e njohur të mirën e të keqen.”  Atëherë gruaja pa se pema ishte e mirë për ta ngrënë dhe e bukur për t’u parë dhe pemë e dëshirueshme për të fituar dijen; gruaja mori prej frytit të saj dhe hëngri. Mandej i dha edhe burrit të vet që ishte me të. Hëngri edhe ai. Atëherë iu hapën sytë të dyve. Kur panë se ishin lakuriq, gërshetuan gjethe fiqsh dhe bënë mbështjellës për vete.

Fjala e Zotit.

 

PSALMI 51

Ref: Na fal, o Zot, sepse kemi mëkatuar

—————————————————-

Ki mëshirë për mua, o Hyj, sipas mëshirës sate,
pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!
Më laj krejtësisht prej mëkatit tim
e më pastro prej fajit tim.

——————————————–

Sepse e pranoj paudhësinë time:
mëkatin tim përherë e kam para sysh.
Ty, vetëm ty të kam rënë në faj
dhe kam bërë ç’është keq para teje.

———————————————-

Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër,
përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!
Mos më flak larg fytyrës sate,
mos e hiq prej meje shpirtin tënd të shenjtë.

————————————————-

Ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd,
dhe më forco me shpirt të gatshëm.
Zhdrivilloj, o Zot, buzët e mia,
dhe goja ime do ta shpallë lavdinë tënde.

———————————————–

 

Leximi i dytë    Rom 5, 12-19

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, sikurse me anë të një njeriu mëkati hyri në botë e, me anë të mëkatit, vdekja, dhe kështu vdekja kaloi në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë njerëzit mëkatuan… – në të vërtetë, edhe para Ligjit mëkati ishte në botë dhe, megjithëse nuk mund të mbahej për mëkat pasi ende nuk kishte Ligj, prapë vdekja mbretëronte qysh prej Adamit e deri te Moisiu edhe mbi ata që nuk mëkatuan me mëkat të njëjtë si ai i Adamit, i cili është prototipi i Atij që do të vinte.  Por me dhuratën e hirit nuk ngjau si me mëkat. Sepse, në qoftë se me mëkatin e një njeriu të vetëm, vdiqën të gjithë njerëzit, shumë më tepër u ndikua mbi të gjithë njerëzit hiri i Hyjit dhe dhurata e dhënë në hir të një Njeriu të vetëm – Jezu Krishtit. E dhurata e hirit ka rrjedhim krejtësisht të ndryshëm nga ai i mëkatit të një njeriu të vetëm: gjyqi i shkaktuar prej mëkatit çon në dënim, kurse dhurata e hirit, pas shumë mëkatesh, jep shfajësimin. Kështu, pra, nëse me anë të mëkatit të një njeriu të vetëm, mbretëroi vdekja – për shkak të një njeriu të vetëm – me më shumë arsye do të mbretërojnë në jetë ata që marrin begatinë e pamasë të hirit e të dhuratës së drejtësisë nëpër një të vetmin – Jezu Krishtin.  Prandaj, mëkati i njërit – dënim për të gjithë njerëzit, gjithashtu edhe drejtësia e Njërit – shfajësim që u jep jetën të gjithë njerëzve. Vërtet, sikurse me padëgjesën e njërit, mëkatuan të gjithë njerëzit, po ashtu, me dëgjesën e Njërit – të gjithë njerëzit do të bëhen të drejtë.

Fjala e Zotit.

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Njeriu nuk jeton vetëm prej buke,
por prej çdo fjalë që del nga goja e Hyjit.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

Ungjilli Mt 4, 1-11

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Atëherë Shpirti i Hyjit e çoi Jezusin në shkreti që ta tundojë djalli. Dhe, pasi agjëroi dyzet ditë e dyzet net, në fund u urit. Atëherë iu afrua tunduesi dhe i tha: “Nëse je Biri i Hyjit, urdhëro që këta gurë të shndërrohen në bukë!” Por Jezusi i përgjigj: “Shkrimi shenjt thotë: ‘Njeriu nuk jeton vetëm prej buke, por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit’.”  Atëherë djalli e mori dhe e çoi në Qytetin e shenjtë, e vuri në majë të Tempullit dhe i tha: “Nëse je Biri i Hyjit, hidhu poshtë, sepse Shkrimi shenjt thotë: ‘Për ty Hyji do t’ju urdhërojë engjëjve të vet, dhe ata do të mbajnë para duarsh, që këmba jote të mos vritet në ndonjë gur’!” Jezusi i përgjigji: “Porse Shkrimi shenjt thotë edhe: ‘Mos e sprovo Zotin, Hyjin tënd’!”  Djalli e çoi sërish në një mal shumë të lartë, ia dëftoi të gjitha mbretëritë e kësaj bote dhe madhërinë e tyre e i tha: “Të gjitha këto do t’i jap nëse bie përmbys para meje e më adhuron.” Atëherë Jezusi tha: “Ik, o djallë, sepse Shkrimi shenjt thotë: ‘Adhuro Zotin, Hyjin tënd, dhe shërbej vetëm Atij’!” Atëherë djalli e la dhe, ja, u afruan engjëjt dhe i shërbenin.

Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Ngjarjet për të cilat lexojmë sot ndodhin në fillim të ministerit të Jezusit dhe ishin nën kontrollon e Hyjit, siç e pohon edhe rreshti i parë i Ungjillit. Shpirti Shenjt e drejton Jezusin në misionin e tij hyjnor, në shkretëtirë. Ai qëndron atje dyzet ditë dhe agjëron gjatë gjithë kohës.

Dyzet është një numër domethënës dhe paraqitet si periudhë përgatitje në Besëlidhjen e Vjetër. Na kujton agjërimin e Moisiut për dyzet ditë në Malin Sinai (khs. Dal 34, 28) dhe Izraelitët kaluan dyzet vjet në shkretëtirë pra se të futeshin në Tokën e Premtuar (khs. Lp 8, 2-3 dhe 29 5-6).

Mateu na tregon vetëm tre tundime të veçanta.

Në të parin, Djalli e tundon Jezusin të përdorë fuqitë e tija të mbinatyrshme që të përmbushë nevojat e tij fizike. Jezusi, duke u identifikuar me ne, e refuzon këtë tundim; ne kemi nevojë për më shumë se ushqimi fizik. Domethënia është e qartë, ne kemi nevojë edhe për ‘ushqim shpirtëror’ që na jepet nga Hyji.

Pastaj, Djalli e tundon Jezusin që të dëshmojë natyrën e tij hyjnore duke u hedhur nga tempulli; Hyji do të dërgonte engjëjt e tij për ta shpëtuar. Së fundmi, ai i ofron Jezusit pushtet mbi kombet nëse ai do ta nderonte Djallin.

Është e vërtetë se Jezusi kishte ardhur t’i shpëtonte njerëzit nga pushteti i Djalit, por jo në këtë mënyrë.

Këta tre shembuj ilustrojnë bërthamën e çdo tundimi: dëshira për ta vendosur Hyjin në një anë, për ta parë atë si të panevojshëm , dhe për ta rregulluar botën pa Hyjin.

Mashtrimi dinak i Djallit nuk e fut Jezusin në kurth, edhe pse për ta tunduar, Djalli përdorë Shkrimin e shenjtë (Ps 91, 11-12). Jezusi nga ana e tij refuzon çdo tundim duke u bazuar në Shkrimin e shenjtë, citon vazhdimisht pjesë nga Ligji i Përtërirë 8, 3; 6, 16 dhe 6, 13. Kjo na shpie te një fakt tjetër krucial, se një interpretim autentik, i përnjëmend i një pjese të Biblës duhet të jetë në harmoni me të gjithë pjesët tjera të Shkrimit të shenjtë.

Esenca e gjithë tundimeve është oferta për të vepruar një mënyrë tjetër si Hyji vepron. Kjo ishte e vërtetë në atë kohë dhe është e vërtetë edhe sot. (nga Mesha dhe lutja e përditshme)

LUTJET E BESIMTARËVE

Vëllezër e motra, Zoti Jezus ka vuajtur të njëjtat tundime si ne për të na dhënë fitoren mbi to.  Të udhëhequr nga Shpirti i tij thërrasim Atin duke thënë:

Na jep forcën tënde, o Zot!

  1. Për Kishën: që e ripërtërirë nga fjala e Hyjit dhe e mbështetur nga vepra pendese dhe mirësie, të mund ta jetojë këtë kohë kreshmësh si një moment të favorshëm për të zbuluar dashurinë e Hyjit, të lutemi
  1. Për katekistët: që të ndihmojnë vëllezërit dhe motrat të njohin Krishtin, që është fillimi dhe fundi i historisë njerëzore, qendra e gjinisë njerëzore dhe gëzimi i çdo zemre, të lutemi.
  1. Për të rinjtë që, Eukaristia të jetë qendra e gjallë rreth së cilës mblidhen për të ushqyer besimin e tyre dhe entuziazmin e tyre, të lutemi.
  1. Për të gjithë të krishterët: që në këto Kreshme të largojnë rastet e mëkatit, të luftojnë me forcë kundër së keqes dhe të jenë të hapur ndaj dashurisë së Hyjit dhe të vëllezërve, të lutemi.

O Hyj, që na jep ditë dhe kohë për të na mbushur me mëshirën tënde, dëgjoji lutjet tona: duke rrëfyer dobësinë tonë thërrasim nga ty forcën e besimit, që të mbështetur nga fjala e Ungjillit të përballojmë tundimin për t’u larguar prej teje.  Nëpër Krishtin Zotin tonë.  Amen

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »